Mehmeti, ja si më futi partizan në Brigadën e Parë

1046
Sigal

Enveri i shet Shqipërinë Titos, jugosllavët masakrojnë fëmijët shqiptarë

(Vijon nga numri i kaluar)

ARKIVA II/ Pjesë nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të madh shqiptar Petro Marko

Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44, Petro Marko kthehet në Shqipëri duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 shqiptarëve tjerë në kohën kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi. Ishte në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbe. Citon N.Spirun që i thoshte se Shqipëria kishte material të mjaftueshëm jo vetëm për të dhe për kushedi sa vjet,- bollëk ky që e  bënë të mundur tregtarët shqiptarë nën okupacionin italian e pastaj gjerman, ngaqë pushtuesit kishin nevojë për materiale. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947, nga një kontroll i befasishëm i gjejnë shkrime jashtë vijës së partisë, lirohet më 15 maj 1950. 1957 mësues në teknikumin “8 Nëntori”. Boton “Hasta la vista” – 1959. 1973 i hiqet e drejta për botim…

…Dhe kështu vazhdon autointervista e shkrimtarit të madh:

– Si rrodhën ngjarjet?

Unë iu luta Koçit dhe Mehmetit që të më lejonin të shkoja në Brigadën e Parë, se desha të merrja pjesë dhe unë në Luftën tonë siç pata ëndërruar. Ata e pranuan kërkesën time. Në Tiranë, nga ata që solla nga Italia, mbajtën vetëm Nexhmedinin Zajmin, si piktor. Të tjerët u inkuadruan në Brigadën  VI dhe  VII dhe shumica u vranë në tokat e Jugosllavisë, duke ndjekur gjermanët gjer në Sanxhak. Mua më mbajtën në Shkodër për të botuar Buletinin e Korparmatës së Tretë. Flija në shtëpinë e Nush Topallit, ku merrja lajmet me radio dhe përgatitja lëndën te “Jeta e re”, ku bashkëpunoi dhe Vehbi Bala e të tjerë. Shkodra ishte në festë të madhe. Nuk ka qytet në Shqipëri që t’i ketë pritur aq mirë partizanët si Shkodra. Çdo familje e kishte për nder të mbante një partizan me të gjithë të mirat. Familja e Nush Topallit më ka mbajtur si bir të saj, shumë familje bujare, patriote dhe fisnike. Mirëpo në Shkodër, siç duket me ndikimin e malazezeve, nisi ndjekja kundër katolikëve. Kishin ardhur shumë podgoricanë dhe ata ishin thuajse shumica. Nisi rrëmbimi i mallrave, zbrazja e dyqaneve nga jugosllavët. Shkodranët ishin tmerruar dhe prisnin se çdo të bënte qeveria shqiptare: a do t’ua ndalonte sllavëve rrëmbimin e mallrave, zbrazjen e dyqaneve?

– Pse jugosllavët i zbrazin dyqanet dhe magazinat e Shkodrës?

Do të them të drejtën: Gjykimi i çdo veprimi duhet bërë sipas kohës kur është kryer. Ne si antifashistë dhe internacionalistë, ishim shumë lealë, shumë të sinqertë dhe për veprimet e jugosllavëve, megjithëse na ngacmonin me shumë dyshime dhe pikëpyetje, nuk shpreheshim, se besonim shumë tek ideali i përbashkët. Kurrë nuk na shkonte ndër mend se një parti e majtë mund të vepronte me djallëzi. Mua më thoshin disa shokë e miq shkodranë, katolikë e myslimanë: “Druzhet po na plaçkitin dhe ne i bëjmë sehir.” Dua të shënoj këtu edhe një bisedë që pata pas një viti me Nako Spirun, ministër i Ekonomisë: “Ne kemi aq mall dhe materiale të çdo kategorie, sa dhe për 10 vjet s’kemi nevojë të importojmë asgjë”, -më tha. Edhe Nush Topalli, një njeri me mend dhe i ndershëm, një mbrëmje, duke ngrënë bukë në shtëpinë e tij, më pyeti me druajtje: “Më falni, zoti Petro. Unë e di që ju jeni një patriot i ndershëm, dhe dua t’ju bëj një pyetje. A më lejoni?” “Unë ha bukën e një vëllai shqiptar,- iu përgjigja,- si të mos kem besim dhe respekt për të? Ç’doni të më thoni?” Ai më pyeti: “Pse zoti Petro, sllavët po na zhveshin? Të paktën të marrin një pjesë e një pjesë ta mbajmë edhe ne, se ku t’i gjejmë tërë këto mallra të çdo kategorie: Që nga lënda e ndërtimit, te manifaktura, te makineritë, te pijet madje deri tek furçat e nevojtoreve?! Më vjen keq, vërtet miku është mik, po duhet t’i japim ne atë që kërkon dhe jo t’i hapë vetë depot, magazinat, dyqanet… dhe t’i zbrazë pa na thënë as faleminders! Unë e kuptoj këtë zoti Petro. I shoh të gjitha dhe hesht, se, po hapa gojën, burgu më pret.” S’e kuptoja këtë veprim zhvatës pa skrupull të druzheve. Të gjithë katolikët shiheshin me sy të keq, madje nisën dhe arrestimet.

– Ç’të ka mbetur në kujtesë nga Shkodra?

Kujtimet më të mira, por edhe hidhërimet më të thella. Ato ditë kishte ardhur në Shkodër, Hysni Kapoja, shoku dhe armiku im qysh në fëmijëri. Ishte komisar i Korpamatës III. Desha t’i kallëzoja ato që shihja në Shkodër, por m’u kujtuan fjalët e Sejfulla Malëshoves në Berat: “Dëgjo e shiko, por mos hap gojën një vit”. Atë natë më kishte thirrur për darkë një dentist kosovar. Pyeta një shok që ishte i sigurimit, dhe ai më tha se mund të shkoja. Kur vajta te familja e mjekut, pashë aty si fantazmë Babushin- Bedri Pejanin; m’u duk sikur m’u fanit në ëndërr. Më përqafoi me lot në sy. U çmallëm, se kishim pa u parë që në Paris, më 1939. Ndenjëm gjithë natën pa fjetur, se ai më tregonte gjëra të pabesueshme: terrorin e madh serb në Kosovë e Metohi, poshtërsitë dhe krimet e stilit hitlerian të bëra nga Rankoviçi e Mihailloviçi. Unë u habita shumë për ato bëma çnjerëzore. Dhe ai më tregoi se si Partia Komuniste Shqiptare ishte krijuar nga agjentët e Titos, Dushani dhe Miladini. Babushit i ishte dashur të organizonte Lidhjen e Dytë të Prizrenit dhe të pranonte të bëhej prefekt i Pejës, duke u justifikuar me thënien e Hasan Prishtinës: Edhe me djallin do të bëhem aleat e ortak, vetëm Kosova të çlirohet e të bashkohet me nënën Shqipëri… Në mëngjes do të nisesha për Tiranë me Hysniun, se ai kishte ardhur që të më merrte për të botuar gazetën “BASHKIMI”… Unë i kundërshtova, po ai, si shok i dashur, më bindi duke më thënë se isha gazetar dhe shokët e kishin ngarkuar të më merrte me vete. I thashë se unë kisha një shok të vjetër, Babushin, për të cilin, fola shumë. Ai më tha që ta merrnim me vete në Tiranë. Dhe gjatë gjithë rrugës Shkodër- Tiranë, Babushi fliste për situatën në Kosovë dhe për tradhtinë tonë ndaj kosovarëve. Kur arritëm në Tiranë, Hysniu i tha Babushit: “Të gjitha këto që na kallëzove, i shkruaj dhe jepja Petros”. Dhe u ndamë. Babushin e shpura në shtëpinë e Abdurrahmanit, dhëndrit të tij. E pritën të habitur dhe shumë të emocionuar. Babushi pas një jave më dërgoi me vajzën e tij një “Promemorie”, ku shkruante ato që na kishte treguar gjatë udhëtimit Shkodër- Tiranë. Ishin 13 faqe të daktilografuara. I kopjova. Kopjen e mbajta unë, origjinalin ia dërgova Hysniut. Nuk e gjej dot kopjen, se jam bastisur dy herë nga sigurimi: herën e parë kur u arrestova unë dhe herën e dytë kur u arrestua djali. Nuk më lanë dorëshkrime, poezi, romane, letra, gazeta të vjetra e të tjera pa më marrë. Por do të përpiqem të them thelbin e atyre që na rrëfente Babushi që nga Shkodra e deri në Tiranë, të cilat i përmblodhi në promemorien që unë ia dorëzova Hysni Kapos. “…Ju keni bërë një krim fatal jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë Shqipërinë. Ratë në grackën e Titos. Ai me Miladinët, me Vukmanoviç Tempot, dhe veçanërisht me udhëheqjen e Partisë suaj që e drejtojnë serbët, i dhatë fund pavarësisë sonë. Në mos vënçin dorë aleatët e mëdhenj, s’ka Shqipëri më, por një bije e bindur të Federatës së Titos. Titoja ia mbushi mendjen Stalinit që të mos pranohej ideja e Dimitrovit për krijimin e një Federate Socialiste Ballkanike ku, aty ku flitej serbishtja, të ishte Republika Serbe, aty ku flitej shqipja, të quhej Republika Shqiptare, aty ku flitej bullgarishtja, Republika Bullgare e kështu me radhë për gjithë popujt e Ballkanit, se Ballkani jetoi afro 500 vjet nën të njëjtin sundim otoman, me të njëjtat kanune e zakone. Popujt e Ballkanit nuk mund t’i ndash prerazi në kufij, se ata kanë lëvizur gjatë 5 shekujve duke e bërë Ballkanin një vend, ku mund të gjesh vetëm një popull brenda një kufiri. Por këtë ide nuk e pëlqeu mareshalli Tito, madje edhe Stalini, se, po të bëhej Ballkani një federatë socialiste, do ta kalonte shumë Bashkimin Sovjetik të prapambetur, kështu që Stalini nuk donte të ishte despot i një populli të prapambetur. Edhe politikanët anglo-amerikanë nuk e përkrahën këtë mendim të Dimitrovit. Ata gjatë Luftës së Dytë Botërore ngritën dy figura: në perëndim De Golin dhe në lindje Mareshallin Tito, i cili pretendonte të behej mareshal i gjithë Ballkanit, sipas dëshirës së Çurçillit, djali i të cilit qëndronte gjatë Luftës pranë Titos. Por ja që Titoja nuk u bë dot Mareshall i gjithë Ballkanit, por u bë i Shqipërisë. E vërteta është se Stalini i kishte thënë që ta inkuadronte edhe Shqipërinë si Republikë të shtatë, por Titoja i zgjuar nuk e pranoi, duke thënë se shqiptarët nuk janë sllavë dhe se… janë xhelozë për pavarësinë e tyre. Këtë e tha, se, po të bashkohej Shqipëria si republikë e shtatë, do të ishte republika më e madhe, më e pasur, më e fortë, se do të bashkohej edhe Kosova në këtë republikë të shtatë.” Babushi pretendonte se ishte dakord me idenë e Dimitrovit, por pasi e pa si veproi Titoja me agjentët e tij në Shqipëri, ishte më se i sigurt se Shqipëria tashmë ishte e Titos. Tragjedinë e Kosovës – thoshte Babushi- e shkaktuam ne, se ishim servilë, frikacakë dhe shërbëtorë besnikë të Titos, i cili kishte këtu agjentët e tij të famshëm, Miladinin dhe Dushanin, të cilët krijuan një parti sipas planeve të tyre. “Sot na vjen turp të themi se një popull me njerëz të zgjuar dhe patriotë i ra në gjunjët e një Miladini, i cili e krijoi Partinë ashtu siç e deshi vetë Titoja. U përpoqëm dhe krijuam Lidhjen e Dytë të Prizrenit, kryetar më caktuan mua. U bëra dhe prefekti i Pejës. Edhe i shkreti Emrush Myftari, luftëtar trim edhe në Spanjë, krijoi një çetë për të mbrojtur nga serbët dhe çetnikët popullin shqiptar. Madje, ai erdhi në Shqipëri, me një thes plot me duar dhe koka të prera fëmijësh të vegjël shqiptarë, i solli në Tiranë dhe, në shtëpinë e Esat Dishnicës, thirri Enver Hoxhën dhe Nako Spirun, zbrazi thesin me koka e duar fëmijësh kosovarë dhe u tha: “Ja se ç’bëjnë druzhet tuaj që i mbani në krahë!” Pastaj Emrushi doli në Tiranë, pa dy kryeçetnikë, i ndoqi dhe i vrau të dy para Bankës Kombëtare. “Mbaj mend se në fund të promemories thoshte: “Hapni sytë e qëroni këlyshët e Titos, përndryshe nuk ka as Shqipëri e as Kosovë!”

Arrestimi i shkrimtarit

Kurthi që më ngriti Enveri nëpërmjet Nako Spirut

Si nisi tragjedia juaj?

– U kurdis një skenar. Nako Spiru provokoi një mbledhje në redaksi me Frontin, se Fronti ishte ai që përfaqësohej nga “Bashkimi”. Ishin: Omer Nishani, Shefqet Beja, Nako Spiru, Behar Shtylla e të tjerë. Ishte i dërguar “Gjoja” nga Ministria e Brendshme N. H., por në të vërtetë mendova se ishte i ngarkuar nga Nakoja. Unë nisa të bëja një raport për gjendjen e gazetës, nisa për disa kërkesa, në anën materiale, sidomos për letër rrotative e të tjera. U ngrit N. H. dhe tha midis të tjerash se Petroja na “mburri” këtu “Bashkimin e Kombit”, që shtypej po në këtë shtypshkronjë dhe dilte më bukur e më i madh. Harrova të them se disa ditë me parë Nakoja më kishte thënë që ta bënim “Bashkimin” si “Borbën” e Beogradit. Unë e kisha kundërshtuar me po ato fjalë që i thashë dhe N. H. në mbledhje, se dhe ai nxori nga xhepi një “Borba” dhe tha se edhe ne duhet ta bënim “Bashkimin” si “Borbën”. Unë shkova në dhomën tjetër, mora koleksionin e “Bashkimit” të vjetër. Pastaj ne kemi shtypin tonë, siç ka çdo vend shtypin e vet. Çdo shtet ka traditën e shtypit të tij. Ne me “Borbën”,- thashë,- ndryshojmë nga forma, por kemi po atë përmbajtje, ashtu si në Itali “Unita”, si në Francë “Humanite”, si në Greqi “Rizospastis” e të tjera. Cilido mban formën kombëtare, ashtu dhe “Bashkimi” ynë mban formën kombëtare. N. H. nguli këmbë aq sa më bëri të nxehesha e të thosha: “Pse të mos bëhet “Borba”, që është më e re, si “Bashkimi”, që është shumë i vjetër!” Pas disa diskutimesh qetësuese nga Omer Nishani, thanë ta mbyllnim mbledhjen. Pas disa ditësh Jugosllavia kishte një festë dhe ne të kulturës (të Radios, Agjencisë Telegrafike dhe të shtypit) ishin të ftuar në ambasadë. Dhe shkuam në Ambasadën Jugosllave për të uruar. Unë kisha marrë me vete edhe shoqen time, Safon. Josip Gjergja, ambasadori, më mori pranë dhe flisnim shqip. Ngritëm gotat. Kur e ceku gotën time, më tha: “E, në mos u bëftë “Bashkimi” si “Borba”, le të bëhet “Borba” si “Bashkimi”… Gotën as nuk e vura fare në buzë, por e lashë mbi tryezë. Ai buzëqeshi me ironi dhe më tha: Pse? I thashë: “Ju nuk i njihni mirë zakonet tona. Ne themi se “hallet e shtëpisë nuk dalin në pazar!” Edhe ai uli gotën dhe e la mbi tryezë. Më pa me ironi dhe më tha me zë autoritar: Unë nuk jam pazar! Atëherë unë iu përgjigja: Në këtë rast, për mua po! Mora shoqen time dhe ika. Asaj nuk i thashë se ç’ngjau, por se më merreshin mendtë nga pagjumësia… Të nesërmen, ishte kohë e bukur; kisha marrë Safon për krahu dhe shëtitnim në bulevard. Aty përpara hotel “Dajtit”, kaloi një veturë. Brenda saj ishte Nakoja (Spiru). Shikimet tona u ndeshën për pak çaste. Do të ketë thënë me vete: “Kjo është shëtitja e tij e fundit…” Dhe me të vërtetë ajo ishte e fundit, se në mes të natës erdhën njerëzit e sigurimit, më ngritën nga shtrati dhe më lidhën. Safoja qante… Dhe nisi tragjedia. Më 15 maj 1947.

Mbërritja në Tiranë

Si e fillova nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”

Unë shkova në hotel “Dajti”, ku gjeta shumë shokë. Aty u vendosa, si gjithë shokët e tjerë; paguante Ministria e Kulturës. Që të nesërmen shkova të shokët e Shtabit, ku gjeta edhe Koçin. Enveri më tha se, “duhet botuar sa më parë gazeta “Bashkimi”, prandaj dhe të thirrëm të vije.” Pranova me një kusht: Kërkova që shokët Enver Hoxha, Sejfulla Malëshova, Omer Nishani, Nako Spiru, Ymer Dishnica të më jepnin nga një kryeartikull secili, një herë në javë. Të tjerat do t’i bëja vetë. Më thanë të merrja kë të doja dhe të kërkoja çdo gjë, vetëm gazeta të dilte sa më parë! “Brenda këtyre ditëve!”- u thashë dhe fillova nga puna. Kërkova Rebi Alikajn dhe shkova në shtypshkronjën “Bashkimi”. Aty gjeta cinkografin Nexhdet Kosturi dhe i thashë se duhej të botonim sa më parë gazetën “Bashkimi”, të cilën e miratuam dhe pastaj menjëherë ai e stampoi. Në cinkografinë e tij vendosa një radio që e mora nga Shkodra, nga depot që zbraznin jugosllavët. Para Vitit të Ri, nisa botimin e “Bashkimit”. Kisha si korrektor Nuçi Priftin. Thirra aty edhe Reshat Again që e njihja që në rini, të më merrte lajmet si stenograf i mirë që ishte: pak nga pak po vinin edhe shokë të tjerë që bashkëpunonin, si Remzi Xheneti e të tjerë që vinin e shkonin, si Kolë Jokova, Mark Gurakuqi, Vebi Bala, Jusuf Alibali, Enver Fico, por nuk qëndronin. Për fat të mirë, tipografët ishin italianë, faqosësi italian dhe ai i rrotativës italian. Ata punonin shumë, me kujdes me cilësi, prandaj edhe unë u sigurova nga një litër qumësht çdo mëngjes dhe të shtunave, sapo hidhej gazeta në flan, u kisha caktuar 200 franga që t’ia shtronin me se të donin. Kërkoja zyrë. Më thanë të futesha në një ndërtesë aty pranë, por unë shkova dhe zgjodha në bulevard një ndërtesë të mirë, ku italianët kishin zyrat e tyre të siderurgjisë. Mora katin e dytë, gjersa ata të iknin, pastaj do të merrja edhe katet e tjera. Më erdhën në gazetë publicistë të rinj, si Astrit Delvina, Mustafa Greblleshi, Osman Bishqemi, të cilët i aktivizova si reporterë dhe ishin të mirë. Më vonë erdhën dhe Mustafa Xhaxhiu e Raif Hasani.

Nesër do të lexoni

Në Tiranë nis ndarja e pushtetit mes Enver Hoxhës, Koçi Xoxes e Mehmet Shehut.

Thellimi i “shitjes” së Shqipërisë, jugosllaviste titiste.

Tre letrat e panjohura të Mehmetit për Fan Nolin dhe ftesa e qeverisë komuniste