Mihal Kozma Jaho, Ylli i pashuar i Libofshës dhe Myzeqesë

1010
Sigal

Dëshmori Lamçit, Mihal Jaho, u lind në vitin 1926 në fshatin Libofshë të rrethit Fier. Libofsha me kohë ka qenë një zonë me ndjeshmëri të lartë patriotike e atdhetare, kulturore dhe arsimdashëse si dhe me tradita mikpritëse e bujarie. Pra, vendlindja e Mihal Janos ishte dhe mbetet fshat dhe zonë me emër e me tradita nga ku ai edhe u mëkua, edukua, frymëzua, u përgatit dhe u prezantua si një djalosh idealist edhe si një aktivistë e veprimtar politikë e luftarak kundër pushtuesve italian e gjerman dhe kolaboracionistëve tradhtar. Më duhet ta nënvizoj qysh në fillim se Mihali ndonëse pati një jetë fare të shkurtër, por ama veprimtaria e tij politike dhe luftarake qe mjaft e pasur dhe e mbushur me aksione.

Ai qysh në moshë fare të re, u aktivizua ndërgjegjshmërisht e me pasion të lartë në lëvizjen punëtore dhe komuniste në Durrës dhe Tiranë. Ai u bë propagandist dhe agjitator i flaktë, kundër regjimit të urryer të mbretit Zog, që shtypte dhe diskriminonte mizorisht punëtorët, fshatarët dhe gjithë shtresat e varfra të popullit.

Urrejtja e pakufishme ndaj padrejtësive të regjimit anadollak e të pushtuesve të huaj e përfshiu edhe atë në aksione politike e luftarake, në njësitë dhe grupet guerile, fillimisht në Durrës dhe Tiranë duke u maskuar herë si çirak e herë si tregtar i vogël ambulant. Aksionin e radhës ai e kreu më 26 Janar 1943 duke prerë linjën telefonike Libofshë, Fier. Më pas nuk vonoi dhe Mihali së bashku me bashkëfshatarin e vetë, Lili Malin u rreshtuan në batalionin partizan të Myzeqesë, duke u bërë pjesëtar aktiv i formacioneve partizane e që kulmoi me rreshtimin e tij në Br.16 Sulmuese.

Fillimisht Mihali në moshën 17-vjeçare inkuadrohet në çetën e Myzeqesë dhe pas dy vjetësh aktiviteti politik e luftarak u vra në moshën 19-vjeçar e në një përballje të pabarabartë me një togë gjermane në fshatin Çermenicë të Vithkuqit të Korçës më 11 janar të vitin 1944.

Ngjarja ndodhi në këto rrethana: Batalioni partizan i grupit të Myzeqesë ishte i rrethuar nga forcat gjermane dhe ballistë në fshatin Çemericë të Vithkuqit. Rrethim i ishte koncentrik dhe në formë unaze, ku ishin zënë të gjitha shtigjet e daljes e që ishin të mbuluara nga bora e madhe e atij dimri tepër të egër e kapriçoz. Për të dalë nga kjo situatë e rëndë e për të çarë rrethimin, u ngarkua një grup partizanësh prej shtatë vetësh me komandant njësiti Mihal Janon me detyrë të shpërthente rrethimin me luftim e duke hapur zjarr në drejtime të ndryshme duke krijuar idenë mashtruese ndaj armikut se gjoja ishin shumë partizanë.

Komandanti i njësitit Mihal Jano dhe shokët e tij antifashistë të gjithë Myzeqarë, Miti Zaka, Mehmet Kurti, Thoma Kopaçe, Abedin Dardha, Vasil Gjeka dhe Vangjel Gjeçi, zhvilluan një luftim heroik, të guximshëm dhe burrëror, pasi vepronin me pozita të disfavorshme luftarake, qoftë në pikëpamje numerikë në njerëz e në armatime e veshmbathje, qoftë edhe në pikëpamje të terrenit sepse ishin të detyruar të luftonin nga poshtë-lart, ndërsa gjermanët luftonin nga lartësi dominuese e në favor të tyre. Por pavarësisht rrethanave, njësitë partizane me Mihal Janon në krye, luftuan me zgjuarsi, guxim, këmbëngulje e trimëri deri në frymëmarrjen e fundit, duke dhënë jetën në lule të rinisë, për një qëllim dhe ideal të lartë patriotik, atdhetar dhe fisnik.

Veteran korçar Haxhi Çemerica, që e pa e që ishte dëshmitar okular i kësaj lufte me gjermanët në  Çemericë, për Mihal Janon dhe shokët e tij të rënë kanë ngritur edhe një këngë që u këndua atyre anëve. Mbi bazën e kësaj kënge popullore, poeti myzeqar, Fatbardh Rustemi, shkroi vjershën:

Një lëndinë me lulëkuqe

 

Në një dimër me stuhi

Fryn murrlan e bie borë

Si vallë humbi bardhësia

Pse nxin mali kurorë.

Ostrovica uturinte

Prej bishave me helmeta

Nëpër borë çante shpejt

çetë e vogël me 7 veta.

Ndezi lufta, ç’luftë

Se nga zjarri i saj bora shkriu

Atje ku pikonte gjaku

Një lule mbiu.

Një lëndinë me lulëkuqe

Mbushi gjaku i Mihalit

Gjaku i Mitit, i Vangjelit

Dhe ai i Mehmetit

Bari i kuq në faqe të malit

Gjaku i Abedinit, i Zhomalit dhe Vasilit

Manikyr në sqep të bilbilit

Akti i tyre heroik

Meriton të kujtohet, vlerësohet, ndriçohet e lartësohet përherë e në përjetësi nga brezat që do të pasojnë njeri-tjetrin. Për heroizmin e tyre, kemi jo vetëm të drejtën morale, por edhe obligimi qytetar, patriotik e atdhetar, që gjithmonë e në vazhdimësi e në çdo hap që hedhim, të kujtojmë e të nderojmë me respekt e mirënjohje të thellë dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, sepse ata sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre për të ardhmen dhe prosperitetin e Shqipërisë. Prandaj respekte, mirënjohje dhe nderim qytetar për Mihal Janon dhe gjashtë shokët e tij dëshmorë të cilët do të mbeten përjetësisht yje të pashuar në historinë e lavdishme të Libofshës, Myzeqesë dhe mbarë Shqipërisë heroike

Pali Nito