Vangjel KASAPI

Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)

Shteti i ri Shqipëria po përjetonte tranzicionin epokal të vështirë nga Lufta e armatosur në Luftën paqësore, në likuidimin e pasojave shkatërrimtare të pushtimeve dhe pikënisjen e daljes nga prapambetja drejt rindërtimit të vendit. Hapi i parë ngritja e administratës së re shtetërore. Akti i menjëhershëm ishte sigurimi i zyrtarëve. U thirrën nëpunësit e vjetër patriotë e profesionistë, por duheshin shumë. Ushtria NÇ në atë stad dispononte qindra kuadro të larta e të mesme më përvoja drejtimi, të aftë e me zotësira. Rendi i normalizuar dhe ekonomia e dobët e bënin të tepër mbajtjen e një ushtrie të madhe. Ndaj nisi zvogëlimi e kuadrot, që u përzgjodhën, u kaluan në “luftën e dytë”- në frontin civil. Natyrshëm që Mihal Prifti rezultoi nga të parët. “Komisar i Divizionit të Dytë, me gradën N/Kolonel, me qendër në Shkodër, kam qëndruar deri në Mars 1945-s, kur me urdhër të Komitetit Qendror kam kaluar në pushtet, ku u emërova Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ministror dhe qëndrova deri në mars 1947”

Perspektiva

Enver Hoxha, krahas qenies në krye të PKSH, që nga Kongresi i Përmetit, mbante edhe postet e Kryeministrit, të Ministrit të Punëve të Jashtme, atë Luftës dhe Komandant i Përgjithshëm i FASH. Që nga dhjetori nisi të formohet aparati i ri shtetëror. Mirëpo Kryeministri, që të drejtonte Qeverinë, urgjentisht i duhej të emëronte zëdhënësin koordinator e bashkërenduesin e dikastereve, transmetuesin dhe ndjekësin e vendimeve qeveritare e të urdhrave të Njëshit-Sekretarin e Përgjithshëm. Ashtu si përvoja kombëtare – perëndimore. A kishte kandidatura të tjera, të moshuar e të rinj? Po! Veçse tek Prifti përqendroheshin varg treguesish, që e bënin nga të parët: Shqiptar i besës, militant dhe udhëheqës me reputacion, me 3 gjuhë, që njihte “bukën e huaj”, shkollën tregtare e arsimin tonë, politikan e organizator Klasi I i Luftës e Ushtrisë NÇ, që kurrkund s’u qortua. Mihal Priftin, ose “Atletin”Ai e kishte nënvizuar me synimin perspektiv. Me të mund të punohej ngushtë e të pasohej në vizionin, vrullin, stilin, energjinë etj. tregues të temperamentit të palodhshëm e shpërthyes revolucionar të epokës së re. Ja, kështu, u ul në poltronin e një funksionari të lartë në Kryeministrinë e brishtë shqiptare.

Në Kryeministri

S’ka dyshim se gjithçka ndryshonte nga periudha e Luftës dhe Ushtrisë. Po Mihali kishte përvetësuar artin e drejtimit e të komunikimit dhe i përshtati ato me intuitë, vullnet e përpikëmëri. Ai konceptoi thelbin ç’është Këshilli Ministror, një organ më i lartë ekzekutiv dhe urdhërdhënës i RPSH që në fushën e politikës së brendshme e të jashtme të shtetit ushtron kompetencat, që rrjedhin nga Kushtetuta dhe ligjet e Këshillit AF NÇ(Kuvendit), për drejtimin dhe kontrollimin e veprimtarisë së ministrave dhe organeve të tjera të administratës shtetërore. E, këto ligjësi, do të vinin me radhë për t’u zbatuar me luftë, përpjekje dhe sakrifica të reja, pa u trembur nga vështirësitë e trysnia e faktorit të jashtëm. Beqar e pa preokupime familjare, Sekretari shkrinte energjitë djaloshare dhe përvojën e akumuluar për ngritjen dhe mirëvajtjen e Institucionit qendërzues të Këshillit të Ministrave. 2 vjetët e karrierës së parë, të ngjeshura e përgjegjësore, konsistuan: 1. Në bashkëpunimin për hedhjen e themeleve dhe konsolidimit të Kryeministrisë së re të RPSH; 2. Si Sekretar i Përgjithshëm formoi traditën fillestare të një ministri shteti harmonizues e bashkërendues të veprimtarisë së Qeverisë; 3. Hyri në lidhje, u njohë me përfaqësitë e huaja e u përpoq fuqimisht për të thithur ndihma në përballimin e problemeve jetësore, si dhe për të dhënë prova sesi populli e përkrah qeverinë e re popullore. Me keqardhje, për Sekretarin e Përgjithshëm të asaj periudhe, nuk figurojnë plotësisht ç’u kryen e ç’u kapërcyen. Se ashtu ishte fillesa.

Ndihma

Shteti e Qeveria shqiptare qenë angazhuar e po përballonin çështje madhore për të ardhmen e vendit e të popullit. Këshilli Ministror, sipas orientimeve, porosive dhe urdhrave të Kryeministrit, formalizonte, kërkonte, ndeshej e paraqitej i patundur në të drejtat e Shtetit Shqiptar. Qenë vite vendimtare ato 1945-47, kur ngjarje me pesha ndërkombëtare zhvilloheshin me ashpërsi për të mbijetuar. Rasti unikal i E. Hoxhës, që mbante disa poste, shkarkohej edhe mbi Aparatin e brishtë Kryeministror. Ngjarjet rridhnin papushim dhe Shqipëria duhej të përfaqësohej. Dikasteret e ministrat e rinj i përgjigjeshin situatave, duke u përqendruar në një pikë-në atë të Sekretar Mihalit. Ky i kalonte në dorë të sigurt dhe ia parashtronte Kryetarit të Qeverisë. Ato s’mund të gjenden sesa, por këtu, nga volumi i dosjeve, do veçojmë disa çështje kardinale, me të cilat M. Prifti e ushqeu, ndihmoi, sinjalizonte dhe i përgatiste materialet përmbledhëse në probleme më pikante, në gjendjen e acaruar të jashtme dhe në imperativet e brendshme:

a – Aparati e Sekretari i Përgjithshëm projektuan, u ngarkuan, ndoqën, plotësuan e formuluan gjithçka i përkiste administratës qeveritare gjatë fushatës së ndezur, votimeve me probleme dhe mbylljes së zgjedhjeve të para të plotsuksesshme të 2 dhjetorit ‘45 për Asamblenë Kushtetuese. Një përvojë e provë, që Priftit i dhanë mësime tepër të vlefshme.

b – Incidenti i kanalit të Korfuzit. Shqipërinë e futën në vorbullën provokuese të luftanijeve britanike, që shkelën në mënyrë flagrante sovranitetin territorial të RPSH(22.10.1946 e në vazhdim). Qeveria jonë protestoi dhe nuk pranoi, në mënyrë kategorike, asnjë pretekst apo akuzë të OKB dhe Gjyqit të Hagës. Rreth polemikes politike dhe mbrojtjes juridike Kryeministria u angazhua me ngarkesën maksimale, se ajo s’ka dorë në atë incident dhe nuk paguan asnjë qindarkë. Praktika dëshmon edhe për marrjen e Sekretarit të Përgjithshëm në gjithë atë proces, duke i servirur kryeqeveritarit materiale informative dhe raportuese, si dhe duke përpunuar udhëzimet e Tij për delegacionet dhe dikasteret. Ato njihen momente nga më emocionalet, më delikatet, madje pa precedentë në jetën e një titullari si Prifti me aq vjeç në karrierë lufte dhe nëpunësie. Gjithashtu edhe një kalitje mendore, organizuese, drejtuese dhe dobiprurëse në sferën e gjakftohtësisë e të ekuilibrave kundrejt provokimeve në kufijtë tanë.

c – Ngjarja më e pëlqyeshme për Sekretarin e Përgjithshëm mbetej Konferenca e Paqes (Paris, 29.7-15.10.46). Për të përfaqësuar e mbrojtur të drejtat e Shqipërisë në lidhje me traktatet e paqes me shtetet aleate të Gjermanisë, sidomos për Traktatin e Paqes me Italinë, u përgatitë dhe shkoi vetë Kryeministri. Gjatë procesit për pranimin e RPSH, nxjerrjes së të dhënave, përpunimit të varianteve dhe në ndihmë të drejtpërdrejt për Ligjëruesin në frëngjisht, z. Hoxha, Profesori dhe Sekretari i Përgjithshëm Mihal P., i qëndroi Kryeministrit të Atdheut më pranë se çdo herë.

Ambasadori

I pari në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike

“Në mars 1947 jam emëruar i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë i R.P. Shqipërisë në Moskë, ku kam qëndruar deri në shtator 1949. Transferimin tim në Moskë, e kam pritur me gëzim jashtëzakonisht të madh dhe ka qenë një gjë e pa pritur për mua”. Ç’motiv themelor merrej parasysh që RPSH të përfaqësohej nga një kandidaturë për ambasador të parë të shtetit të vogël 2 milionësh shqiptar në supershtetin mbi 200 milionë të diplomacisë së vjetër? Meqenëse BS renditej prioritari në politikën e jashtme të RPSH, atëherë duhej çuar edhe një figurë politike me prioritete. Përzgjedhja e kandidaturës së Mihal Priftit për Ambasador logjikisht rezultonte një veprim i paramenduar fort në forumet më të larta të shtetit: – Një atdhetar me autoktoni fisnore të hershme, bir i patriotizmës e i krenarisë kombëtare, me moralitete të padiskutueshme; – Element i dekadave ’30 e ’40, i fokusuar në idetë e mëdha revolucionare, demokratike dhe AF; – Një personazh partiak i çasteve fillestare të PKSH dhe një protagonist i sferës së mesme e të lartë të udhëheqjes politike të Luftës e në Ushtrinë NÇ; – Me arsimim të lartë, me 3 gjuhë të huaja, një nga profesorët, që hynte në kokrrat e pakta të inteligjencës së re me botëkuptim të ri; – Një funksionar i lartë në Qeveri, që dëshmoi nivele të hierarkisë elitare të shtetit, i denjë për një përfaqësim diplomatik i klasit I; – Në Parti, në Luftë, në Ushtri, në Qeveri e në Shoqëri pa ndonjë dukuri negative; – Sovjetikët, që zotëronin informim mbi personalitetin e M. Priftit, të servirur nga Qeveria Shqiptare, e gjetën plotësisht të pranueshëm dhe dhanë pëlqimin e menjëhershëm. Prandaj Udhëheqja Qendrore, vendosi, propozoi dhe u dekretua. Shqipëria, deri në këtë stad, përfaqësohej nga një Legatë me një të Ngarkuar. Me vullnetin e mirë të dy anshëm, legatat ngrihen në rang ambasadash, një dëshmi e fortë e forcimit të miqësisë e të marrëdhënieve midis dy vendeve. Lëvizja politike shprehte kursin e ri të parti-shtetit shqiptar, i cili për të dalë nga kthetrat aneksioniste të Jugosllavisë, kishte nisur me kujdes të zhvendosej nga Beogradi drejt Moskës. Kurse lidhjet me Perëndimin vijonin të tensionuara, për çka në sfondin e kësaj konjukture, orientimi strategjik i RPSH anoi nga Lindja. Një hap domethënës vinte edhe kalimi në ambasada e shkëmbimi i ambasadorëve. Mihali s’ishte profilizuar për diplomaci, por 7 vjet veprimtari, luftë e punë, e njohën me parimet, normat dhe etikën e përfaqësimit e të komunikimit. Vendin e sovjetëve e kishte lexuar dhe BS e pati propaganduar. Kështu që nuk vinte atje i befasuar, ndonëse iu nënshtrua një “kursi të shkurtër” me disa punonjës të vjetër e të rinj të Ministrisë së Jashtme. Përpara nisjes mori takim me ministrat për problemet dhe kërkesat më urgjente. Në fund u pajisë me porosi speciale nga Kryeministri e Ministri i Jashtëm. Se ç’barrë do të gjente në Moskë dhe përgjegjësi do  t’i binte, këto etj. i përkisnin t’ardhmes, që ai do të dinte t’i kapte e t’i zgjidhte. Vendi i ri, jeta e re, puna e re dhe mjedisi sovjetik do t’i jepnin, siç i dhanë, plot njohuri, kulturë, mësime, praktika, sjellje-elementët që i përmbledhim me shprehjen “diplomaci”, “diplomat”. Dhe ku? Në një nga 3 Aleatët e Mëdhenj të LIIB! Nga Shqipëria në BS, nga Tirana në Moskë! Të shkoje në vendin dhe kryeqytetin botërisht me famë, konsiderohej një privilegj, një shans i llojit të veçantë. Përjetoje ndjesi, impulse, madje edhe egoizëm, pasi BS meritonte simbol i çlirimit të popujve nga nazifashizmi bashkë me SHBA e Britaninë.

Agjencitë Telegrafike Sovjetike dhe Shqiptare përhapën lajmin: “Mihal Prifti, i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër i Plotfuqishëm i Republikës Popullore të Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik, arriti më 23 prill në Moskë, ku u përshëndet nga Kryetari i protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Molotchov, si dhe anëtarët e legatës së Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik, me në krye Çaushollin, i Ngarkuar me Punë”. I ngarkuari ynë, Koço Tashko, e vuri në dijeni mbi BS, lidhjet me legatat e huaja dhe veprimtarinë e tij, duke i kujtuar të veçantat e rëndësishme, delikate, me të cilat duhej t’ishte i vëmendshëm e të tregonte kujdes. Deri në paraqitjen e letër kredencialeve, shëtiti për të formuar një ide mbi Moskën: Datohet me v. 1147, si qendër e shtetit Rus, simbol i qëndresës historike ndaj pushtuesve të huaj. Paslufte me 7 mil. banorë. Qendër e madhe me peshë botërore, me epiqendër Kremlinin historik+Sheshin e Kuq+Mauzeleumin “Lenin”. Ndër qendra të mëdha arkitekturore përmenden Teatri “Bolshoi”, monumenti “Pjetri Madh”, Metron, Universiteti “Lomonosov”, Lumi Omonim, “Netët e bardha”- ose netët e shkurtra të beharit etj. Njihet mikpritja moskovite, butësia dhe ëmbëlsia e sjelljes, respekti për tjetrin e vëmendja për jabanxhinë. “E përse të flasë më përpara. Un besoj se do të t’epet rasti e do ta shohish vetë Moskën,-i shkruante Mihali shokut të hershëm e të ngushtë të Luftës, zv.ministrit të Jashtëm, Hysni Kapos”.

DËSHMIA

Incidenti me mimisionarin amerikan

Zeqi Agolli, gjithashtu një nga të parët zyrtar të Këshillit të Ministrave, ardhur nga radhët e Rinisë së LANÇ dhe emëruar 4 muaj (dhjetor, 44) përpara Mihalit si Shef i Kabinetit të Kryeministrit e të Ministrit të Jashtëm, mbush boshllëkun e atyre kohëve: “Brenda në Kryeministri takova për herë të parë të porsa emëruarin Sekretar të Përgjithshëm, Mihal Prifti. Qysh në pamje simpatik e në fjalët ballakum, ma mbushi zemrën dhe e urova sipas dibranëve. “Na u pjektë ylli”. Atë njohje, që nuk e ngopi asnjë ujë, e quajta “Embëlsira e parë”. Hymë shpejt në lidhje pune e marrëdhënie shoqërore. Të dy edhe beqarë, ai 5 vite më i madh e unë më i gjatë. Përditë bisedonim, sepse të dy i shërbenim Kryeministrit, dhe formulova opinionin më pozitiv: Jetësor, dashamirës, i afrueshëm, me shpirt, i çiltër, me edukatë, me arsim të lartë e 3 gjuhë-si rrallë kush në Aparatin kryeministror. Vërtet Profesor ndonëse i patitulluar. Sipas rasteve, pyesnim e shkonim tek Kryeministri, ndanim punët e secili kryente detyrat. Hidhnim hapat e para të zyrtarit, të nëpunësit të administratës së re shtetërore, pa e ditur ç’ishte dhe si ishte ajo, p.sh, e Zogut. Nëpërmjet punës mësonim e krijonim përvojë. Na stërviti epoka e re, detyrat-barrë e rëndë, me vështirësi të jashtëzakonshme për shtetin e popullin. E kujt i shkonte ndërmend lodhja apo pushimi! Çdo gjë e bënim me shpirt e sa më mirë. Gabimet e të metat s’para i vinim ré sepse ishim në fillimet e të ngarkuar nga 12-15 orë në ditë. Plot episode të mëdha e të vogla. Një ditë vjen ministër Bedri Spahiu me amerikanin Thoma Stefan (me origjinë shqiptar nga Korça-VK). Dera e zyrës së Mihalit, ngjitur me E. Hoxhën, qe hapur e unë i futa aty. Diplomati përdori telefonin dhe bisedoi me Enverin. Kjo shkaktoi shqetësime. U thirrëm të dy e na qortoi për atë incident. Mihali e anëkaloi shkeljen time pa zë, por vetëm me shprehjen “Shkelje protokollare”, duke nënkuptuar “humbje vigjilence”. E more Mihal, qysh 28 vjeç, i madh. Një të diel pushuam dhe, bashkë me Abdyl Këllezin, dolëm shëtitje (tek-tuk dilnim). Si tiranas na hipi në kokë e të tre blemë dhe qepëm nga një kostum të një kolori anglez. Uruam njëri-tjetrin me nga “Një nuse”. Si Sekretar Kabineti kisha shumë punë e telashe. U binda se s’mund të qëndroja më tej me Atë të Madhin. Ia shtrova Mihalit hapur dhe i kërkova ndërhyrje për largimin tim. Bisedoi me Enverin dhe me propozimin e tij të pjekur, Prifti e bindi Hoxhën. Transferohem (mars ‘49) në detyrë të rëndësishme Shef Protokolli në Ministrinë e Jashtme. Ndërkohë edhe Mihali lëviz me ngritje në fushën e diplomacisë, si Ambasador i RPSH në BS (Moskë). Kështu, pas 2 vjetë shërbimi me një Kryeministër, nga i cili mësuam aq shumë, sa punuam një jetë me sukses e me nder. U ndamë pa menduar se dikur do të bashkoheshim në të njëjtin front-atë të diplomacisë”.