Mehmet Shehu (Vjosa)-në të gjitha fushat ishte gjeneral.

1222
Sigal

Në vitin 1937 shkon në Francë dhe prej andej ilegalisht kalon në Spanjë, në radhët e Brigadës 27 Internacionaliste

Koha është që provon dhe do të provojë edhe në të ardhmen të vërtetat dhe sajesat, vlerat dhe anti-vlerat, paragjykimet dhe alternativat, idetë dhe sofizmat, njerëzit dhe monstrat si një gjykatë e paanshme dhe e pagabueshme, duke ndjerë përgjegjësinë qytetare e duke pasur sensin e drejtësisë. Ajo vlerëson, rivlerëson dhe i përcakton secilit vendin që meriton. Edhe koha që përmban 70 vite te luftës, rindërtimit dhe konsolidimit të shtetit tonë do ta bëjë një gjë të tillë. Ajo, që për nga zhvillimet dhe arritjet ka përmasat e një kohe, provon se figura e Mehmet Shehut është më vitalja dhe më e pakrahasueshmja midis asaj klase politike që deshën të bënin një shtet të fuqishëm shqiptar dhe e bënë këtë shtet. Në memorien e çdo shqiptari të ndershëm e patriot Mehmet Shehu mbetet Heroi Legjendar dhe Komandant i Lavdishëm i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, politikan dhe burrë i shquar shteti, kryeministri më autoritar, i cili për tre dekada me radhë drejtoi me dinjitet qeverinë shqiptare.

Jeta

Mehmet  Shehu lindi në 10 janar 1913 në Çorrush të Mallakastrës. Në familjen e Shehajve, e cila shquhej për tradita popullore e patriotike. Ai mori gjithçka të bukur e të veçantë që karakterizon mallakastriotët, jetoi dhe kuptoi gjithë fisnikërinë e shpirtit të tyre: trimërinë, besën, mikpritjen, etjen për dritën e shkollës, atdhedashurizmin dhe patriotizmin e kulluar. Që në vitet e fëmijërisë ai ndjeu erën e barutit, të luftës dhe të vdekjes që kishte pllakosur Botën, pa plagën e dhimbshme e të rënda që la ajo, fukarallëkun e fshatit, vuajtjet e njerëzve për kafshatën e bukës, shtypjen dhe nënshtrimin e popullit. Nga bregoret e fshatit ai i ngulte sytë vetëm te Vjosa e lirë dhe e furishme që fshinte me valët e saj çdo gjë të keqe e të kalbur duke lënë mbas dritë e kaltërsi. Me gjithë forcën e shpirtit, ai donte të bëhej si ajo. Në vitin 1932 Mehmet Shehu mbaroi studimet e mesme në shkollën teknike amerikane në Tiranë. Atje, veç gjuhës dhe kulturës amerikane, ai u brumos me njohuri të gjera politeknike bashkëkohore dhe me ide e parime pragmatike mbi një rrugë prioritare të zhvillimeve ekonomike, të cilat ndryshonin shumë nga mentalitetet e realitetit shqiptar. Në vitin 1935 fillon studimet në shkollën ushtarake të Napolit, ku dallohet për disiplinë e këmbëngulje, seriozitet dhe patriotizëm, synimin për të kapur sa më shpejt dhe sa më mirë idetë, rrymat dhe lëvizjet më të përparuara të kohës. Ai e kuptonte më së miri se, ndërsa kishte lënë atdheun nën një regjim të kalbur feudoborgjez, përpara kishte gjetur fashizmin të mbërthyer nga etjet e përgatitjes dhe fillimit të një kasaphane më të tmerrshme dhe më mizore se ajo që kishte përjetuar si ëndërr në Luftën e Parë Botërore.  Kundërshtar i vendosur i fashizmit, Mehmet Shehu si shumë bij të tjerë të Shqipërisë në vitin 1937, shkon në Francë dhe prej andej ilegalisht kalon në Spanjë. Në radhët e Brigadës 27 Internacionaliste “Garibaldi” Mehmet Shehu luftoi me guxim e trimëri të rrallë, duke nxjerrë në pah edhe aftësitë e shquara komanduese dhe drejtuese në kushtet e një lufte të ashpër për mbrojtjen e Republikës Spanjolle. Kur falangat e Frankos e mposhtën revolucionin spanjoll dhe trupat republikane u tërhoqën në tokën franceze, Mehmet Shehu me gjithë internacionalistët e tjerë, u izolua në një kamp përqendrimi për gati 3 vjet e gjysmë.

Më 10 gusht Mehmet Shehu u kthye në atdhe, në atdheun e okupuar nga fashistët italianë.

Njohës i mirë i situatës, i forcave dhe grupimeve që ishin vënë përballë njëri-tjetrit, i marrëveshjeve dhe aleancave të krijuara, i fillimit dhe fundit të kësaj tragjedie, Mehmet Shehu u kthye në Shqipëri për të vazhduar e për të çuar deri në fund  luftën e nisur kundër fashizmit, tani me një besim më të madh: ai do të luftonte në krah e në ballë të popullit të vet. Vetëm për 4 muaj, nëntor- dhjetor 1942 dhe janar- shkurt 1943, ai drejtoi dhe realizoi me sukses krijimin e këshillave antifashiste dhe çetave vullnetare në të 56 fshatrat e krahinës. Më 4 shkurt 1943 Mehmet Shehu krijoi dhe komandoi  “Çetën Plakë” të Mallakastrës. Duke filluar me luftimet në Qafën e Sykuqit më 5 e 6 shkurt 1943 – u godit e u shpartallua një autokolonë fashiste e duke vazhduar më pas në aksionet në Patos e Selenicë, në luftime të ashpra kundër mercenarëve të Halil Alisë dhe kriminelëve të Isa Toskës, populli i Mallakastrës nën udhëheqjen e Mehmet Shehut tregoi se ishte ngritur i gjithë në këmbë, ishte armatosur dhe kishte nisur luftën për çlirimin e atdheut. Mehmet Shehu shkëlqeu me gjithë dritën e një gjenerali të sprovuar në operacionin e egër fashist kundër Mallakastrës, 25 qershor- 15 korrik 1943. Njëzet mijë trupa të zgjedhur me tanke e autoblinda, të mbështetur nga artileria dhe aviacioni u sulën në Mallakastër nga katër drejtime, por dështuan me turp përballë 2000 mallakastriotëve trima që udhëhiqeshin nga Mehmet Shehu. Më 15 gusht 1943 Shtabi i Përgjithshëm i besoi Mehmet Shehut komandën e Brigadës së Parë Sulmuese të ushtrisë Nacional Çlirimtare, kurse në vitin 1944 e caktoi komandant të Divizionit të Parë, formacione këto, që u dhanë goditje vdekjeprurëse divizioneve naziste dhe mercenarëve të qeverisë kuislinge në luftën e madhe për çlirimin e Shqipërisë. Do të mbeten historike shpëtimi i Brigadës së Parë S në darën e Synizës, nëntor 1943, inkursioni i Brigadës së Parë, lufta në Tendën e Qypit, prita në Mushqeta, lufta për çlirimin e Tiranës, kryeqytetin tonë të dashur, kalimi i Divizionit tonë të parë në veri, çlirimi i Peshkopisë dhe i Shkodrës…. të gjitha të lidhura ngushtë me heroizmin partizan dhe me emrin e komandantit të tyre legjendar Mehmet Shehut. Pas çlirimit Mehmet Shehu punoi e luftoi si asnjë tjetër për modernizimin e ushtrisë sonë popullore, si shef shtabi i përgjithshëm, për rindërtimin e vendit, për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Në vitin 1947 goditet, përjashtohet nga partia dhe shkarkohet nga funksionet shtetërore si anti-jugosllav. Në vitin 1948 mbas ndërprerjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë ai u emërua ministër i Punëve të Brendshme dhe më pas zëvendës kryeministër. Është meritë e tij e veçantë zbulimi dhe eliminimi i kriminelëve, bandave të armatosura dhe grupeve agjenturore që vepronin e hidheshin nga agjentaturat e huaja për eliminimin e pushtetit popullor dhe gllabërimin e Shqipërisë së re demokratike. Në vitin 1954 Mehmet Shehu është kryetar i këshillit të ministrave. Për 27 vjet me radhë në krye të qeverisë shqiptare punoi dhe drejtoi me autoritetin e një burri të shquar shteti gjithë jetën dhe ekonominë shqiptare. Nga viti ne vit, nga një pesëvjeçar në tjetrin, niveli i asaj ekonomie njohu vetëm mbarësi e rritje. E nisur nga “asgjëja”, nga malaria dhe moçalet, nga parmenda dhe nga analfabetizmi, nga prapambetja shekullore dhe errësira, atdheu ynë ra në dritën e mësimit dhe edukimit, ndërtoi rrugë dhe hekurudha, ngriti fabrika e hidrocentrale, i mbushi fushat me grurë dhe malet me gjelbërim dhe lule, shteti ynë u bë i fuqishëm, kombi u shëndosh, ne ishim krenarë në këtë tokë që na lanë të parët tanë, nën këtë diell që na kishte rënë për pjesë.

Mehmet Shehu u  eliminua më 17 dhjetor 1981. Jeta dhe vepra e tij e përkushtuar krejtësisht në shërbim të atdheut dhe popullit u denigrua në mënyrën më banale dhe më të paskrupullt. Të tilla gjëra kanë ndodhur ndodhin dhe do të ndodhin edhe më pas në historinë e popujve dhe të figurave të shquara. Veçse ne kemi bindjen e plotë se periudha e Luftës Antifashiste, ajo e rindërtimit dhe e ndërtimit të Shqipërisë së re e moderne krijuan së bashku një epokë, e cila kërkoi e gjeti sakrifica e përkushtime mbinjerëzore. Mehmet Shehu ishte dhe mbetet mëndja, guximi, uniteti dhe krenaria, zëmra që i dha krahë kësaj epoke të ndritur e këtij populli të madh e heroik lavdinë e përjetshme.

Anëtar i kryesisë Kom. Vet. Tiranë

(Ahmet Saliaj)

Historian (Hajredin Elmazi)

Tiranë më 7.11.2014