Mbytja e “Matit”, Kina paguan dëmshpërblim për Shqipërinë

1316
Nesip KAÇI
KUJTIME / Udhëtimi i vaporit nga porti i Durrësit për në Kostancë. Defekti dhe fortunali që vunë në rrezik jetën e marinarëve. Menaxhimi i situatës nga Ambasada Shqiptare në Bukuresht

PASAPORTA 
“Mati” transportonte konjak, raki dhe cigare 
Vapori “Mati” ishte pesëmijë tonesh, i prodhuar në Gdansk të Polonisë, në hambarë kishte katërmije e treqind tonë mall: bitum në fuçi, konjak, raki dhe cigare. Në përgjithësi anijet polake i bëjne mirë ballë detit, sepse kanë peshkazh të gjerë dhe detaret tanë kishin shkuar me këtë anije deri në Kinë, Kubë etj, ishte anije shumë e fortë dhe marinarëve tanë u erdhi shumë keq kur e braktisën në brigjet e Konstancës në Detin e Zi, i cili e ka marrë këtë emer, jo se është i zi në ngjyrë, sepse siç thotë një këngë ruse ai është deti më i kaltër në botë, por se në këtë det kanë ndodhur mynxyra të mëdha në vite, ai ka përpirë shumë gjemijë dhe jetë njerëzish.
(vijon nga numri i kaluar)
Për ndërhyrjet pranë autoriteteve rumune nga Konstanca vura në dijeni me telefon zëvendësministrin Llambi Leka si dhe ministrinë tonë të Punëve të Jashtme. Duhet theksuar se këto dy ministri nga Shqipëria mbanin lidhje me telefon me ambasadën tonë në Bukuresht, ku ishin në ndjekje të problemit këshilltari tregtar Simon Poreci dhe sekretari i parë Idris Shehu, si edhe me mua dhe Osmanin në Konstancë. Ndërkohë kapiteneria e portit njoftoi se nga deti kanë dalë dy persona të huaj dhe janë kapur nga roja bregdetare e ushtrisë, të cilët i kanë vendosur në zyrat mbikëqyrjes të sigurimit të ushtrisë, asnjeri prej tyre nuk flet rumanisht dhe gjatë kapjes nuk kanë bërë rezistencë. Ne na shkoi mendja se mos ishin marinarë të anijes “Mati” dhe i thamë gjeneralit të shkonim t’i shikonim, por ai na tha se, “nuk e besoj, mund të jetë tjetër gjë, mund të jenë agjentë të futur nga zbulimi i ushtrisë sovjetike, me të cilët kohët e fundit kemi pasur grindje për arsye se nuk kemi pranuar t’i lejojmë të hynë me trupa në territorin tonë për stërvitje, por vetëm me shtabe, se ata po u futën vështirë se dalin, madje na kanë kërkuar të vendosin një bazë ushtarake të tyren në Rumani, por Çaushesku e ka refuzuar kategorikisht”. 

“Por, – tha gjenerali, – po të doni i shikoni dy personat e kapur nga roja bregdetare e ushtrisë”. 

-Të shkoj unë me Shyqon t’i shohim, më tha Osmani,-se ma ha mendja që janë marinarë shqiptarë. 

-Shkoni, i thashë, por merrni me vete një shoqërues rumunë për ta pasur më lehtë të hyni në zonën ushtarake, se është dhe natë. 

Kështu u bë, u nisën me makinën tonë, ndërsa unë qëndrova në zyrat e portit. Për pak kohë na mori në telefon Osmani dhe na tha se dy personat e kapur nga roja bregdetare e ushtrisë ishin të dy marinarë të vaporit “Mati”, fola me ta goja- gojës dhe ata më thanë se anija “Mati” është thyer në mes e është ndarë në dy pjesë. Më thanë dy marinarët, kur u dha sinjali “Njeriu në det”, u hodhëm me salvaxhente, por sa ramë në det, goditjet e dallgëve qenë aq të forta sa që na i shkëputen salvaxhentet dhe rrobat nga trupi dhe dallgët na shtynin deri afër bregut dhe na kthenin përsëri pranë anijes. Për të dalë në breg me not vuajtëm shumë, siç na shihni jemi me plagë në fytyrë dhe në trup. Anija jonë, -thanë ata,- nuk është larg nga bregu, është rreth një milje, fortunali e ka hedhur midis dy shkëmbinjve dhe sikur ka zënë vend, kiçi është nga ana e bregut dhe bashi është nga deti, ndërsa ekujpazhi është tërhequr i gjithi në kiç, anija nuk ka asnjë lidhje me tokën dhe nga momenti në moment ndoshta dhe mund ta përmbysë deti. 

-Ne, – thanë ata, – sa dolëm në tokë na kapi roja bregdetare e ushtrisë, ushtarët na dhanë nga një kapotë se ishim lakuriq dhe na dërguan këtu ku jemi tani, na mjekuan dy infermiere, të cilat na lyen trupin me alkool se ishim gjysmë të ngrirë nga uji shumë i ftohtë i detit, na kishte ngrirë dhe gjuha në gojë dhe nuk flisnim dot asnjë fjalë, se si kemi shpëtuar të gjallë, një zot e di. 

-Dy marinarët,- me tha Osmani, janë të rinj, rreth të njëzet e pesave. Këto me tha Osmani nga biseda që bëri me dy marinaret tanë.

Kapiteneria
Në vendin ku ndodhet tani anija “Mati” njoftoi kapiteneria nuk hyn dot as rimorkiatori, se ka shkëmbinj nënujorë. Ndërkohë ora kishte shkuar një e datës 17 tetor, pra duheshin dhe pesë orë sa të shkonte ora gjashtë e mengjesit që të ndërhyhej me helikopterë nga ajri për të nxjerrë në tokë ekujpazhin e anijes. Për gjithçka ne mbanim lidhje me Shqipërinë dhe informonim për çdo ndërhyrje që bënim, një çentraliste e jona nga Tirana nuk shkëputej me zyrën ku ne ishim në Konstancë. Ndërkohë në Tiranë ishte thirrur në orën 24 në Ministrinë e Punëve të Jashtme ambasadori rumun Jon Stojan dhe i ishte dorëzuar nga zëvendësministri i Jashtëm Ksenofon Nushi një notë, ku protestohej energjikisht për mosdhënie ndihme shpëtimi nga ana autoriteteve rumune ekuipazhit të anijes “Mati”, që ka dhënë “SOS” në radën e Konstancës. Unë thirra Osmanin me telefon, i kërkova të më dërgonte makinën me Shyqrinë dhe shkova ku ishin dy marinarët tanë. Atje ishte pikë ushtarake dhe pyetëm, nëse na ndihmonin dot si të lidheshim me anijen, që dukej me sy nga bregu, se nuk ishte larg. Shoferit tonë që bënte muhabet me ushtarët duke pirë cigare me ta, i thotë një ushtar i ndërlidhjes: ju lidh unë me anijen. Ushtari tha se lidhjen me anijen do ta bënte me mjete rrethanore, mjafton që në anije të ketë një radist që të dijë ndërlidhjen me alfabetin ‘Mors’. Ushtari rumun i tha shoferit tonë që ta kthente makinën tonë Benz-mercedes në drejtim të anijes “Mati”, që ishte përballë nesh. Në atë kohë shiu kishte pushuar. Me një batanije ushtarësh rumuni mbuloi, bllokoi njërin fener të makinës, u fut në makinë në vendin e shoferit dhe filloi të jepte me drita sinjale në drejtim të anijes. Ekuipazhi i anijes, që priste me pa durim ndihmë nga toka, e kuptoi se dikush nga bregu kërkonte të hynte në lidhje me ta dhe me një llampe të vogël elektrike me bateri nga një dritare e anijes nga brenda filloi të jepte sinjale në drejtim të bregut. Në këtë kohë ushtari rumun filloi të shkruante diçka në një copë letër, të cilën nuk e kuptonte çfarë thuhej se përmbajtja ishte shqip, prandaj na i kaloi ne ta shikonim.

Ata pyesnin: Kush jeni?
Ne ju përgjigjëm: Jemi ambasada, na thoni a jeni të gjithë mirë?
Ushtari i transmetonte ato që i shkruanim ne pa vështirësi, sepse si shqipja dhe rumanishtja alfabetin e kanë latin.

Ata na u përgjigjen se jemi të gjithë mirë pa asnjë dëmtim në njerëz, por nuk dimë për fatin e dy marinarëve që u hodhen në det?
Iu përgjigjëm: Dy shokët tuaj që u hodhen në det kanë dalë në tokë dhe ata na thanë se anija “Mati” është thyer në mes. I njoftuam se së shpejti do fillojë nxjerrja juaj nga anija me helikopterë.

Ata u gëzuan shumë nga ky lajm që morën, por kërkuan që sa më shpejt të fillojë ndërhyrja me helikopterë se nuk i dihet detit, mund të na përmbysë nga momenti në moment. Ne e dinim orën e saktë kur do shkonin helikopteret mbi anije, por atyre nuk ua thamë se duhej pritur edhe tre orë, këto ishin tre orë tmerri, shiu kishte pushuar, por deti vazhdonte të ishte shumë i ashpërsuar.

Helikopterët e shpëtimit
Pasi u siguruam që njerëzit tanë në anije ishin të gjithë shëndoshë e mirë, u gëzuam pa masë, brohoritëm dhe u qetësuam diçka, si të thuash morëm vehten, por përsëri me frikën se mos përmbysej anija nga goditjet e forta të detit. Duke shkëmbyer buzë detit biseda me “Mors” me ekuipazhin e anijes, koha iku dhe aty rreth orës pesë u gdhi, filloi të gjallërohej lëvizja dhe çdo gjë dukej e qartë. Në orën gjashtë fiks ne dëgjuam zhurmën shurdhuese të motorëve të fuqishëm të dy helikopterëve të prodhimit francez “Puma”, që u ngritën aq pa pritur nga një pistë fluturimi fare pranë nesh. Ata pasi u ngritën në një lartësi të caktuar, kryen një fluturim vëzhgimi dhe njëri prej tyre filloi të lëshojë litarët që mbanin në fund një kolltuk metalik pastaj filloi të ulej pak nga pak mbi anijen “Mati”, deri sa kolltuku preku sheshin e anijes. Ne pamë që një marinar u ul në kolltuk, u lidh mirë duke u mbërthyer dhe bëri shenjë me dorë se ishte gati për fluturim. Ndërkaq helikopteri u ngrit dhe e pruri marinarin në breg, duke e ulur 100 metro pranë nesh. Gjatë kohës që helikopteri i parë u shkëput nga anija me marinarin e parë, në anije u ul helikopteri i dytë, i cili mori një marinar tjetër dhe kjo punë vazhdoi deri sa i fundit doli nga anija kapiteni i vaporit. Kjo punë, për nxjerrjen në tokë të 37 vetave që përbënin ekuipazhin e vaporit “Mati”, zgjati rreth tre orë dhe gjithçka u filmua nga fotoreporterët e televizionit dhe të gazetave, në një kohë që kjo punë mund të kryhej me dy fluturime, se helikopterët kishin kapacitet 25 veta, ishin helikopterë desantimi të ushtrisë.

Të shpëtuarit
Pse i nxorrën në tokë një nga një dhe pse i filmuan me ceremoni? Me sa duket kjo u bë se ata mendonin që çështja për zhdëmtimin e anijes do shkonte në gjykatën ndërkombëtare të detit dhe si mbrojtje mund të përdorej ndërhyrja nga ajri me helikopterë, megjithëse kjo ndihmë ishte e vonuar, por shyqyr zotit që anijen e hodhi midis dy shkëmbinjve dhe nuk luajti nga ai vend. Pasi ekuipazhi i anijes zbriti i gjithi në tokë dhe u takuam me ta një për një, i morëm me një autobus dhe i çuam në një magazinë veshmbathjeje në Konstancë, u veshën, se ata kishin dalë nga anija me veshjet e punës sepse rrobat, veshjet,valixhet dhe të gjitha sendet e tyre personale i kishin mbetur në pjesën e anijes që e kish mbuluar uji. Pas kësaj hëngrëm drekë dhe i nisëm me tren për Bukuresht të shoqëruar nga i ndjeri Osman Osmani, ndërsa unë me Shyqon u kthyem, po atë ditë, me makinë në Bukuresht. Me të mbërritur në Bukuresht ekuipazhin e vaporit “Mati”e priti në stacionin e trenit ‘Gara de Nord’ këshilltari tregtar i ambasadës Simon Poreci dhe sekretari i parë Idriz Shehu, i çuan në ambasadë, ku u çlodhën dhe i gostitën siç e ka zakon shqiptari, pastaj i vendosën në hotel ku qëndruan deri ditën e mërkurë, kur i nisëm për Tiranë me linjën ajerore “Tarom”.
DËMSHPËRBLIMI
Londra, vendi ku ishte siguruar vapori
Anija “Mati” dhe malli ishin siguruar nga Republika Popullore e Kinës në Londër në shoqërinë e sigurimeve, në Lloyds dhe Kina nuk e kundërshtoi fare pagesën apo dëmshpërblimin për Shqipërinë dhe me njëherë firmosi çekun pa e kaluar fare çështjen në diskutim se kush e kish fajin, sepse kjo do të çonte në një grindje midis Shqipërisë dhe Rumanisë. Ajo që ndodhi me vaporin “Mati” mund të mos ndodhte ,në qoftë se pala rumune do t’i kishte shkuar në ndihmë vaporit që në momentin që iu thye palla e timonit, kur kapiteni i anijes Adem Jaupi lajmëroi organet portuale rumune për defektin e rëndë që pësoi anija në radën e Konstancës. Po të kish dërguar kapiteneria e portit të Konstancës rimorkjatorin ta tërhiqte dhe ta fuste në kalatë vaporin “Mati” që në momentin kur i ndodhi defekti, nuk do të kishte pësuar asgjë vapori, sepse fortunali nuk kishte filluar akoma.
KATASTROFA
Si mund të evitohej ngjarja
Kjo ngjarje mund të mos kish ndodhur fare, nëqoftëse kapiteni i vaporit “Mati”, me të 
konstatuar thyerjen e pallës së timonit të anijes, defekt ky shumë i rëndë dhe kur organet portuale të Konstancës nuk i erdhën anijes urgjent në ndihmë, mos kish qëndruar me në radë, por të hynte direkt në port, në një nga kalatat, ku të mundej. Për këtë, e shumta mund të kish ngrënë një gjobë nga organet portuale për hyrje pa leje në port dhe asgjë më shumë. Por me siguri dhe gjobën nuk do ta paguante, se me atë defekt të rëndë që kish anija, justifikohet në raste të tilla hyrja pa leje e anijes në port, qoftë dhe me forcë, se ajo ishte anije linje dhe porti i Konstancës, në bazë të marrëveshjes dy palëshe shqiptaro-rumune ishte i detyruar ta pranonte dhe ta fuste sa më parë në kalatë. Veç kësaj, por kapiteni duhet të kishte lajmëruar të paktën sa më parë ambasadën pikërisht në momentin që i ndodhi defekti dhe ne do t’i shkonim shpejt në ndihmë, siç i shkuam për dy orë dhe e futnim anijen në port me urgjencë. Por të jemi të saktë për një gjë, kapiteni i vaporit “Mati” ishte një burrë dhe detar trim, ai ishte i përgatitur, kishte kryer shkollën e lartë të marines tregtare në Bashkimin Sovjetik për drejtim anijesh, ai kishte çarë dete dhe oqeane me anijet shqiptare dhe mund të futej dhe pa leje në portin e Konstancës, bile dhe me forcë, por me sa duket ka menduar të evitontë gjobitjen e anijes dhe nuk pandehu se fortunali do të ishte në ato përmasa, aq i shpejt dhe aq i fuqishëm. Si përfundim, Shqipëria, si mori paratë për vaporin “Mati, nga shoqëria e sigurimit Lloyds, me ato para, vuri dhe të tjera edhe bleu një vapor 16 mijë tonësh në Republiken Federale Gjermane, që e pagëzoi me emrin “Arbëria”. Me kaq kjo ngjarje u mbyll.
NDIHMA
Qëllimet e Kinës
Lind pyetja, pse veproi Kina kaq shpejt dhe e mënjanoi atëherë një grindje midis Shqipërisë dhe Rumanisë për vaporin “Mati”? Kina e bëri këtë, se ajo në atë kohë punonte për të krijuar në Ballkan trekëndëshin Shqipëri, Rumani, Jugosllavi dhe i hante mendja se kjo një ditë do të arrihej, duke parë antisovjetizmin e këtyre tre vendeve ballkanike. Rumanisë dhe Çausheskut në atë kohë i pëlqente kjo politikë e Kinës dhe e joshte atë me lloj-lloj deklarata miqësie. Madje Kua Kuo Feni pak më pas vizitoi Jugosllavinë dhe Rumaninë.
Sigal