Arkiva II/ Ish-komandanti i korpusit Novruz Dervishaj vazhdon rrëfimin

Kërcënimi i Mehmetit: “Do t’ju pushkatoj si Beqir Ballukun!”

Leonard VEIZI

Novruz Dervishaj mendon se ashtu si gjithkush i duhet të bëjë bilancin e jetës, bilanc që është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me jetën ushtarake. Megjithëse vite më pas ai do të ishte në kulmin e karrierës së tij, ish-komandanti i korpusit thotë se pas vitit 1974 jeta pësoi disa ritme të shfrenuara. “Ne njerëzit që kishim emrin “oficerë”, e pamë veten në një trysni që të zinte frymën. Na kishin prekur ndjenjën e dashurisë për të vërtetën, njëherësh dhe dinjitetin tonë si njerëz. Prandaj është e pakuptueshme se si kemi duruar”, – thotë Novruz Dervishi, gjatë rrëfimit të tij për “Telegraf”.

Cila ishte situata në ushtrinë shqiptare pas vitit 1974?

E vërteta mbetet që Beqir Balluku e të gjithë kryesorët e shtabit drejtues të ushtrisë ishin në sytë tanë udhëheqës ushtarakë dhe eprorë absolutë. Ne as pamë qëndrime të tjera e as nuk mund ta mendonim kurrë që në sytë tanë, e aq më pak bashkë me ne, po tirrej një veprimtari armiqësore. Ato që u thanë pas vitit ‘74 janë mendime nga lart dhe të mirëqena, sepse i tha kryesori. Të gjithë ne shkuam pas asaj rryme që na shtynte për të shpëtuar veten. Dhe ky qëndrim nuk mund të merret për faj.

Çfarë vlerësonit tek ushtarakët e lartë?

Ne kuadrot e brezit tim kishim njohjen dhe adhurimin tonë për kuadrot e vjetra, për ata që kishin vite që ishin në krye të ushtrisë. Unë kam pasur rastin, por edhe fatin të njihja nga afër shumë prej tyre. Dhe ata, ne, kuadrot e rinj, i patëm mësues dhe shembull imitimi. Kishim midis oficerëve njerëz që e kishin dhunti marrjen e njohurive dhe dhënien e tyre të tjerëve. Këta janë brezi i oficerëve që dhanë gjithçka dhe s’morën asgjë. Tani prapë nuk kërkojnë gjë. Dhe do të doja, e këtë e kam ndier atëherë që njëherazi të vlerësoja urtësinë e Ballukut, dinamizmin e Dumes, autoritetin e Gjinos, pamjen e Gjinushit, temperamentin e Fejzos, këmbënguljen e Xhixhos, arsyetimin e Shalësit, vullnetin për punë modelin e thjeshtësisë së Jakovës, energjinë e Çakos. Disa i kam njohur me kohë, sepse kisha në ushtri xhaxhallarët e mi, të tjerët i njoha në punë të përbashkët, por gjithmonë si eprorë. Aty mbi të gjithë shquante Petrit Dumja. Kanë folur për të edhe kështu siç po flas unë, por kanë folur e kanë shkruar edhe ndryshe. Është e drejta e tyre, siç kam edhe unë të drejtë që, duke anuar nga paanësia, të shfaq mendimin tim pa mëdyshje. Dua ta them prerë e qartë se ato që ndodhën në ushtri më 1974 e më pas, janë një njollë e zezë dhe një denigrim total i vetë ushtrisë dhe i kuadrove të saj.

Ndërkohë ju keni qenë një nga drejtuesit kryesorë të ushtrisë…?

Është e vërtetë që unë pas gushtit të vitit 1969, për 20 vjet rresht, kam qenë ndër kuadrot e larta të ushtrisë, por asnjëherë nuk u ngopa me jetë ushtrie. Ishte futur një kontroll tinëzar, i cili bashkë me pengesat burokratike e keqdashëse na dërrmonte shpirtin. Kush i harron ato platforma të sajuara armiqësore, të cilat na e nxinë jetën e përditshme dhe që nuk kishin të bënin aspak me të vërtetën. Nuk mund të mohohet fakti se në sytë tanë u fut tmerri i burgut, i përjashtimit nga partia, që do të thoshte t’i humbisje të tëra, u fut shpirti i ngushtë që u pasua me sa e sa qëndrime denigruese, denigrime këto të cilat çuan në banalizimin e së vërtetës. Shumë herë po e ndieja se puna filloi të më zvirdhej. Me kohë çdo pasion ishte fashitur, në mos qe shuar. Kjo qe rruga e shpëtimit. Nuk mund të tregoja asgjë nga e kaluara, sepse pas saj kishte emra dhe ngjarje, e domosdo kishte njerëz, kuadro ushtarakë, pjesa më e madhe e të cilave ishte zhdukur dhe, sipas disave që përgjonin çdo gjë, të tregoje nga ajo kohë diçka, do të thoshte që ishe me puçistët.

Cili është momenti më i vështirë që keni kaluar si komandant korpusi?

Çaste të vështira ka plot. Por njëri më kujtohet në veçanti: “Do t’ju pushkatoj si Ballukun!” – do të na kërcënohej më 30 janar 1975 Shehu në zyrën time, ne oficerëve të shtabit të korpusit gjatë një vizite që bëri. – “Ne pushkatuam 5 anëtarë të Byrosë Politike dhe u dashka të pyesnin për një komandant korpusi!” – m’u drejtua me kërcënimin e tij.

Cilat ishin marrëdhëniet e kryeministrit me ushtarakët?

Në shumë raste të takimeve që kam pasur me Mehmet Shehun, krijova bindjen se pas atyre ngjarjeve ai i kishte dhënë të drejtë vetes të lëshonte mbi ne fraza e fjalë e deri të shara, të cilat ishin mbushur me cinizëm, ironi, fyerje. Sigurisht ai mendonte se ne s’kishim asnjë të drejtë as të reagonim, as të zemëroheshim me të. Këto qenë marrëdhënie poshtëruese. Fundja, ky arrogant tipik përfaqësonte interesat e partisë në pushtet, e cila atij jo vetëm që i kishte dhënë kompetenca shumë të larta, por çdo ditë ia përmendte lavdinë, duke e veshur me pushtete të reja. Disa e donin, të tjerët, ndoshta shumica, e urrenin. I dyshimtë dhe me karrierë të gjatë, i zgjuar dhe impulsiv e gjithmonë nevrik, me njohuri të gjera, ai për çdo gjë arsyetonte në atë mënyrën e tij karakteristike. Duke qenë i njohur si ushtarak, i zoti dhe me raste trimërie, ai tashmë e kishte vërtetuar veten si burrë shteti. Ndoshta të gjitha këto e çuan në fundin e tij në dhjetorin e vitit 1981, fund ky të cilin ia kishte caktuar vetë vetes. Të tjerët bënë vetëm ekzekutimin e asaj zgjidhjeje.

Në Shtabin e Përgjithshëm

Ushtria shqiptare, ja organizimi

“Në vitet ’60 – ’70, ministër i Mbrojtjes Popullore, Gjeneral Kolonel Beqir Balluku, kishte dy zëvendës, njëri ishte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Leitnant Petrit Dume, që mbulonte problemet e gatishmërisë dhe përgatitjes luftarake të ushtrisë, përfshi Flotën Detare dhe Aviacionin, ndërsa zëvendësi i dytë, ishte Gjeneral Nuri Arapi, që mbulonte problemet e prapavijës, të furnizimit materialo-teknik dhe të industrisë ushtarake. Brenda Ministrisë ishin 4 (katër) komanda, ajo e Artilerisë, e Tankeve, e Mbrojtjes Kundër Ajrore dhe e Flotës Luftarako-Detare. Pastaj vinin disa drejtori ndër të cilat më të rëndësishmet-Drejtoria Operative, e Xhenios, Prapavijës, e Kuadrit, Organizimit, Zbulimit dhe e Ndërlidhjes. Në vitet 60-të ishin krijuar njësi të shumta në tërë territorin e vendit. Ishin ngritur Korpuset. Gjirokastra, Korça, Burreli, Shkodra, ishin qendrat e Korpuseve që mbulonin drejtimet operative-strategjike tokësore. Ndërsa bregdeti mbulohej nga Flota Luftarako-Detare nga një komandë më vete që zotëronte mjetet e detit dhe shumë forca këmbësorie, artilerie dhe tankiste në tokë të lidhura midis tyre në detyrat luftarake. Në madhësinë e korpusit ishte Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore që përfshinte njësitë e artilerisë e raketave kundërajrore që bashkë me aviacionin luftarak mbulonin objektet strategjike në tërë territorin. Në këtë kohë, për furnizimin material e teknik, ushtria kishte Tri Baza furnizimi që quheshin të Armatës, në Berat, Tiranë dhe Mirditë. Pesë Brigada Këmbësorie dhe tri artilerie e dy tankiste, ishin Rezervë e Komandës së Përgjithshme. Ato u synua të kishin kompletim më të lartë dhe mundësi manovrimi duke u mbartur me makina, në këtë mënyrë mund të çoheshin shpejtë dhe në gatishmëri luftarake nga një drejtin operativ në tjetrin. Mbas vitit 1960-të, krahas rritjes së Brigadave Këmbësore nga 10 në 15 në 5-6 herë, u bë planizimi luftarak dhe organizimi i Forcave vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore. Në çdo fshat tani kishte një çetë vullnetare dhe në qytet, sipas madhësisë, një Batalion ose Brigadë Vullnetare. Duke arritur në afro 400.000 vullnetarë të armatosur, për veç Nëntë Korpuseve dhe po aq ushtarë aktiv dhe rezervist, pra forcat e popullit dhe të ushtrisë së armatosur dhe që në rast nevoje mund të zinin pozicionet mbrojtëse, arrinin në qindra mijëra dhe në raport me popullsinë ato ishin të pa para ndonjëherë në historinë luftarake të popullit tonë. Krahas kësaj, stërvitjet e mëdha vjetore me 50-60 mijë pjesëmarrës, përhapja e saj në mijëra pika hapje, mori e depove të armatimit dhe teknikës dhe gjendja e alarmit luftarak të përhershëm, por nuk mund të mos merren mirë parasysh situatat tona politiko-ushtarake të atëhershme dhe Lufta e Ftohtë, e cila s’ka se si ta linte mënjanë Shqipërinë”.

DIREKTIVAT

Mbledhja zhgënjyese me Hysni Kapon

Në prillin e vitit 1966, Byroja Politike e KQ të PPSH-së dërgoi “Letrën e Hapur” për të gjitha organizatat bazë të komunistëve. Në atë letër, e cila kishte tri boshte kryesore, bëhej fjalë për reformat që duhej të bëheshin dhe revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë, pushtetit e ushtrisë. Duke kujtuar këto vite të vështira të ushtrisë shqiptare, ish-komandanti i Korpusit të Gjirokastrës rrëfen këtë episod: – “Në tetor 1970 jam thirrur në KQ. Hysni Kapoja na porositi që atë mbledhje sekrete ta vlerësonim duke u përgatitur me gojë dhe me shkrim. Kur u ulëm në tryezë, vumë re se aty përgjonin dhe incizonin aparaturat. Komandanti donte të “konsultohej” me ne. Por ai nuk u duk gjëkundi. Atëherë isha komandant i Brigadës së Mirditës. E çmoja këtë pjesëmarrje si një vlerësim. Por dola i zhgënjyer. Ajo mbledhje e ftohtë dhe e veshur me metoda sigurimi, ma forcoi mendimin që kisha se punët e ushtrisë pas Letrës së Hapur kishin marrë për shtrembër. Po ashtu, nuk mund të arrihej pajtim mendimesh midis Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Politike. U binda se sektori ushtarak në KQ ishte një dublim i Drejtorisë Politike dhe se kjo e fundit ishte një produkt burokratik e shkatërrues i Letrës së Hapur të vitit 1967. Direktivat e partisë për ushtrinë dilte se ishin të drejta dhe udhërrëfyese, gabimet binin mbi hallkat ushtarake. Askujt nuk i shkonte mendja të thoshte se diçka nuk qe menduar mirë dhe se duhej korrigjuar. Më ngeli në kujtesë një bisedë në njërin nga pushimet. Kaluan pranë meje Vaskë Gjino dhe Muhamet Prodani. “Si thua, o Vaskë, ç’po bëhet kështu, çfarë të themi?” – iu drejtua Muhameti. “Çdo të thuash atë e di ti, por fjalët mendoi mirë, se ndryshe e hëngre!” – iu përgjigj Vaska, gjeneral me dy yje, që vdiq në burgun e Burrelit më ‘85 duke dhënë komandën: “Parada, eja në radhë!” se donte që dhe në çastin e vdekjes të mbetej ushtar”.

(Vijon)