Më liruan nga oficer pasi dashurova një vajzë me biografi të keqe

1712
Albert Z. ZHOLI
Flet ish-oficeri i artilerisë kundërajrore Xhelal Hysa: Në 1maj 1990, me urdhër të Prokop Murrës më kanë ç’mobilizuar nga radhët e ushtrisë
-Si luftuam me ortekun për të shpëtuar shokët në Feken
-Kur erdhi Enver Hoxha në Shkollën e Bashkuar një javë pastronim ditë dhe natë
Një oficer karriere që ka një histori të rrallë. Dhe pse me rezultate të mira dhe pse me përgatitje të mirë dhe pse me rridhte nga një familje atdhetare, vetëm se dashuroi një vajzë me biografi jo të mirë ëpr kohën e lirojnë nga radhët e ushtrisë. Xhelali shërbeu rreth 7 vjet si oficer kundërajror ku rrinte dhe një muaj pa shkuar në shtëpi, dhe kur arriti karrierën më të bukur, në ditën e festës së punërtorëve 1 Maj lirohet nga ushtria.

Lindur dhe rritur në Tiranë, përse shkuat në shkollë ushtarake, dhe kush ju nxiti për këtë shkollë?
Në vitin 1975 mbarova 8-vjeçaren me rezultate të mira. Në këtë kohë luaja basketboll me Partizanin dhe isha kapiteni i paratërinjve dhe dëshiroja të vazhdoja shkollën për fizkulturë. Por kjo dëshirë nuk u realizua, (nuk donte mamaja). Babai së bashku me nunin tim (doktorin ushtarak Ismail Feta) më propozuan të shkoja në shkollën “Skënderbej”. Edhe mua më pëlqente, pasi shkolla ishte afër shtëpisë dhe i shikoja shpesh begsat me uniformë e më pëlqente uniforma. Madje I shikoja me kërshëri Ditën e parë më shoqëroi babai në shkollë. Impakti i parë në kujtesën time vjen kujdestari Baçe Braka, njeri shumë i rreptë dhe me disiplinë të theksuar (më vonë u bëmë shokë, që e ruajmë edhe sot). Ai më dha uniformën u begsave. Pastaj shkova në rresht (mbasi u vesha). Më caktuan në togën nr. 2. Unë e nde nuk e dija se çfarë ishte toga dhe çfarë ishte kompania. Më thanë je në togën nr. 2 dhe mua kjo mu fiksua. Zura vend në fund të rreshti. Unë në këtë kohë isha 1.80 cm i gjatë, pra më I gjati ndër shokët. Mbaj mend se në rresht më afrohet një oficer (Çlirim Bello) e më thotë largohu, këtu është viti i parë shko tek batalioni jot. Unë u skuqa dhe i thashë se kjo është toga ime. Si ju quajnë më pyeti. Xhelal Hysa ju përgjigja. Ai kontrolloi listën ngiti supet me habi dhe mu drejtua: Atëherë dil në krye të rreshtit dhe do të jesh komandant toge. Ngrita dhe unë supet. As nuk dija nga detyrat në ushtri. Zbatova thjesht atë çka më thanë. Aty mora vesh se ky ishte komandanti i kompanisë time.

Si i kujton ditët e shkollës Skënderbej? Çfarë veçon nga ajo shkollë ndonjë ngjarje krejt specifike?
Të përfundosh shkollën Skënderbe nuk është e lehtë. Ditë të vështira kemi kaluar mjaft. Një kujtim të zymtë kam ende në kujtesë. Ishim në vitin e dytë, kur një shokë klase (Ismet Yzeiri) nga Fieri e arrestuan për agjitacion e propagandë. As nuk e kuptonim mirë se çfarë ishte agjitacion-propaganda. Atë ditë klasa më dukej e zymtë… Ishte shok i mirë. Ne nuk kishim dëgjuar diçka të keqe nga goja e tij, apo ne flisnim pa teklif me njeri-tjetrin dhe nuk mendonim thellë çka nxirrnim nga goja, pasi nuk kishim asgjë me të keq. 

Si do ta cilësoje miqësinë në shkollën “Skënderbe”?
Shokët i kujtoj me mall të gjithë. Ishte një miqësi e pastër, e bukur, e sinqertë. Ishte një shoqëri që sot nuk e gjen. Ne ishim të rinj dhe bënim stërvitje të madhe dhe i kalonim hallet duke i qarë me njeri-tjetrin. Ne ishim vetëm meshkuj dhe kur shihnim ndonjë mësuese të re në shkollë na dukej sikur vinte një planet i ri në shkollë. E shikonim me kërshëri si një zbulim. Ne na lidhte çdo gjë me njeri-tjetrin dhe nuk na ndante asgjë. Pa këtë miqësi shkolla do na dukej edhe më e vështirë,. Po, po, pasi ne dallonim nga të gjitha shkollat e tjera të mesme në Shqipëri. Kjo ishte arsyeja që bëra Facebook për tu lidhur me shokët. Në mënyrë të veçantë do kujtoja Ilir Goxhaj, Robert Bundo e Robert Shtëmbari (u prehtë në paqe). Ishim katërshja e pandarë. Shoqëria ushtarake është e veçantë.

Ju caktuan komandant toge, a ishit i rreptë në zbatimin e rregullores?
Si komandant toge kam qenë i rreptë. Madje ndonjëherë dhe e teproja me kërkesën e lartë të llogarisë. Ashtu e kuptoja atë kohë. Më dukej se nuk duhej të lëvizje asgjë nga rregullorja. Isha shumë, shumë strikt dhe nuk lëvizja nga ajo që më përcillnin eprorët. Tani e mendoj se ndonjëherë dhe e kam tepruar. Po, po tepruar. Nëpërmjet kësaj interviste do të doja t’ju kërkoja falje të gjithë shokëve të klasës.

Çfarë kujtimesh ruan për mësuesit e shkollës, mbi përgatitjen e tyre, mbi marrëdhëniet?
Profesorët, edukatorët e mrekullueshëm, ishin jo vetëm mësues por edhe prindër për ne. Kujtoj me nostalgji babë Aliun (Ali Neviri). Mësuesen time kujdestare Hamide Daja, A. Pite, Skënder Shkupin, Hasan Dajtin, etj… Shkolla “Skënderbej” ishte një shkollë e bukur, me ambiente të mira me një disiplinë të madhe dhe me njerëz shumë atdhetarë. Dashuria për atdheun na ishte ngjizur në çdo qelizë të trupit tonë të njomë.

Kur shkuat në Shkollën e Bashkuar, në cilën degë ju caktuan? A e mirëpritët degën dhe si reaguat?
Në vitin 1980, pasi mbaruam stazhin në Koman erdhëm në Shkollën Bashkuar. Ishte Shtator dhe bënim punimet fortifikuese në Kaptinë të Martaneshit. Flinim në çadra. Ishte shumë freskët dhe burimet e ujit na çlodhnin me ftohtësinë dhe ambientin që krijonin. Në darkë mblidheshim rreth zjarrit dhe bisedonim për gjëra të ndryshme. Shkonim dhe nga shkonim biseda rrihte tek dega që do na binte pasi të mbaronim punimet fortifikuese. Një natë me grupin tonë u bashkua edhe komandanti shkollës RustemPeçi (djali I Shefqet Peçit). Ndriçonte vetëm flaka e zjarrit. Ai pyeti: Përse e fortifikojmë këtë vend? Unë u përgjigja: Është vend strategjik. Rrethuar me pyje dhe male dhe është një pikë nevralgjike. Prej këtej ke një vend të sigurt strehimi dhe nisjeje por edhe maskimi. Nqs zotëron këtë pikë mund të shtiesh në dorë zonën përreth. Kush foli të afrohet këtu tha komandant Rustemi? Shkova plot emocion afër atij. Ma shpjego pak përse është vend strategjik ë pyeti dhe njëherë. Unë ju përgjigja sa më lart dhe me disa arsyetime të tjera për lartësinë, burimet ujore, pyjet, gropat, pozicioni gjeografik etj…Kur unë mbarova së arsyetuari ai më tha: Kur të kthehemi në Tiranë dua që të më biesh në zyrë kërkesën për të të çuar në artilerinë kundërajrore. Unë nuk e besova. Mu prenë gjunjët. Djersë të ftohta ma përshkuan trupin. Në artileri kundërajrore nuk donte të shkonte asnjë student. Ajo ishte dega më e vështirë dhe më disiplinë të rreptë. Kudo diskutohej se kush do të shkonte në këtë degë do të humbiste rininë, pasi kishte shumë shërbime, kishte shumë gatishmëri, pikat ishin larg qendrave të banuara, kishte mësime të vështira plot matematikë, kishte vetëm mësime pafund dhe gatishmëri pafund në jetë. Të gjithë tmerroheshin ga ajo degë. Askush nuk donte të shkonte. Në fund të muajit shtator 1980 kthehemi në shkollë dhe rreshtohemi tek fusha e sportit. Shefi i kuadrit thërriste emrat sipas degëve. Emri im nuk doli. Në fund i afrohem dhe i them, shoku shef keni harruar të thërrisni emrin tim. Ai mu kthye,ju jeni Xhelal Hysa? Po ju përgjigja. Ju pret komandanti i shkollës në zyrë më tha. Shkova u paraqita duke u dridhur. Lusja zotin të mos më caktonin në kundërajror. Sa ju paraqita dhe ju prezantova komandant Rustem Peçi më urdhëroi të shkoja në kundërajror (Artileri Kundër Ajrore). Gati sa nuk bërtita nga ajo që më tha. Lotët i kisha gati në sy. Më çuan në atë degë që nuk doja kurrë të shkoja. Këto janë të papriturat e jetës.

-Kjo ndjesi për këtë degë të ndoqi gjatë gjithë karrierës ushtarake?
Jo! Pasi fillova punë, u ambientova dhe e dashurova këtë degë. Mu duk si dega më e mirë. Sot i them faleminderit komandant Rustemit.

Po si e kujton këtë degë gjatë viteve të Shkollës së Bashkuar?
Dega Kundërajror (Artileri Kundër Ajrore) ishte e vështirë pasi kishte shumë matematikë. Lëndët ishin të gjitha të vështira se kishin lidhje me elektricitetin dhe matematikën. Ne përgatiteshim për mitralozat kundërajror 12, 7 mlm, 14,4, mlm, topat 25, 37, 57, 85 dhe 100 mlm si dhe për raketat kundërajrore. Plus që kishim dhe radioteknikë pasi topat 57 dhe 100 mlm drejtoheshin automatikisht me stacion drejtimi elektronik. Pra çdo gjë ishte elektronike. Mësime pafund dhe shumë të vështira. Pedagogët tanë ishin korrekt, shumë të ditur dhe shumë kërkues. Ndërsa komanduesit ishin shumë të rreptë por edhe të dashur. Kujtoj me respekt komandantin e baterisë, Ibrahim Topin i cili më caktoi zv. kom. baterie. Kujtoj petagog Dino Ahmeti, Fahri Allushin, petagogun kujdestar, Neki Hoxha, Astrit Gjokën, Ylli Ramën…Do ti falënderoja për punën që bënin me ne. Ishin shumë të përkushtuar dhe shumica kishin mbaruar shkollat ushtarake jashtë shtetit me rezultate të shkëlqyera.

-A keni qenë në ngjarjen e Fekenit, kur ra orteku dhe si e kujtoni atë ditë?
E mbaj mend si sot atë mëngjes të 6 shkurtit i vitit 1981. Dëbora kishte mbukuar të gjithë zonën e Fekenit. Jo vetëm malet por edhe fshatrat në brinjë ishin mbuluar nga bora. Ajo ditë mbahej si një ditë e ftohtë dhe me erë të rrëmbyeshme. Ne si kundërajror atë ditë do zhvillonim stërvitje poshtë afër fushimit ndërsa 12 toga të tjera, që kishin në përbërjen e tyre 204 studentë, atë ditë do të përpunonim ngjitjen malore me elementë të alpinizmit, në një terren të thyer dhe me trashësi të madhe bore. Këtë ngjitje malore të degës së këmbësorisë dhe dëgevë të tjera e udhëhiqte, pedagogu i talentuar Mark Mici, i cili me trupin e lehtë dhe kondicionin e lartë fizik, printe gjithë optimizëm dhe energji. Ishin marr masat për çdo rast nevoje, me 15 pushkatarë të vendosur si formë shkalle 5 në krye të kolonës, 5 në mes dhe 5 të tjerë në fund të saj. Si na tregonin më vonë shokët kur ne ishim poshtë në fushim në stërvitjen tonë, togat e tjera vazhdonin marshimin. Tragjedia ndodhi kur studentët mbërritën në majën “Tre pemët e vetmuara”, siç e kishim koduar në hartat tona topografike. Papritur shokëve tanë u rrëshqiti bora nën këmbë me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Për disa sekonda e tërë faqja e malit, mbështjellë me një trashësi të madhe dëbore po zbriste drejt shokëve që ishin në marrshim. Nuk kishte kohë për reagim. Ishte ortek i madh. Ne kishim dëgjuar për ortekët por nuk i kishim parë nga afër. Dhe ja ndodhi…Ndodhi kur nuk duhej të ndodhte. Sa hap dhe mbyll sytë shokët humbën nën trashësinë e dëborës dhe kudo dëgjoje dhe shikoje panik, ulërima, thirrje dhe krisma. Ishte nj ngjarje e llahtarshme. Ata që dolën nga orteku filluan të ndihmonin shokët. Formacioni kishte humbur strukturën. Menjëherë në komandë, poshtë ku ishim ne, në qendër të fushimit ishte dhënë kushtrimi për të shkuar të gjithë ne në fushim për të kërkuar të humburit dhe për të transportuar të gjymtuarit. Në krye të këtij reagimi u gjend menjëherë ushtaraku i shtabit të përgjithshëm, Bashkim Topçiu, që atë Por, ndodhi hataja e dytë. Në këtë kohë vjen nga mali orteku i dytë ishte më i fuqishëm dhe më shkatërrues. Në këtë kohë, te vendi i ngjarjes ishte grumbulluar gati tërë efektivi i shkollës, për të ndihmuar të dëmtuarit dhe për të kërkuar trupat e shokëve nën rrënojat e dëborës. Poshtë në fushim komandant Rustem Peçi, në tronditje e sipër bëri organizimin e parë për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga orteku i borës. Ne u ndodhëm aty pas ortekut të dytë. Çdo gjë dukej si një katastrofë e paparë. Nuk mund tu besoje syve. Nëpër borë shikoje pagurë uji, lopata xheniere, rrypa mesi, këpucë, armë të thyera, brez fishekësh, karikatorë, kapota të shqyera, kundragaz, kapele, helmeta. Betejë e pa imagjinueshme. Vazhduam të kërkonim deri në mbrëmje. Kishte ende trupa nën borë. Gjëma ishte përhapur kudo në Shqipëri. Të afërmit tanë rrinin tek dera e Shkollës së Bashkuar. Askush ën atë situatë nuk jepte informacion. Çdo gjë mbahej sekret. Stërvitjet u pezulluan. Të nesërmen erdhën me helikopter dhe qentë me erë. Tre ditë dhe tri netë vazhduam kërkimet. Ishim të rraskapitur. Lotët nuk na pushonin. Ndodheshim në gjendje shoku. Familjet ishin tepër të shqetësuara. Ne nuk dinim asgjë për ta, as ata për ne. Në atë kohë lajme të tilla nuk bëheshin publike. Më kujtohen pedagogët dhe komanduesit tanë Dushan Shameti, Abaz Cipi, Sali Gjokutaj e të gjithë të tjerët që kërkonin bashkë me ne trupat e studentëve të fundosur nga orteku. Por Dushani do të mbetej dhe vetë poshtë borës. Pedagogë dhe studentë të rënë krah njeri tjetrit. Lufta nuk do të ishte më mizore se kaq. Fundi ishte tragjik:

Ranë plot 11 dëshmorë…
“Dëshmorë të Atdheut”:
Dushan Shameti – komandant batalioni. Çlirim Pulaj- oficer shtabi. Nikollaq Bero- pedagog. Besnik Shehu student. Ilir Gramatikoi -student. Bujar Ago -student. Aleko Gjoni- student. Qemal Lika –student. Bilbil Pashai- student. Nexhip Çoba- student. Pëllumb Rrapo-student. Fjalët për këtë tragjedi janë të tepërta. E rrallë dhe e dhimbshme deri në palcë. Një humbje të tillë nuk e kishte parë kurrë historia e lavdishme e Shkollës së Bashkuar.

-Kë keni takuar nga udhëheqësit e asaj kohe?
Nga afër nuk kam takuar asnjë udhëheqës, por mbaj mend kur erdhi Enver Hoxha ën Shkollën e Bashkuar më 10 korrik 1983. Ishte 40-vjetori i Krijimit të Ushtrisë. Për ditë të tëra shkolla në gatishmëri. Pastronim ditë dhe natë. Nuk flinim gjumë. Shkolla u bë dritë. Çdo gjë ndriçonte. Natën bënim stërvitje rreshtore. Ishin ditë ankthi dhe përgjegjësie. Një gabim i bogël keqintepretojhej. Me sa di ishte hera e dytë që Enveri vinte në këtë shkollë ndaj po bëhej e pamundura që çdo gjë të shkonte mirë. Ishte ora 10 kur erdhi Enveri. Kur ai parakaloi dhe puthi flamurin nuk pipëtinte as miza. Të gjithë e shikonim me habi. E shikonim si një jashtëtokësor. Me mësimet e tij na brumosnin dhe ne ato zbatonim. Ishin kohë të tjera. Kur mbaroi ai parakalim u çliruam. Të gjithë donim vetëm gjumë. Situata e vështirë kaloi. Por për ne do ishin të papritura ngjarjet e mëvonshme dhe rënia si kështjellë prej rëre e sistemit monist.

-Ku ju emëruan kur mbaruat shkollën e Bashkuar?
Në vitin 1983 më emëruan komandat baterie në Fushë Krujë. Karriera. Ishte Shtator. Na kishin lënë vetëm një muaj leje pas mbarimit të studimeve. Aty ku fillova karrierën gjeta komandant kompanie Palush Bushin njeri shumë punëtor. Punoja me pasion dhe për një kohë të shkurtër majën e kodrës e kthyem në një “pikë turistike”. Rezultatet nuk mungonin. Marrëdhëniet me ushtarët, i kisha shumë korrekte pra i rreptë por edhe i dashur. Të gjithë kishim një detyrë, të mbronim atdheun. Të gjithë kishim bërë një betim për këtë gjë. Atdheu mbi të gjitha. Ideologjizmat nuk kishin shumë veprim përpara çështjes së Atdheut. Stërviteshim, djersiteshim, lodheshim por edhe loznim me ushtarët. Mund të them se reparti ishte shtëpia e parë, pasi më shumë rrinim në shërbim se sa në shtëpi. Në këto raste më kujtohej shkolla kur nuk doja të shkoja për kundërajror. Mbas 3 vjetësh, në Janar të 1986 u hap në Fushë Krujë, shkolla e instruksionit dhe mua më emëruan instruktor për AKA. (Artileri Kundër Ajrore). Punonim me pasion. Me punën time dhe me ndihmën e shokëve ndërtova një kabinet për KA shumë të bukur. Rezultatet dhe sadisfaksioni në punë nuk mungonin.

Këtu u njohe me bashkëshorten?
Në autobus në mëngjes së bashku me mua udhëtonte edhe një vajzë. E shihja çdo ditë dhe më bënte përshtypje. E qetë, disi e tulatur. Qëndrimi, lëvizjet, ecja e saj më bënin përshtypje. Nuk e mohoj rashë ën dashuri. Kur ajo mungonte në autobus dita më dukej bosh. Dita më dukej pa dritë. Nuk mendova gjatë shkova në shtëpinë e saj dhe i kërkova dorën. Dashuria dashuri. Atëherë kishte dhe një diçka që quhej biografi. Vajza që i vura syrin kishte biografi të keqe. O zot, kush mund ta gjykoj sot këtë cëcshtje? Vendimi im ishte i prerë dhe pse mora vesh që ajo që do bëhej bashkëshortja ime kishte biografinë e keqe. Ndjenja kishte triumfuar mbi kërkesat makabre të kohës. Në tetor 1989 u martova dhe në 1maj 1990, me urdhër të P. Murrës më kanë ç’mobilizuar nga radhët e ushtrisë . Dita më e vështirë e jetës time. Për kapelën e oficerit lashë të gjitha qejfet dhe pasionet e mia dhe ma hoqën të drejtën e karrierës përse dita të dashuroj një vajzë të thjeshtë dhe punëtore.
Sigal