Madhështia e Ismail Qemalit

1667
Nga Luan ÇIPI

Vijon nga numri i kaluar
Pas disa konsultimesh, më 5 nëntor në Hotelin “Kontinental” të Bukureshtit, u mbajt mbledhja e përfaqësuesve të Komunitetit Shqiptarë dhe të delegacionit me në krye Ismail Qemalin, të ardhur nga Stambolli. Në kujtimet e pjesëmarrësve të kësaj mbledhjeje, thuhet se: “Mbledhja vendosi njëzëri për pavarësinë e Shqipërisë dhe ngarkoi Ismail Qemal Vlorën dhe delegacionin e tij të kontaktonte përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin e tyre për këtë vendim”. Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij tregon se në momentin e largimit nga Bukureshti, Kristo Meksi i la në dorë Ismail Qemalit një çek prej 500 mijë frangash ari, dhuratë e Kryeministrit rumun Taqe Junesku. Dy ditë më vonë (7 nëntor) delegacioni i plotësuar edhe me katër përfaqësues të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, u nis për në Vjenë. Ismail Qemali me delegacionin shqiptarë, sapo kishte mbërritur në Vjenë, mori një telegram nga miku i tij i vjetër, konti Andrasay, ku e ftonte që të vijë në Budapest për t´u takuar me një mik të tijin. Më 8-9 nëntor në Budapest Ismail Qemali do të takohet me kontin Hadik von Berthold, ish-nënsekretar shteti dhe me Ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë. Në këto takime pasi u vu në pah rreziku i copëtimit të Shqipërisë nga shtetet fqinje, Austro-Hungaria, u shpreh e gatshme ta nxiste dhe ta mbështeste Pavarësinë e Shqipërisë. Konti Hadik e siguroi z. Vlora se qeveria e tyre kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim dhe së bashku nuk e shihnin me sy të mirë një shtrirje të Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit. Gjatë muajit tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit 1912 ushtria turke në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet, ndërsa trupat ushtarake serbe, malazeze dhe greke që përbënin “aleancën ballkanike”, përmes operacioneve shfarosëse ndaj shqiptarëve, kishin hyrë thellë në tokën shqiptare. Me 13 nëntor u nis një telegram nga Vjena, si vijon: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipnisë âsht sigurue. Ju porosis qi tyke i u mbështetun fatit të atdheut të punoni bashkë e si vllezën, të merreni me rregullimin e punëve të përgjithshme edhe të ruani qetësinë. I epni rretheve lajmen e gëzueshëm. Ju falem të gjithëve atënisht, Ismail Qemali”. Me kërkesën e Ismail Qemailit, diplomatët austro-hungarez, i siguruan delegacionit shqiptar një vapor për të zbarkuar në Durrës.

Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemal Vlora, përpara nisjes për në Durrës, gazetës italiane “Piccolo”, i deklaroi, se: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”. Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, përfundimisht delegacioni shqiptar në krye me Ismail Qemal Vlorën, me vaporin austriak “Graf Wurmbrand von Brünn” nga Trieste niset drejt brigjeve të Shqipërisë dhe zbarkoi në Durrës, më 24 nëntor, ora 4, ku e priti Dom Nikoll Kaçorri. Ishte menduar që ngritja e Flamurit të bëhet më 22 nëntor në qytetin e lashtë të Durrësit, me qëllim që të shmangnin lëvizjet e mëtejshme nëpër Shqipërinë e trazuar nga lufta, po situata në këtë qytet ishte shumë më ndryshe nga ç’pritej. Për shkak të gjendjes së nderë që mbretëronte në qytet, po atë ditë Ismail Qemali i lajmëroi telegrafisht të gjitha qytetet që delegatët e tyre t’i nisin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë. Ato ditë, meqë forcat serbe përparonin shpejtë drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (më 25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (më 26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës (më 27 nëntor), ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës.. 

Delegacioni me në krye Ismail Qemalin, niset më 25 nga Durrësi dhe duke iu shmangur rrugës kryesore, së bashku me delegatët e Shqipërisë së Mesme, niset për në Vlorë. Gjatë rrugëtimit të karvanit të Ismail Qemalit për në Vlorë, gjenerali i divizionit turk, Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, si pararojë të pjesës tjetër të armatës së Vardarit, që po vinte prapa në rrëmujë (e shpartalluar), dha urdhër të arrestohej Ismail beu me të gjithë kolonën e tij; për këtë arsye karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut. Natën tjetër bujtën në Fier tek Omer Pasha. Mirëpo gjatë natës komanda e trupave turke në Berat, nën trysnin e përfaqësuesve shqiptarë ndryshoi mendim. Nga Mifoli, delegacioni i Ismail Qemalit, udhëton me dy karroca dhe pas shumë peripecive, në pasditen e 27 nëntorit 1912 arrijnë në Vlorë. Situata në Vlorë ishte krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit. Populli vlonjat me këtë rast i bëri pritje madhështore delegatëve të ardhur nga disa krahina të Shqipërisë. Ismail Qemali për këto momente në kujtimet e tij do të shkruaj: ”Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli me përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”.. Delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë…, u vendosën në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëri i Ismail Qemalit (në selamllëk – oda e burrave),. Meqenëse anijet luftarake greke i qenë afruar portit të Vlorës dhe me të drejt i druhej ndonjë sulmi të forcave greke, por edhe për shkak të përparimit të pa ndaluar të ushtrisë serbe në verilindje të vendit, pa arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, në mbrëmjen e 27 nëntorit, delegatët që ndodheshin në Vlorë vendosën të nesërmen të mblidhnin Kuvendin Kombëtar, për ta shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe Qeverinë e Përkohshme. U caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemali dhe ai më 28 Nëntor 1912, ngriti në Vlorë flamurin e kuq me dy krena shqiponjash, një flamur që deri më sot na vjen në tre variante: I pari, se këtë e qëndisi Marigo Posioi, një nuse e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit; atë që e solli Spiridon Ilo nga SHBA; varianti i tretë i Eqrem bej Vlorës, sipas të cilit ia dha ai flamurin që ia kishte falur Aleandro Kasstriota, burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut. Në politikën e brendshme, Qeveria Kombëtare, u tregua i prirë për kompromise me çifligarët, për të përfituar nga ndikimi që gëzonin këta në shtresat e pasura e të mesme, por edhe i vendosur për demokratizimin e jetës së vendit. Por, me politikën e tij liberale e demokratike ngjalli kundërshtimin e rretheve konservatore e reaksionare, ku gjeti përplasje edhe nga bejlerë brenda familjes së tij. Kjo nuk e tërhoqi plakun e mençur. Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, ndonëse në kushte shumë të vështira të brendshme e të jashtme, mori një varg masash në fushën e ekonomisë, të ndërtimit shtetëror dhe të kulturës kombëtare që hapnin rrugën e zhvillimit demokratik të atdheut. Ajo, mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit. Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë. Kabineti i Qeverisë së Vlorës përbëhej nga 10 anëtarë: Kryeministër – Ismail Qemali, Zëvendëskryeministër – Nikoll Kaçorri, Ministër i Jashtëm – Myfit Libohova, i Luftës – Mehmet Pashë Dërralla, i Drejtësisë – Petro Poga, i Arsimit – Luigj Gurakuqi, i Financave – Abdi Toptani, i Bujqësisë – Pandeli Cale, i Post Telegrafit – Lef Nosi. Fjalia më e veçantë e ligjëratës së shkurtër e “Pavarësisë” e Ismail Qemalit në Vlorë është: “Zotit të Madh i lutem,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, në atdheun tonë të lirë”. Edhe pas ngritjes së flamurit shqiptar, realisht ushtria turke dhe institucionet e saj bashkëjetonin me qeverinë e Vlorës edhe pas 28 Nëntorit 1912, ku dhe batalionet e Vardarit të mundura nga trupat serbo-bullgare ishin strehuar në fshatrat e Myzeqesë kishin shprehur gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të shteti shqiptar në qoftë se do të cenohej. Ishte kjo ushtri, që i dha “qeverisë së Vlorës”, vetëm një copë territor, (Llogara – Mifol). Nuk mjaftonin turqit dhe fqinjët grabitqar, po në ato ditë heroike të “Pavarësisë” duhej t’i bëhej ballë dhe lloj-lloj ndërhyrjeve të çuditshme: Në morinë e pretenduesve për fronin e Shqipërisë renditeshin “fisnikë” të ndryshëm, e një ndër këta ishte Izet Pasha, një ushtarak me origjinë shqiptare, si makinacion nga Turqit e Rinj. Ata, prirjet e dëshpëruara që të shpëtonin territoret e Perandorisë në Ballkan, dërguan në mision majorin në karrierë Beqir Grebenenë me mbi 400 trupa në vaporët e linjës austriake Lloyd që shkonte deri në Trieste. Majori zbarkon me një varkë në Vlorë me pak oficerë për t’iu parashtruar planin qeverisë së përkohshme. Misioni i majorit xhonturk me origjinë shqiptare Beqir Grebeneja i cili kishte hyrë në kontakt edhe me Ismail Qemalin dështoi (pasi dhe u arrestua nga xhandarmëria e qeverisë së Vlorës me të zbarkuar në breg. Ky ishte dhe shkaku kryesor që Ismail Qemali u detyrua të japë dorëheqjen dhe më pas të largohej nga Shqipëria. Pushtetin ia “dorëzoi” Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pas kësaj u largua nga Shqipëria për në Nicë të Francës, për t`u kthyer disa muaj më pas e për t’u larguar sërish në Itali. Ismail Qemal Vlora, vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim duke punuar gjithnjë për të mirën e atdheut dhe duke bashkëpunuar me kolonitë shqiptare. Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris. Pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i epte të drejtë largpamësisë së tij ndaj kërkesave legjitime të popullit shqiptar, do shkruante: «Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit». Ismail Qemal Vlora vdiq në Peruxhia, ku ndodhej i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë, më 8 shkurt 1919. Atë e shoqëruan tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane. Trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinierës “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora.

«…Nëse matim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apoteozë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit…”.. Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemal Vlorës duka i Monpasiesë në mars 1913, kur bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë po më 12 shkurt 1919, ditën e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua himni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella. Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte një numër i madh qytetarësh pjesëtarë të Shoqëria Djaloshare. Pasonte banda ushtarake që luante marshe funebre. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitraljerëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre, të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit dhe po atë e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar. Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh. Në mbyllje do shtoja: Nga kontributi për Kombin Shqiptar, Ismail Bej Vlorën, unë do ta rendisja menjëherë pas Skënderbeut. Nderimi, vlerësimi dhe titujt e dekoratat që i takojnë Atij, duhet të gjykohen nga studiuesit dhe organet kompetente posaçërisht. Ajo që shoh unë me keqardhje, është mungesa për Të, e një monumenti të posaçëm e madhështor, në qendër të Tiranës, pranë Muzeut Kombëtar, për mos të ngelur te ajo shtatore salloni, e vendosur papërshtatshmërish, diku afër Presidencës. Në këtë jetëshkrim modest janë shfrytëzuar shkrime e studime të mara nga interneti si Wikipedia dhe me autorë: “Historia e Popullit Shqiptar”, Vllamasi, Zografi, Vokopola, Eqerem Vlora, Darling Vlora, Enrik Memeti, Bardhosh Gaçe etj.
Sigal