Maksim Zarka*/ Çeta e Verbasit

272

  -me rastin e 71 -vjetorit të krijimit të saj-

 *Komuna e Zharrëzës me fshatra  Sheqishte, Frashër, Verbas, Belinë, Novosel e Zharrez, është rreth 6 km nga qyteti i Fierit. Populli i saj e priti me urrejtje pushtimin fashist. Në Sheqishte të Fierit pas majit të vitit 1942 u vendos teknika e shtypshkrimeve të luftës. Kjo trevë kaq e afërt me armikun ishte një trampolinë për kalimin e ilegaleve nga qytetit në mal dhe e kundërta. Kjo bëri që shumë djem të kësaj treve të përfshihen  qysh në vitin 1942 në njësitet guerile të qytetit të Fierit. Këtu mund të përmendim dëshmorin Naun Kaçaku, Leksi Dimo, vëllezërit Sotir Zarka e Kito Zarka (dëshmor), Rexhep Gjiriti, vëllezërit Veri Zaloshnja e Orhan Zaloshnja. Ishte kjo bazë guerile si dhe shpirti antifashist i popullit të zonës  që mundësoi krijimin e  Çetës Partizane të Verbasit.

       Çeta u krijua në fshatin Verbas të Fierit (në lindje të Kishës së Shën-Markut ose, me saktë, te kodra me disa ullinj, që është në krah të djathtë të rrugës që të çon në Dukas). Ajo u krijua në 8 shkurt të vitit 1943. Komandant i çetës u caktua Beqir Zaloshnja nga Verbasi, komisar Xhelal Staravecka dhe zv/komandant Banush Plyku. Disa nga partizanët themelues ishin: Ali Gjiriti e Osman Braçe nga Zharrëza, Gramoz Zaloshnja e Qemal Prrenjasi nga Verbasi, Hasan  Luarie Petro Zarka nga Novosela etj. Në fillim të marsit të 1943, Çeta e Verbasit, nën drejtimin e komandantit trim, Beqirit, dhe me porosi të organizatës së partisë së Fierit, kaloi në fshatin Kraps. Këtu ajo riorganizohet dhe merr emrin “Ismail Qemali”. Komandant përsëri mbeti Beqir Zaloshnja, ndërsa Banush Plyku u caktua nënkomandant i çetës. Ajo shumë shpejt u bë streha e ilegalëve dhe tmerr për armikun. Organizata e partisë e Fierit, e cila në këtë kohë drejtohej nga shoku Jorgji Sota, u kujdes që çeta të rritej e të piqej në zjarrin e luftës partizane. Në vijim të këtij orientimi, në muajt prill-maj radhët e çetës partizane shtohen me partizanë të rinj. Nga qyteti i Fierit erdhën ilegalët Todi Shkurta, Vangjel Capo, Myzafer Trebeshina, Nikollaq Bega,  Maji Bozo, Harilla Bozo, Sokrat Bufi, Rauf Nallbani, Polikron Kotini, Jani Prifti e të tjerë. Më vonë në këtë çetë erdhi dhe Josif Pogaçe, Mihal Bego si dhe Hysen Vinokashi, Dervish Metja, Llambi Sotira, Rexhep Gjiriti, Izmini Kokobobo, Dine Ismaili, Nurçe Nuredini e tjerë.

Çeta partizane, me komandant Beqir Zaloshnjën, zhvilloi mjaft beteja, por ia vlen të përmendet lufta e datës 18 mars të vitit 1943 kundër forcave italiane dhe atyre të Isa Toskës në fshatin Ruzhdie, Gjinoqar e Luar. Po kështu kjo çetë, së bashku me çetën “Riza Cerova” në Palikësht të Beratit, i zuri pritë një force të kavalerisë italiane prej 200 kalorësish, të cilët ishin nisur nga Berati për të bërë operacion, duke i shkaktuar humbje të rënda.

 Më 16 qershor të vitit 1943, Çeta goditi dhe shpartalloi plotësisht postën e xhandarmërisë së Levanit të Fierit. Ndërsa në 18 qershor 1943, Çeta e Verbasit, por tashmë e pagëzuar me emrin “Ismail Qemali”, zuri pritë në segmentin rrugor Kthesa e Patosit – Kthesa e Dukasit. Një skuadër e saj, ku mori pjesë dhe Dervish Hekali (Hero i Popullit), goditi dy makina me ushtarë italianë. U vra një oficer dhe tre ushtarë italianë.

Me zgjerimin e radhëve çeta “Ismail Qemali” u organizua në batalion dhe ruajti të njëjtin emër, Ismail Qemali. Batalioni Ismail Qemali mori pjesë në përballimin e operacionit të dimrit 1943-1944 së bashku me Brigadën e V Sulmuese.

 Duke kujtuar Çetën e Verbasit, kujtojmë historinë e kësaj treve patriotike, nderojmë 22 dëshmorët e  Zharrëzës  dhe respektojmë luftën antifashiste partizanë të mbarë popullit shqiptar.

 *Mr. Shkencave Politiko-Administrative