Mbrojtja e vlerave të LANÇ, mision i shenjtë i Organizatës së Dëshmorëve

747
( Vijon nga numri i kaluar )

Ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”; kryetari i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut
• Dr. Gjergj Velo: “Nishani dekoron si “martirë” pjesëtarë të formacioneve balliste, kurse Parlamenti lë pa ligj Organizatën e Dëshmorëve të Atdheut”. 
• Pse heshti ministria e Mbrojtjes, kur iu dërgua për miratim projektligji “Për Statusin e Dëshmorit të Atdheut”? 
• Pse shteti shpërfilli listën me emra dëshmorësh të propozuar për dekorim nga organizata e familjeve të dëshmorëve, me rastin e 70 Vjetorit të Çlirimit?
• Çfarë fshihet pas sjelljes indiferente të pushtetarëve të djeshëm dhe të sotëm, ndaj kërkesës disavjeçare për pajisjen me një ligj bashkëkohor të Organizatës së Dëshmorëve? 
• Domosdoshmëri, ngritja e një instituti të posaçëm, që të ketë për objekt botimin e “Enciklopedisë së Dëshmorëve” apo “Librin e Artë të Dëshmorëve të Atdheut”. 
E krijuar mbi 20 vjet më parë, dhe e shpallur me vendimin Nr. 6580, datë 06.10.1995 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, ka tashmë historikun e saj, të pasur me veprimtari promovuese në mbrojtje të idealeve të të rënëve. Ajo nuk varet nga asnjë parti politike dhe në vijimësi ka kryer në mënyrë konstante detyrat e saj në mjedisin pluralist shqiptar për mbrojtjen e vlerave të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, dhe të idealeve të shenjta të heronjve e dëshmorëve të Kombit shqiptar të të gjitha kohërave të rënë Shqipëri, si dhe kudo ku janë trojet shqiptare; në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Në gjirin e kësaj organizate militojnë kryesisht pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve e heronjve, pasardhës të tyre, si dhe veteranë, por edhe kushdo tjetër që pranon programin e saj dhe që ka për idhull të rënët për Atdhe. Ata janë mijëra aktivistë të palodhur në të gjithë Shqipërinë, që në këto dy dekada e ca pluralizëm, në mënyrë “të heshtur” kanë bërë një punë, që në këto kohë të vështira të ekonomisë së tregut, pak kujt mund t’i duket “e dobishme”: Mund të duket e pabesueshme, por është më se e vërtetë: Krahas punës së tyre të përditshme, në këto 20 vjet, ata kanë bërë roje që të mos prisheshin simbolet e LANÇ, si dhe që të mirëmbaheshin varrezat e dëshmorëve, bustet dhe shtatoret e heronjve, kudo në Shqipëri. E kanë kryer këtë punë pa asnjë shpërblim, por thjeshtë me vullnetarizëm. Me një angazhim shpirtëror të paparë. Se gjithmonë e kanë pasur të qartë se dalldia e klaneve të caktuara që herë pas here hedhin baltë mbi LANÇ dhe të rënët e saj, nuk ndalet. Kjo organizatë u krijua në vitin tetor të vitit 1996, kur në pushtet ishte qeverisja e djathtë. Për ta nuk ka asnjë fije dyshimi që në atë kohë qeveria e atëhershme i ka shpërfillur haptazi, i ka urryer, dhe madje edhe i ka penguar të kryenin veprimtaritë përkujtimore nëpër shkolla kushtuar dëshmorëve të LANÇ. Kryetari i saj dr. Gjergj Velo, në intervistën dhënë për gazetën “Telegraf”, thotë se në këto 20 vjet jetë të saj, organizata e Dëshmorëve të Atdheut është përballur me shqetësime të të gjitha natyrave. “Elementë keqbërës, tha ai, të nxitur nga klane të caktuara antikombëtare, që duan të zbehin vlerat e LANÇ, kanë kryer deri dhe vandalizma ndaj varrezave të dëshmorëve, siç ka ndodhur pak kohë më parë në Pogradec, në Peqin, etj, apo në Shkodër që 5 Heronjtë e Vigut i degdisën tek vendi i plehrave. U desh ndërhyrja jonë që ato të vendosen më pas ne vendin e duhur ku janë sot. Ndaj ne jemi gjithnjë në përgjim të këtyre situatave të padëshiruara, dhe shpesh na duhet të ngremë zërin përmes degëve tona në të gjithë vendin, që të bashkëpunojnë me pushtetin vendor dhe të marrin masa që kudo të ruhen pllakat përkujtimore të LANÇ, lapidarët, shtatoret e heronjve, etj”. Madje ai e analizon edhe më thellë problemin. I vetëdijshëm, se situata për mbrojtjen e simboleve të luftës nuk mund të trajtohet si dikur në monizëm, ai thotë se “vërtetë sot jetojmë në pluralizëm, por kjo s’do të thotë aspak që të stimulosh, të inkurajosh, apo akoma më keq të dekorosh ish bashkëpunëtorët e djeshëm të fashizmit, pjesëtarë të formacioneve balliste, që gjatë LANÇ u rreshtuan krah pushtuesve. Situata bëhet edhe më dramatike, kur në këtë fushatë dekorimesh të ish bashkëpunëtorëve të fashizmit përfshihen edhe institucione të shtetit, siç ndodhi pak kohë më parë që presidenti i Republikës, Nishani, u jep medalje disa elementëve të kësaj kategorie, madje për ta vihet edhe një pllakë “përkujtimore” ku cilësohen “martirë të demokracisë”. Kjo është e pafalshme”. Ky gjest i shëmtuar i Presidentit nuk është gjë tjetër, veçse rivrasje e dëshmorëve. 
Z. Velo; ҫfarë veçorie do të ketë angazhimi i organizatës së Dëshmorëve për këtë vit, krahasuar me vitet e tjera? 
Sigurisht, ky vit ka të veçantën e tij pasi kemi para 105 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Kemi edhe zgjedhjet për kryesitë e degëve të organizatës sonë në Tiranë dhe rrethe, përshtatur sipas ndarjes së re territoriale. Nga ky kontekst, ne si organizatë e familjeve të dëshmorëve mendoj se kemi akumuluar tashmë edhe një përvojë pozitive ku dëshmojmë para publikut shqiptar se puna jonë ja ka vlejtur në aspektin e mbrojtjes së idealeve të të rënëve dhe të vlerave të LANÇ. Pak kohë më parë, ne hapëm një rubrikë në të vetmin organ shtypi që kemi, në revistën tonë “Pavdekësia” që e nxjerrim një herë në dy muaj. Në hapësirë të konsiderueshme kohore, ajo mori përsipër të jepte sqarime mbështetur në arkivat tona dhe të huaja, në studimet e bëra nga akademikë, historianë, politikanë, publicistë, luftën me themel dhe argument se: Lufta Nacional Çlirimtare e popullit tonë, në Koalicionin e madh Anglo-Amerikano-Sovjetik, nuk qe luftë civile në Shqipëri, por luftë kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballistë-zogistë; se Shqipëria u çlirua më 29 Nëntor 1944 kur gjermani i fundit së bashku me bashkëpunëtorët u larguan nga qyteti i Shkodrës dhe nga kufiri shtetëror shqiptar. Se të rënët për çlirimin e Shqipërisë tonë janë 28 mijë. Tani, lidhur me statistikat në rang kombëtar për dëshmorët e Atdheut. Ky shqetësim është trajtuar edhe në Revistën tonë “Pavdekësia”. Anëtari i Komisionit Shtetëror për Statusin e Dëshmorit, z. Shaqir Vukaj ka kryer një volum të madh pune në arkiva, në Komisionin Shtetëror dhe në kryesinë e organizatës sonë për dëshmorët e shpallur, për kriteret shtetërore të shpalljes dëshmor, dhe të numrit të shumë të rënëve të pashpallur akoma dëshmorë. Nga bilanci i deritanishëm del që; si shteti, ashtu edhe kryesitë e OKDA në rrethe, deri në qendër, kanë një punë shumë, shumë të madhe për të bërë. Si konkluzion, 2017-ta, del që jo vetëm në zyrat tona, por edhe në ato të çdo bashkie dhe këshilli qarku, duhet të ketë statistika të qarta; sa dëshmorë ka të shpallur me vendime të Komisionit Shtetëror në vite; sa presin për t’u shpallur dëshmorë. Gjykoj se puna e mirë në këtë komision do ishte më e plotë, sidomos në dhënien në mënyrë sistematike të informacionit me vendimet e shpallura e të pashpallura dhe botimi i tyre në revistën tonë “Pavdekësia”. 
Mendimi juaj; sa kanë vlejtur botimet e deritanishme, për pasqyrimin e të dhënave statistikore për dëshmorët e Atdheut të RSh? 
Në praktikën e deritanishme, ne kemi angazhuar të gjitha degët e organizatës në Tiranë dhe rrethe për evidentimin e të dhënave për të gjithë të rënët e Kombit shqiptar të shpallur dëshmorë. Në këtë aspekt, kryetarët e degëve të OKDA kanë bërë një punë për t’u vlerësuar në vite. Del pyetja: “Po shteti çfarë ka bërë për këtë problem?”. Pak vite më parë, ministria e Mbrojtjes botoi përmbledhjen “Dëshmorët e Atdheut”. Por edhe ky botim nuk është i mjaftueshëm, pasi, siç mund ta keni vënë re, ai ka jo pak të meta rreth të dhënave për dëshmorët; për vendin e rënies, rrethanat, etj. Pra, edhe ky dokument, nuk na jep dot të dhëna përfundimtare për të gjithë heronjtë e dëshmorët tanë. Ndaj ne kemi kërkuar që gjatë vitit 2017, degët e OKDA në Tiranë dhe rrethe të rishikojnë, risaktësojnë e rievidentojnë përmes tabelave precize të gjitha të dhënat rreth dëshmorëve të atdheut. Sikurse kemi udhëzuar, besojmë se tani kjo punë ka nisur nëpër të gjithë degët e organizatës së dëshmorëve. Theksojmë se shkrimet e botuara nga autorët; shkrimtari Nasho Jorgaqi, Shaqir Vukaj, Shpresa Bejo, Todi Bozo, Klodi Shanto, Zaho Golemi, Bernard Zotaj etj, i kanë vlejtur shumë këtij problemi. Vetë botimi i përmirësimeve të projektligjit për Statusin e Dëshmorit, u kthye në një çështje kryesore që ka organizata jonë me shtetin. Dua ta theksoj fort se puna e komisionit shtetëror, në çdo qeverisje ka qenë punë formale me burokratë të pandjeshëm, që thjeshtë kanë marrë rrogat dhe asgjë tjetër nuk i kanë sjellë, as organizatës, as vetë shtetit. Nga ky këndvështrim mendoj se ka ardhur koha që të krijohet një instituti i posaçëm , që të jetë strukturë në vartësi të një instance shtetërore; ndoshta e Arkivit Qendror të Shtetit.
Sigal