Mbrojtja e vlerave të LANÇ, mision i shenjtë i Organizatës së Dëshmorëve

855
( Vijon nga numri i kaluar )

Ky vit, pra, 2017-ta, është një vit zgjedhor për në degët e OKDA, në Tiranë dhe rrethe. Në këtë kuadër, si e përjeton anëtarësia e gjerë e organizatës këtë fazë?
Është krejt e kuptueshme që anëtarët e organizatës sonë të ndjehen si para një eventi me rëndësi kombëtare. Se jemi dëshmitarë se si në këto 25 vjet e ca, përkujdesja, respekti, angazhimi për të ruajtur vlerat e LANÇ, gjakun e dëshmorëve dhe pastërtinë e idealeve të kohës së luftës, kryesisht kur vendin e drejtuan të djathtët, këto prioritete u denigruan si mos më keq, për të mos thënë, u denigruan totalisht. Madje, edhe sot e kësaj dite, klane të caktuara antikombëtare, bëjnë çmos të baltosin gjakun e dëshmorëve e vlerat e LANÇ. Nisur nga ky këndvështrim, në krye të degëve të OKDA duhet të zgjidhen më të mirët, më të përkushtuarit; njerëzit më me integritet e vizion; që rrinë pranë halleve e shqetësimeve të familjeve të dëshmorëve. Prirja jonë është e drejtpërdrejtë; që në të gjithë vendin, anëtarësia e OKDA të synojë për t’i dhënë votën atyre kandidatëve për kryetarë, nënkryetarë apo sekretarë degësh; që punojnë pa u lodhur; që respektojnë e vlerësojnë idealet e të rënëve për Atdhe, vlerat e LANÇ, historinë tonë kombëtare në përgjithësi. Dhe kur bëhet fjalë për votë, ne do të dimë t’i “zgjedhim” kandidatët për kryetarë degësh në çdo aspekt. Të na falin ata drejtues të nderuar; deri tani në krye të organizatës, me paaftësi të lartë shëndetësore, së dyti; me vite moshe që fizikisht e kanë të vështirë të përballen me problemet në të gjithë territorin e bashkisë; me ata drejtues që jeta i ka sjellë të mos jenë me muaj të tërë në Shqipëri për shkak të rrethanave të krijuara; me ata drejtues që kanë shumë vite në drejtim dhe që e ndjejnë veten të lodhur… Puna e tyre e deritanishme, meriton respektin më dinjitoz të kryesisë dhe të këshillit të përgjithshëm të OKDA, për vështirësitë që kanë kaluar dhe për mbijetesën në këtë oqean pluralist plot dallgë. Ata do të jenë gjithmonë nderi i organizatës si drejtues. Kryesia kombëtare e OKDA, duke falënderuar gjithë drejtuesit pa përjashtim, për sakrificat shëndetësore dhe ekonomike që kanë përballuar, por edhe për sjelljet e pa takt të disa kryetarëve të bashkive, deputetëve me këta drejtues; në kohë e muaj të ndryshëm, ju bëjmë thirrje që me një dinamikë të re, me atë frymëzim partizan, si dikur ata që bënë luftën; kryesisht në agjitacion; të bëjnë analizën dhe zgjedhjet e tyre, deri në tetor 2017 në muaj të përshtatshëm për secilën degë. Të përgatisin mbledhjet e degës seriozisht me raport, të bëjnë zgjedhjet e kryesisë dhe delegatëve sipas statutit. Mbi të gjitha, të shtojnë numrin e anëtarësisë, dhe së bashku me pushtetin të mirëmbajnë varrezat e dëshmorëve, monumentet dhe pllakat përkujtimore, të synojnë vendosjen e emrave të dëshmorëve në rrugë, shkolla, institucioneve, etj; të rrisin kontributin financiar për organizatën tonë. Të deleguarit e kryesisë, duke u sjellë seriozë për çdo problem që ndeshet, t’i çojnë e t’i diskutojnë ato për t’i zgjidhur me bashkitë dhe administratat e tyre, me qarkun, deputetin. Këto janë të mundshme për t’u realizuar. Se edhe në këto kohë që jetojmë, kemi parë se si në disa raste edhe pse ndonjë kryebashkiak ka qenë i djathtë, ai ka mbështetur objektivat tona për mbrojtjen dhe ruajtjen e parimeve të larta morale ndaj vlerave të luftës, historisë, gjakut të të rënëve, etj, etj. Dhe bashkëpunimi me këta kryebashkiakë ka qenë në nivele shumë të mira. Ky është fakt. Jetojmë në pluralizëm dhe duhet të jemi shumë të qartë për të demonstruar koherencë, maturi, qytetari dhe vlera kombëtare, në interes të objektivave tona si organizatë dëshmorësh, konform statutit që kemi; se cilindo mund ta kemi kundërshtar, por jo armik. 
Gjatë vitit që u mbyll, si OKDA, keni bërë publik edhe një projekt-program për ngritjen e degëve të reja të organizatës, sipas mundësive reale, referuar edhe ndarjes së re territoriale. Si po ecën ky proces?
Pak ditë më parë. U mblodhëm si kryesi e përgjithshme për të parë e studiuar nga afër propozimet e kryesive të degëve në rrethe, për ngritjen apo jo të disa degëve të reja. Shqetësimi ynë është me vend, pasi duam që të kemi të “mbuluar” me veprimtari të organizatës sonë të gjithë territorin e vendit. Synimi ynë lidhet me faktin që në kushtet e aktuale, nuk duam që ndarja e re territoriale, të krijojë padashur ndonjë “ndarje” apo “copëzim” të kësaj veprimtarie. Ne do të jemi shumë racionalë për ta parë këtë problem me sa më shumë objektivitet. Nëse një degë e organizatës tonë, nuk ka ankesa, nuk ka ndonjë shqetësim edhe në kushtet e ndarjes së re territoriale, atëherë as ne nuk ka pse të kërkojmë medoemos ngritje të një dege të re në atë rreth apo në atë zonë. Në këtë aspekt ne duhet të kemi mirëkuptim të plotë dhe të shprehim respekt për mendimin e kryesisë në “x” a “y” degë ekzistuese, për të mos ngritur degë të re atje. Kjo është më se e kuptueshme. Degë të reja do të ngrihen atje ku ato janë domosdoshmërish të nevojshme dhe me mirëkuptimin e plotë të degës ekzistuese.
Diçka lidhur me standardet e organizimit të veprimtarive nga kryesitë e degëve të OKDA në Tiranë e rrethe? 
Përgjigjen e kësaj pyetjeje, dua të nis me një falënderim për të gjithë kryesitë e degëve të OKDA nëpër rrethe. Të gjithë pa përjashtim, ata janë shembull i gjallë i përkushtimit në detyrën që iu është besuar. A gjenden dot fjalët për të falënderuar, si ish drejtuesin Xhafer Bedulla, në Ersekë që vdiq në tryezën e zyrës së thjeshtë të punës? Apo për drejtuesin tjetër, njeriun shumë të dashur nga Tepelena në Lezhë, Bekim Arapi, ndarë nga jeta pak kohë më parë? Apo për Josif Vasilin në Pogradec, që edhe kur humbi dy nga njerëzit e tij më të shtrenjtë të familjes ai nuk ju nda detyrës; apo Sulejman Salla në Peqin dhe Ahmet Kenga në Librazhd, që kanë kryer operacione shëndetësore shumë të vështira; apo Jani Capo e Todi Bozo, Agim Shanaj etj. Apo ish kryetari i OKDA Kadri Shameti e ish kryeredaktori Halil Katana, që ishin aq të përkushtuar në detyrë. Shembulli i tyre qëndron shumë-shumë lart. Për t’u vlerësuar janë edhe vetë aktivistët e thjeshtë të OKDA, kudo ku ata angazhohen. Është një punë që ata e bëjnë me shumë zell, me zemër, mendje e shpirt. As që bëhet fjalë për ndonjë shpërblim, është qind për qind punë vullnetare. Dhe ata nuk lodhen kurrë. Është një përkushtim shpirtëror maksimal. Nganjëherë, deri në kufijtë e së pamundurës. Aktivistët e OKDA janë punëtorë të mëdhenj. Shpesh, përmes telefonatash, ndodh që edhe e teprojmë duke iu kërkuar më shumë angazhim, dhe ata përsëri nuk na zemërohen. Se e dinë që gjithçka bëhet në emër të idealit të atyre që dhanë jetën për Shqipërinë. Dhe kjo është një gjë mjaft e madhe. Ja, për këtë, unë desha t’i falënderoj publikisht ata në këtë intervistë. Por, gjithsesi, ne duam ta matim këtë punë edhe me nivelet evropiane e perëndimore. Siç ka në Amerikë apo Angli “Ditë Përkujtimi” edhe ne kemi “Ditën e Dëshmorëve” 5 Majin apo dy datat e tjera të mëdha 28 e 29 Nëntorin. Ne shpesh, me të drejtë i referohemi përvojave perëndimore, si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Për shembull; ka disa vite që përfaqësuesit e kryesisë sonë të përgjithshme të OKDA janë në evidencën e Protokollit të Shtetit për vendosjen e kurorave në memorialin “Nënë Shqipëri” tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Po kjo është vetëm njëra arritje jona, nëse do ta quajmë të tillë. Po në vijim ne nuk do të heqim dorë asnjëherë nga kërkesa jonë legjitime për miratimin e projekt-statusit të ri të “Dëshmorit të Atdheut”. Për asnjë moment nuk do të heqim dorë. Dhe kjo ka arsyet e veta. Edhe një herë e qartësojmë: Së pari, organizata e dëshmorëve të Atdheut të njihet me ligj nga Parlamenti shqiptar, sepse e gëzojmë nga gjaku i të rënëve këtë nder. Së dyti; Zgjerimi i kritereve të shpalljes dëshmor i atdheut: Është i nxituar dhe i pa thelluar akti i shpalljes dëshmor nga propozimi i kryeministrit apo i ministrit përkatës; menjëherë sapo bie në krye të detyrës ushtaraku, apo polici, apo aktivisti i të drejtave të njeriut, apo lideri politik, etj, dhe vendosja e eshtrave të tyre në varrezat e dëshmorëve. Dhe komisioni në këtë rast bën punë formale, të pa thelluar, sepse në rastin konkret ka kritere që vendosin se kush duhet të shpallet dëshmor dhe se kujt i duhen vendosur eshtrat në varrezat e dëshmorëve. Së treti; shteti e ka për detyrë përkujdesjen për familjet e dëshmorëve. Mendoj se këtij shteti i rritet vlera kur në strukturat e tij shërbejnë djemtë dhe vajzat bijë apo nipër të dëshmorëve të atdheut, si këshilltarë, deputetë, ministra, inxhinierë, mësues, diplomatë, agronomë, jurist; në vend të atyre që përkrahin drogën, ryshfetin, shitjen e interesave të Shqipërisë, etj, etj, apo që një milion shqiptarëve nuk iu siguron punë, ujë, drita, rrugë, drejtësi, etj. Ja, për këto e shumë të tjera të pathëna ne kërkojmë vëmendjen e liderëve politikë dhe të shoqërisë civile. Madje do thosha që ngjajnë shumë formale dhe duken larg ndjeshmërisë reale, ritualet apo deklaratat e qeveritarëve e të parlamentarëve, kur vendosin kurorat në ceremonialet pranë varrezave të dëshmorëve, apo në takime elektorale; etj. Ata duhet ta dinë se shumë familje dëshmorësh nga Durrësi, Vlora e nga gjithë Shqipëria, kanë emigruar nga qëndrimi indiferent ndër vite i këtyre politikanëve që shumicën e ekonomisë shqiptare ua lanë hajdutëve ta vidhnin, apo ua dhanë koncesionarëve të dyshimtë, etj. Është momenti t’i themi tërë opinionit shqiptar, që në 100 vjetorin e shtetit shqiptar ne i bëmë propozime ministrisë së Mbrojtjes, për dekorime dhe kjo ministri, asnjë nga këto propozime nuk përcolli për në institucionin e Presidencës, ndërkohë që e dimë se presidenti e ka detyrë ligjore që të dekorojë ato emra që propozojnë dikasteret. Pra, nuk vlejnë deklaratat kritike se “pse presidenti dekoron këto, gjoja “martirët” dhe nuk dekoron ata që ne kemi propozuar”. Se ti si dikaster nuk e ke dërguar listën e propozimeve tona në Presidencë. Kjo është e vërteta. Shtoj se ligji mbi “Statusin e Dëshmorit” ka dy vjet që qëndron në sirtarët e kësaj ministrie me nëpunës e drejtues që këtë shtresë martire (pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve dhe vetë organizatën e dëshmorëve); në mos e kanë ofenduar, e kanë anashkaluar apo shpërfillur. Përmirësimet e projektligjit në takimet me deputetë të veçantë me kryeparlamentarin Ilir Meta kanë qenë e janë dakord, por është thënë troç: “të na e sjellë qeveria”. Ndaj duke përfituar nga kjo intervistë, i lutemi Qeverisë që t’i tundë ata burokratë që na pengojnë të pajisemi me ligj si gjithë organizatat e dëshmorëve analoge në vendet perëndimore. Dhe do ishte mirë që ta kishim ligjin pikërisht në këtë legjislaturë që po mbyllim. Ne jemi plotësisht të bindur se po kërkojmë nga shteti diçka legjitime. Se jemi Organizatë Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut dhe se synimi ynë është shumë i lartë. Duam që të mbajmë gjithmonë gjallë idealet e shenjta të të rënëve për Shqipërinë. Nga ky kuptim, nuk ka forcë që të na demotivojë apo demoralizojë, me asnjë lloj “argumenti”. Se në situatën e sotme të shoqërisë shqiptare pluraliste që përjetojmë, ne jo vetëm që nuk mund të konsiderohemi “të tepërt”, as “të dubluar” nga ndonjë shoqatë tjetër analoge, por përkundrazi; kemi rolin tonë të patjetërsueshëm, kemi misionin kombëtar të mbrojtjes së aspiratave të mijëra familjeve të dëshmorëve, cep më cep të Shqipërisë. Dhe janë ata, dhe vetëm ata, që na kanë besuar të përmbushim detyrën tonë si organizatë politiko-shoqërore e atdhetare-patriotike në ruajtje të idealeve të gjakut të dëshmorëve të Atdheut. Në këtë aspekt, ne e shohim veten në ballë të këtyre përpjekjeve. 
Sa është kontributi financiar i shtetit për Organizatën Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut? 
Kontributi i shtetit thatë? Zero! Asnjë fond, asnjë sponsorizim, asnjë financim. Të gjitha përkujtimoret që bëhen për heronjtë e dëshmorët e Atdheut, bëhen nga vetë anëtarët e organizatës sonë, duke harxhuar qindarka nga pensionet e tyre mjerane. Edhe për revistën që nxjerrim një herë në dy muaj, vetë pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve lenë diçka mangët në tryezat e tyre familjare për të sponsorizuar vullnetarisht botimin e revistës. Revista “Pavdekësia” është tribuna e vetme e çdo anëtari të Organizatës së Dëshmorëve ku ata vetë kanë të drejtën dhe fuqinë e plotë për të shkruar për dëshmorët e tyre, për dëshmorët e Atdheut; për ata njerëz të dashur, që u flijuan për lirinë e Shqipërisë. Revista është “llogorja” dhe “shtëpia” e secilit ku ata arrijnë të pasqyrojnë vizionin dhe ëndrrat që kishin të rënët e Kombit, cilësitë e tyre; është e vetmja që na ka mbetur, dhe që është shumë e shtrenjtë për ne, sepse që nga kjo “llogore” ne kemi mundësinë që të mbrojmë vlerat e LANÇ dhe idealet e të rënëve për atdhe. Ndjehemi shumë keq kur përballemi me pamundësinë e botimit të saj, pasi, siç e dini, s’kemi asnjë burim financiar. Revista jonë nuk ka asnjë burim buxhetor për të mbajtur gjallë vetveten. Ky është shqetësim serioz për ne. Se mesazhet, idetë përgjithësuese që ka kryesia nuk arrijnë të shkojnë në rrethin përkatës për të garantuar mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve, aktivitetet përkujtimore, etj. E dini si janë varrezat e dëshmorëve në Tropojë? Po në Pukë? Si mos më keq! E pra, ja një arsye e fortë se pse na duhet edhe ligji për organizatën e Dëshmorëve. Shqetësimi tjetër yni: Ngritja e një instituti të posaçëm për botimin e një enciklopedie të plotë të Dëshmorëve të Kombit Shqiptar. Askush nuk interesohet për këtë. Kjo nuk është serioze. 
Vetëm pak kohë më parë ju, në krye të një grupi të kryesisë së OKDA patët një takim zyrtar me një grup të kryesisë së Organizatës së Dëshmorëve të UÇK-së, kryesuar nga kryetari i saj, z. Xhavit Jashari. Çfarë konkluduat për bashkëpunimin?
-Në fakt, në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta mes dy vendeve Shqipëri-Kosovë, nuk mund të themi që ky ishte aktiviteti i parë mes dy organizatash, pasi grupe përfaqësuese të organizatës së dëshmorëve të UÇK-së kanë ardhur në Tiranë dhe kanë vënë kurora me lule; si tek monumenti i Heroit të Kosovës Adem Jashari, apo në Kavajë te monumenti i dëshmorit Indrit Cara, apo tek monumenti Nënë Shqipëri më 5 Maj, etj. Në këto veprimtari kontaktet janë mbajtur përmes OKDA dega e Tiranës, me kryetar Ilir Shkëmbi. Kurse takimi i fundit për të cilin më pyesni, ishte për një zhvillim të mëtejshëm të këtyre kontakteve mes dy organizatave homologe; të Shqipërisë, pra, të OKDA-së sonë dhe asaj të dëshmorëve të UÇK-së. Jemi në hartim e sipër të një plani veprimtarish të përbashkëta në Kosovë për këtë vit. Kemi rënë dakord për shkëmbim informacioni reciprok, ku do ketë rolin e vet edhe revista jonë “Pavdekësia”. Shtoj se së afërmi presim marrjen e konfirmimit zyrtar nga kryesia e organizatës së dëshmorëve të UÇK-së si dhe ajo e veteranëve të Kosovës për abonime të reja në revistën tonë. Njëkohësisht edhe ne kemi interesimin e duhur për shkëmbim literature, kryesisht lidhur me botimet e herë pas hershme që bëhen për dëshmorët e UÇK-së. 
Z. kryetar; ky është viti jubilar i 105 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Një koment ju lutem për këtë eveniment që keni përpara? 
Po, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për të cilën ka filluar programimi në letër i masave paraprake. Po tani organizata jonë ka një përvojë të çmuar për momente të tilla kaq madhore. Një i tillë ishte edhe 70 Vjetori i Çlirimit, 3 vjet më parë, që OKDA në Tiranë dhe rrethe e kaloi me shumë dinjitet. Të gjitha veprimtaritë shënuan një moment kulmor në aspektin e cilësisë dhe të bashkëpunimit me faktorët e tjerë; si pushteti qendror e vendor, shkollat, organizata e veteranëve, të invalidëve, shoqatat e ndryshme patriotike, etj.
Sigal