Masakra e Vlorës, rreth 600 burra internohen për 10 ditë

1708
Sigal

Nga Ergys ALUSHI

Edhe pse kanë 75 vjet nga ajo që konsiderohet si “Masakra e Vlorës”, kësaj ngjarje asnjëherë nuk i është kushtuar vëmendje si nga pushteti komunist i para vitit 1990, por as nga qeveritë pas rrëzimit të komunizmit. Asnjë datë përkujtimore, asnjë libër, asnjë muze që të përkujtoj ngjarjen, e cila konsiderohet nga më të rëndat në historinë e Vlorës.
Ngritja e një obelisku që do të përkujtojë këtë ngjarje është hapi i parë i ndërmarrë nga shoqata e familjeve të të internuarve dhe bashkisë së Vlorës.

 

Petro Marko për ngjarjen

“Me të hyrë në Vlorë, njeriu ndjen diçka që i kujton të kaluarën. Po vajtimi i grave dhe ligjërimi i plakave të sjell në kohët e sotme? Sa nuk u kthyen nga kampet e vdekjes? GJASHTËQIND vlonjatë, u dorëzuan nga tradhtarët,te kasapët e Hitlerit, e sa u kthyen? Njëzet, tridhjetë, dyzetë, sa? Atë që pësoi Vlora, nuk e pësoi asnjë vend tjetër. GJASHTËQIND martirë dhanë jetën e tyre në kampet e vdekjes, duke mallkuar ata vlonjatë tradhtarë e të poshtër, që kujtuan se me të tilla krime do të shuanin flakët e patriotizmës që ndizet për jetë në tokën e bekuar të Vlorës”.

Kështu do ta përshkruante Petro Marko, atë që përjetoi në qytetin e Vlorës, në një shkrim të botuar, në datën 7 gusht 1945, në gazetën “Bashkimi”.

Titulli do të ishte rrëqethës, “Vlora në kujë”.

Përse ngjarja u la në harresë

Përse vajtonin gratë e Vlorës?
Çfarë gjëme i kishte ndodhur Vlorës? Lufta kishte disa muaj që kishte përfunduar, por në qytet dëgjohej ende kuja e asaj që kishte ndodhur. Që nga ajo kohë, askush nuk kishte shkruar publikisht për atë çfarë kishte ndodhur në Vlorë, dhe shkrimi i Petro Markos do të ishte i pari.

Por fatkeqësisht, do të ishte edhe i fundit, sepse ngjarja e rëndë, do të lihej në heshtje përgjatë gjithë viteve të pushtetit komunist, do të lihej në harresë, e larg vëmendjes së opinionit.

Në 25 tetor-6 nëntor 1943, gjermanët kryejnë një akt të paprecedentë për Shqipërinë. Rrëmbejnë në mënyrë rrufe, dhe pa ndonjë arsye të dukshme, mbi gjashtëqind qytetarë vlonjatë, i hipin në kamionë të mbuluar dhe që nga ato momente, shumica e tyre nuk u pa më. Këta banorë u zhdukën në kampet e vdekjes në Gjermani. Përse një ngjarje kaq e rëndë do të lihej në harresë nga pushteti komunist? Aq më tepër që të gjithë këta njerëz u internuan nga një pushtues, i cili doli i mundur nga lufta, dhe pushteti komunist kishte një rast të mirë për ta përdorur për qëllimet e veta ngjarjen, e për ta përkujtuar si shumica e ngjarjeve kryesore të ndodhura gjatë Luftës. Që nga viti 1944 e deri në në vitin 1991, pushteti komunist, do të përkujtonte me të madhe masakrën e 4 shkurtit 1944, të ndodhur në Tiranë, ku brenda një nate u vranë 84 vetë, si edhe masakrën e Borovës, ku gjermanët vranë 106 banorë të këtij fshati. Por as masakra e Tiranës dhe as e Borovës, nuk do të ishte më e rëndë sesa ngjarja e Vlorës, për sa i përket numrit të viktimave, duke qenë më e rënda e ndodhura në Shqipëri gjatë viteve të pushtimit. Atëherë, kur ishte e përmasave të tilla, përse u la në heshtje nga pushteti komunist?! Përse nuk pati një datë apo memorial për ta përkujtuar? Ende sot, heshtja për këtë ngjarje, nuk e ka një përgjigje.

Vlonjatët strehues të hebrenjve

Përse gjermanët, edhe pse kishin vetëm pak ditë që kishin hyrë në Shqipëri e në Vlorë, të tregoheshin kaq të pamëshirë me qytetarët e Vlorës? Apo gjermanët nuk mund t’ia harronin e t’ia falnin Vlorës e vlonjatëve, që kishin mirëpritur e strehuar disa herë hebrenjtë e përzënë vazhdimisht nga Evropa! Kur hebrenjtë u dëbuan nga Spanja, në fund të shekullit XV, dhe u pranuan për t’u strehuar nga Perandoria Otomane, pjesa më e madhe e tyre erdhën në territorin Otoman nëpërmjet portit të Vlorës. Imagjinoni dhjetëra mijëra njerëz, burra, gra, fëmijë, pleq që zbresin nga anijet në një vend të huaj, në një qytet të vogël, ose më saktë në një fshat të madh Otoman të fund-shekullit XV. Ata mund të kenë mbijetuar vetëm falë solidaritetit të jashtëzakonshëm të banorëve të Vlorës dhe të fshatrave përreth qytetit. E njëjta histori u përsërit edhe në fillim të shekullit XVIII, kur Spanjollët, të cilët kishin pushtuar Mbretërinë e Napolit në Italinë e Jugut, i dëbuan hebrenjtë edhe prej andej. Edhe këta hebrenj, u pranuan nga Perandoria Otomane, që erdhën nëpërmjet Vlorës. Gjermanët, të cilët i kishin studiuar mirë arkivat Otomane, kishin dijeni për këto ngjarje. Prandaj ndoshta ata vendosën që ta ndëshkojnë Vlorën, për këtë bujari të treguar ndaj hebrenjve.

Vlora komuniste, alarmohen gjermanët

Por ajo që do të kulmonte në ditët midis 25 tetorit dhe 6 nëntorit 1943, kishte filluar disa ditë më parë. Sipas një raporti të detajuar të komandës Gjermane, në datën 10 tetor 1943, flitet për një tjetër operacion kundër komunistëve. Komandanti lokal gjerman për Vlorën, majori Jaquet, komandant i batalionit I të regjimentit të 54-t të gjuajtësve alpinë, i raporton hollësisht shefit të shtabit të përgjithshëm të Korparmatës së 21-të malore, kolonelit Kaulbach, për gjendjen e përgjithshme që ekzistonte në qytetin e Vlorës. Sipas raportimit të komandantit lokal, mësohet se Partia Komuniste, përfshinte rreth 60-70% të krejt popullsisë së këtij qytetit. Partia Komuniste, me anë të shpërndarjes gjerësisht të trakteve dhe ngjitjes së afisheve nëpër mure, u bëri thirrje tregtarëve për bojkotim, duke ndezur kësisoj një luftë të brendshme në këtë qytet, e cila do të kurorëzohej me një kryengritje kundër gjermanëve, nga mesi i tetorit. Plaçkitjet dhe vjedhjet, në depot e armëve të municionit dhe veshmbathjes së ushtrisë italiane, dhe në stacionet e spitaleve ushtarake, kryheshin në mënyrë të planifikuar, dhe në shkallë të gjerë. Duke ditur se çdo ditë po tërhiqeshin trupa gjermane nga kjo zonë, mendonin se deri nga mesi i tetorit, do të arrihej një dobësim i trupave gjermane në Vlorë dhe rreth saj. “Sjellja korrekte e gjermanëve në Vlorë u mor si dobësi” – do të shkruante ndër të tjera në raportimin e vet nga Vlora, komandanti gjerman lokal. Ndikuar nga kjo situatë, e cila vlerësohej alarmante për qetësinë dhe sigurinë e trupave gjermane, u vendos që të ndërmerrej një operacion spastrimi kundër komunistëve, arrestimin e udhëheqësve të tyre, me qëllim parandalimin e një kryengritjeje kundër ushtrisë gjermane.

Operacioni i 10 tetorit, fillimi i masakrës

Për realizimin e këtij operacioni, u vendos të rrethohej i gjithë qyteti.
U bllokuan të gjitha rrugët dhe daljet nga qyteti, u vendos patrullimi 24 orë në qytet, me qëllim mosdaljen e banorëve nëpër rrugë. Për bastisjen e mirëfilltë, u caktuan 8 grupe, nga një grup për çdo lagje, ku çdo grup përbëhej nga 20 deri në 25 ushtarë. Në ditën e operacionit të bastisjes, qyteti ishte bllokuar nga brenda dhe jashtë, duke filluar nga ora 4 e mëngjesit. Në orën 4, u zhvillua bisedimi i fundit në komandaturën lokale. Çdo grup kishte një listë të udhëheqësve të Partisë Komuniste, që duheshin arrestuar. Në orën 4.30, grupet gjermane u nisën menjëherë në të njëjtën kohë në lagjet e veçanta të caktuara, dhe filluan me arrestimet e udhëheqësve komunistë sipas listës. Një pjesë e komunistëve që u arrestuan, të cilët ishin futur në krevat me revolver të ngarkuar, me pushkë të ngarkuar dhe me bomba dore, bënë rezistencë, por kjo rezistencë e tyre u thye me shpejtësi dhe në mënyrë energjike. Shtëpitë e personave që do të arrestoheshin, në mënyrë të planifikuar u rrethuan, kështu që ishte e pamundur të iknin. Udhëheqësit e grupeve hynë në këto shtëpi bashkë me 3-4 ushtarë, nga më të fortit, arrestuan komunistët dhe bënë një kontroll të hollësishëm të shtëpive, nga bodrumi deri në çati, për të kërkuar municion, armë dhe plaçkë tjetër të zënë italianëve. Në këtë mënyrë u zu një depo e madhe armësh dhe municioni, me armë dore të rënda e të lehta, rreth 3 ton municion dhe sasi të mëdha veshmbathjesh dhe pajisesh italiane, si edhe materiale mjekësore. Aksioni përfundoi rreth orës 8.00. U arrestuan gjithsej 393 vetë. Mbas një kontrolli të hollësishëm të të gjithë të arrestuarve, me ndihmën e përkthyesve, në bazë të të dhënave të autoriteteve u mbajtën 106 komunistë, tek të cilët u gjendën armë dhe municion. Komunistët që u mbajtën, u futën në burgun civil të qytetit dhe të nesërmen u dërguan në Semlin, afër Beogradit. Gjatë një kontrolli të të sëmurëve në spitalin civil, u zbuluan 6 partizanë të plagosur. Në zyrën e spitalit civil, të fshehura mbrapa akteve, u gjendën revolverë, municion gjerman dhe italian, si dhe bomba dore. Me këtë ndërhyrje të befasishme, u arrit që të zbulohen dhe arrestohen të gjithë udhëheqësit kryesorë të pranishëm në qytet. Në këtë mënyrë, u krye plotësisht detyra, dhe u ndalua kryengritja e planifikuar e Partisë Komuniste.

Kujtimet e Rrahman Përllakut për ngjarjen 

Në kujtimet e tij, Rrahman Përllaku, komandanti i njësiteve guerile të qytetit për kohën, i cili nuk u arrit të kapej nga operacioni gjerman, rrëfen kështu për operacionin e datës 10 tetor 1943: “Më datën 10 tetor 1943, bëhet shtet-rrethimi i Vlorës dhe kontrolli i rreptë në të gjitha familjet e dyshuara për pjesëmarrje në Luftën Nacional-Çlirimtare. Gjermanët janë shoqëruar dhe orientuar nga eksponentë të Ballit Kombëtar, për arsye se xhandarmëria e kishte humbur besimin e gjermanëve, dhe kjo në veçanti, pasi komandantit të xhandarmërisë së Vlorës, major Engjëll Vaso, i kishin gjetur një letër për Rrahman Dibrën (Përllakun). Në këtë aksion, – vazhdon rrëfimin e tij Rrahman Përllaku, – Engjëll Vason e internuan në kampet gjermane. Kontrolli i rreptë, u bë në bazat e dyshimit, sepse me Ballin, deri në ato momente ne ishim në bashkëpunim të hapur dhe e njihnim mirë njëri-tjetrin. Unë kujtoj arrestimin e rreth 400 vetëve, por edhe një ngjarje të asaj kohe, kur 17 veta nga 106 personat, janë pushkatuar në Resnjë të Ohrit, gjatë rrugës për në internim. Kjo, sepse njëri nga të arrestuarit, Miço Jemini nga Tërbaçi, u hodh nga kamioni për të shpëtuar, por e kapën. Për të bërë shembull, gjermanët morën nga një person për çdo kamion, 17 në total, dhe i pushkatuan në vend. Nga grupi prej 106 vetësh, mbaj mend se janë kthyer vetëm katër vetë, të tjerët mbetën aty, – e përfundon kujtimin e tij për ngjarjen, ish-komandanti i njësiteve guerile për Vlorën e vitit 1943.

Operacioni 10 ditor

Operacioni i spastrimit të 10 tetorit 1943, i shton edhe më shumë radhët e viktimave vlonjate nga reprezaljet naziste dhe bashkëpunëtorët e tyre. Gjermanët nuk do të ndalen vetëm me operacionin e datës 10 tetor. Vetëm disa ditë më vonë, e pikërisht në 25 tetor, do të nisin një tjetër operacion ndëshkimi për familjet vlonjate, i cili do të vazhdojë deri në datën 6 nëntor. Operacioni 10 ditor, i kaloi të gjitha parashikimet. Me ndihmën edhe të të besuarit të tyre në Vlorë, Vizhdan Risilia, ata do të rrëmbejnë qytetarë të tjerë të Vlorës. Në situatën e re, detyra kryesore ishte vendosja nën kontroll e qytetit, dhe rajonin e trazuar, trazim, i cili në nëntor 1943-shit ishte bërë acarues. Sulme nëpër fshatrat e Vlorës ndaj gjermanëve, atentate e aksione në qytet. Në skenën e madhe evropiane të Luftës, fitorja kishte nisur të anonte qartazi nga njëra palë, dhe ata nuk ishin gjermanët. Gjëja e fundit që nazistët kishin nevojë në këto rrethana, ishte pamundësia për të tërhequr trupat drejt veriut, në rast nevoje.

Qytetarët do të rrëmbeheshin kudo ku ata gjendeshin, në shtëpi, në rrugë, lokal apo mjedise të ndryshme, pa asnjë lloj shpjegimi. I hipnin në kamionë të mbuluar, e pasi i grumbullonin në kazerma të ngritura jashtë qytetit, i nisnin për në kampet gjermane të përqendrimit.

Për nga numri i popullsisë, numri i të internuarve nga qyteti i Vlorës, është më i madhi, jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë sesa kaq. Ishte një masakër e pa precedentë, që kryhej vetëm në Vlorë, dhe pa ndonjë arsye madhore, që të kishte lidhje me kohën në të cilën ndodhi. Hipotezat, se përse gjermanët u treguan kaq mizorë me qytetin e Vlorës, janë të shumta, ende dhe sot, historiografia nuk e ka arsyen e vërtetë që solli masakrën që njihet me emrin “600 e Vlorës”. Gjithsesi, edhe pse është tejet e rëndë për sa i përket numrit të viktimave, masakra e kryer midis datave 25 tetor – 6 nëntor 1943, është një tjetër sakrificë e popullit të Vlorës, në Luftën e Dytë Botërore, si qyteti e krahina që bashkë me peshën që mbajtën në luftën kundër pushtuesit, kanë regjistruar edhe numrin më të madh të të rënëve në Luftë për çlirimin e atdheut.

Vizhdan Risilia, përgjegjës për masakrën

Ja se çfarë shkruan në librin e tij “Prefektët e Qarkut të Vlorës 1912-2012” studiuesi Enver Memishaj: “Me të ardhur gjermanët në Vlorë, në shtator të vitit 1943, atë (Vizhdan Risilinë) e emëruan prefekt të Vlorës. Xhelal Staravecka thotë se: “Në mes të atyre që ishin gjermanofilë dhe antikomunistë, Vizhdan Risilia ishte më i ndershmi dhe i sinqerti”. Edhe vëllai i Vizhdanit, Enver Risilia kishte kryer studimet e larta ushtarake në Vjenë. Në kohën që erdhën në Vlorë nazistët gjermanë, major Enver Risilia mori komandën e Ballit Kombëtar të Vlorës, në janar 1944, kur Balli Kombëtar ishte në shthurje. Të dy vëllezërit mbajnë përgjegjësi përpara popullit të Vlorës, dhe historisë, për bashkëpunimin haptazi me gjermanët, në dëm të interesave kombëtare. Veçanërisht Vizhdani, në bashkëpunim me nazistët gjermanë, në vjeshtën e vitit 1943, shpuri në internim 349 vlonjatë”