Sigal

Kur më shau dhe më lavdëroi kryeministri

Leonard Veizi

Ai vazhdon të jetë i dashuruar thellësisht me “atë” edhe pse vitet që mban mbi supe duket sikur nuk ia lejojnë të jetë po aq pasionant sa dhe kohë  parë. Por ai nuk ka ndryshuar aspak. Optimist i pandreqshëm dhe i motivuar për gjithçka në jetë. Çdo ditë gdhihet me të njëjtin mendim në kokë, qëndron gjatë gjithë ditës nën shoqërinë e saj, dhe natën shtratin do ta ndanin së bashku po të kishte mundësi. Por këtu ndërhyn bashkëshortja: Mjaft me të, – i thotë. – Mirë ditën, por dhe natën… E megjithatë ai nuk e braktis. Ajo fle në dhomë, bashkë me ta dhe të nesërmen rituali është i njëjtë, madje më pasionant. Ai e ndjen atë, në gjithçka që lëviz, në gjithçka që fut në kujtesë, në gjithçka mbartin mbi vete, ai dhe ajo së bashku. Lëvizin bashkë si një trup dhe kur shkëputen, e ndjen se nuk bën dot pa të. E dashuron…

Ai është Ilia Terpini, operatori i vjetër i filmit shqiptar, dhe një nga fotografët e shkëlqyer të plejadës së tij të artë. Ai ka xhiruar dhjetra filma artitistik e dokumentarë, por ka xhiruar portretet e të gjithë udhëheqësve shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore. Disa qindra metra film të regjistruar nën syrin e tij të vëmendshëm, i takojnë vetëm figurave kryesore të politikës shqiptare. Në këtë mori karakteresh, Ilia Terpini ka regjistruar që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia e deri tek Sali Berisha, Fatos Nano e Leka Zogu. Kameras së tij, nuk i ka shpëtuar asgjë, madje siç thotë ai, ndoshta është i vetmi që ka regjistruar Enver Hoxhën, teksa në një mbledhje të Byrosë Politike, godiste tavolinën me grusht nga zemërimi, apo në një rast tjetër ndërsa i fliste ashpër bashkëshortes së tij Nexhmies. Gjithçka është e arkivuar me kujdes në bobinat e ish kinostudios “Shqipëria e Re”, ndërsa përdorimi i tyre vazhdon të mbetet “top secret”. Gjithsesi, raportet e operatorit të talentuar të filmave artistikë me drejtuesin më të lartë të të shtetit shqiptar kanë qenë fort të mira, po të kihet parasysh dhe fakti, që ashtu siç shprehet vetë Ilia Terpini, Enver Hoxha e vlerësonte mjaft propagandën dhe krijimin e imazhit të një udhëheqësi popullor nëpërmjet figurës që lëvizte.

Ju keni filmuar shpesh ish udhëheqësit komunistë gjatë veprimtarisë së tyre. Cilat ishin marrëdhëniet që kishe me ta?

Në të vërtetë marrëdhëniet e mia me Enver Hoxhën ishin shumë të mira, ndonjëherë dhe miqësore. Por kujtoj se kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, nuk kishte ndonjë simpati të veçantë për operatorët. Çuditërisht Mehmet Shehu kishte probleme me pozimin dhe publikimin e figurës së tij në publik. Në të shumtën e herës ai bëhej pengesë kryesore për realizimin e punës sonë. Nuk i pëlqente t’i dilnim përballë, apo ta filmonin në çaste intime. Inatosej dhe për hiçgjë i cilësonte si pa gjë të keq “bythëpambukë” apo “qafëleshë”. Mehmet Shehu ishte e kundërta e Enver Hoxhës në raport me punën e kineastëve. Mund të them në thonjëza se Mehmeti ishte “armiku numër një i operatorëve”.

Kur e keni filmuar për herë të parë kryeministrin?

Dëshira ime për t’u bërë operator ishte endur prej vitesh në mendje. Dhe një ditë ia arrita qëllimit. Nuk kishte veç pak kohë që isha pranuar në radhët e kineastëve dhe më dërgojnë të filmojë një aktivitet të kryeministrit, Mehmet Shehu. Filmoja duke u fshehur dhe mundohesha që ai të mos më shikonte. Nuk doja të bija në sy, pasi kisha frikë. Më mundonte ideja se ndoshta Mehmet Shehu mund të jepte urdhër të më hiqnin kameran nga supi dhe të më pushonin nga puna.

E pse duhet të ndodhte kjo?

Në fakt ndjenja ime e frikës e kishte një kuptim. Vetëm disa muaj  më parë, ish-kryeministri kishte inspektuar një pjesë të Mallakastrës. Kishte zhvilluar një mbledhje të zgjeruar me sekretarët e partisë të fshatrave dhe kishte bujtur në Aranitas. Shkolla e fshatit i kishte bërë përshtypje të veçantë dhe e cilësoi atë si “model”. Ndërsa për drejtorin propozoi të dekorohej me “Urdhrin e Punës”. Mirëpo drejtor i asaj shkolle isha unë. Në të vërtetë m’u bë qejfi shumë që kryeministri më vlerësoi. Por kisha dhe një hall tjetër, kisha bërë dokumentet dhe kisha paraqitur një kërkesë në Drejtorinë Arsimore të rrethit për shkëputjen nga puna, pasi ata të Kinostudios po insistonin që unë të shkoja në Tiranë. E ndoshta vlerësimi si arsimtar, do të më sillte telashe në punën si operator, për shkak të asaj që në atë kohë cilësohej si: “braktisje e frontit të vështirë”. Por përgjigjja nga Drejtoria Arsimore e Fierit i erdhi negative. Mbas disa përpjekjesh dhe, me një ndërhyrje miqësore, të sekretarit të Dytë të Partisë për Fierin, Burhan Frashërit, mua m’u realizua ëndrra e madhe. Zarfi i transferimit më jepet në dorë. Dhe unë ia mbatha direkt për në Kinostudio.

Përse thoni se ish-kryeministri ishte i rreptë me operatorët. Ku e shfaqte ai këtë gjë?

Realisht, të gjithë operatorët gjenin belanë, teksa filmonin kryeministrin e atëhershëm, Mehmet Shehun, në aktivitetet publike, por dhe në ato zyrtare. Në se nxehej, ai mund të të shante dhe ofendonte dhe në sy të një delegacioni të huaj. Po aq i paduruar ishte në të sharat e tij edhe në një miting solemn, apo në një takim popullor. Kisha dëgjuar se, po ta kundërshtoje me të drejtë, ai tërhiqej dhe reflektonte, ndaj e kisha vendosur që kut të më vinte radha e të përplasesha me të, ta përdorja këtë armë, pa të vinte ku të vinte. E kisha kundërshtuar disa herë dhe ia kisha dalë me sukses, por një herë desh u dogja.

Si ndodhi?

Po ua tregoi: Ishte koha kur një delegacion qeveritar kinez, i rëndësishëm, do të inspektonte vendin ku do të ngrihej diga e hidrocentralit të Fierzës. Vendi ishte i vështirë dhe mua si operator m’u desh që, për të bërë një plan përballë tyre, të vendosja këmbët në një vend ku rrezikohej seriozisht jeta ime. Por në ato çaste unë as që e mora parasysh këtë gjë, por vetëm doja të bëja punën time. Kur, nga syri optik i kameras shikoja kryeministrin e inatosur që ma bënte me dorë. Lëviza syrin dhe u përqendrova të dëgjoja në ato që thoshte. Ai po kërkonte që të largohesha që andej. Dhe, kur unë lëviza nga vendi, erdhi me nxitim pranë meje tërë nerva. S’la fjalë pa më thënë. Më shau rëndë, aq sa u skuqa e u bëra keq. Mehmet Shehu nuk e ndau fjalën “maskara” nga goja dhe pse gjithçka që kisha bërë s’kishte asnjë lidhje me maskarallëkun. E kundërshtova sërish dhe i thashë se s’mund të veproja ndryshe për t’i filmuar. Por sa para bënte. U largua i xhindosur duke thënë se edhe gjatë luftës i ishin vrarë partizanë 15-vjeçarë vetëm e vetëm se dilnin nga pozicionet. Mendova se kush e di se si do të shkonte kjo punë. Pak minuta më vonë, teksa njerëzit ishin mbledhur në sallë për të dëgjuar fjalimin e radhës, kryeministri më thirri sërish. “Kaq e pati”, mendova atëherë me veten dhe prisja të më komunikohej ndonjë masë e rëndë. Por çuditërisht Mehmet Shehu më mori pranë vetes, më hodhi krahun mbi supe dhe m’u drejtua në sy të të pranishmëve: “Ti je hero”.

Operatori “35- vjeçar”

Nëse e pyet për moshën, të përgjigjet se është as më shumë e sa më pak, por 35 vjeç. Ky është Ilia Terpini. Operatori mjaft i njohur i ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, por dhe i mediave elektronike vizive, të cilat janë përhapur fort në Shqipëri. Gjithsesi në jetëshkrimin e tij thuhet se, me origjinë është nga Devolli dhe ka lindur në fshatin Hoçisht. Thotë se ka filluar të merret me fotografi që në moshën 6 vjeç, ditën që i ra në dorë një aparat fotografik, relike e luftës italo–greke. Më vonë, ky aparat u bë elementi më i dashur për të. Shkollën e mesme e kryen në qytetin e Korçës ku mundi të marrë njohuritë e para për artin, fotografinë, pikturën dhe u përgatit në një nga studiot më të mira të këtij qyteti, siç ishte “Foto Sotiri”. Shkollës së mesme i dedikon edhe njohjen me mësuesin e vizatimit, Vangjel Tushin, i cili kishte mbaruar studimet në Itali e Greqi, person i cili e rekomandoi të ndiqte kurse në pallatin e kulturës, ku jepte mësim profesor Vangjush Miho. Për katër vjet rresht, në vitet e gjimnazit, mësoi se çfarë ishin akuareli, bojërat e vajit, si pikturohej. Por në krahun e djathtë gjithnjë vazhdonte të mbante aparatin fotografik. Megjithatë studimet e larta i përfundon në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Biologji-Kimi dhe merr titullin “Mësues”.

Realizuesi i 26 filmave dhe 50 dokumentarëve

Njihet si një nga fotografët më të mirë në Shqipëri. Thotë se aparati fotografik është pjesë e jetës së tij, i cili nuk e ka tradhtuar kurrë. Njihet si realizuesi i disa ekspozitave si dhe ka marrë pjesë rregullisht në ekspozitat e fotografisë, brenda dhe jashtë vendit. Por ka realizuar edhe 26 filma artistikë me metrazh të gjatë, duke thyer në këtë mënyrë rekordin e operatorëve të Kinostudios. Ndërsa gjithashtu njihet dhe si realizuesi i më shumë se 50 dokumentarëve, një pjesë e të cilëve pasqyrojnë vitet e tranzicionit postkomunist.

FILLIMET

Nga drejtor shkolle në operator filmash

Një takim me operatorin e parë të Kinostudios, Mandi Koçi, do të ndryshonte rrjedhën e veprimtarisë së Ilia Terpinit. Ishte emëruar mësues e më pas drejtor i shkollës 8-vjeçare në Aranitas të Mallakastrës. “Pavarësisht nga profesioni që ushtroja në arsim deri dhe drejtor shkolle, asnjëherë nuk e hoqa aparatin nga dora dhe fillova të lexoj literaturë lidhur me profesionin e kameramanit, apo operatorit. Kisha filluar ta njihja mirë kamerën dhe madje arrita të njihem edhe me xhirime filmash”, të thotë Ilia Terpini.  Kujton se me të është takuar në një aktivitet që organizohej në Fier. Mandi Koçi njihej edhe si fotografi më i mirë në Korçë. Madje gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ka qenë pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe i ka dhënë historisë fotografitë e udhëheqjes së LANÇ-it. Por si vazhdoi më pas. Ilia Terpini tregon: “Mandi Koçit i kam parë për herë të parë aparatin “Ariflex”, për të cilin kisha lexuar e dëgjuar shumë, por deri atëherë nuk e kisha parë me sy. Është interesant se gjatë këtij aktiviteti në Fier, kur iu afrova kameras, asistent i të mirënjohurit Mandi Koçi, Tomor Meçe, më tha: “Kujdes, se kjo kushton shumë”. Aparati më mahniti dhe i kërkova Tomorit që të më ndihmonte të takoja operatorin. Këmbëngulja ime bëri të mundur takimin me Mandin. Ai më pyeti për dëshirat, ëndrrat, dhe, më në fund, kur i thashë se kisha disa albume me fotografi të bëra me aparatin tim, shfaqi dëshirën që t´i shihte ato me kënaqësi, nëse do t´ia tregoja. Ai u habit kur unë, aty për aty, i lashë në dorë albumet e mia. Po atë mbrëmje, pasi i kishte parë mirë e mirë fotografitë, më tha se duhet të paraqitesha e ta takoja atë në Kinostudio. Pra, rastësia e solli që unë të pranohesha në atë institucion, fillimisht me detyrën e asistentoperatorit në filmat “Debatik” dhe “Komisari i Dritës”.

Urdhri

Marshimi i detyruar i operatorëve

Ilia Terpini kujton fatin e keq të disa kolegëve të tij, të cilët shoqëronin Mehmet Shehun në disa vizita të tij në rrethin e Librazhdit. Kjo vizitë bëhej pas një tërmeti të rënë në zonë, ku kishte pasur dhe mjaft dëmtime. Grupi i xhirimit, i cili urdhërohej nga Adil Çarçani, niset për në fshatin pasardhës, ku duhej të pritej hyrja e kryeministrit. Si rallëherë Mehmet Shehu kërkon operatorin për të fiksuar një “çast”. Një brigadë vullnetarësh që kishin përfunduar meremetimin e dëmtimeve në fshatin e tyre, po  shkonin për ndihmë në fshatin fqinjë. “Ky është një moment për t’u fiksuar, thërrisni ata të kinostudios”, ka urdhëruar kryeministri. Por kur ka marrë vesh se ata ndodheshin larg është tërbuar. Adil Çarçani, i frikësuar, nuk i raporton shefit të tij urdhrin që i kishte dhënë grupit të xhirimit. Me të mbërritur në vendngjarje, Mehmet Shehu, me motivacionin “për papërgjegjshmëri në punë” detyron grupin e xhirimit të niset në këmbë, nga fshatrat e Librazhdit për në Tiranë. Dhe grupi i xhirimit me vegla në duar është nisur për të zbatuar urdhrin e kryeministrit, me të cilin nuk bëhej shaka. Vetëm pak minuta më vonë Mehmet Shehu pendohet dhe urdhëron të vihet një makinë në dispozicion për ta. E megjithatë, gjatë një mbledhjeje, këtij grupi xhirimi iu dha vërejtje me paralajmërim vetëm e vetëm se nuk e “prenë në besë” Adil Çarçanin, i cili hezitoi të merrte përgjegjësitë mbi vete. ( Dhënë për Telegraf më 21 Maj 2006 )

(vijon nesër)

 NESËR DO TË LEXONI

Skena dhe prapaskena e Kongresit të 8-të të PPSH-së. Pse u inatos Enveri?

– Sugjerimi për Fiqiretin: “Mehmeti të ndërrojë kostumin e zi me një gri”

– Urdhri sekret. Pse udhëheqësit duhej të filmoheshin në grup