Luftëtari 60-vjeçar që mbeti simbol i patriotizmit

1497
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Në kuadrin e 98-vjetorit të Luftës së Vlorës 1920)

Jetëshkrimi
U lind në fshatin Salari të Tepelenës, në vitin 1860, në një familje me tradita atdhetare. Selam Musai ishte 18 vjeç, më 1878, kur plasi përsëri kryengritja kundër Perandorisë Osmane dhe patriotët shqiptarë po punonin me popullin për ta përgatitur e për ta hedhur në luftë. Në vitet 1879-1880 atë e kërkuan për të shkuar të kryente shërbimin ushtarak osman, por ai nuk u paraqit, dhe që nga ajo kohë qëndroi i fshehur. Por në vitin 1881 atë e kapin dhe, me detyrim e nën vërejtje e nisin për në Azi. Shërbimin ushtarak Selam Musai e kreu në viset e largëta të Perandorisë Osmane, në kryeqytetin e Jemenit, Sanë, ku qëndroi gjashtë vjet. Në Jemen, Selam Musai ra në kontakt me shqiptarët e mërguar, që punonin e luftonin për zgjimin e ndjenjave kombëtare dhe propagandonin kundër Perandorisë Osmane. Kur u kthye nga Jemeni në atdhe, Selam Musai shtëpinë dhe stanin e familjes e shndërroi në qendër të rëndësishme për çetat patriotike të Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos. Në 1911 mori pjesë aktive në veprimtarinë patriotike të çetave në kryengritjet kundër trupave turke e më pas kundër andartëve grekë. Në kryengritjet për Pavarësi do merrte pjesë në krye të çetës së Salarisë, deri në shpalljen e saj.
Në gjirin e lëvizjes patriotike
Selam Musai, që i ri, u dallua në fshat për guximin dhe ndjenjat patriotike. Te ai kish ndikuar propaganda e rilindësve për ngjalljen e ndjenjës kombëtare dhe të urrejtjes kundër pushtuesve osmanë. Në vitin 1905 në Tepelenë vepronte një komitet i fshehtë, i cili punonte aktivisht për çeljen e shkollave shqipe. Kështu në fshatin Salari u mbyll shkolla turke, dhe Selam Musai u dallua për këtë veprim. Në vitin 1906 e më vonë në Jug u krijuan çetat e para patriotike, të cilat filluan t’i kthenin pushkën Perandorisë. Kështu që në janar 1907-s, çeta e komanduar nga Çerçiz Topulli, filloi të mbante lidhje të ngushta me patriotë të tjerë, si me Selam Musanë, i cili e ktheu shtëpinë e tij në një çerdhe për luftëtarët e lirisë. Selam Musai mori pjesë në varrimin e trimit Hajredin Tremishti, i cili ishte luftëtar në çetën e Çerçiz Topullit. Gjatë viteve 1907-1908, Selam Musai mbante lidhje të ngushta edhe me komandantin e çetës patriotike, Nazif Hadërin nga Palavila. Në mesin e vitit 1911, malet e Jugut u mbushën përsëri me çeta luftëtarësh. Çetat patriotike filluan të sulmonin garnizonet e ushtrisë turke. Në njërën prej tyre, në Alipostivan të Përmetit, ra si burrat miku e shoku i ngushtë i Selam Musait, Nafiz Hadëri, patriot dhe komandant çete. Selam Musai, bashkë me mjaft nga fshatarët e tij, u hodh në kryengritjen e vitit 1911 duke qenë në radhët e çetave patriotike.
Në luftë për mbrojtjen e Jugut, në vitin 1914
Më 1912 i përgjigjet thirrjes së Qeverisë së Vlorës dhe në krye të çetave të Labërisë shkoi të mbronte Jugun e Shqipërisë nga forcat greke, ku edhe u plagos. Pas shpalljes së Republikës Autonome të Epirit të Veriut, në mars 1914 do të vihej në krye të të luftëtarëve shqiptarë që do të luftonin në mbrojtje të Tepelenës. Në Hormovë lufta ishte e rëndë, ku dhe u plagos. Andartët grekë masakruan më 29 prill 1914 më shumë se 200 burra nga Hormova në një kishë. Përpjekje të ashpra me andartë grekë u bënë në Lekël e Hormovë, ku, ai u bë dhe dëshmitar i masakrave të tyre. 

Tha Selami zemër trimi,
o burra o shqipëtarë,
greku kërkon të na marrë. 

Kjo ishte thirrja që u bëri Selami labëve në fillim të luftimeve. Lufta do të zhvillohej në një vijë, e cila kalonte nga Korça në Përmet, në Tepelenë, në Kurvelesh dhe në Himarë. Periudha e luftime do të zgjasnin nga marsi deri në tetor të vitit 1914. Shumë luftëtarë shqiptarë ranë dëshmorë në këto luftime e shumë të tjerë u plagosën. Në krye të 200 luftëtarëve Selam Musai kaloi urën e Subashit dhe zuri fshatin Hundëkuq, duke e mbrojtur atë prej andartëve grekë. Trupat greke u tërhoqën në Labovë për nga u drejtua dhe Selam Musai. Duke hapur luftë në Tepelenë u jepej ndihma luftëtarëve kurveleshas që luftonin në Cepo në afërsi të Gjirokastrës. Luftëtari Sulo Beqiri ishte nga Golëmi, që në bashkëpunim me Selam Musain organizuan qëndresën shqiptare më të ashpër, duke i shtyrë forcat greke në drejtim të Gjirokastrës e duke detyruar Zografon të shpërngulte qeverinë e tij në Delvinë, nga frika se mos Gjirokastra binte në duart e shqiptarëve. Në një çast të vështirë për trupat shqiptare që luftonin në Cepo, ardhja e Selam Musait nga ana tjetër e Drinos, u dha mundësi që të merrnin frymë më lirë, sepse forcat greke u detyruan të shpërndahen. Lufta këtu u zhvillua e egër, e gjatë, deri më trup me trup. Në një këngë kushtuar Luftës së Vlorës 1920 thuhet se Selam Musai para se të niseshin për sulm ka thënë: 

Selam Musai s’më thonë,
po s’e bëra si Labovë,
që zura grekrit me dorë.
Kolonelin Tomson ngeli i befasuar
Prej trimërisë së luftëtarëve shqiptarëve, koloneli Tomson që komandonte forcat e rregullta shqiptare, do ta vlerësonte dhe do të ngelej i befasuar, prej guximit dhe mënyrës së të luftuarit, deri në mposhtjen e kundërshtarit. Në Hormovë lufta ishte e rëndë, Selam Musai u plagos. Luftëtari Bilbil Zekua prej Hormova e shpëtoi nga vdekja duke rrezikuar jetën e tij. 

Bilbil Zeko luani,
kur e pa se ra Selami,
me shokë del nga istikami,
sulmon porsi tigër mali,
rrugën për te Selami,
me gjak e çan jatagani.
Selamin seç e shpëtojnë,
në Hormovë gratë e mjekojnë.

Me gjithë trimërinë e tyre, shqiptarët u tërhoqën dhe grekët kryen masakra. Ata vranë gra e burra, foshnja e pleq. 

Të tërhiqet Kurveleshi,
perëndia kështu deshi,
kështu deshi perëndia,
të shkretohet Labëria. 

Pjesa më e madhe e Labërisë do të shpërngulej në drejtim të Lumit të Vlorës dhe në Vlorë. Ky kalvar vazhdoi gjatë gjithë Luftës së Parë Botërore e do të përfundonte në vitin 1920, vit në të cilin Selam Musai do luante një rol të rëndësishëm.
Rënia heroike në Qafë të Koçiut, nderimi
Selam Musai, ashtu si për shovinistët grekë, edhe për pushtuesit italianë u ngrit prapë me armë në dorë. Kështu në mbledhjen e Turanit, nga fillimi i muajt maj 1920 doli dega e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, anëtar i të cili ishte dhe Selami, e që drejtohej nga Baba Ahmet Turanit të ngritur në krahinën e Tepelenës, së bashku me kapedanët dhe luftëtarët e shquar Ali Bença, Riza Runa, Arshi Shehu etj. Komiteti mori në dorë përgatitjen dhe drejtimin e kryengritjes, organizoi mbledhjen nëpër fshatrat e Tepelenës dhe të Kurveleshit dhe formoi çetat e luftëtarëve. Ndaj nga fundi i muajt maj në çdo fshat kishte gati çetën e tij, komisioni ushtarak e aprovoi strukturën organizative të çetave të Tepelenës, që do të hidhej në luftë. Në Baçardha u mblodhën prijësit e Labërisë, më 29 maj 1920, ku u vendos t’i dërgohej ultimatum italianëve, për dorëzimin e Vlorës. Komisioni ushtarak e aprovoi strukturën organizative të çetave të Tepelenës, duke i pajisur forcat e pesë fshatrave të Lopësit në një çetë, e cila u quajt Çeta e krahinës së Lopësit, dhe forcat e Salarisë, Dukajt e Turanit në një çetë, e cila u quajt Çeta e Salarisë, meqenëse luftëtarët e fshatit të Salarisë përbënin shumicën. Selam Musai u prit mirë nga anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe komisioni ushtarak më 2 qershor 1920. Ata kishin dëgjuar që Selami ishte luftëtar i vjetër, trim, njeri me autoritet, që gëzonte besimin e masave të gjerë të luftëtarëve. Selamin e caktuan komandant të të dy çetave të Tepelenës. Ai udhëhoqi fshatarët e Labërisë kundër forcave okupuese italiane në garnizonin e Kotës, në Drashovicë, në Kaninë dhe në rrethinat e Vlorës. Në luftime, u shqua aftësia e tij udhëheqëse dhe trimëria e tij, në luftimet që përfunduan trup më trup. Në Qafë të Koçiut dha jetën për çlirimin e vendit, më 12 qershor 1920, por trupi i tij nuk u gjet se ai ishte i djegur gjatë luftimeve të ashpra të zhvilluar aty. Halim Xhelo do ta cilësonte Qafën e Koçiut, si Termopilen shqiptare. Selam Musai tashmë është bërë simbol i patriotizmit, vendosmërisë dhe heroizmit popullor të Labërisë e mbarë Shqipërisë. Heroizmin e Selam Salarisë, populli e përjeton me këngë:

“Ç’e zure topin nga gryka,
lule more Selam lule”. 

Patriotët tepelenas në Luftën e Dytë Botërore formuan çetën e parë partizane të pagëzuar me emrin “Selam Musai”. Për Selam Musanë janë ngritur dhe shkruar mjaftë këngë popullore, poezi si dhe është shkruar një monografi nga Xhafer Matuka. Për të janë ngritur buste dhe mjaft shkolla e rrugë të Atdheut mbajnë emrin e tij. Ai është shpallur “Hero i Popullit”.
Sigal