Mehmet Miho/ Plumbi më mori në këmbë, por për lirinë atë do ta prisja në ballë

513

Nuk përshkruhen dot luftimet për çlirimin e kalasë së Bedunit, por fitorja  ishte  në  krahun tonë

Duke u kthyer në rrugën për në krahinën e Kardhiqit të del përpara Cepua, ky vend që banoret e quajnë Stalingradi i kësaj krahine për nga betejat kundër  pushtuesve në vite e shekuj. Krah Cepos është  fshati Plesat i përmendur në histori për atdhedashuri e trimëri e heroizëm të paparë në mënyrë masive në të  tëra kohët për të mbrojtur lirinë e Atdheut. E njeri nga këta është dhe ish-invalidi  i luftës për liri, Asllan Mehmet Veizi. E nuk kishte si të  ishte ndryshe. Babai i  tij, Mehmeti  ishte në Australi emigrant, kthehet e radhitet në çetën e Çerciz Topullit e më pas ndihmonte luftën Nacionalçlirimtare. Edhe në kohën kur forcat balliste rrethojnë këtë fshat me emër heroizmi, del nga  rrethimi  i veshur si grua.  Asllani  i lindur më 1921 së bashku me vëllain më  të madh Rustemin, rreshtohet ndër të parët më 16 Tetor 1942 në çetën territoriale që në krijimin e saj e më pas në batalionin e parë  “Asim Zeneli”  të Brigadës së VI sulmuese. Këtu ndahen rrugët e betejave; Rustemi kalon korrier i  Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë -Gjirokastër, ndërsa Asllani me trimat Karafil Bello, Dilaver Poçi, Brahim Miho, Haris Shalari e të tjerë kalojnë qafën e Skërficës, për të shkatërruar postat deri në postën e Vagalatit ku çarmatosën xhandarët  dhe ndanë të dhjetat popullit dhe kthehen përsëri në Cepo për të  mbrojtur bazën me çetën “Çerciz Topulli” së bashku me çetën  “Haredin Tremishti”  dhe çeta të  tjera partizane.  Në Nëntorin e vitit 1943, së bashku me   batalionin  “Ismail Qemali”, shkojnë në fshatrat e Lumit të Vlorës në aksione luftarake të një fronti të vështirë kundra pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Nuk iu shmang asnjëherë frontit të betejës e në gusht  të vitit 1943, në luftën e Libohovës, krah tij bie dëshmor Demo Fejzo. Kjo i jep kurajë për të qenë gjithmonë në ballë të betejave e të mbante lart emrin çeta e porsa krijuar me komandant Sadik Buzo e që edhe ky më vonë vritet në Qestorat. 26 janari i vitit 1944 e gjen në Dangëlli të Përmetit me krijimin e Brigadës së VI-të.  Ndërsa luftimet për liri vazhdonin me bishën naziste, Asllani gjendej i pari në krye të betejave.  Por lirinë ai e pranonte me çdo çmim, qoftë edhe me jetën e tij. Dhe ja në luftime e sipër në Vuno në ditën që bie trimi i bregdetit Zaho Koka, në një nga betejat më të ashpra ku vriten 35 gjermanë, plagoset Asllani me shokun e tij, Feimin nga Progonati. Plagët e tij kuroheshin në spitalin  partizan në Kuç e Gusmar dha ja vjen operacioni i Qershorit. Pas kurimit shkon përsëri tek shokët në Lumin e Vlorës në Ramicë, Gumenicë e Velçë për të zënë vendin bosh që kishte lënë për t’u kthyer përsëri në Kuç. Sa  ishte gjallë tregonte për heroizmin e pa shoq të shokëve të llogores e në veçanti itinerarin Kuç, Progonat, Tepelenë, Këlcyrë, Përmet, Skrapar, Vërzhezhë e në qafën e Kulmakut. Në zbatim të Urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm që Brigada e VI kalon në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut për çlirimin e këtyre trojeve. Me ndjenjë dhe emocion tregonte shpesh për Qafën e Kulmakut kur u krijua dhe Divizioni i II-të në 4 Gusht, e shtoi më tepër ndjenjën që Atdheu të çlirohej sa më shpejt. Kjo bëri që asnjë nga partizanët të mos kursehej në beteja  dhe historia e liria e Atdheut  të shkruhej me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë. Më 8 gusht 1944,   gjendet delegat i formacionit në fushën e Lirezës, Therepel në Kongresin e I-rë, të BRASH. Dhe  përsëri në beteja, Konak, Sulovë, krah lumit Shkumbin, Labinot e Zerqan që e kurorëzuan  me çlirimin e Peshkopisë së bashku me Brigadën e V-të dhe  kthehen përsëri në betejë në Labinot ku i vriten shokët më të afërt të tij  Xhezo Proda, Balil Peci e Lufto Cani, Riza Cani. Përsëri intervenim për  çlirimin e Oroshit, Shën Palit, Burrel e Mirditë. 17 Nëntori, çlirimi i Tiranës e zë në Nikaj Mërtur ku vriten edhe dy shokë  betejash Shuqo  Sinani dhe Lipe Cavo nga Senica. Këmba-këmbës bishës hitleriane  dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Lezhë, Shkodër, Hot e Grudë. Në  vazhdim në Tuz të Malit të Zi ku përqendrohen shumë forca naziste. Në Kuç të Malit të Zi luftime të ashpra. Por një nga betejat më të ashpra   ishte sulmi mbi kalanë e Bedunit. Popullsia në këtë zonë shqiptare  ishte krah luftëtarëve të lirisë. Nuk përshkruhen dot luftimet për çlirimin e kalasë së Bedunit, por fitorja ishte në krahun e fitimtarëve.  Gjaku  shqiptar vlon në deje dhe po në këtë kala të çliruar Asllan Veizi, Baho  Batha e të tjerë mahnitin popullatën shqiptare të këtyre viseve duke  hedhur vallen labe të burrave. I këndohej dhe i vallëzohej lirisë. Në këtë  fushë beteje bie dëshmori Seil Lesko, djalë i vetëm duke ngelur në piedestalin e lirisë për të mos vdekur kurrë ku populli i këndon këngë.  Heroizmin nuk e ndali as lufta 40 ditore për çlirimin e Verushës ku bie  dëshmore Bukuri Bazo. Plumba dhe këngë: Moj Verusha me patate/ dyzetë ditë luftë mbajte/ Në Sanxhak e Mal të Zi /lufton brigade e VI-të. Marsi 25, 1945 çlirohet Vishegradi dhe këmba- këmbës bishës  naziste deri në Bosnjë –Hercegovinë, ku mbyllet përfundimisht cikli i   luftës së përgjakshme për lirinë e Atdheut dhe popujve të ish   Jugosllavisë. Më pas, në Kosovë me një vit e gjysmë qëndrim e më  vonë në Ohër. Në Mars të vitit 1946 në Berat mbyllet epopeja e luftës  për liri e këtij trimi të paepur që liria e Atdheut e radhiti në panteonin e  dëshmorëve të gjallë të luftës për liri. Lirohet nga formacionet  ushtarake dhe shkon në fshat ku i përkushtohet ndërtimit të vendit.   Gjithmonë gojë ëmbël e fjalë pak, i nderuar nga fshatarët dhe nga  gjithkush e njihte. E gjithkush e njihte kujton fjalët e këtij burri shtat   shkurtër, trup vogël e fjalë pak: “Plumbi më mori në këmbë, por për  lirinë e Atdheut këtë plumb do ta prisja në ballë, nuk do kurseja as  jetën. Jam krenar që Atdheu është i lirë nga pushtuesit e huaj. Për   mua u bë realitet ëndrra  ime dhe e gjithë shqiptarëve”. Për të gjithë ata  që e kanë njohur, trimëria, heroizmi, ndershmëria e këtij trimi do  ngelen të skalitura në kujtesën e tyre.