Masakra e Dukajve gjatë LANÇ, si ajo e Borovës

1398
Sigal

(Bilanci 12 të vrarë, 1 i plagosur dhe 75 shtëpi të djegura)

Ishte viti1944, si kudo në vendin tonë sundonte zia, vendi ishte i pushtuar nga nazistët gjermanë. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Fshati Dukaj ishte i lidhur ngushtë me frontin e çlirimit, prej tij 50 djem dhe vajza kishin rrokur armët dhe luftonin në front në radhët partizane, mbi 70 forca të tjera ishin organizuar në çetën partizane territoriale dhe kryenin veprime luftarake brenda rrethit si në betejat në Qafën e Miricës, në luftën e Shkallës së Zezë, në betejën e përgjakshme për çlirimin e fshatit Dukaj dhe shumë aksione të tjera luftarake. Për armikun qëndrimi atdhetar i dukjotëve ishte një nga arsyet kryesore, si dhe pozicioni gjeografik i këtij fshati së bashku me punimet fortifikuse: tuneli në Shkëmbin e Prerë, transhetë mbi lagjen “Haxhiaj”, në “Muçaj”, në “Qataj”, në Shkozën e Allkajve dhe rreth shkollës së fshatit, punime, të cilat i kishte kryer ushtria italiane gjatë vitit 1940 – 1941 dhe i kishte inspektuar vet Duçja. Nazistët dhe aleatët e tyre, ballistët për t’i shfrytëzuar këto rrethana në ditët e para të janarit u futën në fshat me forca të shumta nazisto-balliste. Për të bërë presion mbi fshatin krijuan komandën e përbashkët gjermano-balliste, ku forcat e ballit komandoheshin nga Haki Shefiku.

Ballistët dhe oficerët gjermanë kontaktin e parë e morën me përfaqësuesit e Këshillit Nacionalçlirimtar dhe persona me influencë në fshat. Kërkesa kryesore ishte që çdo familje të jepte një burrë për të shkuar me forcat e ballit kundër Frontit të Çlirimit dhe partizanëve që ishin në vijën e parë përballë armikut. Në bisedime hasën në rezistencë të dukshme megjithëse në rrethana lufte luhet dhe me diplomaci. Dukjotët ishin lidhur besa-besë, që nuk do të pranonin të viheshin në shërbim të armikut. Kështu që presioni i disa ditëve, më shumë se një jave po shkonte kotë. Pulat e fshatit mbaruan dhe po mbaronte edhe buka e fëmijëve, dukjotët nuk lëviznin nga pozitat e tyre edhe pse armiku çdo ditë e më shumë shtonte dhunën mbi ta. Nazistët të mirinformuar nga aleati i tyre, ballistët që i kishin brenda në komandë, pasi u bindën se banorët e fshatit po bënin rezistencë të hapur, vendosën që shtëpinë e Teme Muçaj dhe shtëpinë e Vesel Muçaj, dy kushërinj të parë që jetonin brenda një oborri dhe me një banje jashtë banese i kthyen në burg për rreth 60 burra e gra të fshatit. Në fillim morën veprimtarët kryesor dhe njerëzit më me influencë por çdo ditë burgu pasurohej me pjesëmarrës burra e gra deri sa arriti në gradën që jeta e tyre rrezikohej për shkak të kushteve tmerrësisht të vështira. Brenda dhomave të burgosurit nuk ngopeshin me frymë, nuk kishte vend të ulej apo të shtrihej njeri, kushtet higjienike ishin tepër të këqija, ushqimin që çonin familjarët e të burgosurve në shumë raste nuk ua jepnin, te ftohtit ishte i papërballueshëm. Thuajse u krijua shtet-rrethim brenda fshatit dhe nuk lejohej lëvizja e banorëve për nevoja familjare. Të burgosurit biseduan me njeri tjetrin dhe lidhën besën. Ne nuk do të pranojmë të shkojmë në fronte me pushtuesit dhe të vrasim djemtë dhe vëllezërit tanë që po luftojnë për çlirimin e vendit në radhët partizane. Më datën 15 janar komandanti i ballit i shoqëruar edhe nga oficerë nazistë biseduan me të burgosurit dhe u dhanë ultimatum: –“Kini dy ditë afat, në se nuk plotësoni kushtet do të pushkatoheni të gjithë dhe fshatin do ta djegim”. Të burgosurit zgjodhën një përfaqësi me në krye trimin Hysen Osman Hysomataj, i cili do të përfaqësonte bisedimet me komandën ballisto-naziste.

Më datën 17 janar 1944, para dite komanda gjermano-balliste bisedoi me të burgosurit dhe hasi në të njëjtën rezistencë si dhe ditët e tjera. Trimi Hysen Hysomataj, një naftëtar revolucionar u dha këtë përgjigje ballistëve që kuptonin shqip, të cilën duhet t’ua përkthenin mirë aleatëve: “Ne ja kemi dhënë besën Partisë Komuniste Shqiptare që lufton ndaj pushtuesve dhe nuk mund të vijmë në radhët tuaja të vrasim djemtë dhe vëllezërit tanë në fronte, cilado qoftë masa juaj, e kemi marrë parasysh.

                Përgjigja që u dha, nuk pritej sipas logjikës nazisto-balliste. Situata u acarua dhe të parin person pushkatuan partizanin me uniform, bir i fshati Dukaj, Ismail Osman Bejko që e mbanin të burgosur veç, në shkollën e fshatit. Atë e pushkatuan të prangosur këmbë e duar me zinxhirë në oborrin e shtëpisë së tij para nënës, gruas dhe fëmijëve. Të burgosurit i rreshtuan para murit te shtëpia e Brahim Ziflo Bushit: Të parin hipur mbi mur ekzekutuan ne sy te familjareve kryetrimin Hysen Osman Hysomataj; të dytin vëllain e tij, Kamber Osman Hysomataj dhe seria e pushkatimit vazhdoi me Hyso Qerim Hysaj, Hekuran Metush Beja, Hamit Barjam Bërxhaj, Muharrem Caush Halilaj, Teme Myslym Muçaj, Selfo Ziflo Prastaj, Doko Dino Muçaj, Kaso Isa Islamaj dhe vocërrakun e gjorë, pionierin 13 vjeçar, Hakik Barjam Varfaj, trupat e të cilëve ranë njëri mbi tjetrin në oborrin e Brahimit. Elmaz Muçaj një adoleshent mundi të çaj rrethimin dhe vrapoj të largohej por u plagos lehtë në trup nga të shtënat e një patrulle gjermane. Pas kësaj tragjedie të rëndë, nazistë e ballistë me shishe benzine në dorë u lëshuan si bisha mbi shtëpitë e fshatit dhe dogjën 75 prej tyre duke i lënë familjet në mjerim të plotë psikologjik dhe ekonomik. Ende jetojnë dhjetëra banorë dukjotë që janë dëshmitarë okularë të kësaj skene makabre, e cila i përngjet ngjarjes së Borovës martire. Këtë masakër banorët e fshatit e satirizuan me vargjet:

                      “O tradhtarë faqe rrogoz

                       Ҫ’i bëtë pushkë e mitraloz?!

                        Vratë, pretë e bëtë kërdi,

                        S’latë pleq e çilimi,

                        E latë popullin pa shtëpi.

                        O tradhtarë o faqezi

                        Ҫ’bëtë kështu a derëzi,

                         Pse u bashkuat me dushmanë?

                         Për të djegur vatanë!

                         Po kur u çlirua Shqipëria,

                         Tej Shkodrës, diku u panë,

                         Po marshonit me gjermanë,

                         Duke tradhtuar vatan,

                         Pse vepruat kështu more dushmanë?!…”

                I gjithë “mëkati” i bijve dukjotë ishte fakti që i shërbyen atdheut duke sakrifikuar jetën, pasurinë dhe çdo mjet jetese. Kush përpiqet të abuzoi me gjakun e dëshmorëve, si dje, sot dhe në të ardhmen, ka e do të ketë një emër: – Tradhtar i vendit të vetë.

                 Në kuadrin e 70- vjetorit të kësaj masakre makabre e barbare le të kujtojmë me ndjenjë të thellë respekti qëndresën, sakrificat sublime të banorëve të fshatit Dukaj, Tepelenë dhe gjakun e 12 dëshmorëve të Atdheut që ranë më 1944, ditën e mërkurë që ashtu siç urojnë banorët e tij, mos ardhtë më kurrë!

                Malo Qoshku, pasardhës veteran