Mësues luftëtar dhe komisar drite

1682
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Fëmijëria dhe shkollimi
Ndrecë Ndue Gjoka u rrit në kushte të vështira sikurse dhe shumica e moshatarëve të tij të varfër të Mirditës. Ai u rrit në mjerim të cilat përkojnë dhe me legjendën e Migjenit. Kalitja e tij me tërë virtytet e një burri të kohës u bë në Bisak, që ishte një kështjellë odash e trimërie, kreshnikësh dhe bujarie të kohës. Në moshën shtatë vjeçare nisi shkollën. Ndreca u vendos në konviktin shkollor që mbante emrin “Mirdita” në Orosh, çerdhe që grumbullonte nga tetë fëmijë për bajrak. Mësimet e para të shkollimit fillestar i mori në Orosh. Këtu njohu dhe Bardhok Bibën. Mësuesit e shkollës te Ndreca vërejtën se nxënësi ishte inteligjent, i zgjuar dhe i shkathtë, shkruante bukur dhe zhvillonte me kujdes në veçanti lëndën së aritmetikës. Duke fituar besim tek mësuesit, ata bënë çmos që të vazhdonte mësimet e larta në shkollën Normale të Elbasanit. Shkolla Normale e Elbasanit në atë kohë drejtohej nga pedagogu, studiuesi dhe atdhetari i devotshëm, Aleksandër Xhuvani, dhe të tjerë profesorë, të cilët ndikuan dukshëm në ngritjen e Ndrecës. Këtu u formua dhe shoqata atdhetare “Naim Frashëri”, ku Ndreca ishte anëtar i saj dhe punoi me përkushtim të madh. Në shkollën Normale të Elbasanit ai u njoh më mirë me traditat atdhetare.

Mësues në Shkodër dhe në Kosovë
Në vitin 1939 me përfundimi e shkollës largohet nga Elbasani për ta vazhduar detyrën e mësuesit. Pasi qëndron disa kohë pa punë, në vitin 1940 emërohet mësues në fshatin Linaj të rrethit të Shkodrës. Kështu në moshën njëzet vjeçare, ngjitej bjeshkëve me çantën e mbushur me lapsa dhe fletore. Pas punës një vjeçare në shkollën fillore në Linaj të rrethit të Shkodrës, me urdhrin e Ministrisë së Arsimit, bashkë me shumë mësues të tjerë nga Shqipëria u emërua mësues në shkollat kombëtare në Kosovë. U emërua në shkollën e fshatit Zllakuqan që atëherë i takonte prefekturës së Istogut. Fshati dhe mjedisi njihej për sakrificat e bëra për dije, që nga shkolla e parë e Shtjefën Gjeçovit e hapur në qelën e Kishës me 25 korrik 1897. Kjo trevë kishte bërë traditë përpjekjet dhe përkushtimin për mësim dhe dije. Me ardhjen e Ndrecë Ndue Gjokës edhe një herë shpërtheu me tërë vrullin puna për arsimim dhe vetëdijësim kombëtar. Ai vazhdoi rrugën e nisur nga nga martirët e parë të kësaj shkolle si Shtjefen Gjeçovi, At Papsi, At Engjëll Palaj, Ndue Vorfi, duke u bërë njeriu më i dashur në fshat dhe tërë rrethinë. Nën udhëheqjen e Ndrecë Ndue Gjokës u formua Këshilli Antifashist. Ky organizimi i këshillave nuk shihej në sy të mirë nga qarqet fashiste. Me njerëzit që bashkëpunonte më shumë ishin kryetari i rrethit Tunë, si dhe Marjan Dedaj, pastaj Nikoll Mrijaj, Markë Laskaj, Uke Bekaj, Mhill Ndrecaj, Pjetër Jaku, Gjon Lleshi, Gjon Frroku, Pjetër dhe Prek Gjergji etj. Pushtuesit fashist italian shpesh do të viheshin në gjurmë të aktiviteteve të tij dhe e arrestuan në një orë mësimore para nxënësve të tij. Në shkurt të vitit 1943 e burgosën përsëri dhe më pas edhe në fillimin e vitit 1944 në burgun e Istogut.

Luftëtarë në lëvizjen çlirimtare
Ndrecë Ndue Gjoka vitet e fillimit të Lëvizjes Nacionalçlirimtare do ta gjenin me punë në Kosovë. Ai ishte emëruar mësues në Zllatkuqan të Istokut, Pejës, Kosovë. Në këto vite sipas dhe dëshmitarëve të kohë ai punoi me përkushtim për të mësuar nxënësit shqiptar të cilët kishin shumë nevojë për dije e arsim. Gjatë gjithë kohës, Ndrecën e gjeje mes nxënësve dhe fshatarëve, mes kolegësh dhe miqsh duke biseduar për kulturën, traditat dhe luftërat e popullit shqiptarë në shekuj. Në këto kushte ai e përkrahu lëvizjen çlirimtare në Kosovë dhe u aktivizuar duke u shquar si veprimtar i LANÇ-it. Si mësues e veprimtar politik-shoqëror në fushën e arsimit, ai tërhoqi vëmendjen e forcave regresive dhe të pushtuesit. Gjatë viteve të punës në Zllatkuqen, Ndreca u vlerësua për punën e kontributin e tij nga nxënësit dhe populli. Qëndrimi në Kosovë ishte bërë tashmë i pamundur, ndaj në pranverën e vitit 1944, Ndreca kthehet në Mirditë.

Ai menjëherë hyri në lidhje e punoi në terren si veprimtar i LANÇ-it. Njohja që kishte me Bardhok Bibën në vitet e studimit në Orosh, por dhe në Shkodër, bëri që të lidhej dhe të bashkëpunonte me Çetën Partizane Pukë-Mirditë. Shoku i armëve, Bardhok Biba ishte komisar i çetës. Në këtë kohë në rrethin e Mirditës kishin ardhur dhe po zhvillonin luftime kundra armikut dhe bashkëpunëtorëve të tyre forcat e Dv. II S. Ndreca mori pjesë në shumë luftime e beteja, si dhe në Gëziq e për çlirimin e Shënpalit më 26 tetor 1944 nga nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Partizanët e Br. VII S duke bashkëvepruar me popullin dhe forcat partizane të zonës së Shënpalit, po i bënin ballë luftimeve të armikut si dhe pasuesve të tyre. Batalioni i parë i kësaj brigade, në bashkëpunim me luftëtarët vendas si Bardhok Biba, Ndrecë Ndue Gjoka e të tjerë, ndihmonin edhe në ngritjen e këshillave nacionalçlirimtare, organizonin komandat e vendit etj. Punë të mirë u bë dhe me gratë, ku u thyen praktikat e vjetra dhe gruaja doli në mbledhje, në kuvende me burrat, me luftëtaret gra dhe për të drejtat e barabarta me burrat etj.

Komisari i dritës
Pas çlirimit të vendit Ndrecë Ndue Gjoka u përqendrua në fushën e arsimit, fillimisht në hapjen e shkollave fillore në mjaft fshatra të Mirditës. Ai arriti të aktivizojë djemtë që kishin mbaruar konviktin e Oroshit, si dhe mjaft të tjerë që kishin mbaruar pak arsimin fillor. Që në dhjetor të vitit 1944 hapi në Mirditë pesë shkolla. Organizoi seminare teorike-praktike me tema përgatitore, si dhe emëroi mësues nëpër fshatra, për të hapur shkolla e për të luftuar analfabetizmin në mosha të ndryshme. Ai shtroi detyra tek mësuesit e rinj për të mundësuar plotësimin e bazës materiale dhe çdo gjëje që i nevojitej atij aksioni të madh. Për dërrasa të zeza apo tabela u përdoren rrasat e guri, ku shkruhej me copa tjegulle, gëlqereje, etj. Fletoret dhe lapsat që mund të siguronte i ndante në dy-tri pjesë etj. Në një relacion që Bardhok Biba dërgonte në Qarkorin e Shkodrës më 23 maj 1945, thuhet se në këtë rajon shihet ndryshimi i së kaluarës me të tashmen. Janë hapë 3 shkolla dhe 35 kurse, ndër të cilat ajo e Rrëshenit, e Prosekut, e Selitës dhe e Ranxës kanë ecë mjaft përpara. Iniciativa e Ndrecë Ndue Gjokës bëri të mundur hapjen e 52 shkollave fillore, si dhe mbi 47 kurse kundër analfabetizmit, kur ende nuk kishte vendim e ligj të qeverisë. Kjo punë kolosale me vlera të pallogaritshme për popullin, ku mbi 90 % ishin analfabet në rrethin e Mirditës. Me punë e kontribut, me përkushtim dhe sakrificë deri në kufij, u arrit një suksesi i madh duke hapur dritën në Mirditë, duke realizuar ëndrrat e fëmijëve e të popullit për arsim e kulturë. Reaksioni në Mirditë, nën drejtimin e Komitetit të Maleve, kishte filluar të hidhej në veprim dhe të vrisnin anëtarë të këshillave, kuadro, vullnetarë që shkonin në aksione etj. Kështu në shkollën e fshatit Nënshat, në sy të nxënësve u masakrua mësuesi Ndue Gjin Tuçi. Prita ju bë Ndrecë Ndue Gjokës në Qafën e Varrës. Bardhok Biba njoftonte se në afërsi të Qafë Varrës, duke ardhur prej Kalori për në Shënpal, është vrarë mësuesi i dritës në Mirditë.

Përkujtim dhe nderim
Për figurën e Ndrecë Ndue Gjoka është shkruar në vazhdimisht në shtypin e kohës. Për mësuesin e dritës janë bëri poezi dhe shkruar tregime, janë bërë monografi dhe është shkruar në mjaft libra. Për mësuesin hero janë ngritur buste, ndërsa shkolla shkolla dhe rrugë mbajnë emrin e tij. Është realizuar një film artistik me emrin “Komisari i Dritës”. Ai është shpallur Dëshmor i Atdheut.


Sigal