Mehmet Shehu, si i pranoi gabimet që bënte Sigurimi i Shtetit

1695
Sigal

(vijon nga numri i kaluar)

ARKIVA / Letër e KQ të PPSH mbi shfaqjen e shkeljes së ligjeve nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme

Deklarimi i ministrit: Sigurimsat rrahin qytetarët e lirë

Organi që shkelte më së shumti dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat e njeriut në Shqipëri, ishte Ministria e Punëve të Brendshme dhe levat e saj kryesore, ndër të cilat Sigurimi i Shtetit cilësohej si parësore. Jo vetëm arrestime të padrejta dhe të pambështetura në ligj, por dhe keqtrajtime të qytetarëve të lirë e dhunim të të arestuarve. Kjo ka qenë një pjesë e ekspozesë së punës së Ministrisë së Brendshme në vitet kur në Shqipëri “lulëzonte” ndërtimi socialist i vendit. Në vitet 1946-1947 Ministria e Brendshme kishte kaluar një periudhë të vështirë. Ministri i fuqishëm i asaj kohe Koçi Xoxe, kishte arritur të dominonte, jo vetëm të gjitha strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit, por kërcënonte dukshëm dhe pushtetin e Enver Hoxhës. Pas rrëzimit të Xoxes në krye të Ministrisë së Brendshme erdhi Mehmet Shehu, i cili në vitin 1954 do të merrte dhe frenat e pushtetit ekzekutiv, për t’u bërë Kryeministri më jetëgjatë në Shqipëri me 27 vitet e drejtimit me dorë të hekurt.

Në një letër “Tepër sekret” e firmosur në fund të saj nga Ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Mehmet Shehu, me numur protokolli 01-18 u niset të gjithë degëve të Punëve të Brendshme të rretheve; gjithë degëve operative të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë Popullore; si dhe për njoftim Komitetit Qendror të PPSH-së dhe me autorizim të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH, – gjithë Komiteteve të Partisë në Rrethe; Ministrisë së Drejtësisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Propaganda

Fillimisht, ministri i Punëve të Brendshme Gjeneral-Leitnant Mehmet Shehu ka bërë një hyrje retorike, ku thotë: “Partia dhe Qeveria kanë treguar kurdoherë kujdes të veçantë për forcimin e organeve të punëve të brendshme. Kondita kryesore për suksesin e organeve të punëve të brendshme në luftën e tyre kundër armiqve të popullit, është sigurimi i plotë mbi këto organe nga ana e partisë. Ato janë siç ka thënë dhe udhëheqësi ynë shoku Enver Hoxha “syri dhe veshi i Partisë”, janë rroje besnike e interesave të popullit kundër çdo lloj arrmiku të brendshëm ose të jashtëm”

Pranimi i gabimeve

Megjithëse njihej si natyrë jo tolerante, Mehmet Shehu në këtë material tepër sekret të nisur vetëm për drejtuesit e institucioneve më të larta të vendit pranonin dhe gabimet që janë bërë nga Sigurimi i Shtetit, por që gjithësesi këto ia faturon punës “armiqësore” të paraardhësit të vet. “Organet e Sigurimit të Shtetit dhe të gjitha organet e tjera të Ministrisë së Brendshme kanë korrur mjaft suksese të rëndësishme në punën dhe luftën e tyre të përditshme kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. Por megjithatë, konstatojmë se organet operative të Ministrisë së Brendshme, si në qendër ashtu dhe në rrethe, gjatë punës së tyre, bëjnë gabime të rënda duke shkelur në shumë raste ligjet e shtetit, platformën e Sigurimit të Shtetit dhe urdhrat e udhëzimet e lëshuara nga Ministri. Këto shkelje të vijës së Partisë, të ligjeve shtetërore dhe të urdhrave superiore janë shfaqur sidomos në këto drejtime:”

Pika e parë

a.-Në drejtim të hetuesisë: Hetuesia, si për anën e sigurimit ashtu dhe për nën e policisë, nuk është zhvilluar kurdoherë në bazë të instruksionit që kemi lëshuar mbi hetuesinë. Ka patur mjaft raste shtrembërimi në metodën e hetuesisë dhe mjaft raste arbitrariteti e veprimesh të paligjshme, siç janë: goditja e të burgosurit, zhvillimi i hetuesisë duke mbajtur lidhur të akuzuarin, shtrënguarja e hekurave jashtë mase mbi duart e të burgosurit, prerja e përkohshme e bukës ose e gjellës, ndalimi i përkohshëm i rrobave për shtresë e mbulesë, mbajtja në këmbë për një kohë të gjatë në hetuesi, etj..

Pika e dytë

b.-Në drejtim të procedurës së arrestimeve: Ka pasur raste kur organet e Ministrisë së Brendshme nuk respektojnë të drejtat legjitime të qytetarëve, duke mos plotësuar formalitetet ligjore për arrestimin e një personi brenda afatit të caktuar me ligj (brenda 3 ditëve). Ka pasur gjithashtu raste që i burgosuri të mos jetë liruar nga burgu në kohën e caktuar nga gjykata, por është mbajtur disa ditë ilegalisht në burg, për burokracinë dhe neglizhencën e organeve të punëve të brendshme.

Pika e tretë

c.-Në drejtim të përdorimit të të burgosurve në punë: Ka pasur mjaft raste që kryetarët e degëve të Punëve të Brendshme në rrethet të kenë nxjerrë në punë të burgosurit në kundërshtim me rregulloren e burgut dhe udhëzimet që kemi lëshuar.

Pika e katërt

ç.-Në drejtim të sjelljes me popullin: Ka pasur raste që punonjës të Ministrisë së Brendshme të kenë keqpërdorur (qëlluar me pëllëmbë, sharë, shtytur, etj.) qytetarë të lirë të Republikës. Ka patur shfaqje arrogance me popullin, shfaqje mendjemadhësie dhe dehje nga sukseset, ka pasur shpërdorim të funksionit.

Kritikat

Sipas ish-ministrit të Brendshëm: “Natyrisht të metat e mësipërme janë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë me vijën e Partisë. Këto të meta dhe gabime janë konstatuar në mjaft organe të punëve të brendshme. Shkaqet kryesore që kanë bërë të mundur gabimet dhe fajet e mësipërme në organet e punëve të brendshme, janë”:

A -Mungesa e kontrollit të nevojshëm nga ana e organeve superiore kundrejt organeve inferiore, nga mungesa e kontrollit të kryetarëve të degëve kundrejt inferiorëve të tyre;

B -Mungesa e kontrollit të nevojshëm nga ana e organeve të Partisë mbi veprimtarinë e organeve të punëve të brendshme, mbi sjelljet dhe qëndrimin e çdo punonjësi të këtyre organeve që është anëtar partie si të gjithë anëtarët e tjerë të Partisë.

C -Mungesa e kontrollit të nevojshëm nga ana e prokurorive.

Epilogu

Në mbyllje të letrës së tij “Tepër sekret” Ministri i Punëve të Brendshme, Gjeneral-leitnant Mehmet Shehu do të ritheksonte dhe një herë idenë se jo Sigurimi i Shtetit, por Partia ishte mbi të gjitha: “Përgjegjësitë e organeve të Ministrisë së Brendshme, duhet ta marrin çështjen me seriozitetin më të madh dhe të marrin të gjitha masat për të ndrequr gabimet që mund të jenë bërë, të kontrollojnë pa ndërprerje veprimtarinë e vartësve, të sigurojnë kontrollin e plotë të partisë mbi veprimtarinë e organeve tona, të inkurajojë kritikën nga poshtë, të kërkojnë ndihmën e prokurorisë porsa i përket ligjshmërisë”.

Vijon