Maman SALIU/ 70 vjet nga rënia e “Heroit të Popullit”, trimit Hysen Çino

1276
Sigal

U vra heroikisht në krye të batalionit, në fushë-betejë në përpjekje me forcat tradhtare të kryesuara nga Muharrem Bajraktari

Kongresi i Përmetit kishte tri ditë që kishte përfunduar punimet. Brigada e V, në përbërje të Divizionit të Parë, u nis për në Veri. Jo pak partizanë e kuadro të plagosur, midis tyre dhe mua me Hysen Çinon, doktor Ibrahim Dervishi, përgjegjësi i shëndetësisë të Brigadës së Pestë, duke vlerësuar gjendjen tonë të rëndë, refuzoi të na merrte me vete dhe na dorëzoi në spitalin Koplarës në Përmet, ku mbërritëm në mbrëmje. Mbas peripecive nga një spital partizan në tjetrin, në ditët e para të muajit korrik shkuam në Buronjat e Kuçit, ku ishte vendosur spitali i Zonës së Parë Operative. Aty qëndruam dhe u kuruam deri nga fundi i muajit gusht. Në këtë kohë vjen nga Bari i Italisë një doktor anglez me gradën Major, i cili ishte ngarkuar të merrte partizanë të plagosur për t’u kuruar në spitalet Aleate në Itali.

Në Pilur, ku grumbulloheshin të plagosurit dhe kontaktonin me doktorin anglez, shkuam dhe unë me Hysenin. Megjithëse, të dy ishim të fushuar në duar dhe unë ecja me vështirësi, si rezultat i një bombe që më kishte dëmtuar në këmbën e majtë, doktori anglez, në vend që të na shikonte plagët, me një farë përbuzje na tha: “Shkoni t’iu kurojnë mjekët tuaj”, Hyseni, ishte i papajtueshëm me ndjenjat e servilizmit dhe të nënshtrimit. Ai nuk hezitonte t’i thoshte të vërtetën në sy kujtdo qoftë. Prandaj, si dëgjoi përkthimin nga Drita Kosturi, që ishte përgjegjëse e spitalit partizan të Kuçiit, ju përgjigj flakë për flakë anglezit: -“Zoti Major! Kur dolëm partizanë këtyre maleve për të luftuar armikun e përbashkët, nuk na shkonte ndërmend se po të plagoseshim, do të kuroheshim në Itali, kundër të cilës ne rrëmbyem armët. Ata që po merrni me vete, janë një pjesë fare e vogël e të plagosurve, që e meritojnë të vijnë me ju, kurse ne menduam që mbase na ndihmonit për të normalizuar sa të ishte e mundur pjesët tona të trupit të dëmtuara nga plumbat dhe bombat e nazistëve. Sa për rekomandimin që na jepni për doktorët tanë, ne me ta krenohemi, sepse ata pa mjetet e nevojshme, na kanë kuruar e operuar nëpër shpella e pyje, duke riaftësuar për luftë qindra nga shokët tanë”. Si ju uruam rrugë të mbarë Zylyftar Veleshnjës, Fejzo Binos, Liri Belishovës, Ago Çelit etj., shokëve që do merrnin rrugën për në Bari, qysh nga ai moment Hyseni dhe unë vendosëm të shkëpusnim kontaktet me spitalet partizane, pavarësisht se plagët tona ishin ende të pambyllura. Ne, që e dinim përse luftonim, edhe në buzë të varrit të ishim, do të gjenim forca për t’u ngritur në këmbë. Prandaj u bëmë gati të niseshim drejt Brigadës tonë, që luftonte diku në veri-lindje të Shqipërisë. Ishin ditët e fundit të javës së parë të shtatorit 1944. Gjatë rrugës, deri në Zagori udhëtova me çorape leshi, sepse nuk kisha as këpucë e as opinga. Në Zagori, ku ishte shtabi i Zonës së Parë Operative, mbasi iu prezantuam komisarit Pandi Kristo, i kërkuam të na jepte nga një palë këpucë, mbasi na duhej të udhëtonim gjatë. Ai për ta na bërë moral, me një kapadaillëk të neveritshëm, na tha se, “komunistët e kuadrot duhet të bëjnë sakrifica edhe më të mëdha. Ata mund të marshonim e luftonin edhe zbathur”. Edhe në këtë rast Hyseni, që nuk duronte asnjë lloj padrejtësi, iu përgjigj duke i thënë:- “Shoku komisar. Sikur nuk shkon ky lloj morali, në kushtet kur t’i, duke qëndruar në zyrë apo lëvizur me kalë, ke mbathur çizme të verdha”. Pa i lënë kohë të shprehesh më tej, e lamë këtë karrigexhi në vend dhe shkuam tek Pupo Shyti, që ishte intendent i Shtabit, i cili jo vetëm na dha këpucë, por na la t’i zgjidhnim ato. Ne kishim vendosur të ishim pranë shokëve të Brigadës sonë, prandaj ecnim në drejtim të tyre, pa këpucë a opinga në këmbë e me plagë të pashëruara në trup. Duke vazhduar rrugën nga Zagoria mbërritëm në Përmet dhe andej u nisem për në Panarit, ku ndodhesh Shtabi i Përgjithshëm. Në sofatin e një porte, ku po pushonim, vjen drejt nesh një burrë i gjatë e i bëshëm, me mustaqe të dendura, veshur partizançe, por pa bustinë në kokë, i cili mbasi na përshëndeti, na tha se, ishte Miladin Popoviçi. Dhe ne i thamë se kush ishim, nga vinim e ku shkonim. Në bisedë e sipër me të, i thamë se çfarë na kishte ndodhur me Pandi Kriston në Zagori. Në moment ai u vërejt. Këtë qëndrim të tij, -na tha ai,- duhet t’ia thoni shokut Enver, por ai momentalisht nuk ndodhet në Panarit, por atë do ta informoj unë. Më tej Miladini vazhdoi të na thotë: “Është e vërtetë që komunistët e kuadrot duhet të bëjnë sakrifica më të mëdha nga partizanët e tjerë, por kjo nuk do të thotë se kur ka kushte për të ngrënë, apo për t’u veshur e mbathur, ata të privohen nga këto me pretekste absurde”. Ti, – m’u drejtua mua,- nuk prite sa të gjeje këpucë dhe pastaj të niseshe për në Brigadë, që është në Veri, por u nise i zbathur nga Bregdeti deri në Zagori. Në qoftë se aty nuk do të kishte mundësi për t’u mbathur, do të vazhdoje rrugën deri këtu në Panarit dhe po të ndodhte, që edhe këtu nuk do gjendeshin një palë këpucë apo opinga, me siguri që do vazhdoje marshimin për në njësinë tënde zbathur. Prandaj,- përfundoi ai,- morali që iu ka bërë Pandi Kristua ka qenë i paefektshëm.”  Pas ndarjes vëllazërore me Miladinin, si u ushqyem mirë e u furnizuam me bukë për gjatë rrugës, u nisëm të shoqëruar edhe nga Qamil Guranjakun, që ndodhesh në Panarit, në drejtim të Labinotit. Kur mbërritëm në zallin e përroit te Shmillit takuam Brigadën e Gjashtë, që po kthehesh nga zona e Dibrës për në zonën e Elbasanit. Këtu, krahas shumë shokëve me të cilët ishim njohur gjatë luftimeve të përbashkëta që kishim kryer në Qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës, u përqafuam dhe dialoguam edhe me xha Jahon dhe Haki Toskën, të cilët na informuan për sukseset e kësaj Brigade në Shqipërinë e Mesme dhe në Veri të Shkumbinit. Në çastin e ndarjes me ta, Haki Toska na dha një letër për Mehmet Shehun, që ndodhej në Peshkopi, ku e vinte në dijeni për gjendjen tonë fizike dhe itinerarin e Brigadës së Gjashtë. Si u ndamë prej tyre, vazhduam rrugën dhe dolëm në Fushë – Bizë. Aty gjejmë një tregtar tiranas, tek, i cili blemë disa paketa cigaresh. Duke parë uniformën tonë partizane, na pyeti se ku shkonim. Mbasi iu përgjigjëm drejt Brigadës, ai si për të na ardhur në ndihmë, na thotë se, Brigada është kthyer mbrapa. E kishte fjalën për Brigadën e Gjashtë. Ajo s’është Brigada jonë,- i thamë. Tregtari i habitur nga përgjigja jonë, si për të shuar kureshtjen, pyeti prapë: “Pse paska brigada të tjera që kanë ardhur nga Jugu në këto anë?”. Po,- iu përgjigjëm- dhe të tjera do të vijnë. Ai i paqartë për qëllimin e luftës të Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare, thelloi naivitetin e tij duke na thënë: “Kësaj here na e hodhët ju toskët”. E ke gabim, replikova me ‘të, se Brigadat partizane nuk janë si bashibozukët e Taf Kaziut, që erdhën në Jug për të çarmatosur dhe terrorizuar popullin mbas rikthimit të Zogut nga Serbia, as si mercenarët e Halil Alisë dhe Selim Kaloshit, që bashkë me fashistët italianë erdhën në Vlorë për të mposhtur lëvizjen antifashiste. Brigadat partizane,- vazhdova më tej, kanë ardhur në Veri, ku bashkë me partizanët e këtyre zonave të çlirojnë popullin nga nazifashizmi dhe ta shpëtojnë atë nga shfrytëzimi shekullor i bajraktarëve. E lamë në hesap të vet këtë tregtar dhe vazhduam drejt itinerarit tonë Klos, Bulqize, Shupenzë, Maqellarë, Peshkopi.  Në Qafë – Buall të Bulqizës na zuri nata dhe na u desh te flinim aty. Në atë qafë na duhej të përballonim edhe të ftohtin e natës. Dru aty afër për të ndezur zjarr nuk kishte, por Hyseni e gjeti zgjidhjen për të zbutur sado pak të ftohtin. Ai u ngrit nga vendi, ku ishim shtrirë dhe u largua nga unë dhe një partizan, që ishte bashkuar me ne gjatë rrugës. Në çast mendova, se nga të ftohtët ai lëvizte poshtë e lartë ose për t’u nxehur, ose për nevoja personale. Ndërsa ai me përvojën që kishte fituar, qysh në moshë më të re për të kullotur bagëtitë maleve, mbasi kishte vëzhguar rreth e qark, kishte gjetur koçanë gjembash, nga ata që quheshin gjemba gomari dhe kur u kthye tek ne, na solli një vandak të madh me to, me të cilat ndezëm një zjarr, që na ndihmoi jo pak për të gdhirë natën, pa e ndierë shumë të ftohtin. Të nesërmen vazhduam rrugën dhe si mbërritëm në Shupenzë, na doli përkarshi qyteti i Dibrës, për të cilin Hyseni pyeti se kush ishte ai qytet. Hysen Çinua për vet kushtet që ishte rritur, pavarësisht se ishte djalë tepër i mprehtë, nuk kishte pasur mundësi të ndiqte shkollën. Prandaj edhe historinë e gjeografinë e Shqipërisë ai, aq sa e njihte, nuk e kishte mësuar nga librat, por nga shokët e tij që kishin njëfarë formimi arsimor. Kur unë i thashë se ishte Dibra, që Europa në 1913, ia kishte dhënë Jugosllavisë, ai u nxeh aq shumë, sa me ironi tha se Balli Kombëtar paska të drejtë që kërkon Shqipërinë e Madhe dhe më tej vazhdoi:-“ Europa është treguar si një njerkë shumë e keqe ndaj vendit tonë”. Në Peshkopi u takuam me komandantin e Divizionit të Parë Mehmet Shehun. Ai duke përfituar nga njohja që kishim me të dhe pasi pa se ne ishim me plagë të pa shëruara mirë, kërkoi nga ne që të qëndronim në njësi të tjera të Divizionit, që operonin aty.

– Jemi nisur që nga Piluri për në Brigadën tonë dhe tani që i jemi afruar asaj, nuk mund te ndahemi pa u bashkuar me shokët,- iu përgjigjëm Mehmet Shehut, i cili nuk rezistoi në të vetën, por na uroi rrugë të mbarë. Nga Peshkopia u nisëm për në Kalanë e Dodës. Këtu u takuam me Manush Myftiun dhe një grup i vogël partizanësh të panjohur për ne, të cilët po shkonin drejt Peshkopisë. Manushi, si shoku dhe bashkëluftëtari ynë i afërt, mbasi na prezantoi me anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm Haxhi Lleshin, emri i të cilit ishte bërë i njohur për të gjithë popullin qysh në hapat e parë të luftës dhe me Hajdar Dushin, birin e shquar të Kosovës, bashkë me përgëzimin për rikthimin tonë në Brigadë, na vuri në dijeni edhe për luftimet e ashpra që ajo kishte kryer në këto treva, për dëmet që i kishte shkaktuar armikut, por edhe për rënien e shumë shokëve, si Rrapo Asimit, Llambro Andonit etj.. Në çast ne përjetuam emocionet për fitoret e Brigadës dhe humbjen e shokëve tanë. Mbasi u ndamë prej tyre, u nisëm drejt shtabit të Brigadës, që ndodhej në Bicaj. Këtu mbërritëm në orët e mbrëmjes të datës 16 shtator 1944. Kishim bërë rreth 10-të ditë e net udhëtim në këmbë për t’u gjendur pranë shokëve. Dhe ja, çasti i shumë pritur kishte ardhur. Kur shtymë derën, ku ndodheshin shokët e shtabit të Brigadës, për një çast ata ngrinë nga habia. Nuk ju besonin syve. I gjetëm duke ngrënë fasule. U ngritën të gjithë në këmbë dhe vetëtimthi na u hodhën në qafë, që nga komandanti ynë i lavdishëm Shefqet Peçi, komisari Hito Çako e shokët e tjerë, që ishin bashkë me ta. Mall shokësh që s’ka të treguar. Sytë tanë lëngëzonin nga lotët e gëzimit. Qenia jonë midis tyre, na bëri që në ato momente të harronim ato qindra kilometra udhë, tërë ato ditë e net të pagjuma dhe gjithë peripecitë e udhëtimit tonë. Atë natë me Hysenin fjetëm të dy bashkë në një dhomë. Të nesërmen u ndamë nga njëri – tjetri për të mos u takuar më. Hyseni shkoi në batalionin e tretë, ku kishte qenë, por tani i ngarkuar me detyrën e komandantit të batalionit, kurse unë shkova në batalionin e katërt. Me dy kompani të këtij batalioni kalova Drinin për në Has dhe andej për në Damjan të Kosovës, ndërsa Hyseni, në ballë të batalionit, më 22 shtator përleshet me forcat e Muharrem Bajraktarit në Buzmath dhe bie heroikisht në fushë – betejë, duke më shkaktuar dhimbjen më të madhe që kisha ndjerë për shokët e rënë gjatë luftës. Hysen Çinua jetoi gjithsej, 24 vjet, por e gjithë kjo kohë qe plotë ngjarje në jetën e tij. Ai lindi më 1920, kur populli i Vlorës kishte rrokur armët për të hedhur pushtuesit italianë në det. U rrit në luftë kundër varfërisë, shtypjes dhe shfrytëzimit të feudo-borgjezisë. Ai qe ndër të parët që u hodh pa rezerva në Luftën e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe s’e kurseu veten për asnjë moment. Me bëmat e tij si partizan e komandant partizanësh, Hysen Çinua e kishte ngritur lart emrin e tij. Ai kishte fituar dashurinë dhe respektin e të gjithë atyre që e njohën në luftë. Në karakterin e tij ishin gërshetuar cilësi të tilla të rralla, si vendosmëria për të kryer detyrën, disiplina për të zbatuar urdhrin, pjekuria për vlerësimin e situatave, shpejtësia në marrjen e vendimit, fantazia gjatë drejtimit të luftimit, dashuria dhe sakrifica për shokët. Prandaj rënia e tij hidhëroi jo vetëm partizanët e batalionit që ai drejtonte, por të gjithë partizanët e kuadrot e Brigadës së Pestë. Hysen Çinua lindi nën krismat e armëve dhe vdiq me armë në dorë si një Hero i lavdishëm i Popullit.

  ARKIVA

Letra e Haki Toskës për Mehmet Shehun

 Shok Mehmet!

Takova në udhë shokët e vjetër Hysen Çino dhe Maman Saliu.

Siç do ta konstatosh dhe ti vet, janë akoma të pa shëruar mirë. Kanë nevojë për disa ditë banja në Peshkopi. Unë po udhëtoj për në Zerqan.

Mirë u pafshim

Hakiu

V.F. – L.P. 9/9/44

Burimi: (AQSH, F.202/AP, V.1944, D.33, Fl.3)