Lufta e Vlorës në 1920-n, vendimtare për sigurinë e vendit

2193
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

(Në kuadrin e 97-vjetorit të fitores, më 3 shtator 1920)
Lufta e Vlorës së 1920-s, domosdoshmëri historike
Lufta e Vlorës e vitit 1920 hyri në fondin e artë të vargut të pandërprerë të luftërave që kanë bërë populli ynë në shekuj për liri e pavarësi. Ajo ishte një luftë nacionalçlirimtare, thellësisht antiimperialiste që u kurorëzua me sukses, si rrjedhim i vendosmërisë dhe i përpjekjeve të popullit tonë për të siguruar lirinë dhe pavarësinë e Atdheut. Kjo luftë është rrënjosur thellë në ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar. Nëpërmjet luftës së armatosur që ishte atëherë një domosdoshmëri historike, u realizuan objektiva të rëndësishme strategjikë: u asgjësuan planet antishqiptare të pushtuesve italianë, të cilët përbënin rrezikun kryesor, gjë që krijoi kushte të favorshme për të përfunduar me sukses luftën kundër pretenduesve të tjerë, shovinistëve grekë e jugosllavë. Realizimi i këtyre objektivave në një moment tepër kritik për popullin tonë, siguruan pavarësinë e shtetit shqiptar, tërësinë e tij tokësore dhe patën ndikim vendimtar në të ardhmen e vendit.

Vlora-pozitë e rëndësishme strategjike
Fitorja që arritën forcat kryengritëse shqiptare e bindi më në fund qeverinë italiane se baza e Vlorës, pavarësisht vlerave të saj gjeostrategjike, nuk mund të mbahej me forcën e armëve. Përballë këtij realiteti dhe, duke dashur të justifikojë tërheqjen e detyruar të ushtrisë italiane nga Vlora, ministri i Punëve të Jashtme K. Sfovca, pohon përpara Parlamentit Italian më 26 gusht 1920, se Vlora, si pozitë e rëndësishme strategjike, mund të vlejë, por vetëm me marrëveshje të plotë me shqiptarët, përndryshe ajo nuk ka asnjë vlerë. Fitoret që arriti populli shqiptar në luftën çlirimtare të viteve 1918-1920 i detyruan qeveritë e Fuqive të Mëdha të ndryshojnë qëndrimin ndaj vendit tonë e si rrjedhim ndryshoi edhe raporti i forcave në arenën ndërkombëtare në dobi të njohjes së pavarësisë të shtetit shqiptar dhe u rrëzua teza se shqiptarët s’janë të zotë të qeverisin.

Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës dëshmuan për zhvillimin politik të shoqërisë shqiptare, për rritjen e ndërgjegjes kombëtare që sollën bashkimin e të gjitha shtresave të popullit shqiptar për të përballuar rreziqet që mund t’i kanoseshin. Lufta e Vlorës, shkruante gazeta “Drita”, në përvjetorin e saj të parë në shtator 1921, ishte shfaqja botërisht e vitalitetit kombëtar dhe dita e dorëzimit të Vlorës në duart tona qe përfundim i asaj gjallërie që lindi në Lushnjë… ngjarja e Vlorës pra, ishte një shembull i shkëlqyer për miqtë dhe armiqtë tanë, të cilët besuan me prova se kishin vendosur të rrojnë dhe se meritonin ta kishin këtë të drejtë.

Jehona në arenën ndërkombëtare
Fitorja që arriti populli shqiptar në Luftën e Vlorës të vitit 1920, pati jehonë në arenën ndërkombëtare. Shtrohej pyetja: si është e mundur që një popull i vogël, i varfër e i paarmatosur, të ndeshej e të fitojë ndaj një fuqie të madhe siç ishte Italia. Shembulli i Shqipërisë vështirë se mund të gjente shpjegim në teoritë e kohës. Ai tregonte qartë, se një fuqi e vogël kur para saj shtrohej çështja për mbijetesë, gjen rrugët e mundësitë për të arritur fitoren, çka duhet të ndikojë te përfytyrimi që duhet të kenë Fuqitë e Mëdha për këtë vend. Italia u ndesh në Shqipëri me një vendosmëri të lartë të popullit për të ruajtur pavarësinë, çka i zbehu synimet e strategjisë italiane në drejtim të Shqipërisë. Arritjet e qeverisë së Tiranës që shmangën rrezikun e një Fuqie të Madhe si Italia, duke kombinuar diplomacinë me forcën, ishin tepër domethënëse e mbresëlënëse. Këto arritje të mbështetura në mobilizimin total të popullit shqiptar për mbijetesën e kombit, patën ndikimin e vet në prirjen e Fuqive të Mëdha për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare.

Lufta e Vlorës, frymëzim në letërsi
Për vlerat që ka, për trimëritë dhe heroizmat, Lufta e Vlorës ka frymëzuar një letërsi të pasur. Botohen për të romane, tregime, vëllime me poezi e këngë popullore. Tërheq vëmendjen romani i shkrimtarit të shquar Petro Marko “Ultimatumi”. Edhe titulli që ka është tepër domethënës: kryengritësit marrin kurajën të kërcënojnë komandën italiane. Ultimatumi ishte një shprehje e qartë e krenarisë, e atdhedashurisë, e burrërisë të forcave kryengritëse, përballë nervozizmit, hutimit dhe sedrës të lënduar të komandës italiane. Interes të veçantë paraqesin për Luftën e Vlorës këngët popullore. Fillimet e tyre i gjejmë që gjatë ditëve të kryengritjes, për t’u bërë pjesë e pandarë e folklorit popullor ndër vite. Gjatë mbrëmjeve luftëtarët me këngë shprehnin entuziazmin e tyre, forcën, besimin dhe gatishmërinë për të luftuar dhe fituar. Këngët për Luftën e Vlorës janë thurur e kënduar jo vetëm në Vlorë e në territoret përreth, por edhe në shumë krahina të tjera të vendit, shprehje kjo e shtrirjes së saj, e qindra e mijëra vullnetarëve që vinin nga këto krahina. Pavarësisht se u zhvillua në një hapësirë lokale, ajo mori karakter mbarëkombëtar.

Këngët lindën në zjarrin e betejave, ishin frymëzim i veprimtarisë luftarake, i trimërisë e i heroizmave individuale, i imagjinatës të luftëtarëve, si edhe i mjeshtërisë dhe i aftësive drejtuese të komandantëve, duke na i dhënë ata në përmasat reale, me vërtetësi e në mënyrë bindëse. Këngët u bënë kështu një burim i rëndësishëm informacioni. Ato skalitën në kujtesën popullore vlerat e Luftës së Vlorës, si dhe përjetësuan aktet heroike, trimat dhe heronjtë, duke i vendosur në panteonin e lavdisë së kombit. Fitorja e Luftës së Vlorës dhe kushtet e favorshme që u krijuan mbas saj si në planin e brendshëm edhe në atë ndërkombëtar, i dhanë mundësi qeverisë së Tiranës të nisë përpjekjet për të përfshirë brenda juridiksionit të saj gjithë krahinat e vendit sipas kufijve të miratuara në Konferencën e Londrës të vitit 1913. Plotësimi i kësaj detyre ndeshi në mjaft pengesa e vështirësi që sollën jugosllavët me konfliktet në zonën e Koplikut e të Peshkopisë dhe grekët, të cilët mbanin forcat e tyre në 26 fshatra në kufirin greko-shqiptar në lindje të Korçës.

Lufta e Vlorës e bëri Shqipërisë anëtare të Lidhjes së Kombeve
Fitorja e arritur në Luftën e Vlorës, i hapi perspektivën Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Lidhjes së Kombeve. Vetëm një muaj mbas largimit të trupave italiane nga Vlora, më 2 tetor 1920, qeveria e Tiranës i kërkoi Lidhjes së Kombeve me qendër në Gjenevë, pranimin e Shqipërisë në këtë organizatë ndërkombëtare. Kërkesa e Shqipërisë u shqyrtua nga Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve, e cila më 17 dhjetor 1920 e pranoi Shqipërinë si anëtare të Lidhjes me të drejta të plota. Në këtë mënyrë u hodh një hap tjetër i rëndësishëm për sigurimin e pavarësisë së vendit brenda kufijve të miratuar nga Konferenca e Londrës të vitit 1913. Pranimi i vendit tonë në Lidhjen e Kombeve pati rrjedha pozitive, sidomos për zgjidhjen e konflikteve që kishte Shqipëria me Jugosllavinë dhe Greqinë, të cilat vijuan edhe gjatë vitit 1921. Qeveria shqiptare bëri mjaft përçapje në rrugë diplomatike me Beogradin dhe Athinën por pa sukses. Përballë këtyre vështirësive, ajo ju drejtua Lidhjes së Kombeve për rinjohjen e kufijve të vitit 1913, si dhe kërkoi ndihmën e saj për të ndikuar në tërheqjen e trupave jugosllave që ishin brenda kufirit shqiptar dhe në largimin e forcave greke nga fshatrat që mbanin në kufirin juglindor. Me ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve këto probleme gjetën zgjidhje. Shqipëria tashti ishte më e sigurt në përpjekjet e saj për zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe për ndërtimin e një shteti modern.

Me Italinë tani na lidh një miqësi e ngushtë
Nga Lufta e Vlorës e vitit 1920 na ndan gati një shekull. Kohët kanë ndryshuar. Në Itali jetojnë dhe punojnë mjaft shqiptarë, të cilët kanë krijuar ura lidhëse midis dy vendeve tona. Me Italinë tani na lidh një miqësi e ngushtë si në planin ekonomik dhe në atë ushtarak. Në fushën ekonomike, Italia së bashku me Greqinë dhe Turqinë renditen ndër aleatët kryesorë strategjikë me shkëmbime tregtare dhe investime të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Po kështu, numri i madh i emigrantëve shqiptarë në Itali, siguron një shifër të konsiderueshme remitancash tepër me vlerë për mirëqenien e familjeve shqiptare, si dhe për zhvillimin ekonomik në tërësi. Në planin ushtarak, të dy shtetet si anëtare të denja të NATO-s janë në një partneritet strategjik tepër efektiv. Nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta është bërë e mundur një përgatitje cilësore ushtarake. Në shkollat dhe akademitë e Italisë, përgatiten mjaft kuadro në nivelin e oficerëve të trupës, por edhe të niveleve të larta. Efektiva të dy ushtrive, në kuadrin e NATO-s dërgohen në zona të ndryshme që paraqesin situata kërcënuese, të gatshme për të ndihmuar në të gjitha përpjekjet për një botë të lirë dhe në paqe.
Sigal