Mbrojtja e Ulqinit

423
Nga Gëzim Zilja
Moj Shqypëri, si s’u dogje,
Kur të muarën Ylçinin?!…
Turp për ju, o shqypëtarë,
Të ju rrëmbenjënë bota
Disa shkje, disa bullgarë… 
Duke ndarë copa-copa.
Ndë Egjyptëri, kalendorit 1881
E. Mitkoja. 
Gjashtë muaj pas ngjarjeve të Hotit e të Grudës, Stambolli mori masa për dorëzimin e Ulqinit, Malit të Zi. Ky e pranoi propozimin e Fuqive të Mëdha në Stamboll, që në vend të Hotit e Grudës të falej Ulqini. Përveçse pjesë e pandarë e truallit kombëtar të Shqipërisë, Ulqini ishte skela kryesore e Shkodrës dhe e pellgut të saj në Adriatik. 

Tash gjasht’ muej urdia zgjati,
Prap belaja na mbërrini,
Në Stamoll a mbledh murtati,
Çajre s’asht pa u lëshue Ulqini.

Më 3 gusht 1880 Fuqitë e Mëdha i kërkonin Portës së Lartë t’i dorëzonte Malit të Zi, Ulqinin. Për këtë qëllim Porta e Lartë dërgoi Dervish Pashën në Shkodër me 3.000 ushtarë që të dorëzonte Ulqinin, pa përpjekje të armatosur.

Dervish pashën iu ka nisë, 
Vet dauleti me diftue,
M’i thuej Shkodrës e Malcisë, 
Ulqinin ma falni mue.

Gjatë muajve gusht-tetor flota e Fuqive të mëdha patrullonte në ujrat e Ulqinit duke ushtruar presion për dorëzimin pa luftë të tij. Duke parë se ky nuk po boshatisej Fuqitë e Mëdha i dërguan një notë Portës së Lartë, ku kërkonin të thyente qëndresën e shqiptarëve dhe t’i dorëzonte Ulqinin, Malit të Zi. 

Karadaku me Rusinë, 
Duen xhevap me hy n’Ulqin,
Kral Nikolla i Cetinës,
T’jep xhevap gryka e martinës.
Asht përgjigja e miletit, 
As e pashës, as e mretit.

Vullnetarët shqiptarë nën komandën e Isuf Sokolit, Haxhi Memet Becit, Memet Gjylit e tj. rrethuan Ulqinin, për të hyrë në të, sapo të largoheshin forcat turke. Më 22 gusht në takimin me krerët e Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës, Dervish Pasha, deklaroi se do të përdorë forcën ushtarake, nëse ata nuk dorëzonin Ulqinin. 

Dervish Pasha ia merrini,
Mblodh miletin me axhele,
Çajre s’asht pa u lëshue Ulqini,
Kam Stamollën muhasere.,

Duke parë qëndresën e patundur të shqiptarëve më 24 gusht Dervish Pasha, shpall në Shkodër shtetrrethimin dhe ndalon komunikimin me Ulqinin dhe çdo lloj ndihme që mund t’i jepej. 

I thot Shkodra nuk ligjojmë,
Të shtatë krajlat me ba urdi,
Pa kris pushkën nuk e lëshojmë.

2.000 luftëtarë shqiptarë (600 shkodranë) nën komandën e Muftar Agë Reçit zunë pozicione midis Midës së Krajës, dhe Malit të Mozhurës, për të penguar Dervish Pashën të hynte në Ulqin. Pati një përpjekje në Grykën e Mozhurës pranë fshatit Kleshë, por forcat shqiptare nuk mundën të ndalin forcat turke .

Të parën dit’ të Bajramit,
Disa t’par’ u mblodh’ n’Shkodër,
Komand’ t’fort i nep nizamit, 
Luftën e kemi në kodër.

Ndërkaq forcat ulqinake nënë komandën e Haxhi Memet Becit*, qëndronin në gatishmëri kundër forcave malazeze. Rreth 20 korracata me shumë anije të vogla angleze, franceze, gjermane, ruse, italiane dhe austro-hungareze hodhën spirancat në ujrat e Raguzës, duke bërë presion të hapur mbi mbrojtësit e Ulqinit. Batalionet osmane të komanduara nga Dervish Pasha, shtrënguan rrethimin e Shkodrës me qëllim, që mbrojtësve të Ulqinit të mos u vinin më ndihma nga jashtë. Dega e Lidhjes për Ulqinin u dërgoi një memorandum Fuqive të Mëdha nëpërmjet konsujve në Shkodër, ku protestonte kundër dhënies së Ulqinit. Aty Thuhej: “Popullsia e Ulqinit preferon më mirë të zhduket duke u flijuar sesa t’i nënshtrohet administratës barbare të Malit të Zi.” Më 17 shtator Fuqitë e Mëdha* i dërgojnë ultimatum Dervish Pashës, që brenda tri ditëve të dorëzonte Ulqinin. Ushtritë e Lidhjes të përbëra nga 6.000 ushtarë sulmuan ushtrinë osmane dhe shtinë në dorë ( ashtu si në Hot e Grudë) qytetin e Ulqinit. Ushtria turke u mbyll në kazerma dhe më pas u largua nga qyteti. Tre ditë më vonë flota e Fuqive të mëdha la Raguzën dhe u drejtua në Jug por nuk hyri në ujrat e Ulqinit. Dervish Pasha bllokoi plotësisht rrugët që të çonin në Ulqin për të ndaluar furnizimin e vullnetarëve nga Shkodra, çarmatosi forcat e armatosura të qytetit, ndaloi mbledhjet, shpalli shpërndarjen e Lidhjes Ndërkrahinore të Shkodrës dhe bëri mjaft arrestime. Njëkohësisht u bëri mjaft premtime krerëve të Lidhjes së Shkodrës në lidhje me autonominë, që kërkonin shqiptarët. Të ndodhur para një situate të tillë, anëtarë të Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës ndërmjet të cilëve dhe Hodo Sokoli e Preng Bib Doda hoqën dorë nga mbrojtja e Ulqinit. ‘’Lidhja’’ u trondit. Për këtë qëllim u thirr Kuvendi i Jashtëzakonshhëm i Lidhjes në Dibër, 20-24 tetor. Midis delegatëve ishte Ali Pashë Gucia, Iliaz Pashë Dibra, Abdyl Frashëri. Kuvendi e quajti të domosdoshëm mbrojtjen e Ulqinit. Më 20 nëntor 1880 ushtria e Dervish Pashës la Shkodrën dhe iu drejtua Ulqinit, që mbrohej nga 2.000 shqiptarë, nga të cilët 800 ulqinakë dhe 2.000 të tjerë në sektorin e Tuzit. Tërheqja e disa krerëve të udhëheqjes (Hodo Sokoli, Preng Bib Doda etj) nga mbrojtja e armatosur e Ulqinit e tronditi ‘’Lidhjen’’ por nuk e mposhti. Në Komitetin e Ri të mbrojtjes së Ulqinit, hynë Selim Çoba, Isuf Sokoli, Fetah Dragusha, Filip Çeka, etj. Kënga thotë: 

I thotë Shkodra:nuk ligjojmë,
Të shtatë krajlet me ba urdi,
Pa krisë pushka nuk e lëshojmë.
Dhe më tej jepet thirrja e ulqinakëve për qëndresë të armatosur:
Mustaf’ Broci qet tallall,
Qet tallallin në Ulqin,
Hajde burra në kushtrim,
Hajde djal’ kush vjen me mue,
Se fjal Shkodra na ka çue,
Me Karadak me luftue.
Vargjet e mëposhtëme japin marshimin e ushtrinë së vullnetarëve ulqinakas drejt llogoreve për mbrojtjen e Ulqinit
Të tan’ Ulqini u çue në kambë,
Njikta burra për me i pamë,
Për me i pa e për me i shique,
Nën bajrak ishin rreshtue.

Qyteti i Ulqinit me të gjithë vullnetarët e ardhur kryesisht nga Shkodra mbrohej nga ulqinakët nën komandën e Mehmet Becit dhe Mehmet Gjylit, nga Ulqini dhe Isuf Sokolit nga Shkodra. Megjithëse kanë kundër gjithë ‘’Ushtritë e Botës’’, rezistenca e mbrojtësve të Ulqinit do të jetë deri në vdekje:

Halil Beci shkrep më shkrep,
Aj të nipit po na i thërret,
Dil e shif burrat e shkretë,
Sytyrmanit kah shkojnë përpjetë,
Mustaf Broci ep selam,
Ala Shtrema ku të kam,
Qindro Broc, se njiktu jam,
Nuk më len timi me t’pamë,
Mustaf Broci puthi çarkun,
Veli Man mos e luj bajrakun,
Se n’Kërrnic do derdhim gjakun.

Në këngët e shumta për mbrojtjen e Ulqinit në një këngë të veçantë flitet për një luftëtar vullnetar të ardhur nga Kavaja të quajtur Met Murati*. Në krye të 100 luftëtarëve nga Kavaja ai lufton për mbrojtjen e Ulqinit: 

Pushka e parë që bani bam,
Met Murati n’istiqam,
Met Murati trim asgani,
Hije i paska jatagani,
Met Murati nga Kavaja,
Me njëqind vjen nga kazaja,
Me fitu, o me vdek’ t’tanë,
Për liri e për vatanë.

Shqiptarët, nën sulmin e ushtrisë turke të armatosur më së miri, më të shumtë në numër dhe pa ndihmë nga Shkodra, rrugët e të cilës ishin bllokuar nga ushtria turke u thyen. U vranë 400 shqiptarë ndërsa nga ushtria turke rreth 300 vetë. Zëvendës konsulli i Austrisë shkruante: ‘’Po të kishin patur ndihma të shpejta shqiptarët, që ishte e pamundur për shkak të prishjes së Urës së Bunës, batalionet e Dervish Pashës pa dyshim do të ishin thyer’’*. Më 26 nëntor, turqit u dorëzojnë Ulqinin malazezve. Shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre kuptuan se vendit duhet t’i dilnin zot vetë: jo vetëm Fuqitë e Mëdha por edhe Turqia përfundimisht ishin kundër tyre: Mme Turqinë nuk mund bëhej asnjë aleancë për të fituar pavarësinë e plotë të trojeve shqiptare. Vetëm organizimi i luftës së armatosur mund t’i çonte shqiptarët drejt qëllimit final: Shkëputjes përfundimtare nga Porta e Lartë.