Mbi kalorësinë e Skënderbeut

117
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Rëndësi, kalorësisë së lehtë
Kalorësia u bë arma kryesore e ushtrisë shqiptare në kohën e Skënderbeut. Ajo përbëhej prej formacione të thjeshta dhe të lehta, pa armatime e pajime të rënda. Kalorësia ishte e motivuar për veprime sulmuese, e aftë të përballonte kolona të gjatë të kundërshtarit dhe brenda një kohe të shkurtër, si dhe për të dhënë goditje të befasishme, të fuqishme dhe të shpejta. E gjitha kjo lehtësohej, sepse, si kalorësi dhe kali ishin të lehtë për të manovruar në fushën e luftimit. Fillimisht nga krerët të principatave u mbajtën qëndrim kritike ndaj kësaj kalorësie të lehtë. Këta prijës nënvleftësonin forcën goditëse të kësaj kalorësie të lehtë, në krahasim me repartet e armatosura rëndë të kavalerisë feudale evropiane të kohës. Koncepte të tilla shfaqeshin te Huniadi dhe Papa Piu II. Nga zhvillimi i ngjarjeve u hodhën poshtë këto mendime. Kalorësia e lehtë shqiptare ishte formacion në funksion të plotësimit të detyrave të rëndësishme të luftimit. Ajo duke qenë e lehtë arriti të kombinonte forcën goditëse me lëvizshmërine dhe shkathtësinë e saj. Kështu kalorësia e Skënderbeut u bë një forcë shkatërrimtare për ushtrinë osmane. Ndër problemet kryesore në organizimin dhe zhvillimin e ushtrisë, Skënderbeu i kushtoi rëndësi edukimit dhe stërvitjes. Vëmendje të veçantë i kushtonte trajtimit të kuajve, cilësisë së tyre, përgatitjes intensive në fushën e stërvitjes, si dhe sigurimin e ushqimeve sa më cilësore për ta. Këtyre problemeve Skënderbeu u kushtoi gjithë energjitë e tij. Kështu ai u mbështet në patriotizmin e lartë dhe në traditat luftarake të popullit, i cili trashëgonte një përvojë të pasur në luftimet kundër armiqve. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi edukimit moral dhe mbajtjes lart të gjendjes shpirtërore të ushtarëve. Siç thekson dhe Barleti, para çdo beteje ai u fliste ushtarëve dhe me shumë mjeshtëri nxiste entuziazmin e shpirtin luftarak të tyre. Kështu para betejës së Torviollit, sipas Barletit, në fjalën që mban para ushtrisë, Skënderbeu u thotë, se pa dashur, o ushtarë, burra, jo vetëm trima, por edhe kryetrima, ua zgjata fjalën këtu. Ejani pra, zgjojeni nga gjumi trimërinë e dikurshme, frymëzohuni nga ndjenjat fisnike, mos merrni asgjë tjetër parasysh, përveç fitores. Vetëm nga vdekja, që t’i them të gjitha me një fjalë, pranoni të mundeni. Përballë armiqve tepër superiorë në forca e mjete, Skënderbeu i ndodhur, pa nënvleftësuar sasinë, vëmendjen e përqendronte te cilësia, duke e parë atë në të gjitha drejtimet e saj, si në pikëpamje të përgatitjes taktiko-profesionale e fizike. Bashkë me vartësit e tij, Skënderbeu e përgatiste ushtrinë për veprime luftarake të larmishme, si për mësymje, për mbrojtje, për dhënien e goditjeve të befasishme, për ndërtimin me mjeshtëri të pritave e të kurtheve, për marshime të gjata etj. Ai e përgatiste kryesisht për të vepruar në terren malor, por nuk përjashtohej kurrë zhvillimi i stërvitjes edhe në terren fushor e kodrinor.

Kalorësi, gati unikale
Vlerën e ushtrisë shqiptare në formë maksimale, më mirë se kushdo tjetër e ka shprehur vetë Skënderbeu, siç shprehet Barleti, se kapedani apo komandanti që nuk di ta thyejë armikun me 8 mijë ushtarë, ose 12 mijë e shumta, ai s’ka si t’ia arrijë në asnjë mënyrë fitoren me forca shumë të mëdha. Epërsinë e kalorësisë së ushtrisë së Skënderbeut, studiues dhe lexues e njohin tashmë. Kalorësia e tij ishte një nga armët më efikase, vlerat e të cilës u bënë dominuese edhe në artin e luftës, mjaft të përhapura në ushtrinë evropiane në betejat e shek. XV dhe XVI. Vlerat e kësaj kalorësie, theksojmë se janë gati unikale ku kanë shkuar, jetuar e luftuar shqiptarët etj. Që nga shek. XV fillojnë të bëhen gjithmonë e më të shpeshta si në More (Peloponez) reparte profesionistë shqiptarë (stratiotët). Këto reparte të organizuara ishin njësi të kalorësisë së lehtë që ndonjëherë përfshinin disa mijëra luftëtarë. Me këto trupa krerët stratiotë shqiptarë siguruan për një kohë të gjatë mbrojtjen e kështjellave nga sulmet osmane. Stratiotët shqiptarë të Moresë u angazhuan në veprime luftarake kundër osmanëve dhe jashtë Moresë si në verën e vitit 1479, ku 300 stratiotë shqiptarë nga viset e Koronës u dërguan në Shqipëri për ruajtjen e Krujës. Ndërkohë shumë stratiotë, sidomos pas paqes veneto-osmane të vitit 1479, u detyruan të braktisin Morenë. Një pjesë e të ikurve u vendosën në ishujt Hidra, Specia, Kulluri (Salamina), Poros etj., në Mbretërinë në e Napolit. Shumë stratiotë u përdorën nga Venediku në frontet e luftës në Italinë e Veriut, ku ata shkëlqyen për virtytet e tyre luftarake. Mjaft stratiotë shqiptarë hynë në shërbime të komunave të ndryshme italiane e të sovranëve të ndryshëm të Evropës, duke kontribuar kështu në përforcimin e një imazhi heroik të luftëtarit shqiptar të krijuar në Evropë, falë luftërave të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut. Skënderbeu ka zhvilluar luftime fitimtare gjatë 25 viteve me ushtrinë e tmerrshme të sulltanit që numëronte nga 80.000 deri në 140.000 njerëz dhe këtë me fuqinë e grushtit të shqiptarëve vetëm të stërvitur dhe drejtuar prej tij. Mjafton të dihet se ç’përfaqësonte Perandoria Osmane dhe ushtria e saj, për t’u bindur për vlerat e padiskutueshme të ushtrisë shqiptare. Osmanët me luftërat dhe fushatat plaçkitëse ishin kthyer në një shtet të fortë, veçanërisht në shek. XV e të XVI, dhe perandori ishte në kulmin e saj. Ajo zotëronte territore të mëdha në Evropë, Azi, Afrikë me sipërfaqe rreth 8 milionë km katrore.

Gjeografia e luftimeve të Skënderbeut
Skënderbeu synoi të shtrinte gjeografinë e luftimeve dhe hapësirën e zotërimeve të shtetit të tij gati në të gjithë Shqipërinë. Këtë e favorizonte dhe sistemi i rrugëve, sidomos sistemi i lidhjeve ndërkrahinore. Kështu Kryengritja e Përgjithshme e 1443 çliroi pjesë të Shqipërisë, krahinat e të cilës lidheshin lehtësisht me njëra tjetrën me sistemin e rrugëve të kryqëzuara në të gjitha drejtimet. Uniteti territorial dhe shpirtëror i formuar gjatë shekujve te shqiptarët i dha mundësi Skënderbeut të zhvillonte operacione ushtarake kudo në territorin e Shqipërisë. Siç na bën me dije Barleti, të shumta janë betejat që Skënderbeu zhvilloi me ushtrinë osmane pranë Shkupit (1452, 1462) dhe Ohrit (1462, 1464). Edhe në kohën e inkursionit të ushtrisë së Skënderbeut në vitin 1448 në thellësi të zotërimeve venedikase deri në Tivar, si dhe në betejat e zhvilluara në thellësi të viseve të pushtuara ka pasur pjesëmarrje masive të banorëve vendas. Shprehje e këtij uniteti shpirtëror ishte dhe kryengritja anti-osmane e vitit 1466 e qytetarëve të Ohrit, e cila shpërtheu ndërkohë që ushtritë osmane mbanin të rrethuar Krujën. Ka dhe shembuj të tjerë që tregojnë lidhjet shpirtërore dhe bashkërendimin e veprimeve të heroit me ngjarje që zhvillohen në rajone të tjera të vendit. Kështu më 1455 trupat osmane filluan pushtimin e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit dhe në mesin e muajit qershor kampi i tyre qe vendosur në rrethinat e Prizrenit. Në pamundësi për të krijuar një front të përbashkët lufte me sundimtarët vendas, Skënderbeu iu kundërpërgjigj osmanëve në jug duke sulmuar e rrethuar Beratin. Edhe pas këtyre ngjarjeve Skënderbeu vijoi t’iu kushtoi vëmendje viseve verilindore. Po kështu dokumentet na njohin për lidhje e bashkërendim veprimesh luftarake të Skënderbeut me sundimtarët shqiptarë në jug të vendit, si me Simon Zenebishin, që përpiqej të zgjeronte zonën e çliruar në viset bregdetare pranë Butrintit. Kështu, si rrjedhojë e qëndresës që zhvillohet në Shqipërinë e poshtme, disa krahina malore, si Kurveleshi, Himara, Këlcyra, Leskoviku etj., prej kohësh qëndronin pothuajse të lira. Në vitet 1450 u çlirua zona bregdetare pranë Butrintit, me qendër Kështjella e Kastrovilës (Çamëri) etj. Ndërkohë lufta e lavdishme e Skënderbeut, që admirohej kudo në Evropë, padyshim ka vepruar si një faktor nxitës për vendosmërinë e veçantë që treguan shqiptarët e Peloponezit në luftë kundër pushtuesve osmanë.