Marko Boçari (1790-1823) Sipas epikës historike

1857
Nga Gëzim ZILJA
Bie borë e bie shi/U nxi jeta shumë u nxi/ Ngrehu Marko trimëria/Ngrehu të thërret Greqia/Të vijë Marko Shqipëria.
Marko Boçari lindi në Sul të Çamërisë. Gjatë viteve 1500-1600 suljotët, njerëz të lindur e rritur të lirë, të gjithë të krishterë, për t’i shpëtuar barbarizmave dhe skllavërisë osmane u shpërngulën nga fshatrat e tyre të Çamërisë dhe u vendosën, së bashku me familjet e tyre në krahinën e Sulit gjithë male e shkëmbinj, të ngritura si fortesa natyrore. Mendim tjetër është se i pari i tyre Gjon Boçari, ka qenë një nga luftëtarët e Skënderbeut, që pas vdekjes së tij Donika, e dërgoi në zonën Dukat-Tragjas-Radhimë në mbrojtje të tokave të saj, që i ishte dhënë prikë nga i ati. Kiç’(o) Boçari kishte tetëmbëdhjetë fëmijë nga tri martesa. Marko ishte fëmija i fundit (i pesti) nga martesa e parë me Krisulla Papazotin. Gjithsesi dihet saktësisht se suljotët flisnin shqip dhe nuk dinin greqisht. Më 1809 Marko Boçari, kur ndodhej në Korfuz, hartoi një fjalor shqip-greqisht me 1494 fjalë shqipe dhe 1701 fjalë greke i ndikuar nga babai Kiço Boçari, xhaxhai i vet Noti Boçari, dhe vjehrri Kristo Kallogjeri. Marko atëherë ishte 19 vjeç. Fjalori u shkrua për t’u ardhur në ndihmë suljotëve që jetonin në ishujt e Jonit e që nuk e njihnin greqishten. Kënga çame thotë: 
Kijo gluha arbërishte
Ishtë gluhë trimërishte
E fliti admiral Miauli
Boçari dhe gjithë Suli.
Fëmijërinë e kaloi në periudhën e luftërave të vazhdueshme të suljotëve të pamposhtur kundër Ali Pashës. Duhet përmendur se goditjen më të rëndë suljotëve ua dha Ali Pasha, duke i shkulur nga vendbanimet e tyre shumë shekullore. Me dinakërinë dhe mizoritë e tij ai arriti t’i pushtojë ato fortesa natyrore, që qëndronin të papushtueshme për qindra vjet, duke i detyruar suljotët të shpërndaheshin përkohësisht në fshatrat të Çamërisë, në Ishullin e Korfuzit dhe në ishujt rreth tij. Më vonë bashkë me shumë djem të tjerë shqiptarë si Zylyftar Poda, Çelo Picari, Odise Andruci, Gjergj Karaiskaqi etj. e gjejmë në oborrin e Ali Pashës, ku u stërvit si luftëtar e mësoi artin e luftës. Kënga e ngritur nga përkrahësit e Aliut, kur me suliotët ishin armiq thotë për Andrucin: 
Trimatë që rrite ti
Veshurë si arixhi
Vunë festen mbi sy
Bën’ be për perëndi
Ndë kryq që mbeson dhe ti
Që s’të bënetë fjala dy
Të hidhenë mbi Turqi
Andruci ndë Livadhi
Tuke thirrë: Lefteri
Vuri zjarrn’ ndë xhami
Piu gjak turku e dot su fry…
Dhe për Marko Boçarin: 
Pa kujtohu o plak Ali
Një dialë një çilimi
Qysh e keshe ndë avlli?
Një shejtan një qen i zi
Ndë nam të shkoi( ta kaloi nga fama) dhe ty
Dolli gjarpër me mëri
Preu dyzet kollëxhi
Ky qe Marko Boçari
Nëmë pastë!
Si ari, hidhetë mbi një ordhi… 
Luftërat midis turqve dhe grekëve kanë qenë mizore dhe të paimagjinueshme nga krimet dhe egërsia. Prerja e kokave të të vrarëve dhe ekspozimi i tyre si trofe, pjekja në hell dhe ngulja në hu për së gjalli e komandantëve kundërshtarë, plaçkitja dhe zjarrvënia e shtëpive, vrasja e të pafajshmve dhe shitja si skllevër me çmime të ulëta të robërve të luftës sidomos grave e vajzave ishte një veprim i zakonshëm nga fitimtarët e të dy krahëve. Më 1820 suljotët megjithëse armiq të betuar, bën marrëveshje me Ali Pashën, për luftë të përbashkët kundër pushtuesit turk, ndërkohë, që ky ishte shpallur fermanli nga Porta e Lartë. Si kompensim Pashai i Janinës i lejoi të vendoseshin sërish në vendbanimet nga ishin dëbuar. Prej andej suljotët në bashkëpunim të plotë me besnikët e Ali Pashës, sulmuan disa herë ushtrinë dhe karvanët turke, duke vrarë e zënë robër ushtarë dhe sasi të konsiderueshme armësh dhe ushqimesh. Në shumë këngë historike del figura madhështore e Marko Boçarit si luftëtar dhe udhëheqës. 
Markua me gunëmurrë
Me fustane përmbi gjunjë
I bëri turqit rrëmullë
Marko Boçari me vulë
Trim si ky s’do ketë kurrë.
Në letërsinë e kohës thuhet se me kostumin arvanitas, armët e lara në ar e argjend, trupin e lartë, e flokët e gjatë lëshuar mbi supe, dukej si një perëndi. Fransua Pukëvili në librin e tij mbi Ali Pashë Tepelenën, e përmend disa herë Marko Boçarin për bëmat e tij dhe e përshkruan të jashtëzakonshëm për nga bukuria fizike, si këngëtar e muzikant, për zgjuarsinë e trimërinë. Ai shkruan: (faqe 391) “ …Ashtu si dikur Akili i rrethuar nga thesaliotët e tij edhe kapedani i suliotëve Marko Boçari, mbeti mes kampit në buzë të liqenit me zemrën e mbushur plot pezm e hakmarrje…”. Madje myslimanët, turq e shqiptarë shpreheshin: Po të ishte mysliman do të besonim se vetë profeti ynë, është kthyer sërish në tokë. Gjatë revolucionit grek e caktojnë si Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Greqisë Perëndimore. Familjen me këtë rast e zhvendosi në Ankona të Italisë. Në një nga letrat që dërgonte porosiste të birin, Dhimitrin: Dua të shkollohesh, por veç kësaj dua të brumosesh me traditat suljote, të mbetesh ngaherë suljot, si ka mbetur tata i yt”. Në të gjitha këngët që kam mundur të gjej për Marko Boçarin pothuaj të gjitha ( me dy-tre përjashtime) flasin për natën e fundit, ku ai me 300 trimat suljotë bën përpjekje të jashtëzakonshme për të dalë nga rrethimi. Plani tij ishte i thjeshtë: Nga të treqind ‘’spartanët shqiptarë’’ ai veçoi gjashtëdhjetë me të cilët do të sulmonte çadrën e pashait turk për të vrarë komandantin e saj. Më vonë duke përfituar nga rrëmuja e krijuar të mund të çante rrethimin. Një natë para sulmit kemi këtë tablo: 
Ish një burrë trim i ri
I zeshkë mustaqezi
Po rrij me melankoli
Mbajti dorën mbi arbi
Mbaji vesh, sflit me njeri
Marko Boçari qe ky. 
Pasi parashtroi planin me komandantët e tij: 
Mbajti vesh e dëgjoi
Nga trimat e tij vështroi 
Shokët e tij numëroi
Treqind vet plot i mbloi
U thot: o shokë, o asllanë
Mos e gëzofshi dynjanë
A raja mbi turkallarë.. 
Zemërimi dhe urrejtja ndaj pushtuesit ishte aq e madhe sa edhe pse me pak njerëz nën komandë në krahasim me mijëra të armikut deklaron të pamundurën:
Sonëte do t’u derdhëm gjanë
T’u ndërrojmë din e imanë
Sonte t’u biem pranë
Katilerë e agallarë
T’i pritni me jataganë
As një mos liri të gjallë
Të shkuletë kjo farë
Se na poqi na vu zjarrë
Muhameti me kuranë.
Por rrezikun më të madh do ta marr si përherë mbi vete trimi i Çamërisë, Marko Boçari. Ai veçon gjashtëdhjetë luftëtarë, me të cilët do të sulmojë çadrën e pashait turk me qëllim asgjësimin e kryekomandantit: 
Vërtet nuk jemi shumë
Por do të bëjmë një punë
Ju të hidhi anembanë
Se un’ do të vras pashanë. 
Dhe më tej. 
Gjashtëdhjetë eni pranë
Do zëm’ për mjekre pashanë
T’i ndërrojmë din e imanë
Të dëgjojë dhe sulltani
Ç’është Marko Kapetani. 
Në përbërje të ushtrisë turke që kishin rrethuar Ali Pashën, bënte pjesë dhe një formacion shqiptarësh prej 3.000 vetësh nën komandën e Bushatlliut të Shkodrës. Prandaj ky luftëtar dhe shqiptar i madh porosit të vetët: 
Ngadalë o kordhëtarë
Bam mos bëni as mënjanë
Folni shqip me shqiptarë
Se do flas unë me shkodranë. 
Ka dy variante për vrasjen e tij: njëra thotë se e qëlloi kapedani i mirditorëve, i famshëm për trimërinë dhe egërsinë e tij, i quajtur Pre(ng)k Lleshi ose Lleshi i Zi dhe një tjetër ku vrasësi quhet “arap’’ pa sqarime të tjera. Në të gjitha këngët popullore që kam mundur të gjej përmendet fjala ‘’Arap’’ ose ‘’një arap me karabinë’’. Trimat e Sulit sulmojnë si e kishin zakon: 
O burra o shqiptarë
Trima shahina me pallë
Vrini karaull’ e parë
Vrini sa shihni me sy
Bini si ulqit mbë dhi.
Se ç’u ngritën nëpër gjumë
Turqit që qenë shumë. 
Në rrëmujën e krijuar, ku Marko kishte gabuar çadrën: 
Shkoi Markua si mbret
Pashanë kërkon e s’flet
Ndë çadrë nuk e gjet. 
Në sulmin e tij drejt tendës së pashait veprimet nuk shkuan sipas planit të komandantit. Jo gjithmonë perënditë janë me heronjtë. Sidoqoftë ata nga vdekja marrin lavdinë dhe përjetësinë:
Thirri pashai tashtinë
Ku është arapi ynë
Ças’ e mori karafilë(pushkën)
U ngul e shtroi sinë
Goditi bajrakn’ e mirë
Marko Boçarë shahinë. 
Kjo betejë do të ishte e fundit për Marko Boçarin, që u bë kurban për pavarësinë e Greqisë.
Vëllezër shqiptarë
Bini qënet sa më vranë
Merrmëni se jam i gjallë
Më mori plumbi në ballë.
Tërë trimat se çu sulë 
E bënë sa doli ujë
Djemt e Sulit me vulë
Shahinë mbi dorë e prunë
Mu ndë Mesolongj’ e shpunë
Mesolongja u helmua
Derdhi lotëtë si krua. 
Në folklorin e Çamërisë gjejmë vargjet:
Mbëloi zia Çamërinë
Çamërinë dhe Shqipërinë
Edhe të gjithë Gërqinë
/Na u vra një trim i rrallë
Marko Boçari me pallë
Shqiptari me ill në ballë
Për Shqipëri e për Eladhë… 
Në poemën kushtuar luftës për pavarësi të popullit grek shkrimtari dhe poeti i madh francez Viktor Hugo, do të shkruante midis të tjerash: 
…. O hije të shenjta Boçar, Josif, Kanar
Për Termopilat tuaja mbetët karakoll
…. Gjysëm perëndi nga lavdia ndritur. 
Shumë është shkruar për figurën e tij nga shkrimtarë të huaj, duke e krahasuar madje me Spartakun. Piktorë të famshëm na japin tablo të spikatura të portretit të tij deri në betejën e fundit. Është varrosur në Meso(lonjë)longj, në Kopshtin e Heronjve. 
Sigal