Ministri i Parë i Luftës, Mehmet Pashë Dërralla

67

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Në kuadrin e 175 vjetorit të lindjes)

Themelues i Ushtrisë së Parë Kombëtare

Ka lindur më 31 tetor 1843 dhe mbylli sytë në vitin 1918, po në Tetovë. Bëri 40 vjet (1878-1918) luftë çlirimtare ndaj gjithfarë pushtuesish të Atdheut. U arsimua në tri shkolla ushtarake (gjimnaz, shkollë e lartë, akademi). Ushtarak, oficer dhe në moshën 35 vjeç u bë gjeneral, i përkushtuar dhe specialist në përmasat e një strategu. Ai shërbeu në disa funksione të larta shtetërore e ushtarake, jashtë dhe brenda Shqipërisë. Kudo ishte model i përsosmërisë ushtarake, profesionale dhe teorike. Mehmet Dërralla ka qenë ideator, organizator, udhëheqës dhe frymëzues i mjaft kuvendeve mbarëkombëtare; si në Prizren, një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të viteve 1878-1881, në Pejë, në Vlorë dhe ishte një nga 40 burrat e shtetit të ri shqiptar që nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë etj. Ai ka qenë mendimtar, komandant në beteja, drejtues me përmasa strategjike në trevat e Kosovës, por shquhet në kryengritjet e mëdha të viteve 1910, 1911, 1912, 1913. Ishte anëtar i Qeverisë së Përkohshme në Shtetin e parë Shqiptar. Mbajti detyrën e Ministrit të Parë të Luftës në historinë ushtarake kombëtare. Ishte me plot kuptimin e fjalës, Themelues i Ushtrisë së parë Kombëtare, në vitet 1912-1914. Ai ishte personalitet që përfaqëson virtytet më të çmuara të një kombi. Ishte i internuar politik nga Stambolli 9 vjet në Bagdad dhe nga Beogradi një vit e gjysmë në burgjet mesjetare të kohës. Ideali i Tij më suprem ishte Atdheu-Kombi – një hapësirë etnike.

Profesioni ushtarak i karrierës pëlqehej nga familjet e mëdha

Lindja, shkollimi dhe edukimin u bë në një familje tetovare të pasur ekonomikisht e të pastër në sjellje, me tradita atdhetare, kulturë fisnore, ku u konturua fizionomia e ardhshme të personalitetit të tij. Në këtë periudhë kjo trevë sikurse gjithë hapësira shqiptare ishte nën Perandorinë Osmane. Mësimet e para i mori në shkollën e Tetovës e më pas arsimin e mesëm e kreu në Shkup. Tek ai që herët u ngulitën idetë patriotike, vlerat progresiste, mospajtimi me robërinë osmane etj. Gradualisht u formuan vlerat e një atdhetari me dinjitet, luftëtar aktiv dhe i devotshëm për liri e Atdhe. Profesioni ushtarak i karrierës pëlqehej, ai konsiderohej privilegj për familjet e madha dhe të pasura ekonomikisht. Duke dëgjuar këshillën e mirë të babait të tij, Hasan pashë Dërralla, akademik dhe ushtarak i kohës, me dëshirë ndoqi studimet ushtarake. Duke shfaqur aftësi intelektuale të spikatura, vullnet, korrektësi e pasion, diplomohet në Akademinë e parë Ushtarake për oficerë në Stamboll. Pas mbarimit me rezultate të shkëlqyera të studimeve ushtarake, emërohet në një regjiment këmbësorie në Anadoll. Këtu shërbeu me përpikëri të lartë dhe bie në sy për mirë dhe nga të dhënat e përkufizuara “i zellshëm, me perspektivë”, i jepet e drejta për studime në Shkollën e Lartë, Akademinë e Dytë të Shtatmadhorisë. Duke qenë në funksione të rëndësishme demonstroi dije, aftësi profesionale, mbajti raporte të moralshme në detyrë e shoqëri si dhe prirje drejtuesi e organizatori ushtarak. Suksesi në karrierë, falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, do ta bënin Mehmetin që në moshën 35-vjeçare të përligjte kualitetet e titullit të “Pashait”, që nënkuptonte atë të gjeneralit. I graduar kështu me gradën më të lartë shërbeu fillimisht si komandues xhandarmërie në Bagdad të Irakut. Më pas në Halep të Sirisë dhe në Selanik, ku përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan. Mehmet Pashë Dërralla me tej emërohet në vilajetin e Kosovës për të shërbyer në kryeqendrën e tij, në Shkup dhe në Manastir. Kreu funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit në të cilin bënte pjesë Tetova, Gjakova dhe Luma e Kukësit. Në këtë detyrë gjeneral Dërralla, do t’i jepte fund karrierës si oficer i Ushtrisë Osmane.

Iu përkushtua Çështjes Kombëtare

Gjeneral Dërralla në shenjë proteste hoqi spaletat dhe yjet e gjeneralit të Ushtrisë Osmane dhe iu përkushtua Çështjes Kombëtare. Ai u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pikë kthese në jetën e tij ishte Kuvendi i Prizrenit, i cili duke çmuar dhe vlerësuar cilësitë dhe vlerat moralo-atdhetare të tij, i afroi vendin e këshilltarit në shtabin e Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Lidhjes. Fakt është se në organizimin politik e ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, morën pjesë dhe dhanë ndihmesë dy figura të familjes Dërralla: Hasan Dërralla i ati, me staturë më shumë prej politikani dhe Mehmet Dërralla, i biri, me staturë të suksesshme si ushtarak. Betejat e ashpra për afro 3 vjet, e afirmuan Mehmet Dërrallën si prijës të luftës popullore. Gjenerali Dërralla do të kontribuonte në Kuvendin e Pejës, më 23-29 janar 1899, e cila ishte një organizatë politiko-ushtarake mbarëshqiptare. Ishin përpjekjet e personaliteteve shqiptare të vitit 1899, të cilët nën drejtimin e patriotit të shquar Haxhi Zeka, ndërmorën këtë aksion politik dhe luftarak. Kuvendi i Pejës u shtyp pa i mbushur qëllimet dhe objektivat e tij. Mehmet Dërralla ndërroi taktikë. Ai u vu në krye të aksioneve të veçuara e të grupeve të vogla vullnetare, duke iu kundërvënë që në embrion synimeve grabitqare e veprimeve aneksioniste të monarkive ballkanike që kishin ndaj hapësirës shqiptare. Mehmet Pashë Dërralla u kap nga forcat osmane dhe u internua në shkretëtirat e Irakut prej nga u kthye aty nga viti 1908. 65-vjeçari tetovar u kthye nga Bagdadi në Selanik e në Shkup. Po nuk hoqi dorë nga aktiviteti atdhetar. Mehmet Pashë Dërralla mori pjesë në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912.

Ministri i Parë i Luftës

Ismail Qemal Vlora gjatë udhëtimit për për në Vlorë, më 1912, porositi që të njoftohej Mehmet Pashë Dërralla i qarkut të Prizrenit që aso kohe përmblidhte rrethinat e Tetovës, Prizrenit, Gjakovës dhe të Lumës së Kukësit. Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor 1912, Kuvendi i mbledhur në Vlorë në të cilin merrnin pjesë të gjitha viset shqiptare, ministër i Mbrojtjes i qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemal Vlora, u caktua Mehmet Pashë Dërralla, i propozuar nga burri i shquar i Kosovës Isa Boletini. Më 4 dhjetor 1912 gjenerali 69-vjeçar, me përvojë mbi 40 vjet komandimi, zuri vendin parësor në Qeverinë e parë të shtetit shqiptar. Ai bëri betimin për Atdhe e Komb. Ishte betimi më suprem, pasi, siç e thekson historiani i kombit Marin Barleti: “Dashuria për Atdhe është më e madhja nga të gjitha, ajo qëndron mbi çdo dashuri tjetër”. Ndaj dhe ushtarakët e emigruae në vende të ndryshme dhe ushtarët e oficerët që ende ishin në shërbimin ushtarak të ushtrisë turke, e mirëpritën caktimin e Mehmetin në postin e ministrit të Luftës. Organizimi, sistemimi, furnizimi e drejtimi ku ndihej më e ngutshme, u vlerësua nga ministri Dërralla, detyra më e parë shtetërore. Kështu ministri i parë i Luftës nisi detyrën e vështirë, të cilën në emër të popullit Kuvendi i Vlorës ia ngarkoi këtij burri të shquar të Shqipërisë. Ministri Dërralla u përqendrua në këto drejtime kryesorë në punën e ministrisë së Luftës: përpjekjet për sigurimin e mbrojtjen në planin e jashtëm si një parim bazë në politikën e diplomacinë e shtetit, administratën lokale në mënyrë të prerë dhe pa ushqyer asnjë iluzion të merrte në dorë situatën ushtarake e të rendit; autoritetet civile-ushtarake turke të dorëzoheshin tek shteti shqiptar për të vepruar në bazë të rregullave si një shtet i pavarur; mbrojtja e Shqipërisë më tepër se ushtarake ishte diplomatike dhe përqendrimi i vëmendjes për të penguar përparimin dhe sprapsjen e trupave pushtuese në vijat e ndaluara etj. Ministri-gjeneral dispononte njohuri teorike dhe përvojë të gjatë organizative në nivel taktik dhe strategjik. Por bazë ai pati dhe traditën luftarake, mjeshtërinë e luftëtarëve dhe të kapedanëve popullorë, të cilat janë dhe baza në fillimin e historikut të ushtrisë së rregullt shqiptare, e cila që nga 4 Dhjetori 1912 ka përshkuar një rrugë, sa origjinale, aq dhe me vlera.