Marrëveshja e 9 marsit 1997, skenar “nëndheshëm” i kupolës së PS për të amnistuar dhe mbajtur Sali Berishën në politikë

1188
Sigal

Nëse PS, nuk do të kishte pranuar Berishën në bisedime, ai  do të kishte dalë nga politika shqiptare, populli i jugut dhe 1000 ushtarakë e quajtën “Akt tradhtie”

Kishin kaluar 2 muaj të vështirë për Berishën dhe pushtetin e tij 5 vjeçar, pasi në janar 1997, kishte nisur e nuk po ndalej rebelimi popullor kundër tij dhe pushtetit të tij, nën akuzën për grabitjen e kursimeve nëpërmjet firmave piramidale. Opozita e majtë me në krye PS, vënë në komandë prej ish-liderit të liruar nga burgu, po e shfrytëzonte këtë protestë popullore, si një shans për të larguar Berishën nga pushteti absolut që kishte instaluar në vitet 1992-1997. Faktikisht, në 29 qershor 1997, Berisha humbi zgjedhjet, duke dorëzuar edhe “çelësin” e presidencës. Por, nuk u largua nga politika, por përkundrazi u vu aktivisht në krye të opozitës, për të vazhduar aktivitetin edhe sot që flasim, madje në vitin 2005 edhe duke rimarrë e mbajtur pushtetin për 8 vite radhazi. Shpesh, bëhet pyetja: Kush e mbajti Berishën në politikë, pas rënies dramatike dhe ngjarjeve të vitit 1997?

 Pazari i “nëndheshëm” i PS me Berishën, u shfaq në “Marrëveshjen e 9 marsit 1997”…

 Ajo që e mbajti Berishën brenda politikës aktive e madje komanduese shqiptare, ishte “Marrëveshja e 9 marsit 1997”, bërë mes partive politike dhe “Forumit për Demokraci” (Lubonja-Kola-Gumeni), për të nënshkruar një “pakt paqeje”. Nëse e majta me në krye PS, nuk do të kishte pranuar për t’u ulur në një tavolinë me ish-Presidentin Sali Berisha më 9 mars 1997, për të nënshkruar marrëveshjen me të, qysh nga dita e ikjes së tij nga posti i presidentit, Sali Berisha nuk do të ishte më në politikën shqiptare as si aktor e as si faktor përcaktues. Por PS, nëpërmjet një “pazari sekret” me Berishën, duke tradhtuar besimin e protestuesve, në datën 9 mars 1997 u ul në bisedime me Berishën, duke e vënë në krye të tavolinës së bisedimeve, me statusin e kreut të PD dhe të shtetit. Madje, PS ishte aq e shitur dhe e varur tek Berisha në bisedimet për marrëveshjen politike të 9 marsit 1997, sa gjithë bisedimet i komandonte Berisha, duke diktuar edhe tekstin e marrëveshjes, sipas interesave të tij. Kaq ka mjaftuar, që pas nënshkrimit të marrëveshjes, Berisha të rehabilitohej politikisht e ligjërisht (me amnistinë e shpallur prej tij), për të vijuar lojën dhe jetën politike, si palë e barabartë me PS dhe me krejt të majtën. Mjafton të kujtojmë, që pas ardhjes së PS e të majtës në pushtet në 29 qershor 1997, Sali Berisha nuk u trajtua nga PS as si shkaktar i tragjedisë kombëtare si ish-kreu i shtetit që jepte urdhra, por as si dëshmitarë i thjeshtë. Pushteti i PS, në bashkëveprim me drejtësinë dhe me Berishën, sipas pazarit të 9 marsit 1997, bëri disa arrestime e dënime formale fiktive të 6 zyrtarëve e ushtarakëve të PD, të cilët i akuzoi si “organizatorë të sulmit ushtarak mbi popullin, me bidonë me lëndë kimike, të hedhur me avionë”, të cilët po në pazar me Berishën, i liroi pas 6 muajsh me amnisti dhe dëmshpërblim financiar për 180 ditët e burgosjes. Ndërsa Berisha, jo vetëm nuk u prek nga drejtësia, por u trajtua si palë e barabartë dhe e preferuar politike prej PS, duke vijuar bashkëpunimin politik me të.

 Marrvëshja e 9 marsit 1997, rezultoi një akt demagogjie

 Në momentin kur u nënshkrua, “Marrëveshja e 9 marsit 1997” u konsiderua si një akt paqeje kombëtare, me protagoniste politikën e sidomos PS. Por kur u pa, që Berisha dhe ish-shtetarët e pushtetit të tij nuk “u shpuan as me gjemb” nga drejtësia për tragjedinë që shkaktuan në 6 muajt e rebelimit popullor të vitit 1997, shqiptarët kuptuan se ajo marrëveshje ishte një pazar demagogjik, aq sa është krijuar bindja, se PS e bëri atë marrëveshje vetëm për të marrë në mbrojtje Berishën dhe për ta mbajtur atë në politikën aktive si “lider”. Marrëveshja e 9 marsit 1997, nuk ishte një “pakt paqeje”, firmosur prej 10 partive politike shqiptare, por ishte një pazar i “nëndheshëm”, që PS e drejtuar nga Fatos Nano, bëri me njeriun që dogji dhe shkatërroi Shqipërinë (siç e quan edhe sot), që grabiti dhe futi shqiptarët në luftë me njeri-tjetrin, prej të cilës u vranë 3 mijë njerëz, u plagosën 25 mijë, u zhdukën 530 persona dhe u gjymtuan afro 4 mijë të tjerë. Berisha ngriti piramidat dhe prej tyre ra nga pushteti, duke përfshirë ekonominë dhe financat e qytetarëve e të shtetit, në një katrahurë e zjarr shkatërrues. Sipas studiuesve e analistëve, rezulton se “Marrëveshja e 9 marsit 1997”, ishte një nga kompromiset më të turpshme të tës historisë së PS e të së majtës shqiptare.

 PS e quajti Berishën, “heroi” i marrëveshjes së 9 marsit 1997

 Sali Berishën e mbajti në politikë Marrëveshja e 9 marsit 1997. Ishte një skenar i sajuar prej tij, që ai të vetë-shpallej “hero i paqes” në raport me katrahurën që kishte shkaktuar pikërisht, prej marrëzisë piramidale që ai instaloi dhe mbrojti deri në fund të ish-pushtetit të tij. Kishin kaluar vetëm 6 ditë, nga vetë-shpallja (3 mars 1997) e tij si President Republike për mandatin e dytë, me një vend në “Gjendje të Jashtëzakonshme”, kur në 9 mars 1997, Sali Berisha i falimentuar politikisht, inicioi, komandoi dhe realizoi marrëveshjen e përbashkët me PS dhe 9 parti të tjera politike majtas e djathtas, duke marrë rolin dhe meritën e “heroit” të kësaj marrëveshjeje. Aq ishte kupola e PS dhe të majtës nën urdhrat dhe në shërbim të Berishës, sa PS pranoi, që në emër të politikës shqiptare për marrëveshjen e arritur, Sali Berisha të takonte Ministrin e Jashtëm Italian, Lamberto Dini dhe të pronocohej në emër të politikës dhe Shqipërisë, me deklaratë publike në “Zëri i Amerikës”. Pas marrëveshjes që firmosi PS nën komandën e Berishës, në Vlorë u krijuan situata më të rënda, duke e quajtur marrëveshjen me Berishën, si “pazar i ndyrë politik dhe akt tradhtie ndaj popullit”. Komitetet e shpëtimit publik, pas marrëveshjes së PS me Berishën, nuk pranuan mes tyre asnjë drejtues politik të PS e të së majtës, të ishin prezent në tubimin ku kërkuan të bëheshin urgjent zgjedhjet e parakohshme, nisur edhe prej faktit që ish-qeveria “Meksi”, kishte dhënë dorëheqje qysh në datën 1 mars 1997, kur në 2 mars ishte miratuar ligji dhe vendimi “Për gjendjen e jashtëzakonshme”, ndërsa në 3 mars në situatë të Gjendjes së Jashtëzakonshme, Sali Berisha organizoi në një seancë parlamentare 10 minuta, mandatimin e tij si President Republike, me 113 votat e deputetëve të djathtë.

 Më 9 mars 1997, PS pranoi propozimin e Berishës për qeveri pluraliste

 Vetëm 2 orë pas nënshkrimit të marrëveshjes së PS me Berishës, po më 9 mars 1997, veshur me kostumin e “heroit të kombit”, pranuar ky rol i tij edhe nga PS, Sali Berisha ende President Republike, mblodhi krerët e 10 partive politike, duke u propozuar:

– Krijimin e “Qeverisë së Pajtimit Kombëtar”, amnisti për civilët e ushtarakët e përzierë në krimet dhe ngjarjet e periudhës janar-mars 1997. – Zgjedhje brenda qershorit 1997.

– Dorëzim të armëve brenda një jave.

– Shpalljen e “Zisë kombëtare për shqiptarët e vrarë në konfliktin civil e atë ushtarak.

Me gjithë arritjen e marrëveshjes, asgjë nuk ndryshoi në planet e civilëve të armatosur, të cilët po atë ditë vendosën kontrollin e armatosur mbi Beratin e Përmetin dhe të nesërmen mbi Kuçovën, Poliçanin e Çorovodën. Pas dekretimit të qeverisë së re me kryeministër ish krye-bashkiakun e Gjirokastrës Bashkim Fino, depot e armëve u hapën në mbarë vendin. Po ditën e marrëveshjes, më 9 mars 1997, afro 1000 ish-ushtarakë të lartë të ish-regjimit komunistë dolën në protestë dhe shpallën “mosbindjen ndaj marrëveshjes së 9 marsit 1997”, duke e konsideruar si “akt tradhtie kombëtare” dhe më 13 mars 1997 u hodhën në protestë në Tiranë, duke krijuar teren kaotik me grabitje prej bandave hajdute, plaçkitje, 2-3 vrasje si dhe hapja burgjeve në Tiranë.

——————————————————————

Ja 9 pikat e “Marrëveshjes së 9 marsit 1997”

 1. Parlamenti shqiptar të shpallë amnistinë e përgjithshme për të gjithë ata civilë dhe ushtarakë që u implikuan në revoltën e fajdeve.

2. Të krijohet një Qeveri e Pajtimit Kombëtar me përfaqësimin e të gjitha forcave politike në dialog.

3. Brenda një afati një javor të dorëzohen armët dhe municionet nga të gjithë qytetarët, në të gjitha rrethet e Shqipërisë.

4. Dita e diel datë 16 mars të shpallet ditë zie kombëtare për të nderuar të gjithë ata që humbën jetën gjatë kësaj periudhe.

5. Të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në një periudhë jo më larg se muaj Qershor 1997.

6. Zgjedhjet parlamentare të zhvillohen nën mbikëqyrjen e plotë ndërkombëtare.

7. Qeveria në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe të vendit duhet të marrë të gjitha masat për të ndihmuar me përparësi zonat e dëmtuara.

8. Të fillojë lehtësimi i gjendjes së jashtëzakonshme, deri në heqjen sa më të shpejtë.

9. Partitë të vazhdojnë dialogun.

————————————————–

Ja kabineti “Fino” që drejtoi në periudhën 9 mars-29 qershor 1997

 1.    Bashkim Fino-Kryeministër         PS

2.    Belul Çela-M. Brendshëm           PD

3.    Shaqir Vukaj-M. Mbrojtjes          PS

4.    Arian Starova-M. Jashtëm           ASD

5.    Arben Malaj-M. Financave          PS

6.    Spartak Ngjela-M. Drejt.             PLL

7.    Eduard Ypi-M. Privatizimeve      PD

8.    Astrit Kalenja-M. Shënd.             BK

9.    Myqerem Tafaj-M.Ars.Lartë        PD

10.    Luan Skuqi-M. Arsim-Sport      PD

11.    Haxhi Aliko-M. Bujqësisë         PSD

12.    Kastriot Shtylla-M. Energj.        PR

13.    Foto Dhuka-M. Transporti         PBDNJ

14.    Ëngjëll Ndocaj-M. Kulturës       PDK

15.    Elmaz Sherifi-M. Punës             PS

16.    Vasillaq Spaho-M. Turizmit       PR

17.    Ekrem Kastrati-S. Përgj KM.     PD

18.    Lush Përpali-Sek. M. Brend.     PS

19.    Ali Kazazi-Sek. Mbrojtjes          PD

20.    Pavli Zëri-Sek. M. Jashtme        PS

——————————————————————

Ja 4 pikat e programit të Qeverisë “Fino”

 1.    Stabilizimin e rendit publik dhe vendosjen e qetësisë.

2.    Stabilizim të situatës ekonomike dhe të furnizimit të popullit.

3.    Zotërimin e gjendjes financiare

4.    Përgatitjen e zgjedhjeve të lira.

———————————————

 Ja garancitë, që ka kërkuar Sali Berisha në 25 vite politikë…

 Raportet e Sali Berishës me shqiptarët, me shtetin, me politikën, me ndërkombëtarët  dhe me drejtësinë shqiptare, prej 25 vitesh kanë qenë të lidhura e të kushtëzuara me “garancitë” që ai kërkonte pas çdo ankthi që i krijohej për “zullumet” që bënte. Në 25 vitet e jetës së tij politike, Berisha përherë ka përdorur “garancitë personale” pas çdo oferte për t’u futur në politikë, pas çdo frike për dalje nga politika, përpara çdo pazari për marrje pushteti, pas çdo frike prej drejtësisë pas rënies nga pushteti. Përherë ka bërë pakte me kundërshtarët politik dhe “çdo pazar i ka ecur”, si në rastin e pazarit për të shpëtuar nga drejtësi e për të mbetur në politikë, nëpërmjet “Marrëveshjes së 9 marsit 1997”. Po publikojmë, skedat me garancitë që ka kërkuar Sali Berisha, qysh prej vitit 1990 kur u fut në politikë prej Ramiz Alisë e deri në 23 qershor 2015.

Ja 5 garancitë, Sali Berisha kërkoi e iu dhanë nga Ramiz Alia në vitin 1990

 1. Të mos kërcënohej dhe arrestohej nga sigurimi i shtetit kur të shante diktaturën.

2. Të çonin familjen e tij në një vilë qeveritare në zonë të sigurt dhe të ruhej me policë 24 orë.

3. Të mos i dekonspirohej fakti, që në lëvizjen studentore ishte futur nga diktatura dhe të sulmohej si “antikomunist”.

4. Të lejohej që përveç emrave që i kishte dhënë Ramiz Alia dhe sigurimi i shtetit, të fuste në PD, njerëzit që dëshironte ai.

5. Të lejohej nga Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, të shante Ramiz Alinë dhe Enver Hoxhën.

Ja 5 garancitë, që Sali Berisha kërkoi e iu dhanë nga PS, në “Marrëveshjen e 9 marsit 1997”

 1. Kërkoi ndihmën e Bashkim Finos, kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar, që

të bllokonte marshimin e 5 mijë protestuesve të jugut, drejt Tiranës.

2. Kërkoi ndërhyrjen e PS dhe të 3 krerëve të partive opozitare, për të bindur protestuesit, se ai do të jepte dorëheqje në një moment stabiliteti të vendit.

3. Kërkoi ndihmën e Romano Prodit dhe Franz Vrahnickit, për të kthyer mbrapa marshimin drejt presidencës dhe kundër tij, të 10 mijë jugorëve.

4. Kërkoi nga Romano Prodi dhe Franz Vrahnicki, që të largonte e të siguronte jashtë Shqipërisë vajzën, djalin e gruan dhe në një moment ekstrem edhe veten.

5. Kërkoi garanci jete e mos sulmi nga protestuesit e jugut, duke shprehur gatishmëri për të dhënë dorëheqjen e për tu dhënë pafajësi rebeluesve, nëpërmjet një amnistie kombëtare pa dallim krimesh.

Ja 5 garancitë, që Sali Berisha kërkoi e iu dhanë nga Fatos Nano, në 14 shtator 1998

 1. Të mos merrej në ndjekje penale për trazirat e ndodhura ditën e varrimit të Azem Hajdarit dhe 15 ditë më pas, kur u mbajtën peng tanket përpara selisë së PD

2. Të mos flitej që Sali Berisha ishe pjesë e skenarit të vrasjes së Azem Hajdarit.

3. Të mos merreshin në ndjekje penale 15 personat, që Sali Berisha i kishte përdorur në trazirat e 14 shtatorit

4. Të siguronte fëmijët e tij jashtë Shqipërisë, me trajtime të plota prej shërbimit qeveritar me punë, strehim e siguri fizike.

5. Të mos detyrohej të çohej me forcë përpara drejtësisë për akuzat e bëra për vrasjen e Azem Hajdarit.

Ja 5 garancitë, që Sali Berisha kërkoi e iu dhanë nga “Rilindja”, në 23 qershor 2013

 1. Të sigurohet jeta e Sali Berishës prej hakmarrjes së familjes së të zhdukurit Remzi Hoxha, prej familjarëve të 26 viktimave të Gërdecit dhe 4 të vrarëve të 21 janarit, të cilët në mungesë të veprimit të drejtësisë, i kanë shpallur “gjakun”.

2. Familja “Berisha”, të gëzoj përjetësisht statusin “Ish-familje qeveritare”, trajtuar me shërbime sigurie e mbrojtëse prej shtetit, të mos çohen fëmijët e tij përpara drejtësisë për pasuritë e vendosura gjatë pushtetit 2005-2013 dhe të mos merret vendim sekuestrimi.

3. Të degradohet e vonohet dosja e krimit për 4 vrasjet e 21 janarit 2011 dhe të jepet garanci që urdhëruesit e 21 janarit, të mos përfshihen në dosjen e gjykimit.

4. Të mos cënohen interesat koncesionare të TEC-ve dhe llogarive financiare të Damir Fazlliçit në Shqipëri, të mos preken kontratat koncesionare në import-eksportin e energjisë, lojërave të fatit, ngjyrosje karburantesh e të mos hapen dosjet e trafiqeve të armëve.

5. Të degradohet me vonesa, trajtimi i dosjes për 4 vrasjet e 21 janarit 2011 dhe të jepet garanci për mbylljen e saj përfundimtare

Përparim HALILI