Luman H. Caka/ Gjatajt, babai dëshmor i LANÇ, i biri, poeti i këngëve partizane

1051
Sigal

Isuf Gjata, që ishte lindur në një familje të varfër të Korçës, më 20.6.1891, mbi 20 e ca vjet ia kushtoi punës së nderuar të mësuesit. Ai ishte babai i shkrimtarit të dëgjuar Fatmir Gjata, i cili e filloi krijimtarinë letrare nëpër llogoret e luftës për liri, duke shkruar vargjet e këngëve që u bënë marshe dhe himne të heroizmit partizan. Kujtojmë disa tituj këngësh: “Ato maja rripa-rripa”, “Hakmarrje”, “Plaku dhe i riu”, “Rini-rini”, “Britma e çlirimit”.

Që në moshë të re Isufi shkoi në Amerikë, ku punoi në sektorët më të vështirë, si miniera, ndërtime hekurudhash etj. U njoh atje me shokë që e ndihmuan dhe u bë anëtar i bandës muzikore “Vatra”. Isuf Gjata ishte i njohur edhe me Nolin e madh, që mbante ndezur në tërë Amerikën shpirtin e pashuar të patriotizmit. Me këtë figurë të rrallë e poliedrike, më pas Isufi do të mbante korrespondencë të rregullt. Në vitin 1920 u kthye në atdhe dhe nisi punën e mësuesit në qytetin e lindjes. Nxënësit e tij vite më pas do të bëheshin figura të shquara të kulturës sonë. Përmendim këtu emra të tillë si shkrimtari Sterjo Spasse, Piktori i Popullit Guri Madhi etj., të cilët mësuan nga Isuf Gjata, veç të tjerash, ta donin e nderonin punën si ai, të ishin korrektë si ai. Qe mësues shembullor. Tiparet e tij e ndihmuan Sterjo Spassen të portretizonte edhe ndonjë personazh, në romanet që do të shkruante posaçërisht për arsimin. Isuf Gjata kurrë s’u pajtua me regjimin e kohës, madje e luftoi atë me të gjitha format që mundi, duke edukuar tek nxënësit dashurinë për atdheun ndaj armiqve e tradhtarëve. Anëtar i Shoqatës “Bashkimi”, pjesëmarrës me armë në dorë në Revolucionin e Qershorit 1924, organizator i Shoqërisë Muzikore “Lira” të Korçës dhe “Rinia korçare”, Isuf Gjata s’pushoi ndonjëherë së punuari në dobi të Atdheut. Në vitin 1930 ishte në krye të arsimtarëve korçarë në protestën për çështjen e rrogave.

Pas lënies së vendit tonë në dorë të fashizmit nga i ashtuquajturi mbret i shqiptarëve, Isuf Gjata me dy djemtë hidhet pa hezitim në luftën çlirimtare. Shtëpinë e vuri në dispozicion të ilegalëve të Korçës. Dha ndihmë edhe për revistën antifashiste të rinisë “Korça e re”, duke përgatitur skeçe e materiale të ndryshme për të.

Fashistët e arrestuan dhe e internuan Isufin në kampin famëkeq “Porto Romano”, ku Isufi edhe në këto kushte, bashkëpunoi me revistën ilegale “Mundimi”, disa numra të së cilës qarkulluan me shkrimin e tij të bukur. Pasi mundi të dalë i gjallë nga “Porto Romano”, me të mbërritur në Korçë, ai arrestohet sërish nga nazistët, të cilëve u shpëton dhe bashkë me familjen shkon në Gorë-Opar. Atje punon për ngritjen e këshillave nacionalçlirimtare dhe hapjen e shkollave. Në janar 1944, gjermanët dhe ballistët e kapin tradhëtisht dhe në befasi e pushkatuan në një përrua të fshatit Dushar. Biri i tij, shkrimtari i shquar Fatmir Gjata e qau me vargjet e këngës.