Major Alem Mehmeti, komandant i parë i xhandarmërisë shqiptare

1825
Sigal

Sot është Festa e policisë, 102 vjetori i saj (13 janar 1913).

 “Alem Agaj, ish komandant i parë i xhandarmërisë të krijuar rishtazi dhe me gradën major, por pa rrogë pasi nuk pranoi të shpërblehej”

Ago Agaj

 Sot është Festa e policisë, 102 vjetori i saj (13 janar 1913). Një nga më të pasurit, e sigurisht më i dukuri i parësisë së Vlorës, Alem Mehmet Tragjasi, u bë dhe një ndër më të parët e atdhetarisë së Shqipërisë, duke hyrë në lëvizjen kombëtare në çastet më dramatike të historisë sonë të dhimbshme.

Në maj të vitit 1907, çeta e Çerçiz Topullit me një anije zbriti në Gramë të Karaburunit dhe me kërkesë të tij u krijua “Komiteti Drejtonjës i Krahinës” në kryesinë e të cilit nga Tragjasi bënin pjesë Alem Mehmeti dhe Yzeir Muço. Ky Komitet kishte për qëllim që në bashkëpunim me klubin “Labëria”, të hapnin depot e armëve dhe të armatosnin popullin; për të çliruar vendin nga pushtimi turk, për këtë arsye bënë edhe mbledhjen e parë në Fushë të Dukatit. Në muajin shtator 1909, Sheme Sadiku (Kondi) nga Dukati, është takuar në Ujë të Ftohtë të Vlorës me Çerçiz Topullin, dhe ranë dakord që të furnizojnë me armë krahinën e Dukatit. Nga fillimi i vitit 1910, Gaqo Kaporja e Alem Mehmeti u nisën për në Korfuz, blenë armë dhe i sollën në Himarë, Dhërmi dhe Bristan, Karaburun.

Më 26 korrik 1910, Ismail Qemali bëri në shtëpinë e Sharrajve në Vlorë një takim në të cilën kërkoi organizimin e fshatarëve në komitete. Tragjasi përfaqësohej nga Mustafa Selmani. Përfaqësuesit

e kësaj mbledhje bënë takime në çdo fshat dhe vendosën që shkëputjen nga Turqia ta kërkojnë me armë. Trimëria, zotësia, burrëria dhe besimi që populli kishte tek Alem Mehmeti i dhanë atij postin e Kryetarit të Krahinës së Dukatit. “Më 16 duke u gdhirë 17 korrik i vitit 1911, Kryetari i Malësisë së Dukatit, Alem Mehmet Tragjasi, me rreth 4000 burra të armatosur, shkoi deri në periferi të qytetit të Vlorës ku ishte ngritur kampi i çadrave të redifëve nga Tepelena, të cilëve ju refuzua ndihma e shpresuar”.

Alem Mehmeti duhet të ketë marrë pjesë në Sinjë, në mbledhjen e protestës të Qishbardhës më 3 gusht 1912, ku është diskutuar memorandumi i Ismail Qemalit dhe Syrja Bej Vlorës, ku i kërkohej Sulltanit të pranoheshin 12 kërkesat e shqiptarëve për pavarësi. Alem Mehmet Tragjasi, gjatë udhëheqjes së kryengritjeve antiturke, ishte bërë më i afruari tek Ismail Beu, i njohur me të gjatë emigrimit në Itali dhe kishte marrë pjesë në çdo lëvizje kombëtare kundër Turqisë. Në një nga këto përpjekje ushtria turke

u afrua shumë dhe Ismail Beu e pyeti:

-Po nashti Alem Aga nga do ja mbajmë?

-Ti peshk në det e unë si ujk në pyll – iu përgjigj qetësisht Alem Agai.

Dhe ashtu bënë. Ismail Beu u fut në gjemi, në det e shkoi në Europë dhe Alem Agaji shkoi në pyll e mbeti maleve, deri sa fituan lirinë dhe turqit mbetën me duar bosh. Përpjekjet shekullore të shqiptarëve dhe veçanërisht të heronjve legjendarë kosovarë, shpunë në Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 dhe krijimin e Shtetit të parë Shqiptar pas 500 vjet robërie.

*        *        *

Pasi kishte përshkruar udhën e një luftëtarit të vërtetë për liri, dhe përgatitjen shpirtërore të popullit për pavarësi e vetëqeverisje, arrijmë në fund të vitit 1912, kur mbi krye të Alem Mehmetit, qeveria e parë shqiptare vë kurorën e lavdisë, duke e bërë komandantin e parë të xhandarmërisë shqiptare, kurorë që ai e meritoi, e mbajti dhe e ngriti lart deri sa dha shpirt.

Kështu pra, në qeverinë e parë shqiptare të Ismail Qemalit, Alem Agai u emërua komandant i xhandarmërisë dhe iu dha grada major, por pa rrogë pasi nuk pranoi të shpërblehej.

Është rasti të ndalemi para këtij fakti kuptimplotë, para të cilit kanë se ç’ mësojnë jo vetëm ushtarakët tanë por gjithë administrata shtetërore.

Është mësimi i parë për ne shqiptarët që të dimë se Shqipërinë e mbajtën dhe do ta shpëtojnë idealistët dhe nacionalistët, ata që “s’pranojnë të marrin rrogë nga shteti” edhe kur puna dhe detyra e tyre në çdo hap që hedhin është me rrezik për jetën e tyre dhe të Atdheut të tyre. Në detyrën e komandantit të xhandarmërisë, major Alem Mehmet Tragjasi, shpalosi edhe një herë virtytet si trim, besnik i vendit të tij dhe si polic me aftësi. Ai bashkë me major Ahmet Lepenicën dhe shumë burra të tjerë, treguan se trimat Shqipërisë s’i kanë munguar; ata së bashku me trimat kosovarë, ose 400 djemtë e mi, siç i quante Isa Boletini, mbrojtën qeverinë me forcën e armëve, vendosën qetësinë dhe rendin, dhe jo vetëm me armë po veçanërisht me fuqinë e shpirtit të tyre idealist.

Pa këtë mbrojtje, kjo qeveri nuk mund të jetonte asnjë ditë, nën kërcënimin e çakejve të brendshëm dhe lakmisë grabitqare të grekëve nga jugu dhe të serbëve nga veriu. Është vendi të tërheqim vëmendjen e studiuesve dhe historianëve që akoma nuk u kanë dhënë vendin e merituar ushtarakëve tanë, që pa armët e tyre Shqipëria nuk mund të bëhej e nuk mund të mbetej Shqipëri, ishte koha kur vendoste pushka!

Janë të shumta përpjekjet që udhëhoqi dhe luftoi vetë Alem Agai. Luftime të rrepta janë bërë me forcat greke, nga fundi i muajit dhjetor 1912, veçanërisht në Kuç, në Bregdetin e Himarës dhe Delvinë. Në bregdet forcat tona mund të thyheshin nga grekët dhe kështu rrezikohej edhe pavarësia, prandaj komandantët e çetave tona kërkuan ndihmë.

Krahina e Dukatit si gjithnjë e besës, nisi forca të reja nën komandën e trimit dhe atdhetarit Alem Mehmeti, që e kishte dërguar personalisht Ismail Qemali të cilin populli e përjetësoi në këngë:

Mua qeni më rrethoi (qeni = greku)

Dua ndihmë se më bloi

Në brigjet e Bregut të detit

Bën dyfek Alem Mehmeti

Katër ditë rrethuar mbeti

Kështu e thotë seneti.

Në këtë luftë ranë edhe dëshmorët Selim Gërneci nga Dukati dhe Mustafa Troqe nga Tragjasi etj. Pas katër ditë lufte Alem Mehmeti duke i mbajtur të rrethuar, si në darë, grekët, i shpartalloi duke lënë shumë të vrarë dhe plaçkë lufte. Kështu greku nuk mundi të kalonte asnjëherë Qafën e Llogorasë, sepse  gjithmonë nga shpirti i popullit ka dalë thirrja: Të ngrihi burra e gra / Se greku sipër na ra.

Mit‘hat Frashëri shkruan për këtë betejë : “Edhe në Himarë janë 400 grekër, por shqiptarët kanë zënë Dukatin, Vranishtin dhe Kuçin dhe grekët nuk bëjnë dot asnjë çap.” 2)

Gjatë reprezaljeve të papara që bënë grekët gjatë viteve 1912- 1914, del në dukje fisnikëria e Alem Agait duke i strehuar e ndihmuar me ushqime e veshmbathje të shpërngulurit nga vatrat e tyre.

Në shtator 1913, Alem Mehmeti lirohet nga detyra e komandantit të xhandarmërisë të Shtetit të parë Shqiptar, por ai mbeti një ushtar besnik i Atdheut të tij, deri në frymën e fundit, një ushtar i mirë i lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Jeta e tij është ngjeshur plot vepra atdhetare. Heroike është qëndresa e tij në Qafë të Llogorasë, më 1914 kundër grekëve, në këtë luftë të udhëhequr nga Alem Mehmeti, morën pjesë edhe gratë e krahinës së Dukatit. E paharruar do të mbetet Sado Koshena, ajo heroina e 1920-tës.

Po më 1914 Alem Mehmeti është në krye të fshatarësisë së Vlorës, bashkë me Osmën Haxhinë, në bisedimet që bënë në Frakull, Fier më 23, 24 gusht 1914 me rebelët, mundën të shmangnin gjakderdhjen dhe të ruanin flamurin me shkabën dy krenare që rebelët nuk e donin.

Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, Vlora mbeti e pushtuar nga italianët, çka i bënte shqiptarët po veçanërisht vlonjatët të rënkonin.

Kështu filloi të gatitej Lufta e Vlorës. 28 nëntori 1919 u festua dhe u ngrit flamuri në Brataj, Dukat dhe veçanërisht në Vlorë, ku pati dhe përleshje me karabinerinë italiane. Ai që shquante në parinë e Vlorës në organizimin e një kryengritjeje kundër Italisë ishte Osmën Haxhiu, po ashtu Qazim Kokoshi, Ahmet Lepenica, Hazbi Canua, Ali Beqiri, Duro Shaska, Shero Emini, Ali Bej Këlcyra, Alem Mehmet Tragjasi, Hamit Selmani, Myqerem Hamzaraj, Halim Xhelo etj.

Kështu vijmë te “beja e Barçallasë” më 29 maj 1920. U quajt kështu se pjesëmarrësit nga gjithë Vlora u betuan për luftë kundër Italisë, për jetë ose vdekje.

Në organizimin e popullit për luftë, shquan Alem Mehmeti. Ai bashkë me parinë e Vlorës, organizoi Barçallanë, dhe bashkë me pesë burra që përfaqësonin Vlorën, shkoi për bisedime me qeverinë e Tiranës. Me t’u kthyer nga Tirana ata lëshuan kushtrimin. Për organizimin dhe drejtimin e kryengritjes, u zgjodh Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i përbërë prej 12 burrave nga më të shquarit e Vlorës, që gjatë jetës së tyre kishin dhënë jo një herë prova të trimërisë dhe atdhedashurisë me në krye Osmën Haxhinë ose Osmën Nurin siç i thoshte populli. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” caktoi komandant të përgjithshëm të trupave kombëtare major Ahmet Lepenica.

Siç shihet, në elitën e atdhetarëve që do të ngrinin Vlorën në luftë për jetë a vdekje, bënte pjesë dhe Alem Mehmeti. Pas detyrës si komandant i parë i xhandarmërisë shqiptare, i Shtetit të pare Shqiptar, kurora e dytë e lavdisë e Alem Mehmetit, është zgjedhja e tij në drejtimin e kësaj lufte, që bashkë me Kongresin e Lushnjës kanë për historinë tonë të re, rëndësinë e 28 nëntorit 1912 dhe të Qeverisë së Ismail Qemalit. Për luftën e Vlorës ai nuk dha vetëm mendjen, zotësinë dhe atdhedashurinë por edhe pasurinë e shumtë

të tij, njësoj si dhe Osmën Haxhiu.

Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës, “shpallën” para botës pavarësinë e harruar të Shqipërisë, dhe vulosën me gjak sovranitetin e pakufizuar të vendit tonë. Në lindjen e shtetit tonë më 1912, dhe në rilindjen e tij më 1920, është edhe dora, mendja dhe vepra e Alem Mehmet Tragjasit.

“Ai vishej me poture peshlli, ngjyrë të kaltër të errët, të qëndisur me gajtanë të zes prej mëndafshi, tirq të bardhë si bora, tizga të kuqe mëndafshi me xhufka, mbi supe hedhur një gunë të shkurtër të kaltër të errët, me astar të kuq përbrenda si guna dha kaçupi i saj. Gjithnjë hipur në pelë a kalë revan. Burrë më të bukur dhe pamje më piktoreske rrallë të shohin sytë” thotë bashkëluftëtari i tij Ago Agaj.

Me pelën doreshë të racës arabe të Alem Agait, që për bukuri e shpejtësi nuk kishte shoqe mbase në tërë Shqipërinë, i shpuri ultimatumin gjeneralit italian Piaçentinit, Mehmet Selim Mallkeqi. Alem Mehmet Tragjasi ka lindur në Tragjas të Vlorës, ku kaloi një jetë plot bukuri e gjallëri, me shokë dhe miq të shumtë që si munguan asnjëherë, plot lavdi e famë që rrallë t’i rezervon fati në histori, dhe e dorëzoi shpirtin e tij të bukur, po atje, në vitin  1926. Më poshtë Ago Agaj vazhdon: “Një nga më të pasurit e sigurisht më i dukuri i Parisë së Vlorës, Alem Mehmeti, kur nuk ishte i zënë me punë politike, bënte jetën më të rehatshme e me më salltanet nga të gjithë shokët e tij…

Ishte më i afruari te Ismail Beu dhe kish marrë pjesë në çdo lëvizje kombëtare kundër Turqisë. Në kohën e krijimit të Qeverisë Provizore të Ismail beut, Alem agai ish komandant i xhandarmërisë të krijuar rishtas dhe me gradën major, por pa rrogë pasi nuk pranoi të shpërblehej… E dorëzoi shpirtin e tij të bukur në Tragjas… pas një jetë plot bukuri e gjallëri të përfunduar plotë famë”. 3)

*      *      *

Vdekja e Alem Mehmetit tronditi zëmrat e vlonjatëve dhe të gjithë shqiptarëve. Një djalë i ri që më vonë do të merrte famë për përkushtimin ndaj çështjes sonë kombëtare Tahir Hoxha nga Tragjasi, shkroi nekrologjinë në shtypin e kohë.

Nga Enver Lepenica