Miratimi i Hysni Kapos për ngritjen e shtëpisë së Mehmet Shehut, në vendin ku kishte qenë e ishte rrënuar

1325
Albert Z. ZHOLI
INTERVISTA/ Flet ish-ministri Bujqësisë, Hasan Halili, ish-agronom në Kutë: Ju tregoj takimet me Mehmet Shehun, Hysni Kapon dhe vizitën e Enver Hoxhës në vitin 1970
Në vitin 1973, kalon për në Gjirokastër Hysni Kapua dhe njofton kuadrot e takohen në Fratar, qendër e lokalitetit
Mua nuk më njoftoi njeri e nuk kisha si të vija. Kur u kthyen ata, na njoftuan se kishin marrë miratimin e Hysni Kapos, për ngritjen e shtëpisë së Mehmet Shehut, në vendin ku kishte qenë e ishte rrënuar. Pirro Gusho, sa mori miratimin, autorizoi ndërmarrjen e ndërtimit të Uzinës së Ballshit, që nga fondet e saj të viheshin në dispozicion të kësaj shtëpie dhe të gjitha kooperativat e zonës morën përsipër detyra të veçanta, po detyra kryesore, na u la neve. Në takimet e punës në Fier, Pirua thërriste edhe mua së bashku me kryetarin e sekretarin. Ne përballuam nxjerrjen dhe transportin e gurit të zi nga vendi i quajtur Përroi i Zi, në fshatin Ninësh, në një vend të pjerrët, me transport në krahë deri në qendër të fshatit. Kooperativistët tanë e dinë ç’kanë hequr, sidomos kur u transportua guri i portës oborrit, rreth 4 m i gjatë. Skalitësit e gurit ishin nga Opari, mjeshtër të përpunimit të tij. Në momentin e vizitës së Mehmetit punimet ishin në fazën e xokulaturës. Më datën 1 shtator 1974 ne u ngritëm shumë herët së bashku me Fiqireten, ndërsa Mehmeti flinte në shkollë dhe, sipas gruas së tij çuditërisht jashtë orareve, që ai ngrihej në mëngjes. Duke ndenjur para shkollës, Fiqeretja më pyeti mua për kufijtë e kooperativës. Ia tregova: Fillon nga Poçemi, vete në Kremenar, në Fratar, në Bejar, në Krahës dhe pastaj në Kalivaç.

– Qenka goxha e madhe, – thotë Fiqiretja. Unë shfrytëzova rastin dhe i them: “Keni të drejtë, ekonomia është e hapët shumë, por më e keqja është që ne na thërresin në mbledhje në Fier dhe ne, një ditë e humbasim që vemi, se një autobus ka Fratar – Fier, një ditë, që rrimë në mbledhje se nuk kthehemi dot pasi autobusi niset vetëm në mëngjes. Kështu që për një mbledhje harxhojmë tre ditë, kur ushqimorja në Fier shtrihet na katër ha dhe ka në përdorim dy makina të vogla”.

Heshti, por kuptoi që ekonomive, për punën u duheshin makina e jo për luks. Kështu në muajin tetor të 1974, doli vendimi i qeverisë, që kooperativat mund të blejnë makina të vogla për punën e drejtuesve. Pra me një ndërhyrje, u zgjidh një problem për gjithë vendin. Duke bërë këtë diskutim, përsëri Fiqeretja më pyet: – Je i martuar? – Po, – i them. – Po ku e ke familjen? – Në Dukat, – i them. Myrteza Sinoimeri më thotë: – Po mirë pse nuk e merr familjen këtu? Menjëherë hidhet Xhevat Merkaj e I jep përgjigje: “Nuk e ka bërë ndonjë tjetër që ta bëjë edhe Hasani këtë”.

Xhevati e pati me ironi për Myrtezan, që edhe ti e ke familjen në Tiranë, pse nuk e sjell në Fier. Myrtezai e kuptoi edhe heshti. Kur Mehmeti u ngrit nga gjumi vajtëm tek shtëpia e tij, e ai bëri të pa diturin e pyet: – Kush po e bën shtëpinë time? -Ne, – i tha Xhevati, po i kemi marrë leje shokut Hysni vjet. – Aaa… i kini marrë leje shokut Hysni? – Po, – i thanë të gjithë. – E po mirë vazhdojeni, po këtë po e bëni si kala, unë shtëpinë e kam pasur si gjithë çorrushiotët me gurë të zakonshëm. Xhevati i afrohet Fiqeretes dhe i thotë me zë të ulët: – thuaj ndonjë fjalë ti, se po na urdhëroi ta prishim nuk e bëjmë dot më. Gratë kur duan, të nxjerrin në “selamet”. Fiqereti thotë: – shoku Mehmet, kjo me të vërtet është shtëpia jote, po ky muze do të bëhet i Mallakastrës së sipërme, prandaj të bëhet kështu që t’i rezistojë kohës. – Kështu thua ti Fiqerete? – Po, – i tha prapë ajo. Në këtë çast thirri projektuesin e filloi t’i tregonte detaje nga shtëpia, që i di vetëm ai që ka banuar më mirë se çdo arkitekt. Projektuesi mbante shënime, që u zbatuan qind për qind. Pas kësaj më drejtohet mua e më thotë: – Në këto ullishte Shehu mbillte patate, perime, tërshërë, grurë, elb, thekër. E unë prapë, kokë mushkë, i them: – Për perime jam dakord, ndërsa për drithëra nuk shkon se kanë kërkesën në një kohë për ujë me ullirin.- Ik more, më thotë, – se ju për dhi dini! E unë prapë: – Shoku kryeministër është hera e tretë, që më thoni për dhi di ti, po mua do të më krijohet një telash, se do të vete në brigadë të jap porosi teknike e do të më thonë fshatarët, “ikë ore se për dhi di ti”, se kështu tha edhe kryeministri. Ai, jashtë natyrës së tij dhe në sy të të gjithëve më mori për qafe e më shtrëngoi fortë, pra kjo ishte dhe përgjigja për gjithçka kishte thënë e i mbylli gojën e kujtdo, që mund të më thoshte ndonjë gjë.

Vajti për mëngjes tek një kushëri i tij, ndërsa ne ikëm dhe pritëm ta përcillnim në vendin e quajtur bregu i Shehut. Atje u përshëndoshëm me të gjithë, po kur vajta tek makina “BÇ”, me të cilën udhëtonin djemtë, tek këmbët e pasagjerëve pashë dy automatikë Kallashnikov dhe shumë municion tek dyshemeja e makinës. U habita, po nuk i thashë kujt. Pasi u larguan ata, shikojmë që na dolën tre zisa me ushtarë të gardës, që kishin ndenjur gjithë natën kodrave të fshatit. Edhekjo përsëri qe një habi për mua. 

Kur Mehmeti ishte 15 vjeç, I ati e dërgon tek shehu i Kutës për një punë. Shehu e priti me gjithë të mirat dhe e pyeti edhe për të atin. Mehmeti i thotë: Mirë, o mirë është, por ka një hall, ka ca kohë që nuk dëgjon nga veshët, duhet t’i flasësh fort të të dëgjojë. “Allah, allah, thotë shehu. Po nga se i ndodhi?” Nga një temperaturë e lartë, qe vazhdoi ditë dhe pas kësaj iu shfaq kjo. Në darkë u kthye në shtëpi dhe i ati e pyet për detyrën e ngarkuar si edhe për shëndetin e shehut. Mehmeti përgjigjet: “Mirë o mirë ishte, po kishte një hall të madh”. -Çfarë? – tha shehu. Nuk dëgjon nga veshët do t’i flasësh fort që të të dëgjojë. “Allah, allah, thotë i ati, të shkretin ç’e paska gjetur!” Pas disa ditësh ngrihet shehu i Kutës vete në Çorrush tek shehu i Çorrushit dhe, duke menduar se shehu nuk dëgjonte, i fliste fort. I ati i Mehmetit thosh me vete, “Oh, sa keq qenka lumëmadhi me veshët dhe i përgjigjej fort”. Po njeriu që nuk është mësuar të flasë fort, harron e flet me zë të zakonshëm dhe ata dëgjuan. – Ou, po dëgjon ti? – Po dëgjoj, po ti dëgjon. Ah, arrakati e ka bërë ai, djali im

Mehmeti, se kështu bënte me shumë të tjerë. Me Xhevatin ikëm në dhomë e unë më të nesërmet, do të ikja në Vlorë, se më datën 28 gusht më kishte lindur djali i madh, po unë nuk mund të ikja në atë situatë që isha. Ika më datën 2 shtator. Kryeministri sa iku nga ne e vajti në Fier dha alarmin për ushtrinë dhe rezervistët, që t’i shikonte Beqir Balluku që ishte i internuar në Roskovec. Komandant i stërvitjes ishte Mehmet Shehu, komisar Hysni Kapua. Më datën 14 shtator 1974 kunati im, Qemal Mëhilli, bëri drekë, me që kishte lindur djali im i parë, që emrin ia kishim vënë Ismail, në emër të babait. Veç meje dhe gruas kishte ftuar edhe babanë tim edhe

vëllain e Vlorës, Arizin, ndërsa nga njerëzit e tij kishte plot. Meqë unë kisha motorin, sa të vinte ora e drekës vajtëm në fshat me Qemalin, se kishte vdekur Mehmet Bodua, e na duhej të bënim një ngushëllim. Vajtëm, mbaruam punë, po kur kthehemi shikojmë tek Dervish Metja, kushëriri i parë i Qemalit, vëllai i dëshmorit Hasan Mëhilli, vrarë në përpjekje me gjermanët në hyrje të Pogradecit, nga Qafë Thana, një tufë me makina.

– Ou uu, – tha Qemali, – do të jetë Hysni Kapua. Pritëm aty dhe kur Hysniu erdhi drejt shtëpisë pyeti, e kujt ishte kjo shtëpi e, kur i thanë e djalit të Sinan Aliut, me të cilin njihej dhe e lidhte edhe një lidhje e largët nga Bolena, tha do të kthehem të pi një kafe këtu. U kthye me gjithë eskortë dhe i shoqëruar nga Vito Kapoja, e shoqja, Gaqo Nesho, sekretari i parë i Vlorës me të shoqen, që ishin baxhanak me Hysniun. Arizi mbrapa grupit, po pranë shumë Hysniut, i cili po ngjitej lart, kur, në krye të shkallëve doli babai ynë. Shoqëruesi i degës së Vlorës i thotë Hysniut dajua i Halim Xhelos. Hysniu e pa me bisht të syrit dhe kur vajti tek im atë i thotë:

– Ismail, si je? Pra, la të kuptonin shoqëruesit që këtë e njoh vet nuk ka nevojë për paralajmërim. U futëm brenda dhe Qemali filloi prezantimin. Unë isha nga fundi, se isha më i vogli nga pjesëmarrësit dhe më prezanton mua: “Kunati im, agronom në Kutë –Çorrush”.

– Ouuuu, thotë Hysniu, tek ju ka qenë shoku Mehmet dhe ka mbetur shumë i kënaqur nga arritjet tuaja dhe erdhi në stërvitjen, që bëmë shumë optimist. Unë iu përgjigja me formulën standard, që nën udhëheqjen e partisë kemi arritur disa rezultate.. Më ndërpreu. – Çfarë partie më thua, pse s’ka qenë partia atje përpara? Po është puna dhe sakrifica juaj, që e ka çuar ekonominë në këtonivele dhe për këtë edhe unë ju falënderoj.

Baballarët si të gjithë baballarët, shfrytëzoi rastin e i thotë, se qenka i mirë për botë, po jo për mua.

– Pse ti Ismail do që të vijë në Vlorë? Hidhet Vitua: “Të vijë në Dukat shoku Hysni?”
– Rri moj Vito se nuk i di mirë punët ti, po ky të qëndrojë kudo, se kudo do t’i vlerësohet puna më mirë nga këtu. Unë shfrytëzova rastin se kisha dëgjuar që Gaqo Neshua nuk e donte Mënon dhe u them: shoku Hysni, keni plotësisht të drejt, se unë jam i 13-ti agronom nga Dukati, po ky që është këtu, është më i miri ndërmjet nesh. Ka njerëz, që për arsye banale, nuk e pëlqejnë.

– E shikon moj Vito, – i thotë Hysniu. Kalemja (ime motër) u nis të bënte kafen dhe shoqëruesi u nis prapa për kontroll, por kur Hysniu e pa, i tha Kalemes. – Bëje pa sheqer, ndërsa ti mos ec atje, se nuk më gjen gjë mua këtu, të jesh i sigurt. Piu kafen dhe megjithëse iu lutën për të qëndruar, me që edhe dreka ishte e ngrehur, por nuk qëndroi. Natyrisht pas kësaj vizite, dreka u bë me më qejf nga pjesëtarët dhe sidomos nga njeriu me humor fantastik Dervish Metja, kushëriri i parë i Qemalit, që me babanë, megjithëse të kundërt në bindje, shakanë nuk e ngatërronin kurrë me bindjet që kishte secili dhe asnjëherë nuk e rëndonin njeri tjetrin për këtë. Kur çova babain me motor në shtëpi, më thotë: “Kur dalin këta në miqësitë e vjetra, diçka u “shfryn” në Tiranë, se çfarë do të kenë, nuk e marr vesh”. Ato u morën vesh shumë shpejt kur dolën grupet “armiqësore” njëri pas tjetrit. Kështu që edhe babai e kuptoi që diçka nuk shkonte.
Në fillim të vitit 1975, u godit grupi “armiqësor” i naftës ju ishit aty. Kush erdhi i deleguar për këtë grup dhe si rrodhën ngjarjet?
Në Fier ishte i deleguar Haki Toska. Kur Pirro Gusho, kuptoi që do të përjashtoj nga partia, do të burgosej, e do të telendisej nga njerëz pa moral, që deri dje i kishin fshirë këpucët. Do të dilnin tani t’i jepnin mend. Prandaj me dinjitetin, që kishte, vajti në shtëpi dhe vrau veten. Menjëherë pas këtij akti u ndëshkuan ata që mendoheshin se ishin “beniaminët” e tij, në një kohë që ai vetëm servilët nuk mbante afër. Intrigantët iu futën kësaj pune dhe në bujqësi, u shkarkua nga kryetarë kooperative në Hekal Gani Kapaj, kryetar që e kishte çuar kooperativën ndër më të mirat në rreth. Me që ishte anëtarë i byrosë së rrethit e shkarkuan. Të njëjtën gjë desh të bënin me Teki Aliajn, kryetar i kooperatives bujqësore të Cakranit me 17.000 banorë. Ai e gjeti kooperativën në vitin 1971 me 50 lekë për ditë pune dhe e çoi në 140 lekë. Por ishte edhe ky anëtar i byrosë me Pirron, prandaj duhej hequr dhe duhej të vazhdonin masat më tej. Në aktivin e partisë së Cakranit ngrihet nga të parët Luan Muhameti, kryeagronom i kooperativës me origjinë nga Vlora dhe diskuton një orë e gjysmë e rrëzon të gjithë opinionin negativ për Tekiun. U mjaftua vetëm me shkarkimin dhe kthimin kandidat partie, po nuk e çuan në burg. E përkrahu Siku Prifti – drejtori i fermës së Levanit. Si i mençëm që ishte, kur të tjerët e refuzonin Tekiun për kuadro në ekonomitë e tyre, sepse do të “ruanin” partinë nga “armiqtë” Siku e bëri përgjegjës sektori të perimeve, sektor që mbyllte të gjitha deficitet e fermës në aktivitete të tjera. Për të zëvendësuar Ganiun në Hekal ngarkuan Xhevat Merkajn kryetar kooperative dhe në Kutë sollën sekretar byroje një mësues

nga Ballshi, që quhej Skënder Mahmutaj, njeri i mirë, por përvoja e vetme e tij ishin raportet mësues- nxënës. Nga këto raporte nuk hoqi dot dorë edhe kur erdhi sekretar byroje tek ne. Shkova shumë mirë me të, përpiqej jashtë mase dhe kontribuonte aq sa dinte. Në fund të vitit 1975, rezultatet qenë shumë të mira. U arrit që vlera e ditës së punës të vinte 175 lekë, si edhe u sigurua për gjashtë muaj fondi i garantimi të pagës. Ky rezultat entuziazmoi dashamirësit, që më rekomandonin që edhe Kuta të bëhej Kooperativë e tipit të lartë. Kjo formë organizimi kishte filluar në vitin 1971 dhe në Fier ishte bërë e para kooperativë. e Grecallisë. Kur unë e studiova këtë variant organizimi e shpërblimi, konstatova se në këtë mënyrë pune anëtari i thjesht i kooperativës, për të njëjtën sasi pune, që bënte në kooperativa e zakonshme, merrte 30 % më pak shpërblim në këtë të tipit të lartë. Të pranoje këtë e ta propagandoje do të thoshte të dilje kundër reformave të partisë. Unë gjithë sugjeruesve, u anashkaloja apo u thosha, të presim të konsolidohet më mirë ekonomia, mandej e bëjmë. Me shokët që kisha besim dhe mbetën në detyra në Kutë, ua argumentova, që në asnjë mënyrë të mos e hidhnin këtë hap. Ata ashtu bënë, dhe unë kudo që punova nuk e nxita kurrë bërjen e ekonomisë, ku më emëronin, të kthehej në kooperativë të tipit të lartë, pavarësisht se mund të ishin arritur treguesit për ta hedhur këtë hap. Unë kisha kërkuar transferimin tim për arsye familjare. Po bëhesha me dy fëmijë dhe me grua me punë në Vlorë e unë në Kutë. Ishte sakrilegj, jo sakrificë. Pas ndërhyrjes tek kryetari i komitetit të rrethit, Myzafer Tebeshina ma dëgjoi kërkesën dhe përsëri, Siku Prifti shfrytëzoi rastin, dhe më kërkoi në Levan. Atëherë ishte dhënë orientimi që karakteristika e punës të të lexohej para nisjes në organet që e kërkonin. Kështu Naimi me Skënderin në dhomën time më lexuan karakteristikën shumë të mirë, por kisha shenja mëndjemadhësie, që po i korrigjoja. Ndërsa marrëdhëniet me popullin e thjeshtë i kisha të shkëlqyera. Pra, kontradiktore, me popullin mirë me drejtuesit jo mirë, ku qëndron mendjemadhësia? E theksova këtë se, kjo më ka ndjekur edhe atëherë, që më kërkonin t’i mbaja kalin dikujt, që nuk e kisha për detyrim ligjor, e përsëri u etiketova si mendjemadh. Me këto fenomene isha i qetë, se në fund të fundit, rëndësi ka të komunikosh me ata që ke poshtë vetes, se në të kundërt pastaj je mendjemadh, pa me ata lart, ata e kanë në dorë vet si të sillen me ata që bashkëpunojnë. Vendimi për transferim kishte ardhur, por Naimi e mbante të fshehur. Mua më njoftuan nga rrethi dhe i thashë atij, se nuk është mirë që e bën këtë. Unë, sido që të jetë puna, do të ikja po ti më lë një shije të hidhur me veprimin që bën pas tetë vjet bashkëpunimi që kemi.


Sigal