Masakrat në Pezë, si na u vranë 327 partizanë

3224
INTERVISTA/ Në kuadrin e pëvjetorit të Fitores Botërore mbi nazifashizmin. Peza, kështjella shqiptare e luftës kundër pushtimit dhe zona martire e Luftës së Dytë Botërore. Historia e çetës së parë antifashiste në Evropë. Kujtime nga Nexhmi Menzelxhiu dhe Sherbet Karuli 
Leonard VEIZI
Ata thonë se, Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, kundër pushtuesve nazifashiste (1939-1944), përbën një Epope Lavdie të historisë shekullore të luftërave të popullit shqiptar për liri, pavarësi, sovranitet e progres shoqëror. Janë të dy anëtarë të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it dhe ish- partizanë të Brigadës XXII Sulmuese në bazë të së cilës ishte çeta “Plakë” e Pezës. Gjatë një interviste për gazetën “Telegraf”, Sherbet Karuli dhe Nexhmi Menzelxhiu thotë:

Cila do të ishte situata në fundin e dimrit 1944 në Pezë?
Në fakt, Operacioni i dimrit i organizuar nga Komanda gjermane në Shqipëri, quhej i përfunduar që në fund të shkurtit 1944, por luftimet vazhdonin akoma me të njëjtin rritëm. Ndërsa Peza, si krahinë, me rezistencën e saj të pathyeshme, që me krijimin e Çetës së Parë Patriotike dhe më pas me Çetën Partizane, me Batalionin I, pastaj me Grupin Partizan, me aksionet e betejat kundër nazifashistëve e mercenarëve, duke pasur në krye, komandantin legjendar Myslim Peza, u bë kështjellë e pamposhtur e LANÇ, në ato vite. Ajo, megjithëse fare pranë Tiranës dhe e rrethuar nga rrugë, ku qarkullonin trupat pushtuese, me rezistencën e paepur antifashiste, mbeti bastion i luftës partizane. 

Përse për Pezën e Luftës së Dytë flitet kaq shumë?
Peza qe baza ku formua Brigada XXII “S” partizane, me komandant Salë Verdhën dhe komisar Tonin Jakovën, e cila mori nga ajo, jo vetëm partizanet më të mirë, por edhe përvojën luftarake dhe shpirtin e sakrificës, që e çoi atë nga fitorja në fitore, në betejat për çlirimin e krahinës së Mirditës e të Pukës, por edhe të Shkodrës me 29 Nëntor 1944, në kuadrin e Operacionit të Divizionit II të UNÇSH. Për të kaluar pastaj në përbërje të Divizionit VI “S”, në ndjekje të hordhive naziste, me thirrjen; “Deri në Berlin!”, me beteja mbi rrugët dhe mbi vijat e fortifikuara, për çlirimin, bashkë me partizanët vendas, të disa qytetet të Malit të Zi e të Bosnjës, deri në Vishegrad.

Çfarë dëmtimesh pati treva e Pezës nga operacionet nazifashiste?
Peza, për sakrificat e mëdha, djegiet, terrorin që pësoi popullsia e saj e paepur, gjatë operacioneve nazifashiste, e meritoi Titullin, Zonë Martire e Luftës II Botërore”, akorduar me 16.9.1999 nga Unioni Botëror përkatës. Përfaqësuesi i Unionit me këtë rast tha: “Në Pezën shqiponjë u ndjenë thellë në shpirt masakrat nazifashiste… Ishte Peza ajo qe u masakrua aq shume gjatë rezistencës antifashiste”! Këto tradita patriotike atdhetare, Peza i shumëfishoi gjatë LANÇ me rezistencën e saj antifashiste e me betejat e aksionet kundër pushtuesve nazifashiste. Ajo i dha Atdheut, për në Altarin e Lirisë 327 dëshmorë, prej tyre 24 gra e vajza ku bën pjesë edhe Heroina Mine Peza, duke përfshirë edhe ata 107, të Brigadës XXII “S”, Sipërfaqja e Pezës është 1200 Km2. Del që janë 4 dëshmorë për km2. 

Cila është tradita e Pezës?
Peza, si krahinë është dëshmuar historikisht, si vendbanim i lashtë Ilir. Në Dorëz, gjenden akoma rrënojat e një kalaje të shek VI p.e.r. Në vitin 1870 në Pezë janë zhvilluar luftime të ashpra kundër pushtuesve osmanë. Në rrjedhën e viteve lufta për liri nuk reshti kurrë. Peza, përkrahu edhe Revolucionin Demokratik të vitit 1924. Pra është një trevë më shumë luftaraketarake dhe liridashëse.
Komandanti Myslim Peza dhe Haxhi Lleshi, njeriu që iu gjend pranë “Babë Myslimit”
Ata kanë qenë partizanë nën urdhrat e tij. Kur bie fjala për komandantin e çetës së Pezës, Sherbet Karuli e Nexhmi Menzelxhiu thonë: “Myslim Peza, personifikon figurën e lartë të një komandanti legjendar partizan. Ai përbën simbolin e patriotizmit dhe të një heroi të LANÇ, të nderuar në krahinën e tij dhe në gjithë Shqipërinë. Babë Myslimi, lindi në një familje me tradita patriotike. Me 1924, ai u përfshi në lëvizjen demokratike të 1924-ës dhe kaloi në kundërshtim të hapur edhe me armë kundër regjimit satrap të Zogut. Me 1930 u detyrua të emigrojë jashtë shtetit. Atje e vazhdoi veprimtarinë patriotike antizogiste së bashku me patriotë të tjerë. Haxhi Lleshi iu gjend pranë si shok idealesh atdhetare. Dritëroi i madh i quan të dy këta, si: “Dy degë të forta të lisit të madh të Atdhetarisë shqiptare”. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste, Myslimi u kthye në atdhe dhe më 5 qershor 1940 formoi çetën e tij patriotike Antifashiste. Kjo qe, çeta e parë patriotike antifashiste në Ballkan dhe në Evropë. Me 22 qershor 1941, ajo kaloi në Çetë partizane e LANÇ, dhe ndezi shkënditë e formimit të sa e sa çetave të tjera, në krahinat e vendit, të cilat i dhanë zjarrin e parë, luftës kundër pushtuesit fashist dhe veglave të tija qorre. Nami i trimërisë së Pezës, kaloi edhe nëpër botë. Babë Myslimi, duke qëndruar në krye të partizanëve të Pezës, theu me sukses dhe u shkaktoi disfate, disa operacione të armikut, që iu sulën Pezës, duke djegur, vrarë e masakruar popullsinë e saj, por që nuk e mposhten dot Pezën. Populli dhe partizanet e vazhduan më me furi luftën çlirimtare nën komandën e Myslim Pezës që me popullaritetin e tij të rrallë e me devotshmërinë atdhetare u shqua, si një nga udhëheqësit më në zë të LANÇ, duke kryer me nder te gjitha detyrat që iu ngarkuan nga Këshillit i Përgjithshëm Nacional Çlirimtar. Emri i “Babë Myslimit” personifikon një Hero të rrallë popullor dhe do të mbetet kështu madhështor në zemrën e popullit pezak e të popullit shqiptar. 

Njësitë partizane të Pezës
Çetat që u krijuan gjatë vitit 1941- ’42:
-Çeta I Patriotike Antifashiste, pastaj Partizane: Komandant Myslim Peza, komisar Vasil Shanto. 
-Çeta II, zona Peqin-Rogozhinë, komandant Nuz Hakrama, Komisar Mahmut Agolli, Zv/komandant Sherbet Harizi. 
-Çeta III, zona Shijak-Ndroq, komandant Emin Çelmeta, komisar Xhevdet Petrela, Zv/komandant Ymer Kurti, komandant Nuz Hakrama, komisar Mamut Agolli, zv/komandant Ymer Kurti. 
-Çeta IV, zona Sheze-Hysgjokaj, komandant Like Çeta (me pas Abdi Mati), komisar Beqir Dibra. 
-Çeta V, zona Fier – Shegan – Ura e Devollit, komandant Novruz Gjergjova, komisar Sali Verdha. 
-Çeta VI, zona Kryezi-Kavajë, komandant Abdi Kaçalli, komisar Shpend Dega.
Batalionet që u krijuan gjatë vitit 1943:
-Batalioni i Pezës, 15.03.1943, komandant, Myslim Peza, komisar Mustafa Gjinishi;
-Batalioni I, 12.09.’43, zona Peqin –Rrogozhinë, komandant Nuz Hakrama, komisar Kozma Nushi. 
-Batalioni II, 9.09.’43, Bulticë, komandant Bejto Bultica, komisar Lodovik Shllaku.
-Batatalioni III, 12.08.’43 zona Kryezi, komandant Kajo Karafili, komisar Salë Verdha.
-Batalioni IV, 30.07.’43, zona Shahinaj, komandant Muharrem Kokomani, komisar Mark Kuli. zv/komandant Enver Begeja
-Grupi Partizan i Pezës, 18 korrik 1943, komandant Myslim Peza, e komisar Kristo Themelko. zv/komisar Toni Jakova, zv/komandant Nazmi Kaba.
Operacione dhe beteja
Si u vra Myrvetja, e fejuara e Kajo Karafilit 
Duke kujtuar pjesëmarrjen e tyre në njësitë e formuara në trevën e Pezës, dy ish- partizanët, sot anëtarë të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve, Sherbet Karuli e Nexhmi Menzelxhiu, rrëfejnë për gjashtë operacionet më të mëdha të ndërmarra në zonë nga ushtritë e Benito Musolinit e Adolf Hitlerit:
1 – Operacioni i forcave fashiste italiane i 28 shtatorit 1942. Morën pjesë: 6 batalione të milicisë fashiste, të karabinierisë dhe të rojeve të financës. Qëllimi: të shkatërrohet Çeta e Pezës dhe të ndëshkohet me terror popullsia. Partizanët pezakë të mbështetur fuqimisht nga populli, në sajë të një taktike të shkathët i shpëtuan rrethimit, për ta goditur armikun në shpinë. Fashistët italianë kryen akte të shfrenuara terrori. Në një dokument të Komunës drejtuar MPB, thuhet: “Një kasaphanë burrash, grash vramë pa mëshirë, fëmijë të vegjël, më i vogli 2 vjeç. Grabitje të hollash, djegie shtëpish, marrje bagëtish të trasha dhe të imta…’’ (AQSh 3 tetor 1942). Por pezakët nuk u mposhtën. Çeta mbeti e paprekur, madje u rrit më shumë e pas operacionit u bë më aktive në aksione.
2 – Operacioni kundër Pezës, 13-18 qershor. Morën pjesë forcat fashiste të Divizionit “Brenero”, Regjimenti i kavalerisë “Firence”, 6 batalione këmishëzinjsh dhe një grup karabinierësh; gjithsej 14.000 vetë, kundër jo më shumë se 500 partizanëve e vullnetarëve. Fashistët, komandoheshin nga gjeneral Spataco, dhe gjeneral Pricivale. Lanë pas, një Pezë të djegur, e të masakruar, por pa ia arritur qëllimit. Partizanët duke manovruar në grupe të vegjël i dhanë armikut, goditje në krah e në shpinë. Morali i katundarëve dhe i grave, qe i shkëlqyer. Gratë, si sokolesha, nën zjarrin e pushkëve e të topave u çonin bukë luftëtarëve deri në pozicione.
3 – Operacioni nazisto-ballist “505”. Merrnin pjesë forca të tre divizioneve gjermane (100, 297, dhe 118). Operacioni filloi më 6 nëntor ’43, dhe vazhdoi 6 ditë. Në Pezë ndodheshin edhe forca të brigadës III “S” partizane. Edhe azistet vranë qindra njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, e pleq; dogjën shtëpi, por nazistët u thyen përsëri. “Beteja kundër gjermanëve në Pezë – shkruante ‘Zëri i Popullit’ ato ditë morri fund me triumfin e armëve nacional çlirimtare. Flamuri i Skënderbeut valon i lirë në brigjet e Pezës heroike.” Dhe humbjet gjermane, nuk ishin të vogla. Siç deklaronte Komandanti i Korpusit XXI gjeneral Fehn; “Myslim Peza me partizanet e tij ndodhet përsëri në perëndim të Tiranës dhe kanë kryer përsëri sulme të befasishme kundër kolonave gjermane” (AIH .DUGJ.’ Raport:100/3, 29 Nëntor, T 314/662) Një dëshmitar të kohës pohon se, pati nga ana e armikut shumë të vrarë e të plagosur që ata i ngarkuan mbi 9 makina. 
4 – Lufta e Arbanës. 9.10.’43, ku morën pjesë mbi 2000 forca naziste me tanke, në grykën e Erzenit. U kundërsulmuan nga forcat e Grupit të Pezës dhe të Brigadës III “S”. Nazistët patën humbje të mëdha, me 107 të vrarë dhe 300 të plagosur. Për këtë ka shkruar në Ditarin e tij edhe komandanti nazist i operacionit, Herman Frank, duke e njohur si disfatë të rëndë. Ai shkruan; “…ramë si në një grackë në fund të një kazani… Ata na qëllonin me mitraloza nga kodrat lart… Nuk dimë si do të dalim gjallë nga Shqipëria”.
5 – Lufta në mars 1944 kundër sulmit nazist eballist, në Lispatros, kundër batalionit të Kajo Karafilit që përfundoi me disfatë për armikun. Ranë duke luftuar me heroizëm Myrvete Peza, Mustafa Lleshi dhe Bajram Tusha.
6 – Lufta për të çarë rrethimin e batalionit të Parë kundër 800 nazistëve dhe 500 ballistëve në Germaj të Kavajës më 1 qershor 1944, ku me heroizëm u ça rrethimi edhe me ndihmën e çetave vullnetare të fshatrave përreth, dhe nazistët u tërhoqën, pasi lanë 40 të vrarë. Aty ra heroikisht komisari, Maliq Muço, Dehgjel Harizi, Shaziman Harizi, Sadik Barhysa, Islam Ymeri dhe partizani italian Erminio Kastino. Duhet theksuar më në fund se në Pezë ka shkelur këmba e 75 mijë nazifashistëve. Aty, kanë lënë kockat edhe nipi i Geringut oficeri Fon Eten si dhe koloneli fashist Ludoviko De Bartelomeo. Po kështu me 24.5. ’44, partizanët kanë rrëzuar edhe një aeroplan zbulimi nazist. 
Sigal