Lufta për realizimin e Autonomisë dhe shtypja e Lidhjes së Prizrenit

1753
Nga Gëzim Zilja

Dhjetor 1880-janar 1881
Menjëherë pas dorëzimit të Ulqinit 26 dhjetor 1880, Dervish Pasha iu turr egërsisht degës së “Lidhjes” në Shkodër, duke arritur ta shpërndante dhe të vendoste administratën turke kudo. Arrestohen pabesisht dhe internohen ne Anadoll, Hodo Sokoli e Preng Bib Doda. Daut Boriçi internohet në Stamboll. Në fund të dhjetorit Dervish Pasha i kërkon Portës së Lartë 40 batalione për shtypjen përfundimtare të “Lidhjes Shqiptare” në të gjitha trojet shqiptare, veçanërisht në Veriun e Shqipërisë. Gjysmën e këtyre batalioneve do ta mbante në Shkodër dhe gjysmën në Shkup. Të ndodhur në këtë situatë në Kosovë filluan veprimet e armatosura fillimisht nga banorët e Prizrenit, të cilët dëbuan administratën turke. Njëkohësisht ajo u dëbua nga, Gjakova, Luma, Gucia, Kumanova e Tetova. Në fund të dhjetorit u riorganizua “Komiteti Kombëtar i Lidhjes” ku mbeti shumica e anëtarëve të mëparshëm, që ishin dhe themeluesit e “Lidhjes”si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra e tj. Dhjetë ditëshin e dytë të janarit 1881, u mblodh “Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes” ku kërkohej një shtet autonom shqiptar. Nëse nuk do të njihej nga Stambolli, do të vazhdonte kryengritjen e armatosur. Komiteti Kombëtar shpalli Qeverinë e Përkohshme me kryetar Ymer Prizrenin e nënkryetar Shuaip Spahiun me dhjetë anëtarë, midis të cilëve Abdyl Frashëri i ngarkuar me punët e jashtme dhe Sylejman Vokshi i ngarkuar me punët ushtarake. Më 4 janar 1881 kryengritësit e “Lidhjes” shtinë në dorë Shkupin, e më vonë Prishtinën e Mitrovicën. Në fund të shkurtit Qeveria e Përkohëshme u shtri në Pejë, Tetovë, Vuçiternë, Tetovë, Gostivar e Dibër dhe vendosi pushtetin e saj në pesë sanxhakët e Kosovës, Prizrenit, Pejës, Shkupit e Prishtinës. Ajo synonte ta shtrinte kryengritjen në vilajetin e Shkodrës, të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Në një letër që Sami Frashëri i dërgonte më 20 shkurt 1881 Jeronim De Radës midis të tjerash theksonte: “Lidhja shqiptare e Prizrenit mori emrin e Kuvernës së Përdorme( Qeverisë së Përkohshme) dhe përzuri kuvernatorët turq nga gjithë vilajeti i Kosovës edhe nga Prizreni, nga Gjakova, Dibra, Tetova e 10.000 shqiptarë të armatosur kanë zënë Shkupnë dhe udhën e hekurt. 10.000 të tjerë po bëhen gati për t’u unjur në Toskëri. Për pak kohë do të dëgjoni një ngritje (kryengritje) të madhe në Shqipëri… Në u bëftë Shqipëria më vete nuk do të kemi nevojë për princër, as të krishterë e as muhamendanë, që të na rrjepnë e të na pijnë gjaknë. …” Konsulli austro-hungarez nga Shkodra shkruante: “ Edhe nëpunësit më të vegjël janë caktuar nga “Lidhja.” Gjyqtar është një qytetar i Prizrenit. Taksat që nxirren nga popullsia derdhen në llogari të “Lidhjes”; nëpunësit i marrin rrogat rregullisht. “Lidhja” ka kujdes mbajtjen e rendit në qytet dhe në fshat. Sigurimi publik tani është shumë më në rregull seç ishte në kohën e administratës turke…”

Shtatë gjeneralë nën komandën e Dervish Pashës me 15 batalione me 15.000 ushtarë të armatosur rëndë dhe të pajisur me artileri të fuqishme (veç 15.000 që ndodheshin në Shqipëri) u ngarkuan të shtypnin autonomistët shqiptarë. Ushtria e Dervish pashës zbarkoi në Selanik dhe prej këndej u nis për në Shkodër e Kosovë. Tre vargjet e mëposhtëme japin zbarkimin e ushtarëve turq dhe paralajmërojnë mynxyrën, që ata do të sillnin:

Shumë asqer po qet’ pamporri
Tan po i qet’ ma zi se korbi
Si me qen asqer moskovit.

Menjëherë Dervish pasha drejtohet kah krerëve të kryengritjes, duke shprehur qartë porosinë e Portës së Lartë:

Dervish pasha prej Stambolli
Ku i ka çadrat Mic Sokoli?
Ku i ka çadrat, ku i ka t’part?
M’ka çu mreti me ia çart…

Dhe më tej sqaron arsyet e shtypjes së kryengritjes:

Shah’ ndër veti do me kanë 
kurrgja mretit mos me i dhanë
as redif’ e as nizamë.

Tashmë shqiptarët kanë tre vjet, që bëjnë luftë, në Gjakovë, Tivar, Ulqin, Plavë e Gusi, Hotë e Grudë, duke kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha dhe të Turqisë për copëtimin e trojeve të tyre. Këtë herë lufta do të jetë edhe më e përgjakshme. Një grusht njerëzish janë ngritur në luftë kundër shtatë Fuqive të Mëdha dhe vetë Perandorisë. Në “Historinë e Ballkanit” me autor Misha Glenny, botim i vitit 2000 thuhet: “… Kështu shqiptarët qenë të vetmit që arritën të revizionojnë Traktatin e Berlinit me forcën e armëve… fq. 154” Nuk është tashmë vetëm Mali i Zi armiku i shqiptarëve, por vetë Perandoria. Përfundimisht shqiptarët nuk kanë mëdyshjen më të vogël se varri i tyre do të jetë Turqia nëse nuk shpëtojnë nga zgjedha e saj:

Mic Sokoli po bërtet 
Ali Ibrën po thërret
Merr bajraqet hajde shpejt 
na rrethoi asqeri mret (sulltani).

Ndërkaq Dervish Pasha, arrestoi pabesisht (i thirri për bisedime) 11 anëtarë të “Lidhjes” për Shkupin, me në krye Jashar bej Shkupin dhe pasi i shëtitën në qytet të lidhur me pranga i dërguan në burgun e Selanikut. Shkupi ra pa rezistencë edhe për arsyen se “Lidhja” nuk bëri zëvendësimin e administratës turke me shqiptarë. Dervish Pasha vendosi përkohësisht shtabin në Shkup. Lidhja shqiptare lëshoi kushtrimin në mbarë Kosovën për të rrëmbyer armët. U formua Shtabi i Mbrojtjes me Sulejman Vokshin komandant e anëtarë Ali Ibrën, Mic Sokolin, Binak Alinë, Sef Kosharen, Halim Efendiun, Zeqirja Agën, Mullah Hysenin, Mustafa Agën, Halil Efendiun. Fillimisht u mblodhën 5 mijë luftëtarë tashmë të regjur në luftime me malazestë dhe turqit. Këtë herë lufta do të ketë qëllim shkëputjen nga Turqia dhe do të jetë pa kthim prapa. Në ballë janë prijësit e “Lidhjes”:

Mic Sokoli nji fjal po flet
Po i thotë nanës të mir meç’
Pa u farue Malsia krejt
Ktu nuk hyn as kral as mbret.
Ymer Prizreni trim shqiptar
Sylejmani ni komanar
I tubuen tre mi luftarë 
Tan’ malsorë në plisa t’bardhë
Sylejmani matke fjalë:
Ngoni vllazën shiptarë 
Do t’i dalim turkut përballë.

Është shumë interesante biseda e një vullnetari, që pyet plot sinqeritet “Efendiun”, se çfarë do të bëhet, a do të luftojnë me pushkë kundër turkut e mbretit ( sulltanit)?

Efeni na ç’ka me ba
A ban turkut n’pushk me i ra?

Përgjigjen ia jep hoxha, që ndodhet aty e që përfaqëson, sigurisht një nga njerëzit me autoritet të krahinës. Del edhe një herë në dritë thënia monumentale e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit është shqiptarija” në një variant pak të ndryshuar por në thelb i njëjti. Hoxha i përgjigjet, se kush vret jo një ushtar turk por vetë sulltanin (mretin) shkon në parajsë (Xhenet) 

Myderrizi (hoxha) kish pas thanë
Kur është fjala për vatanë
Jo veç turkut e ati tjetrit 
po ni plum kush ia nep mretit(sulltanit) 
ka me shku n’lula (kopshte) t’xhenetit.
S’njohim pash-o, kral as mret
Venin ton’ e sunojmë vet. 
Më 15 prill 1881 “Lidhja” i dërgoi një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku shprehte vendimin për të mbrojtur me armë të drejtat kombëtare. Më 20 prill ushtritë turke të ndara në dy kolona filluan sulmin mbi forcat kryengritëse në Slilovë dhe Shtimje. Forcat kryesore ushtarake vullnetare të shqiptarëve nën komandën e Mic Sokolit nga Krasniqja dhe Ali Ibrës nga Gashi u mblodhën në afërsi të të qytetit Shtimje ndërsa pjesa tjetër nën komandën e Sulejman Vokshit u grumbulluan në grykën e Cernalevës, pranë fshatit Slilovë. Qëllimi ishte të mos lejohej Dervish pashën të marshonte për Prizren. Më 21 prill 1881 u bë beteja midis të dy ushtrive në Shtimje midis Ferizajt dhe Prizrenit. Rreth 3000 shqiptarë të armatosur me pushkë me çark u matën me disa batalione turke trefish më të mëdha në numër, të armatosura mirë dhe të paisura me dy bateri malore Beteja zgjati mbi pesë orë. Fatin e betejes e vendosi artileria. U vranë 1800 ushtarë turq dhe 800 vullnetarë shqiptarë. Pas betejës në Shtimje shqiptarët zunë vend në fshatin Slilovë të vendosur që Dervish Pashës t’i jepnin një betejë të dytë. Në krye të forcave shqiptare ishin Mic Sokoli, Binak Alija dhe Sylejman Vokshi. Më 22 prill u bë beteja e dytë vendimtare më e rreptë se e para. Pati përleshje trup me trup ku shqiptarët treguan heroizëm të rrallë. Duke parë vendosjen e një baterie armike, që po u shkaktonte dëme të mëdha kryengritësve, komandanti i atij sektori, Mic Sokoli, me disa luftëtarë mori përsipër asgjësimin e saj. Të gjithë u vranë në këtë sulm:

Mic Sokoli ban me dorë
Bini shok se s’muj me fol
Se m’ka ra do gjak në gojë
Se m’ka ra do gjak në bark
Shtatë martina i kam në shtat.

Është një figurë madhështore ajo e Mic Sokolit. Në vargjet dhe legjendat thuhet se ashtu “me shtatë martina në trup” iu hodh topit në grykë, veprim që u përsërit tridhjetë vjet më vonë nga Selam Musai, në luftën e Vlorës.

Mic Sokoli si po lufton
Drejt kah topi ai po shkon
Grykn’ e topit ai e mësyni
T’tanë asqerët i mloi timi
Vargjet e tjera përcjellin kobin:
Mic Sokolin e vrau reja
E vrau reja e vrau moti
E vrau Dervishi me gjyle topi

Heroizmi i shqiptarëve edhe këtë herë i kapërceu kufijtë e Shqipërisë. Ndrin figura madhështore e Sulejman Vokshit, jo vetëm si luftëtar por edhe si prijës i rrallë. Ai fton në luftë shqiptarët, duke përmendur krahinat nga ata vinë dhe cilësitë e tyre të veçanta:

Sulejmani ka hip n’thep
Bash si zana po pisket
Ju Kabash bini he burra
Qitni n’thika n’kacaturra
Suharekë trima ozgana
Bini n’pritë merrni n’nishana
O Pojan o djem çobana 
preni turqit n’jatagana
Ju hasjanë prej Malsie
Mësyni hasmin si u ka hije
Podrimçakë he inatçi
Mos ta lam pashën me hi.

Ja si bien dëshmorët në fushën e betejës për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. 

Ba(j)ram Rama i Malsisë 
Fort ia dha dorën shahisë (pushkës)
Ia dha dorën ia dha gishtin
A mi patë Zmajlin (Hyseni) e Micin(Sokolin)
Fejt(fyt) më fejt tha me Dervishin

Më poshtë ashtu si jepet amaneti i luftëtarit, që bie në fushën e betejës: 

Zmajl Hyseni ish kan drague
Nan’ e bab’ ju met pa mue
Nan” e bab’ ju met pa djalë
N’fush të Shtimjes sot jam nalë
Mos ma leni gjakin pa marrë…

Por ndodh edhe kështu me trimat që derdhin gjakun për atdheun:

Zmajl Hyseni hup’ e tretë
Kurrkush vorrin s’ia ka gjetë. 

Beteja vazhdon e ashpër trup me trup me betimin solemn: 

Pa u farue malësia krejt
këtu nuk hyn as krajl as mbret.

Ashtu si dhe në këngët e Jugut rapsodi popullor kujdeset që në vargjet e tij të gdhenden të gjithë emrat e luftëtarëve si Ali Ibra, Ismail Hyseni, Niman Sula etj. por jo vetëm kaq. Secili duke rënë për atdhe e ka një fjalë të fundit një porosi: 
Ali Ibra n’vraç të zi
Po i shkon gjaku për zinxhi
Bini djem t’desim me ner
Se shqiptari dy h(g)zime ka
Nji kur le dhe n’luft me ra
Sigal