MINISTRI I MBROJTJES, AGJENT I GREKËVE

848
Jovan BIZHYTI

Të pathënat qe dinte Ramiz Alia
Dy rrugë ka Shqipëria, o me Ramiz Alinë që mbështet perëndimin, ose me kundërshtarët e tij që mbështesin lindjen
Ishte vjeshta e vitit 1990. Në të gjitha vendet komuniste të lindjes me BS në krye, kishin ndodhur përmbysje të mëdha. Vetëm Shqipëria përpëlitej t’i rezistonte asaj furtune që kish përfshirë dhe brigjet shqiptare. Ramiz Alia, që ishte në krye të partisë e të shtetit, përpiqej t’iu mbushte mendjen komunistëve në radhë të parë, por dhe popullit se, “Shqipëria nuk është lindje”, në një kohë që orteku i ndryshimeve demokratike kish marrë drejtimin drejtë Shqipërisë, për ta përfshirë dhe atë në këtë përmbysje të madhe. Në këtë paqartësi që qarkullonte ato kohë në opinionin komunist si dhe në popull, Ramiz Alia dinte shumë më tepër për skenarin që kish nisur të zbatohej për ndryshimin e kursit politik të Shqipërisë. Por ç’ndodhte?! Ai dinte shumë gjera që i mbante për vete, po ashtu dhe me miqtë e vet jashtë Shqipërisë, ndërsa me komunistët dhe me popullin e tij, tregohej “më katolik se Papa”, duke trumbetuar në takime të ndryshme se, “Shqipëria do ecë në rrugën e Enver Hoxhës” dhe se, “Ne nuk jemi lindje e as perëndim”! Konkretisht, në ato vite punoja në aparatin e KQ të Partisë. Ndodhte që me Ramizin përshëndeteshim në korridoret e zyrave tona kur ai vinte në mëngjes, ose dhe kur largohej pas orarit zyrtar. Një ditë, ishte ora 9 e mëngjesit. Në qytetin “Studenti”, vazhdonin grumbullimet e studentëve dhe e qytetarëve të Tiranës, që protestonin për pluralizëm politik dhe për ndryshimin e sistemit. Isha me një shokë kur u ndeshëm në korridor me Ramizin që po vinte për në zyrë. -Ç’kemi djema, çfarë po bëni?- pyeti ai. -Vazhdojnë grumbullimet në qytetin “Studenti” nga ndërmarrjet dhe nga shkollat e mesme të qytetit, shoku Ramiz,- i tha shoku im,- bile shkojnë dhe të organizuar. Kjo na bën përshtypje, si i lejojnë drejtuesit të largohen nga puna dhe nga shkolla kaq masivisht?! Ramizi qeshi si me ironi dhe, pasi na vështroi thellë në sy, shtoi: Thuajuni komunistëve t’i ndalojnë!- dhe iku në qetësi. Ne mbetëm si të shastisur dhe po vështronim njeri-tjetrin në sy. -Pse shqetësohemi?- i thashë shokut, – ai mesa duket di shumë më tepër se ne. Dhe nga ajo ditë, ne nisëm të bënim guidën Tiranë-Durrës për të mësuar makinën. Nuk kaluan pak ditë dhe mësova një ndodhi tjetër, akoma më interesante! Takova një shokun tim që ishte me funksione drejtuese të pushtetit në një rreth të jugut. Ishte goxha i shqetësuar! -Çfarë ke?- i thashë. -Si është e mundur,- më tha,- që për fatin tonë, dinë më shumë njerëzit nga jashtë vendit se sa ne! Dhe nisi të tregojë për një ngjarje që kish përjetuar ditë më parë. Ishte pasdite nëntori 1990. Sapo kisha dalë në zyrë,- tregon ai. Bie zilja e telefonit dhe kur ngrita receptorin, dëgjova zërin e shokut Ramiz. -Ramizi jam,- më tha. -Urdhëro!- u përgjigja pak i emocionuar. -Vetëm je në zyrë?- më tha. -Si urdhëron, vetëm,- i thashë. -Shëno në bllokun tënd personal një porosi,- më tha. Nesër në ora 10 paradite, do shkosh në doganën e kufirit dhe do presësh tre persona, njeri prej të cilëve është shqiptar nga diaspora. Pasi t’u japësh nga një kafe në doganë, do i shoqërosh për në lokalin tek “Gryka e Këlcyrës”. Atje do u presë një shok i Drejtorisë së Dytë nga Tirana dhe ti do shtrosh një drekë për këta miq. Pas drekës, ata do kthehen në Tiranë, ndërsa ti për në qytetin tënd. Për çdo gjë që do bisedosh me ata, do përgatitësh një informacion për mua dhe do ma sjellësh dorazi kur unë të njoftoj. Gjithçka do e mbash sekret, do ta dish vetëm ti! Mbeta vërtetë i habitur dhe i emocionuar. -Me këtë punë është më mirë të merren shokët drejtues të linjës së partisë, shoku Ramiz,- i thashë unë. -Atë e di unë,- urdhëroi ai,- do merresh ti dhe vetëm ti!- më tha. -Si urdhëron,- u përgjigja dhe nga ai moment nisa të mendoja lloj-lloj hamendësimesh. Kisha pritur edhe në raste të tjera delegacione apo personalitete nga shtete të huaja, por ato ishin legale, në krah kam pasur gjithnjë një përfaqësues nga Ministria e Jashtme, si dhe një përkthyes, kurse në këtë rast ishte fjala, “Sekret”, sigurisht me porosinë e numrit një të vendit, që ishte vetë Ramiz Alia. Me këto hamendësime kaloi koha deri të nesërmen në ora 10 paradite. Pasi mbërrita në doganë me makinën time të punës, u ula në kafe. S”kaluan pak minuta dhe para meje u prezantuan 3 persona, njeri prej të cilëve ishte shqiptar nga diaspora, që dallohej dhe nga aksenti i të folurit të shqipes. Pasi u prezantuam, i ftova për kafe. Dy të huajt vështronin rreth e qark dhe komunikonin anglisht midis tyre, ndërsa shqiptari më pyeti për detyrën që kisha në organet e pushtetit. Pastaj, ai ishte kurioz të dinte mbi situatën në Shqipëri dhe mesa kuptova, mundohej të më testonte se sa dijeni kisha unë për të ardhmen e Shqipërisë dhe ndryshimet që priteshin. Unë vazhdoja t’i flisja për unitetin e popullit me partinë e me shokun Ramiz në krye dhe vendosmërinë për ndërtimin e socializmit në vendin tonë. E shihja që ai shpesh buzëqeshte si me ironi! Pasi pimë kafet, u ngritëm, i mora të tre mysafirët në makinën time, pasi makina e tyre deri në doganë e kishte detyrën dhe u nisëm për në “Grykën e Këlcyrës”. Rrugës ata pyesnin për territorin, malet dhe luginat që shtriheshin në dy anët e rrugës. Kur mbërritëm në “Grykën e Këlcyrës”, takuam aty dhe dhe shokun e Drejtorisë së Dytë, që kish ardhur me një makinë nga Tirana. Para se të uleshim në drekë, shqiptari nga diaspora më vuri krahun dhe më tërhoqi veças për një shëtitje të shkurtër. -Si po rrjedhin ngjarjet në Shqipëri?- më tha ai, duke më parë në sy. -Shqipëria nuk është si vendet e lindjes,- u përgjigja unë,- ne jemi të vendosur në rrugën e socializmit. Unë kisha gjithnjë parasysh porositë e shokut Ramiz që na thoshte se, “Shqipëria nuk është lindje”. -Dëgjo,- më tha, duke më shtrënguar fort krahun.- Shqipëria e ka marrë tatëpjetën, gjithçka po përmbyset dhe vendi do nisë një kurs të ri politik. Mendo për kokën tënde dhe të ardhmen e familjes! Shtanga në vend! E largova krahun nga krahu i tij dhe po e shihja në sy me vëmendje. -Kush je ti?!- i thashë,- që po më flet me kaq siguri për të ardhmen tonë?! -Jam një mik i Ramiz Alisë dhe i Shqipërisë,- u përgjigj personi që më rrinte në krah.- Dy rrugë ka Shqipëria, – më tha,- o me Ramiz Alinë që mbështet perëndimin, ose me kundërshtarët e tij që mbështesin lindjen. Përparimi i Shqipërisë do jetë vetëm, nëse mbështesni kursin e Ramiz Alisë që shkon drejt perëndimit. Edhe një fakt tjetër,- më tha,- ministri i juaj i mbrojtjes është agjent grek! Unë u shastisa, në ato momente më shkoi ndërmend porosia e Ramizit kur më tha për, “Sekretin”! I tronditur siç isha, shkuam të hanim drekë. Nga shqetësimi që më kish mbërthyer, as më hahej dhe as më pihej gjë. Nuk e di si po më dukeshin njerëzit që më rrethonin, si armiq dhe shqiptari i diasporës si një agjent që po kërkonte të më fuste në një kurth agjenturor! Kjo hije na mbulonte atëherë, nuk e besonim se gjithçka që e kishim ngritur në 50 vjet me luftë e me punë, do përmbysej kaq lehtë! Mesa po kuptoja, Ramizi e paska ditur skenarin e ndryshimeve, paska mbajtur lidhje dhe me miq jashtë vendit. Po pse atëherë, miqtë e huaj dinin gjithçka dhe komunistët, kuadrot dhe populli mbaheshin me gajret dhe në terr informativ?! Me këto mendime të turbullta u ndava nga miqtë dhe u ktheva në zyrën time. Duhesh përgatitur informacioni, sipas porosisë së shokut Ramiz. Kjo ishte një tjetër dilemë që më brente nga brenda. Për çfarë do ta informoja, për “ Tatëpjetën që kish marrë Shqipëria”, “Për kursin e Ramizit drejt perëndimit”, Për Ministrin e Mbrojtjes që ishte agjent i grekëve”, apo “Të mendoja për kokën time”, pas kësaj përmbysjeje të madhe, siç më tha miku i Ramizit që vinte nga jashtë! Me shumë mëdyshje që më brenin në kokë, shkrova një faqe informacion dhe të nesërmen pas një komunikimi me sekretarin personal të Ramizit, u gjenda në zyrën e tij. Më priti i qetë dhe buzagaz. -Ç’kemi andej nga anët tuaja?- më tha. -Situatë pak e trazuar,- i thashë. -Rrini të qetë,- më tha.- Edhe pluralizmin do e bëjë vetë partia. Unë i dhashë informacionin, por në vetvete isha disi i shqetësuar dhe i trembur për sa kisha shkruar! E lexoi dhe vende-vende vinte buzën në gaz. Prisja të reflektonte, por ai me qetësi ma hodhi letrën përpara dhe si me ironi më tha: -Çoja shokut Simon! -Është porosia e juaj,- i thashë dhe ia ktheva përsëri mbi tavolinë. Ai e mori, e grisi dhe e hodhi në kosh. -Propaganda borgjeze vazhdon të na sulmojë si dikur,- shtoi ai,- prandaj të qëndrojmë në krye të detyrave si ju dhe komunistët dhe u ngrit duke më dhënë dorën që unë të largohesha. Dola nga zyra i hutuar, dilema e së vërtetës më ndiqte nga pas. Ku më shumë se në zyrën e Ramizit unë mund të mësoja këtë të vërtetë që po na trokiste në derë dhe që ai, as veças dhe as publikisht, nuk e tha asnjëherë me guxim e sinqeritet si udhëheqës që ishte. Nuk më hiqen nga mendja dhe sot e kësaj dite, të pathënat që dinte Ramiz Alia dhe e vërteta që s’ia bëri të ditur asnjëherë popullit të tij.
Sigal