Mihal Prifti: Si e prita Enverin gjatë vizitës në Moskë. Kontaktet, letra dhe korespondenca me BRSS dhe Kinën

266

DOSSIER IV / Si e kujtojnë bashkëkohësit njeriun që ruajti ekuilibrat në BRSS dhe Kinë

       MIHAL PRIFTI

 Nga Moska, luftë Jugosllavisë për

të mbrojtur çështjen shqiptare

 

 Vangjel KASAPI

Leonard VEIZI

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Krahas kontakteve, bazuar në dekretin e Presidentit të Kuvendit Popullor të RPSH dhe biografisë së shkurtër, Ministria e Jashtme e BS “dha agrement për Mihal Priftin më 26 mars 1947”. Protokolli i Shtetit, pas 1 muaj formalitetesh, njoftoi Ambasadën për paraqitjen e kredencialeve nga ana e Ambasadorit të ri. Makina ceremoniale e ardhur në Legatë, me dy flamurët kombëtar shqiptar e sovjetik, shoqëruar nga eskorta ceremoniale, e çuan Mihalin me 2 diplomatët tanë në Ministrinë e Jashtme. “Sot,- njoftoi me telegram Mihali, -Ministri Prifti u prit në audiencë nga z. Molotov dhe paraqiti kopjen e kredencialeve. Midis tyre u zhvillua një bisedë konfidenciale informative. Që ato çaste u dha miratimi që Ambasadori i RPSH të niste veprimtarinë diplomatike. Kësisoj, Mihali iu përvesh me një mobilizim dhe tendosje maksimale funksionit të ri dhe problem-detyrave të shumta, të ditura po edhe të panjohura, pavarësisht se vinte nga Kryeministria.

Kontaktet

Gjatë ditëve vendosi kontakte me autoritete sovjetike dhe priti në Seli diplomat të huaj akredituar në Moskë. Po ashtu, vizitoi kalimthi edhe kryeqendrat kryesore të 16 republikave të BRSS. Me cilësinë e përfaqësuesit të shtetit, ai konvergonte në mes të një trupi të madh diplomatik nga 5 kontinente, shumica e të cilave mbartnin përvoja shumë vjeçare me punonjës të diplomuar në shkolla e akademi prestigjoze. Megjithatë, Kryediplomati nga Shqipëria dha shenjat e ra në sy si një intelektual i kompletuar, që rivalizonte me dinjitet pavarësisht stazhit, kualifikimit e vendit të vogël. Çdo herë në pritje-përcjellje, takime e bashkëbisedime, demonstroi dhuntitë vetjake moralo-kulturore, atë etikë të bukur, specifike shqiptare, fare pak të njohur në rrethet diplomatike, serioz, i saktë, i qartë, i pjekur e i qetë, duke u bërë i dallueshëm dhe i nderuar. Se, Ai e çmonte lartë përgjegjësinë funksionare, duke i ndjerë thellë detyrimet ndaj kombit e shtetit në një mjedis të supershtetit sovjetik. Mihali e përfaqësoi Atdheun sipas divizës së urtësisë popullore se, “S’është vendi që nderon njeriun, por njeriu vendin e tij”. Prifti u përgatit gjithanshmërisht e u porosit si të drejtonte veprimtarinë e Ambasadës. Bukur fort! Mirëpo midis Tiranës teorike dhe Moskës praktike ekzistonte një dallim sa askush s’mund ta përfytyronte. Vetëm kur iu futë “detit me not”, kur hyri në xhunglën e diplomacisë, në atë shtet stërmadh sovjetik, e kuptoi shpejt nga intuita dhe largpamësia që gëzonte, se njohuritë, këshillat e inkurajimi të marra përpara nisjes, qenë shumë larg realitetit dhe në mjaft dukuri s’përputheshin fare. Hapi parë dhe në vijimësi qëndronin në vënien e Ambasadës nën një administrim, rregull, disiplinë e pamje afërsisht si homologët. Këtij synimi i shërbeu “Projekt-rregullorja e brendshme dhe e përkohshme e Legatës në Moskë”. Po Ambasada, me jetëshkurtësi 2-3 vjeçare, vuante nga mangësi e mosplotësime, pasqyrime këto edhe nga varfëria e Amës. Mbi gjendjen e Legatës, mungesat e nevojat 2 muaj pasvajtjes, Mihali i bën një raport të përgjithshëm Ministrisë së Jashtme. Mori përgjigje jo për problemet e ngritura, por për çfarë Ai duhet të ketë parasysh. S’kishte dyshim se zgjidhjet fizike dhe administrative donin kohë, siç u kryen me radhë, por ambasador Priftin e ngarkonte me përgjegjësi dhe e brente ndërgjegjja funksionimi i Përfaqësisë e posaçërisht i tij si Titullar. Prandaj, pa vonesë, 1.5 muaj më tutje i shkruan një letër të gjatë zv/ministrit:

Letra

“Moskë 2 korrik 1947 – I dashur Hysni: Me këtë rast, un dua më tepër të shkruaj e të vë në korrent në lidhje me gjendjen e punës së këtushme e të bëjë disa sugjerime, që i gjej të nevojshme për mbarëvajtjen e punës së këtushme. Po vij në një çështje tjetër që lidhet drejt për së drejti edhe me aktivitetin dhe këtë kam pasur më tepër për qëllim, megjithëse pjesën më të madhe të kësaj letre e zuri përshkrimi i gjendjes së Legatës dhe nevojat e saj. Kur ishte këtu sh. Nakox më pyeti nëse isha në dijeni e në korrent të çështjeve të punërave që neve kemi me Bashkimin Sovjetik, të marrëveshjes me Jugosllavinë, të çështjeve t’ona të tjera ndërkombëtare, si p.sh, pranimi t’onë në UNO(OKB), ku qëndron çështja e provokimit të Korfuzit, çështja e Komisionit me Greqinë e të tjera gjëra të tilla. Mbasi un ju përgjigja se në të vërtetë nuk isha shumë i qartë mbi këto çështje, se nuk e dija mirë procesin e tyre dhe se nuk dija konkretisht sesi dhe ku qëndrojnë tani këto çështje, at’herë më foli se un duhet të jem në dijeni e në korrent të vazhdueshëm të procesit të të gjithë çështjeve t’ona ndërkombëtare e të vendit t’onë. Pra për të gjitha këto, më tha se duhet të të shkruaj ty e të insistoj që Ministria të më mbajë në korrent. Gjatë këtyre 2 muajve, nuk kam mundur të mendoj e të preokupohem me këto çështje, se jam marrë me gjendjen e brendshëm dhe rregullimin e Legatës. Mirëpo tani sa kalon koha, sa më shpesh takohem me të huajtë, me sovjetikët etj., aq më shumë e ndjejë nevojën për të qenë sa më i qartë mbi çështjet t’ona dhe në korrent të vazhdueshëm të procesit të tyre. Shumë herë edhe vetë sovjetikët më kanë pyetur ku qëndron kjo ose ajo çështje. Po kështu edhe të tjerë të huaj. S’është mirë, më duket, t’evitosh takimin me sovjetikët sepse nuk je në gjendje t’u përgjigjesh për vendin t’ënd. Tu tregosh të vërtetën kjo është një gjë tjetër. Besoj se kuptohem se ç’dua të them. Tani Hysni, mos kujto se jam fare i huaj mbi çështjet t’ona, jo, aspak, ose se nuk ju jam përgjegjiur pyetjeve që më janë bërë nga cilido. Nuk më duket aspak e zorshme ose e vështirë puna, kur do të jem i qartë në punët e në çështjet t’ona, jashtme e të brendshme, e do të kem perspektiva të reja nga Ministria. Tani për të gjitha këto, shoku Hysni, tani që di shumë gjëra që nuk i dija kur u nisa s’andejmi, për tu konsultuar mbi organizimin e punës, për t’u sqaruar më mirë mbi gjithë këto çështje që përmenda e për një seri çështjesh të tjera, të vogla e të mëdha, që s’mund të shkruhen në letër, un e ndjej të nevojshme ardhjen t’ime për disa ditë aty në Tiranë. Të lutem për të gjitha këto e vë në dijeni edhe Komandantin, sepse porosia e Tij e fundit që më bëri, ishte që ta mbaja vazhdimisht e për çdo gjë në korrent. – Të fala të gjithë shokëve me radhë, si aty në Ministri edhe të tjerëve jashtë Ministrisë. Të fala Vitos nga mua dhe nga ana e shoqes t’ime. Gëzohem që jeni mirë”.

1947

Vizita e Enver Hoxhës në Moskë 

3 muaj nga emërimi dhe 12 ditë pas letrës së rëndësishme të Ambasadorit drejtuar zv/ministrit të Jashtëm, me kërkesë që të vihej në dijeni edhe Komandanti, më 14.7.1947 arriti në Moskë për një vizitë miqësore në BS delegacioni i parë zyrtar i Qeverisë së RPSH e të PKSH, të kryesuar nga Enver Hoxha. Kjo lëvizje e kalkuluar në planin politik e diplomatik, në situatën e brendshme dhe asaj rajonale të elektrizuara, përbënte një ngjarje me rëndësi të madhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Takimi i E. Hoxhës me J.V. Stalinin, shkëmbimi i mendimeve në nivelin më të lartë për probleme të ndryshme politike, ekonomike, ushtarake etj., që preokuponin RPSH, rezultatet e bisedimeve dhe dokumentet e përfunduara përbënin një etapë të shënuar në forcimin e miqësisë midis popullit shqiptar e sovjetik dhe në zhvillimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit vëllazëror midis të dy vendeve. Plotësimi nga ana e qeverisë sovjetike i të gjitha kërkesave që parashtroi delegacioni shqiptar, u pritën me kënaqësi e mirënjohje nga populli ynë1. Gëzimi i popullit ishte i papërshkrueshëm, pasi endërronin për ta parë dhe biseduar me Stalinin e madh. Drejtpërdrejt emocionet e forta i përjetuan sidomos anëtarët e delegacionit, studentët e kuadrot shqiptar që gjendeshin në shkolla dhe akademi sovjetike, punonjësit tepër të angazhuar të Ambasadës, miq të vendit tonë etj. Siç rezulton nga materialet dhe fototeka e familjes së M. Priftit, takimi i paharruar nisi si një ditë e jashtëzakonshme me nderimin e thellë në Mauzoleun e Leninit, me vizitën në varret e luftëtarëve të Revolucionit të Tetorit 1917 e të militantëve të PK e të Shtetit Sovjetik dhe në Muzeun Qendror të V.I.Leninit. Kudo paraprinte dhe shoqëronte vetë Ambasadori Prifti. Dita më mbresëlënëse dhe prekëse –16 korriku. Realizohet takimi i shumëpritur. Sipas okularëve, Stalini hyri nga dera e prasme e hollit. Ai, kudo i parë, i dëgjuar e i lexuar përfytyrohej një trup gjigand, ashtu si vazhdues i veprës madhore të Leninit. Mirëpo gjeorgjiani me famë botërore paraqitej me një trup të rregullt mesatar, veshur me uniformën e Gjeneralizimit, që i hidhte hapat shtruar, gjithnjë me llullë në dorë. Përzemërsia për miqtë nga “Vendi i shqiponjave” bënte përjashtim. U bë prezantimi njohës dhe filloi takimi i delegacionit nga Shqipëria e vogël dhe atij nga Bashkimi i Madh Sovjetik. Aty u bashkëdiskutuan: Situata e jashtme e RPSH; marrëdhëniet me shtetet fqinjë dhe anglo-amerikanët; incidenti i kanalit të Korfuzit-Gjyqi i Hagës; gjendja politike, ekonomike e social-klasore në Shqipëri. Interesimi i Stalinit ishte i gjithanshëm dhe vlerësimi shumë i lartë për popullin shqiptar. Stalini u bë mendimtar i parë: “Nuk ka kuptim që një parti të jetë në pushtet dhe të qëndrojë ilegale. Partia juaj Komuniste mund të quhet Parti e Punës”1. Dhe u deklarua kështu në Kongresin I të PKSH (nëntor, 1948). Gjithnjë sipas dokumenteve dhe rrëfimeve, Stalini, me në krah E. Hoxhën etj. asistuan në manifestimin fizkulturor për gjithë BS në Stadiumin Qendror të Moskës. Mbetën në kujtesë sidomos interesimi i Stalinit për të mësuar rreth historisë së zakoneve të popullit shqiptar. Kështu, në një darkë të shtruar, pyeti për origjinën e gjuhën tonë, duke aluduar afërsinë me baskët apo të ardhur nga Azia e Largët. Aty Enveri e Mihali, shpjeguan se “origjina e popullit tonë është shumë e lashtë dhe gjuha e tij është indoevropiane, se populli shqiptar është populli më i vjetër i Ballkanit dhe origjina e lashtë parahomerike e shqiptarëve janë pellazgët, të cilët kanë jetuar më përpara se grekët në Gadishullin Ballkanik”. Teksa u bisedua nëse kishte lidhje midis albanëve të Kaukazit e të Shqipërisë, një Gjeneral i thirrur nga Stalini përforcoi pikëpamjen e mysafirëve se “S’ka asnjë lidhje”. Darka që Stalini shtroi për nder të delegacionit, kaloi në një atmosferë shumë të ngrohtë, intime. Udhëheqësi Sovjetik dollinë e parë e ngriti për popullin shqiptar. Ai e cilësoi popullin tonë “Popull heroik”. Pas darkës delegacioni u ftua në kinemanë e Kremlinit, ku u pa filmi artistik “Traktoristi”, që erdhi edhe në Shqipëri. Rreth orës 24.00, shënon në një foto Mihali, delegacioni u ngritë. Atë çast Stalini ngriti dollinë e tretë për “popullin heroik shqiptar” dhe, tek përcillte miqtë e rrallë i tha Enverit “Jepi të falat e mia të përzemërta popullit heroik shqiptar, të cilit i uroj suksese”.

KORESPODENCA

Caktimi i tij, konfidencën që mori nga Ministri e komunikimet me Ministrinë e Jashtme dhe udhëheqës të caktuar sovjetik, paraprinë terrenin për aq sa i takonin Trupit diplomatik. Mihali u dha i tëri e me angazhim të tejskajshëm të punonjësve vartës që vizita e rezultatet të mbanin edhe mendimet, përpjekjet, pjekurinë, vigjilencën, kujdesin dhe frytet e ndihmesave kolektive. Posaçërisht të Kryediplomatit, që s’rreshti kudo me talentin dhe autoritetin e tij. Ai, për herë të parë, realizoi me kompetencë shembullore një rol që kurorëzonte mbarësinë e karrierës në fushën e diplomacisë. Kryeminisri e Ministri i Jashtëm s’i kurseu vlerësimet ndaj Ambasadës sonë, me veçanti Mihalit, që iu deshën ditë për t’u çliruar nga ngarkesat dhe emocionet përgjegjësore, nga ajo provë e ngjashme me një betejë. Ajo ngjarje, me kompleksitetet e saj, dëshmoi konfiguracionin e denjë të një Legate dhe Ambasadori përligji për mrekulli protagonizmin n’atë Shtet të Madh. Mbi këto biseda dhe këshillat (mendimet) e Stalinit për një politikë e diplomaci të zhdërvjelltë, më realiste dhe jo të ashpër, do të vinin refleksionet e menjëhershme nga Tirana kundrejt vendeve perëndimore. Ato, natyrshëm zbrisnin edhe mbi Ambasadën tonë në Moskë, veçmas tek Mihali. Sepse Moska do të luante rolin e interelokutorit e të ndihmës për palën shqiptare. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike të RPSH me Italinë (maj, 1949), të filluara nga mezi 1947-ës, kthimi i 500 profesionistëve italianë në Atdhe, të mbajtur me forcë në Shqipëri etj. shënonte hapin e parë të zbutjes me Perëndimin. Burime të sigurta shpreheshin se RPSH është e gatshme të rivendos marrëdhëniet me SHBA. Për një ekuilibrim fqinjësor, drejt uljes së tensionimit dhe mos lënie shkaqesh për akuza të ndërsjella, më në fund u mbyll çështja e ndihmave nga Shqipëria për Ushtrinë NÇ greke. Ose u bë më e trajtueshme politikisht dhe ushtarakisht çështja e ½ milion kosovarëve që mund të dërgoheshin në Shqipëri nga Titua për rrëzimin e qeverisë etj. Ja nëpër çfarë konkretizime hynte, punonte dhe kontribuonte Ambasadori ynë M. Prifti, jo vetëm në përfaqësimin e RPSH për problemet e fushat me BS, por edhe më gjërë për politikën e diplomacinë shqiptare të viteve 1948-49. Gjithashtu Ambasadori atdhetar, i dhënë pas historisë e kulturës së popullit të vet, i sinjalizuar se diku në BS jetonte një grup shoqëror me origjinë shqiptare dhe marr shkas enkas nga polemika midis dy të Mëdhenjve, ndjeu detyrim që të kontribuojë me diçka. Ndaj, me nismë thirri dhe organizoi me studentë shqiptarë një ekspeditë, që ja ngarkoi Profesorit të nderuar të arkeologjisë shqiptare, Selim Islami. Në rezultat të hulumtimeve në institucione e në terren rezultoi se në Ukrahinë, në rrethinat e Odesës, mbijetonin ende shqiptarë të vendosur rreth shek. 18 në 4 fshatra, të quajtura Karakurt (sot Zhovtnjovoje), Devenskoje (Taz), Gjeorgjevka (Tyshki) e Gamevra (Xhandra). Kjo popullsi shqiptare ruan traditat e veta, si folklorin gojor e koreografik. Ata ndjenin nevojën për Shqipërinë sepse nuk kanë njeri tjetër për të mësuar gjuhën e kulturën shqipe. Mbi këtë përfundim, Mihali informoi hollësisht Ministrin e Jashtëm Hoxha.

ÇËSHTJA JUGOSLLAVE

Duke qenë në Moskë, në kryeqendrën botërore të lëvizjes komuniste, dhe si anëtar i KQ të PPSH dhe Ambasador i RPSH, një rend parësor, me sensibilitete ekstremisht të ndërlikuara, i zuri “Çështja Jugosllave”. Për ta përfytyruar Priftin si personazh aktiv e i heshtur në vorbullën e atyre zhvillimeve ndërkombëtare, le t’i referohemi disa momenteve: Disa ditë pas mbërritjes së tij nga Tirana në Moskë, ai pati një takim me ambasadorin jugosllav, titistin Popoviç. Bisedimi serbit qe tepër provokues, pasi ai kërkonte me insistim të dinte qëllimin e ardhjes atëherë në Moskë të Nako Spiru dhe, në përgjithësi, të merrte informacion se çfarë mendoheshe në vendin tonë për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, që n’atë kohë kishin arritur në një pikë të pazgjidhshme. Ambasadori ynë e priti me gjakftohtësi duke e mposhtur revoltimin. Ai militant e udhëheqës kockë e fortë e PKSH, ua dinte shpirtin e zi antishqiptar misionarëve të kallëpit Mugosha, Dizdaroviç, Stojniç etj. Sa për Popoviçin asqë donte t’ia dinte. Ambasadori agjent serbë s’mund të ballafaqohej, pa le të blinte nga një patriot i madh dhe diplomat i shquar i Shqipërisë. Sa kishte gabuar, po padronët beogradas ende nuk e njihnin personalitetin e krenarisë shqiptare, Kryediplomatin trim, të mprehtë, lartësisht të ngritur e moralisht i pa përthyer. Mihali konseguent, ia kundërshtoi të gjitha thëniet dhe shpifjet e tij për PPSH dhe Qeverinë e RPSH, duke mos i dhënë kurgjë nga sa i kërkonte serbi. Për bisedën e qëndrimin, Mihali njoftoi pa vonesë Komandantin. – Përveç lidhjeve të zakonshme të punës me shokët sovjetik të Ministrisë së Jashtme etj. dikastereve dhe institucioneve, ai komunikonte edhe me shokë partie, posaçërisht me sh. Petrov.

Ato konsistuan mbi marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, mbi Komunikatën e Byros Informative për gjendjen në PKJ etj. Relacionet mbi këto bisedime, Mihali ia dërgonte MPJ me porosi për Komandantin, siç qenë materialet e datave 5,6,8.7.48 dhe 5.VI-8.VIII.19482. Duke qenë në lidhje me Petrovin, Ambasadori ynë që takohej shpesh, bashkëbisedonte çështje nga më të ndryshmet, duke i kanalizuar në sektorët përkatës të dy vendeve. Mirëkuptimit dhe zgjidhjes së drejtë e të shpejtë të parashtresave shqiptare u përket, p.sh, edhe relacioni me rëndësi, që Mihali i përcjell MPJ(25.7.49) lidhur me studentët shqiptar në BS, mbi martesat e qytetarëve shqiptarë me vajza sovjetike (që tashmë po merrte përmasa në rritje), mbi përfshirjen për herë të parë në botimin e ri të Enciklopedisë Sovjetike të materialeve nga Shqipëria etj..