Marinsi shqiptar që u vra ditën e hedhjes së bombës atomike në Nagasaki

1372
Sigal

“Himarjoti Odise Koleka, ishte marins amerikan në anijen ‘Boria’”

Në përvjetorin e hedhjes së bombës atomike në Nagasaki, përkrah më shumë se 70 mijë viktimave që vdiqën nga hedhja e bombës së dytë, (tri ditë më pas asaj që u hodh në Hiroshima), ku kishin humbur jetën më shumë se 160 mijë viktima, përmendet edhe emri i një shqiptaro-amerikani, që ra larg vend hedhjes së bombave nga sulmi i aviacionit japonez. Edhe pse trupi i tij nuk u arrit të gjendej, emri i është shkruar në historinë e Amerikës dhe ka për dëshmi memorialin në varrezat e heronjve. Në mes shumë memorialeve, gjendet në Arlington-VA edhe ai i Odise Kolekës, djalit nga Vunoi. Guri memorial mban numrin 36-5 MF. Por çuditërisht, deri para pak kohësh, emri i tij ka munguar në kronikat e shtypit shqiptar, madje dhe në shtypin e diasporës nuk përmendej fare. Emri i Odise Kolekës nuk gjendet as në librin “Shqiptarët e Amerikës” të autorit Vehbi Bajrami me redaktor autorin e këtij shkrimi, botuar në vitin 2003, ku janë botuar listat e luftëtarëve dhe të heronjve shqiptarë në luftërat e Amerikës… Nuk gjendet as në listën e luftëtarëve apo dëshmorëve shqiptaro-amerikanë të luftrave të Amerikës. Marinsi me origjinë nga Vunoi i Himarës, shërbente në anijen ”Boria”. Para se të flasim për aktin final të betejës që u zhvillua mes anijes amerikane “Boria” dhe avionëve japonezë pas hedhjes së bombës në Nagasaki, ku humbi jetën heroi i Amerikës, shqiptari nga Vunoi i Himarës, le të tregojmë shkurtimisht historinë e familjes së tij, sipas dëshmive të përcjella nga vetë të afërmit e marinsit hero…

EMIGRIMI FAMILJAR NË AMERIKË

I ati i Odisesë, quhej Anastas Koleka dhe ishte nga Vunoi i Himarës. Ai ishte ndër ata shqiptarë që emigroi në Amerikë aty rreth verës se vitit 1906. Si shumë mërgimtarë të tjerë shqiptarë, edhe familja, edhe vetë Odiseja, i mbante të forta lidhjet me familjen dhe vendlindjen. Kështu vepronin shumica e shqiptarëve, të cilët punonin në Amerikë por nuk e merrnin që në fillim familjen atje nga frika e moskthimit. Madje, si gati të gjithë emigrantët e tjerë shqiptarë, ai u kthye në atdhe për të krijuar familjen. Kjo ndodhi pas 14 vjetësh. Ai kthehet në fshatin e tij Vuno, me qëllim që të martohej, siç vepronin pothuaj pjesa më e madhe e shqiptarëve të emigruar këtu. Anastasi qe martuar me Ollgën dhe pati kaluar shume kohë pas dasme, së bashku me nusen e re, Ollga Koleka, më 1920, merr rrugën e gjatë të rikthimit në kontinentin e largët. Pas kthimit vendosen në Lorean, Ohio. Familja e re u përshtat me atdheun e ri. Aty ju lindën dhe tre fëmijtë e tyre Kristo (Chris), Odisea(Ulysses) dhe Joana (Johanna). Anastasi dhe Ollga i edukuan fëmijët me dashurinë për Amerikën, por dhe me dashuri për Atdheun nga vinin prindërit e tyre, Himarën dhe Shqipërinë. Odise Koleka, në moshën 7-vjeçare, së bashku me nënën Ollgë, motrën Joana dhe vëllain Kristo, që ishte vetëm 2 vjeçare) u kthyen në vendlindjen e prindërve të tyre në Vuno. Gjatë qëndrimit, të dy vëllezërit vazhduan shkollën në Himarë. Më 1936 vëllai i Odisesë, Kristo (Chris) kthehet në Amerikë, ndërsa Odisea do të qëndronte atje dhe një vit më pas. Me largimin e djemve, u bë dhe një ndarje e tyre… Nëna nuk i pa më djemtë e saj. Jeta u tregua e ashpër. ndërsa motra e tyre, Johanna, nuk pa më me sy vëllain e saj Odisenë, kurse me vëllain tjetër, Kriston, do ta takohej mbas shumë vjetësh, kur ata ishin me flokë të bardha. Ollga, gjatë gjithë jetës së saj, mbeti një nënë me zemër e shpirt të përvëluar nga malli e dhimbja. Ajo do të mbetej gjatë gjithë kohës me vështrimin e përqendruar andej nga ktheheshin burrat prej kurbetit duke pritur si nënë zemër malluar kthimin e djalit. Me këtë ndjenjë qëndroi deri sa mbylli sytë nga kjo jetë në vitin 1970, mbas një sëmundje të gjatë. Dhe pse e sëmurë rëndë, sytë e saj gjatë gjithë kohës mbaheshin tek dy fotografitë që i kishte vendosur në mur… Njëra ishte fotografia e Odisesë me uniformën ushtarake, ndërsa tjetra ishte fotografia familjare.

BOMBAT NË HIROSHIMA E NAGASAKI

Japonia nuk e kishte marrë seriozisht deklaratën e presidentit amerikan Harry Truman, i cili kishte paralajmëruar prerë :”Japonia duhet të dorëzohet pa kushte, si shans i fundit për të shmangur një shkatërrim total”. Paralajmërimi i Presidentit Truman qe konkret dhe nuk fshihte tragjedinë e tmerrshme që mund të ndodhte si pasojë e mosnënshtrimit: “Nëse ata nuk pranojnë kushtet tona, ata duhet të presin një shi që do t’i shkatërrojë nga ajri, në një mënyrë që nuk është parë kurrë në tokë”-paralajmëroi Truman. Llogaritë qenë bërë të përpikta: Nëse do të pushtohej Japonia me forca, do të rrezikoheshin jetët e jo më pak se 1 milion vetëve, prandaj u vendos që Japonia të ndëshkohej me bombat e tmerrshme. Pse u zgjodh Hiroshima? Arsyeja ishte se u konsiderua si vend ideal, ndoshta edhe për arsyen se aty ndodheshin edhe depozitat kryesore të furnizimit të ushtrisë japoneze.

BOMBARDIMET

Me 6 gusht 1945, aty rreth orës 8:15, qe lëshuar prej luftanijes amerikane “Augusta” njëra prej bombave të tmerrshme, që përmbante 20 mijë ton eksploziv. Bomba qe pagëzuar me emrin “Litle boy”, duke iu referuar presidentit Rusvelt. Njerëzia panë se si u ngrit një re e madhe tymi në formën e një kërpurdhe gjigande mbi qytetin 350 mijë banorësh të Hiroshima të Japonisë. Pamjet qenë të tmerrshme, dëmet gjithashtu. Bomba shkatërroi një zonë prej 13 Km katrore. Tri ditë më pas, një tjetër bombë e të njëjtit lloj, do të hidhej në qytetin tjetër japonez, në Nagasaki. Kjo bombë qe pagëzuar me emrin “Fat Man”. Thonë se i referohej britanikut Einston Churchill. Kjo bombë peshonte 4050 kg. Nagasaki ishte si i fortifikuar prej natyre; rrethohej prej malesh të lartë dhe efekti veprues qe më i kufizuar; vetëm në 6.7 km katrore. Statistikat tregojnë se gjatë hedhjes të dy bombave pati shumë të vdekur e të sakatuar. Rreth 160 mijë të vdekur në Hiroshima dhe 70 mijë në Nagasaki. Shumë qenë dhe ata që vdiqën më vonë nga pasojat e bombave. Viktima të shumta ishin kontigjente të sëmundjeve kanceroze. Po t’u shtosh shifrave edhe viktimat e mëvonshme, shifra e përgjithshme e të vdekurve për shkak të bombave arrin në 237062. Më shumë se 60 për qind e ndërtesave u bënë shkrumb e hi. Pas kësaj tragjedie Japonia që e pat radhitur veten në krahun e Hitlerit si pjesë e trekëndëshit Berilin-Romë-Tokio, u tërhoq dhe pranoi kapitullimin. Ky akt shënoi dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.

“KAMIKAZËT JAPONEZË” DHE ANIJA

‘BORIA’ KU SHËRBENTE KOLEKA

Ishte kohë lufte kur Odiseja, që pat lindur më 29 nëntor 1923, kishte mbushur 20 vjeç. Atë mot do të rreshtohej në radhët e ushtrisë më të madhe të botës, e cila do të vendoste fatet e Luftës së II Botërore në epilogun e saj. Pikërisht më 25 tetor 1943, Odise Koleka, në moshën e ëndrrave do të vishte uniformën e ushtrisë më të fortë në botë dhe do të kontribuonte për shfarosjen e murtajës nazi-fashiste që po kërcënonte botën. Odiseja u radhit në radhët e marinës, në ‘US NAVY…  Heroi ra atë ditë kur në Nagasaki, qe hedhur bomba. Më 9 gusht 1945, “kamikazë”  japonezë goditën anijen”Boria”, ku shërbente edhe Odise Koleka. Kronikat e kohës përcjellin faktet: “Ka qenë ora 2:59 minuta kur anija e tyre mori një goditje të befasishme nga ajri. U krijua një situatë e jashtëzakonshme. Por jo gjithçka e tmerrshme kishte mbaruar me atë sulm kamikaz të fillimit. Sulmet do të përsëriteshin sërish. Anija u mbulua me zjarr përsëri në orën 3:26, ku një tjetër kamikaz iu sul si një skifter anijes ‘Borie’. Ekuipazhi amerikan bëri të gjitha përpjekjet që ta largonte të keqen që po e kërcënonte anijen që po përpihej nga flaka, uji dhe rreziku nga ajri. Me mjetet që dispononte anija ‘Borie’ e goditi avionin 2700m larg. Por e keqja e kishte marrë rrugën. Anija ishte e ekspozuar ndaj kamikazëve që vazhdonin të vërtiteshin si skifterët mbi gjahun e zbuluar ne oqeanin e hapur. Qielli u mbush me avionë japonezë. Në kufijtë e një ore ekuipazhi goditi edhe tre avionë të tjerë, por ç’mund të bënte ai më shumë?!. Ai ekip heronjsh qëndroi deri në vetëmohim, deri në rrahjet e fundit të zemrave. Luftohej për jetë a vdekje. Por gjithçka qe e pabarabartë. Kamikazët kishin mbushur qiellin mbi Oqean. Lufta vazhdoi gjatë. Vonë aty rreth orës 4:30, zjarri në ‘Borie’ u shua dhe shumë gjëra në anijen ishin prishur që në goditjen e parë. Bilanci ishte tragjik: 35 të vdekur, nga të cilët 13 nuk u gjetën kurrë, 34 marinsa të tjerë amerikanë qenë të plagosur. Gati të gjithë ata që shpëtuan gjallë, ishin në gjendje tepër të rënduar. Anijes ‘Borie’  filluan t”i vijnë ndihma. ‘USS Abbot’, një anije tjetër filloi të transportonte personelin mjekësor për t’i dhënë ndihmën e parë të plagosurve dhe për t’u kujdesur për të vrarët. Por Odiseja ishte pa fat. Ai ishte ndarë nga jeta e të gjallëve, dhe për fat të keq, si shumë të tjerëve, trupi i tij nuk u gjet kurrë.

NË FLETËT E DITARIT

Duke shfletuar kronikën e atyre çasteve të vështira, ndalim në njërën nga ditët: E Enjte, 9 gusht 1945: ‘Ekupiazhi i anijes Boria sulmohet rreptë. Kamikazët zbrazin bomba si pikat e shiut. Marinarët qëndrojnë dhe u kundërpërgjigjen. Sulmet janë të pafundme. Një pjesë e marinarëve janë shuar dhe i kanë përpirë dallgët’. E premte, 10 gusht 1945:’Në orën 3:30 filloi ceremonia në det për të vrarët, që ranë në krye të detyrës. Trimat po përcilleshin siç u kishte hije; me dhimbje, nderim dhe me krenari! Por, sa keq, trupi i birit të shtrenjtë të Shqipërisë, Odisesë, nuk u gjet. Me 15 gusht 1945 Lufta e Dytë botërore mbaroi…Dhe më 2 shtator, 1945 Japonia shkroi aktin e dorëzimit. Jeta e 22 vjeçarit Odise Koleka u shua më 9 gusht 1945’.

LETRA QË HEDH DRITË MBI HEROIZMIN

E SHQIPTARO-AMERIKANIT

Ishte një letër dërguar nga Energjik Ndrenika ajo që më ra në dorë dhe që u bë shkas për të ndriçuar aktin e ushtarit shqiptaro-amerikan. Në letër shkruhej:”Me këto dokumenta që kemi të nxjerra nga arkivat po iu drejtohemi juve me besim të plotë se do të ndriçoni ketë histori. Ne ndjehemi krenare se në historinë e Amerikës, është dhe akti burrëror i shqiptarit nga Vunoi, i njeriut tonë të shtrenjtë. Duke u bazuar tek kjo e vërtetë, po ju dërgojmë rrëfimin real për një njeri që dha jetën, në ushtrinë amerikane, gjatë luftës së dytë botërore. Heroi quhet Odise Koleka. “Ulysses Kollecas” po ju dërgon edhe dokumentacionin e ofruar nga shteti amerikan. Për të gjitha këto dokumenta, bisedime, fotografi, një punë të pa lodhur  ka bërë mbesa e nënës tonë Enita Kushi. Besojmë me anën e këtij shkrimi do të kujtojmë atë që në moshë të re dha jetën e tij, e shumë bashkëfshatarët e tij që e mbajnë mend, besojmë se do të ndjejnë interes ta lexojnë jetën e Odisesë. E mbi të gjitha e bëjmë për nënën tonë për t’i mbushur sadopak boshllëkun e krijuar për të vëllain e saj. E bëmë për vallin e tij Chris “Kriston”, që gjatë të gjithë jetës e ndjente mungesën e vëllait të vogël, Odisesë. Por që në takimin e parë me motrën e tij pas 55 vjetësh, të gjithë dashurinë që ndjeu për të kaluarën ia dhuroi motrës së tij të dashur, së cilës i ishte përvëluar zemra nga mungesa e vëllait hero. Për t”i mbledh këto dokumenta ndihmuan edhe dy shokë të tij, që ende jetojnë. Për nder të tij, në varrezat e Arlingtonit VA, ndodhet memoriali me emrin e Odisese me numër 36-5 MF.

Letra që m’u përcoll nënshkruhej nga  Energjiku, Eleni, Irakliu, Miranda. Kjo ishte letra që u bë shkas për të ndriçuar aktin e Odise Kolekës.Kujt t’i bjerë rruga në varrezat ë heronjve të Amerikës, le të ndaloi hapat para varrit më numër 36-5 MF në varrezat e Arlingtonit VA dhe të nderoj kujtimin e heroit shqiptar që ra në kohën kur Lufta e tmerrshme po ulte perden….

SHQIPTARËT NË USHTRINË AMERIKANE

Shqiptarët e Amerikës janë pjesëmarrës gati në të gjitha luftërat që SHBA ka zhvilluar në të gjithë kontinentet, që nga Lufta e I Botërore e deri tek lufta në Irak, ku mbeten dy shqiptarë të vdekur, apo lufta ne Afganistan, ku sërish u derdh edhe gjak shqiptar. Në Luftën e I Botërore në listën e nderit të atyre që shërbyen në front janë shënuar edhe emrat e 23 luftëtarëve shqiptarë, të cilët u regjistruan në radhët e Ushtrisë Amerikane. Ata luftuan dhe u nderuan nga shteti amerikan. Ndërsa në Luftën e Dytë Botërore, lista është tepër e gjatë. Janë më shumë se 250 shqiptarë që kanë shërbyer nën flamurin amerikan. Më shumë se 60 është numri i shqiptarëve që ishin luftëtarë në ushtrinë amerikane gjatë Luftës në Kore; qindra shqiptaro – amerikanë  luftuan në Vietnam, ndërkohë që dhjetëra të tjerë kanë shërbyer në Gjirin Persik, gjatë konfliktit. Nga Bostoni në shtetin e Masachusset numri i shqiptarëve që shërbyen nëpër konflikte është më shumë se 130 luftëtarë, nga Nju Jorku e rrethinat rreth 180, nga Kenektikat 55 luftëtarë etj. Pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë shërbyer në Forcat Tokësore, por të shumtë janë dhe ata që kanë shërbyer në forcat ajrore, veçanërisht në Luftën në Vietnam. Janë të shumtë dhe shqiptarët që kanë shërbyer në forcat detare. Doemos se në luftë ka dhe të vrarë. Disa prej shqiptarëve e patën fatin e keq që të mos ktheheshin të gjallë nga luftërat. Kështu, Apostol Kosta, nga Filadelfia, luftëtar i Luftës së Dytë Botërore do mbeste në fushën e luftës, siç do të mbeteshin edhe Paul Prifti, Angelo Kosta, Louis Prifti, Eugene Rupi, Alex Kristo, Louis Notska, Charls Stephono, Petro Douris, Joseph Papas, Michael C Progri, Bill Visar, Joseph Pandeli, të gjithë këta me banim në Filadelfia.

ISLAM FETAHU, HERO I LUFTËS NË VIETNAM 

Një ndër ata që u shpall hero i Amerikës, ishte edhe Islam Fetahu, i cili humbi jetën në ballin e luftës në xhunglat e Vietnamit. Ai qe marins dhe sapo pat mbushur 21 vjeç. Tragjedia ndodhi në një ditë prill 1969. Prindërit e Islamit jetonin në Brooklyn të Neë Yorkut… Në fillim, prindërit nuk deshën t’u besonin veshëve për mandatën që u solli Departamenti i Mbrojtjes: “Djali juaj ra heroikisht ne provincën Quang Nam të Vietnamit”. Familja Fetahu kishte ardhur në Amerikë nga Podujeva e Kosovës, që më 1941. Babai i Islamit, Idriz Fetahu është një ndër nacionalistët aktive të shqiptarëve të Amerikës, që ka përkrahur legalistët. Nënës së dëshmorit, i mbetën sytë e lagur nga lotët e veshët në pritje të ardhjes së djalit…. Më 16 prill trupi i dëshmorit u varros me nderime në Nju Jork. Shtypi i diasporës shkroi me admirim për aktin heroik të djaloshit kosovar. Gazeta ‘Atdheu’ e botuar në maj 1969, ka shkruar se varrimi i Islamit u bë me nderimet të mëdha ushtarake, por nuk munguan dhe traditat fetare e shqiptare. Ceremoninë fetare e  udhëhoqi Sali Myftija i ndihmuar nga Imam Isa Hoxha. Marinsat amerikanë që morën pjesë në varrimin e heroit, pasi e kishin palosë në formë  trekëndësh flamurin amerikan me të cilin qe mbuluar trupi i heroit, ia dorëzuan nënës së tij, e cila pasi e ka puth, e ka shtrënguar fort në gji, si gjë të shenjtë, dhe më pas është shkrehur në lot… Presidenti amerikan Richard Nixon me prill 1969 e ka ngushëlluar personalisht familjen Fetahu. Në letrën dërguar famijes, presidenti i Amerikës shkruante: “Me dhimbje të madhe kam mësuar për vdekjen e djalit tuaj Islam Fetahu, vullnetar i klasit të parë. Nga të gjitha vuajtjet e luftës, më mizorja janë humbjet e njerëzve të tillë si biri juaj. Ngushëllimi i vetëm, që mund t’ju ofroj është ai që kombi, për të cilin Islami dha jetën për t’i shërbyer, ndan me ju dhimbjen dhe gjithmonë do të nderojë kujtimin e tij. Lutem për ditën kur paqja të kthehet. Do të dëshiroja që biri juaj të jetonte, ta shihte atë ditë. Por kur ajo ditë do të vijë, ai do të ketë një vend të veçantë në zemrat e bashkëdhetarëve të tij. Zonja Nixon bashkohet me mua në shprehjen e simpatisë më të thellë dhe në shpresën e thellë, të cilin djali juaj kaq tragjikisht ka fituar do t’ju ndihmojë të përballoni dhembjen dhe t’ju qetësojë.”. Kjo qe lufta më e gjatë në historinë e Amerikës, luftë që mori 58 mijë jetë luftëtarësh të vrarë dhe më shumë se 300 mijë u plagosën. Shumë shqiptarë morën pjesë gjatë Luftës së II Botërore në betejën e e Normandisë, ku disa mbetën në fushën e nderit. Ndër ata ishte shqiptaro-amerikani James Sotiri, i cili mori atje plagët vdekjeprurëse për t’u shuar një herë e përgjithmonë. Jani Papa nga Leskoviku, me dy bashkë kombas, do të binte në fushën e luftës në Itali në vitet e luftës së Dytë Botërore. Ja kështu , gati në çdo luftë i gjen shqiptarët, siç ishin të pranishëm edhe në Irak e Afganistan.

DY HERONJ SHQIPTARË NË LUFTËN NË IRAK

Në luftën e Irakut kanë mbetur në fushën e nderit dhe dy dëshmorë shqiptarë, Gentian Marku dhe Ervin Dervishi, të cilët dhanë jetën nën flamurin amerikan. Ervin Dervishi ishte pjesetar i Divizionit të katërt të Këmbësorisë amerikane në Irak. 21 vjeçari ra në krye të detyrës me 24 Janar 2004, teksa kryente patrullimin ushtarak në përbërje të regjimentit 22 të Divizionit të 4-t të Këmbësorisë.  Në castin e vrasjes, Ervin Dervishi me automjetin e tij të tipit Bradley u godit me raketë antitank.  Trupi i pajetë i heroit shqiptar u përcoll mes dhimbjes dhe lotëve ne varrezën  “Laurel Land Cemetery… Për të nderuar aktin heroik të  21 vjecarit shqiptar, toga e pushkatarëve zbrazi breshëri pushkësh gjatë ceremonisë.  Presidenti George W. Bush, e dekoroi Ervin Dervishin me Medaljen ‘Ylli i Trimerisë’, “Purple Heart”. Gentian Marku, heroi tjetër shqiptar, ra në të njëjtin vit, dhjetë muaj më pas. Ai qe lindur në Piraj të Lezhës. Ishte vetëm 22 vjeç kur ra në krye të detyrës, por veprimtarinë ushtarake e pat të spikatur. Në shkurt 2002, pasi kishte mbaruar shkollën e mesme shkëlqyeshëm, nënshkroi kontratën 4 vjeçare me ushtrinë amerikane…Në mars 2002 merr pjesë në një operacion në Mosul. Në të gjitha operacionet të forcave shumëkombëshe ku mori pjesë; Haiti, Indi, Egjypt, Indonezi, Emiratet e Bashkuara, Maltë, ai u dallua për aftësi të veçanta dhe mori shumë medalje. Gentiani mori pjesë edhe në një stërvitje ushtarake komplekse që ushtria amerikane kreu në Shqipëri gjatë vitit 2003. Në vitin 2004 Gentiani, tashmë ushtarak me përvojë kthehet sërish në Irak në Falluxha.

Autori i librit ”Heroi i dy kontinenteve”, Ndue Hila shkruan: ”Forcat speciale ku bënte pjesë Gentiani, kanë zhvilluar luftime të ashpra në këtë zonë duke hyrë shtëpi më shtëpi dhe në këto operacione forcat e specializuara amerikane kanë hasur në pengesa dhe vështirësi serioze, por falë një përgatitjeje të lartë, kanë arritur që t’i kalojnë me sukses duke çliruar zona të tëra dhe pastaj t’i kenë nën komandë. Këtu është edhe shqiponja shqiptare, Gentian Marku, që asnjëherë nuk iu largua këtij aksioni.” Në betejën e 25 nëntorit në Falluxha, heroi shqiptar ra për lirinë e Irakut. Varrimi u krye në vendlindje sipas amanetit të të ndjerit. Edhe Amerika edhe Shqipëria e kanë nderuar heroin me medalje e urdhra të lartë trimërie. Sa qe gjallë ai pat marrë shtatë medalje me motive për zotësi e trimëri; ndërsa pas vdekjes u nderua nga presidenti i SHBA George Ë Bush me medaljet  ” Për devotshmëri, kurajë dhe trimërinë që ka treguar ndaj shtetit amerikan si në kohë paqe dhe në luftë”, Medaljen “Zemër e Skuqur”, “Medaljen e Trimërisë” etj. Presidenti i Shqipërisë e nderoi me Medaljen e Artë të Shqiponjës. Në vendlindjen e tij dhe në Lezhë me emrin e heroit shqiptar të Amerikës janë emërtuar rrugë, shkolla dhe sheshe etj.