Mehmet Çelmeta: “Si e vendosëm në Mat’hauzen statujën simbol të antifashizmit”

1058
Sigal

REPORTAZH/ Kujtim i paharruar i vitit 1985; peripecitë e “udhëtimit” të veprës së Odise Paskalit, nga Shqipëria në Austri

Protagonist i këtij reportazhi është nipi i Heroinës Mine Peza… Si veteran, pretendon se në këtë 70 -vjetor të Çlirimit, ka një histori interesante për të treguar… Dikur, Mine Peza demonstroi para burgut fashist në Tiranë për lirimin e fëmijëve të saj të burgosur nga fashistët, (por edhe të tjerëve që ajo i konsideronte vëllezër e motra të luftës) dhe dha jetën për Shqipërinë; kurse 42 vjet më vonë, i qëlloi pikërisht nipit të saj; Mehmet Çelmetës që të dërgonte në Mat’hauzen monumentin e famshëm “Partizani fitimtar” (vepër e Odhise Paskalit), si simbol të fitores mbi fashizmin. Simbiozë tipike kjo, e mbajtjes së amanetit të të rënëve “për një Shqipëri të lirë e sovrane”. Veterani në fjalë, tani 78 vjeç, është banor i lagjes Laprakë, Tiranë. Ai, së bashku më dy kolegë të tij, Taqo Mihon dhe një tjetër me emrin Agron, (që ai s’ja kujton dot mbiemrin), janë protagonistë të transportimit dhe vendosjes së monumentit “Partizani fitimtar”, vepër e “Mjeshtrit të Madh” Odhise Paskali, në ambientet e ish kampit nazist të përqendrimit në Mat’hauzen, Austri. Veterani rrëfen për gazetën “Telegraf” gjithë peripecitë e këtij angazhimi delikat; që nga nisja nga Tirana me avion, mbërritja në Austri, akomodimin për tre muaj në një mjedis ku ishin edhe specialistë nga kombësi të tjera, që gjithashtu punonin atje për evidentimin e atyre që kishin vdekur nga torturat e nazistëve, gjatë holokaustit, nga djegiet nëpër krematoriume, si dhe për vendosjen e simboleve antifashiste; sipas një protokolli strikt të shteteve përkatëse. Të gjithë ato vende; të cilët pas Luftës së Dytë Botërore, u rreshtuan në anën e Koalicionit të madh të Fitimtarëve kishin atje përfaqësues. Kështu, pra, edhe Shqipëria atje e kishte të rezervuar vendin e saj për të vendosur memorialin, apo vepra të tjera, si kolona mermeri, pllaka kujtimore, etj., etj.. “Shqipëria ka atje rreth 120 metra katrore në dispozicion, që e përdor për të propaganduar e ndërkombëtarizuar rolin e saj në luftën kundër fashizmit”, sqaron veterani. Sipas të dhënave të dokumentuara, në kampin nazist të Mat’hauzenit; (vendi, ku nazistët përdorën gjerësisht dhomat me gazin shfarosës “ziglon B”, si dhe krematoriumet e djegies së trupave, si në Aushvic, Treblinka, Buhenvald, Krakov  etj., etj.,), ka patur të burgosur edhe nga Shqipëria, të cilët edhe vdiqën atje, si Telat Noga etj.. Gjithashtu, është faktuar edhe një i djegur me mbiemrin Qirici. Ndërkaq, sipas shtypit, ka qenë edhe një i mbijetuar; nga Voskopoja me nr. 134737 BGF, me emrin Kodhel Zere… Ndërkaq arkivat flasin për 351 shqiptarë të asgjësuar në Mat’hauzen…. Mehmeti i kujton ditët e qëndrimit të Austri, në vitin 1985, sikur kjo të ketë ndodhur dje. Mban mend çdo detaj. “Në sheshin ku do vendosej skulptura e famshme e profesor Paskalit “Partizani fitimtar”, ne filluam punë sapo mbërritëm. Në fillim, na treguan vendin që ishte caktuar sipas protokollit të marrëveshjes Shqipëri-Austri për vendosjen e skulpturës gjigande, si dhe të kolonave ku ne kishim gdhendur fjalët “Lavdi e përjetshme dëshmorëve”. Dhe ç’bëmë? Sheshuam vendin, fillimisht, pastaj shtruam granilin. Pllakat e mëdha të betonit, që do përdoreshin si “pjacë” për monumentin, ne i kishim paketuar qysh kur ishim në Shqipëri nëpër arka të mëdha. Ato erdhën në Austri në rrugë tokësore, bashkë me monumentin. Kurse ne shkuam me avion. Ishin materiale shumë, shumë të rënda dhe ne u munduam ca kur i shkarkuam në Austri. Për të na e lehtësuar punën, stafi i ndërkombëtarëve që ndodheshin atje, na vuri në dispozicion një vinç të vogël. Pa vinç, s’kishe se ç’bëje. Ishte punë që nuk mund të kryhej me forcën e krahëve. Emocionuese ishte dita e finalizimit të punës sonë. Monumenti ishte ngritur, gjithashtu edhe lapidari me parullën “Lavdi dëshmorëve”, në një kolonë të sheshtë të lartë me germa ari. Gjoksi na u mbush me frymë. Dhe në këtë çast, e di ku na shkoi mendja? Tek trëndafili. Nga një lulishte aty afër, morëm një trëndafil dhe e vumë në tytën e pushkës së “Partizanit fitimtar”. Ky ishte simboli i paqes që ne i dërgonim mbarë njerëzimit. Ishim krenarë; pafundësisht krenarë…”.

 Mat’hauzen;“ngritja” e “Partizanit fitimtar” mbi hijen e rëndë të vdekjes

Grupit të vogël të mjeshtrave shqiptarë të punimit të mermerit prej tre vetësh i është dashur rreth 90 ditë punë në Mat’hauzen për instalimin e përmendores. Veterani Çelmeta kujton ditët e para të akomodimit në Austri. “Ish kampi nazist kishte një sipërfaqe shumë të madhe, kujton ai. Ndërsa kazermat të gjitha në radhë njëra pas tjetrës kishin hijen e rëndë të vdekjes”. Gjërat më të llahtarshme kishin ndodhur dikur në atë vend. Gjatë punimeve, sipas tij, të huajve iu ka bërë përshtypje cilësia e lartë e punës tonë, e sidomos punimi i mermerit që përdorëm për bazamentin e statujës. Kjo, sipas Mehmetit, është një nga proceset delikate të punës me mermerin. “Ne në fillim na morën për italianë”, thotë ai. As që e mendonin që ne të ishim nga Shqipëria. Si duket, kujton Mehmeti, atyre iu bënte mjaft përshtypje niveli ynë profesional. U bënte përshtypje korrektesa dhe serioziteti ynë. “Brenda 90 ditëve, ne e vendosëm “Partizanin fitimtar” në sheshin para ish kampit nazist të Mat’hauzenit. Ndjeheshim krenarë, për këtë vepër të mrekullueshme të të madhit Odhise Paskali, por mbi të gjitha për kontributin e Shqipërisë në Koalicionin Antifashiste Botëror, kundër mortajës më të egër në botë; nazi-fashizmit”, thotë veterani.

Skalitësi i mermerit

Mehmeti është marrë gjithë jetën me punime në mermer. Në vitet ’90-’91 ai doli në pension, si shumë bashkëmoshatarë të tij. Ka punuar në mënyrë të pandërprerë në ish kombinatin “Josi Pashko”; nga viti 1960-1990. Plot 30 vjet si mjeshtër i punimit të mermerit. Pikërisht për këtë profesion ai mbaroi dikur edhe shkollën profesionale si “teknik për punime mermeri”. Dhe u bë mjeshtër. “Gjithë pllakat e dëshmorëve të Atdheut, për të gjitha varrezat e rretheve, janë përgatitur pikërisht në këtë ndërmarrje”, thotë Mehmeti. Madje; edhe pllakat e Pallatit të Madhe të Kulturës, edhe ato të Galerisë së Arteve, si dhe të Muzeut Historik janë punuar nga duart e tij dhe të shokëve me të cilët ai ishte në grup. Mehmeti është njeri fjalëpakët. Atij nuk kanë pëlqyer asnjëherë lëvdatat; ndaj më porosit që “këto gjëra të mos i shkruaj në gazetë”.

Vogëlushi që dikur ndihmonte “shoqet ilegale” të luftës

Nga puna në “Josif Pashko”, i ka ngelur në mendje një detaj: “Kur bëmë pllakat e dëshmorëve, thotë ai, Nexhmije Hoxha na mblodhi dhe na lavdëroi. “Ju lumtë”, na tha ajo. Pastaj, ju drejtua përgjegjësit tonë, duke e pyetur për mua: “Ore, po kush është ai mjeshtri atje…”, dhe tregoi me gisht drejt meje. “Është nipi i Mine Pezës”, i shpjegoi përgjegjësi ynë duke i shqiptuar emrin tim. Nexhmija është çuar menjëherë në këmbë, në respekt të heroinës; por edhe është habitur njëkohësisht. “Ashtu?…Nipi i Mine Pezës?!”, ka thënë e çuditur ajo. “Po, po, i thashë unë”, rrëfen Mehmeti. “Po ju nuk keni faj, zonja Nexhmije”, i thashë: “Se kur unë isha fëmijë, ju vinit në lagjen tonë të mbuluara me shami si ilegale dhe unë të merrja përdore dhe të çoja nëpër bazat e fshehta të luftës…”. Nexhmija ka qeshur e impresionuar, dhe pastaj më ka përqafuar fort”, mbyll tregimin e tij Mehmet Çelmeta.

 “Mezi pres ta shoh sërish monumentin”

Mehmeti ka 14 nipër e mbesa; të gjithë në Gjermani. Në ato pak udhëtime që ka bërë duke shkuar tek ata, ai thotë se nuk I ka rënë rruga që të ndalojë në Austri. Por shton se shumë shpejt do ta marrë një rrugë enkas, për në Mat’hauzen. “Do shkoj vetëm për ta parë edhe një here monumentin që vumë 29 vjet më parë atje. Si është ruajtur e mirëmbajtur nga autoritetet e atjeshme… E kam merak shumë këtë gjë”, -thotë ai.

 Nipi i Mine Pezës, jetëshkrimi

Veterani Mehmet Xhemal Çelmeta, është lindur në vitin 1936 në Tiranë. Ai është djali i vajzës së Heroinës së Popullit Mine Peza. Gjatë viteve të luftës, edhe pse i vogël ndihmonte ilegalët të koordinonin veprimtaritë e tyre nëpër rrugicat e ngushta të lagjeve të Tiranës. Pas çlirimit, me mbarimin e shkollës së mesme, si teknik ndërtimi ai punoi në ish ndërmarrjen “Josif Pashko”, për rreth 30 vjet rresht; 1960-1990, vit kur edhe del në pension. Tani veteran, ai dallohet si veprimtar i papërtuar i “Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut”.

Vajza e Mine Pezës, Feridja, parakaloi më 29 Nëntor 1944 në Tiranë

-Kurse djali i saj Qazimi, ra dëshmor gjatë LANÇ në Pezë-

Mine Peza (Bilali) ishte aktivist në lëvizjen antifashiste. U lind më 1875 dhe vdiq më 1942. Njihet si gruaja e parë dëshmore e Luftës Antifshiste Nacional Çlirimtare. Mori pjesë dhe vdiq në demonstratën e parë të organizuar para dyerve të burgut fashist të Tiranës, më 17 shtator 1942, ku u plagos dhe më pas vdiq. Është “Heroinë e Popullit”. Kishte dy fëmijë; djalin Qazimin dhe vajzën, Feride. Të dy, motër e vëlla ishin partizanë të LANÇ. Qazimi madje ra dëshmor në betejën e Qafës së Kallmit (afër fshatit Vrap, krahina e Pezës), kurse Feridja edhe ajo luftëtare e lirisë, ndryshe nga i vëllai, arriti që ta shijojë fitoren dhe madje edhe të parakalojë në Tiranë, më 29 Nëntor 1944, në ditën e madhe të lirisë.

Nga Xheladin ÇELMETA

Kryeredaktor i revistës “Pavdekësia”