Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës

1998
Gëzim Zilja
Hot’ e Grud’ na jan betue
Vin’ n’Shkodër me qa dert’
Pa gjak malet mos me i lshue 
Jena nis me u ba milet.
Ambasadori italian pranë Portës së Lartë propozoi, që Malit të Zi në vend të Plavës e Gucisë t’i jepeshin krahina shqiptare me popullsi të krishterë (katolikë) të Hotit e Grudës, duke menduar se këto popullsi të krishtera nuk do të kundërshtonin bashkimin e tyre me shtetin malazez. Në një dokument të kohës thuhet: “Devotshmëria kombëtare dhe patriotizmi midis shqiptarëve janë aq të forta sa që ndryshimet fetare nuk mund t’i dobësojnë aspak ato.” Lajmi për Hotin e Grudën u mor vesh shpejt nga banorët e krahinave dhe më tej:

Iptida do dit’ përpara 
Knojn xherimet e Stamollës
Hot’ e Grud’ iu ka dal fjala
Ia ka fal mreti (sulltani) Nikollës. 

Në mbledhjen e përbashkët, që bën në Shkodër më 1 mars 1880, krerët e Hotit Grudës, Kelmendit e Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre në rast se do të aprovohej dhënia e këtyre krahinave Malit të Zi. Më 3 prill 1880 në Shkodër u organizua “Lidhja Mbrojtëse” për Malësinë dhe qytetin, që u drejtua nga një komitet prej 12 vetësh myslimanë e katolikë. Komiteti vendosi lidhje edhe me Kosovën. 

Shkodra mbledh’ gjithë n’bajrak
Thot: s’e njoh zogun e shkinës
Do t’ia çoj gjith ksollat flak’
E t’i hij mrena Çetins.

Në vargjet e mëposhtme vërtetohet sërish se kur tokat shqiptare janë në rrezik, feja për shqiptarin del në plan të dytë:

Disa turq(myslimanë) e disa t’kshten( krishterë)
Lidhen bashkë me shoqishoin
Me sulm t’rebt (m)syin me hi mren
tokt e veta s’don t’ja lshoin’…

Më 11 prill, 1880 Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës formoi shtabin luftarak të vilajetit me detyrë të merrte masat për mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të shtabit ushtarak u vu kolonel Hodo Sokoli me anëtar Selim Çoba, Filip Çeka, Shaban Bushati, Zef Simoni, Selim Gjyrrezi dhe krerë malsorë si Ded Gjoni dhe Ismail Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga Gruda, Nik Gila dhe Nik Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon Deda nga Kastrati etj. Komiteti kërkoi ndihmën e Malësisë, veçanërisht të qytetit të Shkodrës si kryeqendër e vilajetit. Popullsia e Shkodrës u tregua e gatshme ta ndihmonte ‘’Lidhjen’’ me vullnetarë, të holla, veshmbathje e armatim. Ja si thotë kënga:

Gjithmon Shkodra me kto halle
Kurr nuk pati rahati
I shkoi moti nëpër male
Tue luftue me Mal të Zi…

Përgjigja e Shkodrës vjen menjëherë dhe shoqërohet me masa organizative. Sapo turqit të lëshojnë pozicionet ato do të zihen nga vullnetarët:

Ia dha Shkodra besn’ Hotit
N’ njat sahat qi t’dal nizami
Ia mrim ne me nim të zotit
Bashk me ju te istiqami.

Të gjitha ndihmat e grumbulluara u përdorën për ushqim, veshmbathje dhe armatimin e vullnetarëve nga Mati, Luma, Kosova, Dibra, e Tetova. Hoti e Gruda tashmë janë gati:

Edhe ni fjal na dërgoi Hoti
T’tan jemi mbledhun nën ushtri
Bini djelm ju nimoftë zoti
T’i thejm hovin Malit t’Zi

Pas kushtrimit të lëshuar nga Komiteti, ndihma vjen e menjëhershme dhe përshkruhet deri në detaje:

Sesa shpejt u dha kushtrimi
Shpejt u mblodhën shoq me shoq
E përmbrapa vjen ushqimi
Lundrat plot me kallamboq

Pas sigurimit të ndihmave, vullnetarët ndihen të sigurt, sa shkojnë ‘’ me vdekë buzagaz’’.

T’tanë po nien si luana
Tuj bo gas shkojnë me dek’
Se në Tuz gjenden shejshana(pushkë) 
Edhe hutat me fyshek’.

18 prill 1880 ambasadorët e Fuqive të mëdha miratuan propozimin italian që njihet me emrin “ Vija Korti,” për t’i dhënë Malit të Zi në vend të Plavës e Gucisë, Hotin dhe Grudën. Dorëzimi do të bëhej më 22 prill. Valiu i Shkodrës shpalli zyrtarisht vendimin e qeverisë turke për të dorëzuar Hotin e Grudën dhe njoftoi Malin e Zi, për t’i marrë ato në dorëzim. Ushtria turke lëshoi pozicionet ((llogoret) dhe u tërhoq nga kufiri. Mirëpo Shkodra dhe Malësia tashmë ishin gati për luftë dhe prisnin çastin e duhur pasi të tërhiqej ushtria turke:

T’mërkurren n’tet’sahati
Haxhi pasha hoq nizamin
Shkodr’ e Male qlluen gati 
Ia xune shqaut istiqamin .

Më 19 prill 1880 Hodo Sokoli dhe pas tij 1500 veta, të mbledhur në qendër të Shkodrës deklaruan se nuk do ta njihnin as Malin e Zi e as Stambollin. Në mënyrë demonstrative ai hoqi nga spalinat gradat e kolonelit të ushtrisë osmane, i hodhi në tokë dhe u bëri thirrje gjithë shkodranëve për luftë deri në vdekje në mbrojtje të Hotit e Grudës. 

Iptida të mërkur mrama
Njikjo punë bani vaki
Eni djelm ju past nana
Të luftoim me Mal të Zi
Hodo Bego n’at si era
Botën shkon me fjal tuj nxe
Eni burra e t’presim krena
Mos ta lshojmë as një pllamb dhe’….

Ushtria shqiptare zuri pozicionet e lëshuara nga ushtria turke para se të mbërrinte ushtria malazeze prej 10.000 vetash. Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra, duke lundruar në liqen, disa dhjetëra anije me rreth 3.000 vullnetarë shkodranë, të cilët së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin Hodo Sokoli, zunë vend në Tuz. Më 22 prill trupat turke u larguan nga kalaja e Tuzit dhe pozicionet e tjera. Forcat shqiptare të gatshme i zunë këto pika para se të afrohej ushtria malazeze. Po atë ditë, më 22 prill 1880 ushtria malazeze u ndesh me atë shqiptare. Pas ndihmës së ardhur nga Mirdita, forcat vullnetare arritën 9.000 veta. Në disa vargje përmendet emri i bajraktarit të famshëm tw Mirditës Preng Bib Doda, me mirditorët në ndihmë të luftrave që zhvilloi ‘’Lidhja’’.

Se njitesh na ka mri dita
me derdh gjakun për vendet tona….
Edhe fjal na çoi Mirdita
Preko Pashën(Preng Bib Doda) thot’ e dona

E inkurajuar dhe nga Fuqitë e Mëdha ushtria malazeze kaloi kufirin dhe u ndesh me forcat shqiptare te Ura e Rzhanicës. Forcat vullnetare të Malësisë së Madhe nën drejtimin e Ismail Markut e Baca Kurtit u hodhën furishëm në sulm:

Duel shkau prej Podgoricës
me nja disa bataliona
Krisi pushka n’Ur’ t’Rzhanicës 
dolën jashtë disa asllana
Qiti pushkë e disa topa
Sa me shpejt u thye urdia
Me njat’ xuni gjith’ Europa
Ç’asqer’ trima paska Shqipnia.

Në këto luftime ushtria malazeze pësoi disfatë të plotë dhe u tërhoq brenda kufirit të saj. Shqiptarët korrën një fitore tjetër të madhe. Gjithë kjo fitore u organizua dhe u përballua nga Komiteti i Lidhjes së Shkodrës. Në organizimin e luftës dhe përpjekjeve me ushtrinë e Malit të Zi, veç trimërisë dhe organizimit të përsosur vihen re dhe detaje të tilla ku theksohet se në ballë të luftës prin paria e Malësisë dhe e Shkodrës: 

Para t’ven krenë, bajraktar’
Ktyne mrapa le t’ju shkojm’
Neve kurr s’na u lig ora
Gjithmon’ mirë kemi luftu
Bini djelm ju lumt dora
Shkodra mar në kam a çu

Lajmi i kësaj fitoreje u përhap në të gjithë Shqipërinë dhe kapërxeu kufijtë e saj. Kjo vërtetoi ‘’profecinë’’ e Thimi Mitkos, që shkruante, duke ironizuar Kongresin e Berlinit:

Tu rrëfejmë atyre zotrive
Që s’duhet kartë e mereqep (bojë shkrimi)
Për të hyrë në Shqipëri
Duhen topa dhe dyfek’.
Sigal