“Lufta e Shkodrës në fokusin e udhëtarëve të huaj”

1471
Sigal

(102 vjet nga Rrethimi i Shkodrës: 10 tetor 1912-25 Prill 1913)

Rrethanat politiko-shoqërore në të cilat ndodhej Shqipëria në vitin 1912-1913 ishin produkt i politikës së Fuqive të mëdha Europiane dhe i qarqeve reaksionare të shteteve të Ballkanit. Synimet aneksioniste të fqinjëve të Shqipërisë ishin të piketuara edhe më parë në marrëveshje e traktate të fshehta të shteteve monarkiste të Ballkanit.

Rrethimi i qytetit të Shkodrës nga tetori 1912 deri në Prill 1913 nga ushtria malazeze në pragun e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishte  “çmimi” që i jepej gjakut të derdhur nga populli shqiptar prej 5 shekujsh kundër osmanëve. Në këtë kontekst ngjarjet e Shkodrës zënë një vend mjaftë të veçantë dhe të rëndësishëm. Të tradhtuar nga xhonturqit dhe të joshur nga premtimet e mbret Nikollës malësorët shqiptarë u rreshtuan fillimisht në krahë të Malit të Zi. Për këtë ngjarje historike, e cila zë një vend mjaft të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, kanë shkruar disa nga mjaft udhëtarë të huaj, të cilët kanë qenë dëshmitar të këtyre ngjarjeve, duke i parë dhe duke i jetuar ato nga afër.

Miss Edit’h Durham i ka kushtuar kësaj ngjarjeje një libër të veçantë me titull “Lufta për Shkodrën: sllavë, turq dhe shqiptarë”, ku na jep një tablo të rëndësishme si një dëshmitare okulare e kësaj ngjarjeje.

Në parathënien e këtij libri ajo do të shkruante: “Askush që nuk ka jetuar në vend gjatë viteve të fundit nuk mund të marrë me mend mashtrimet, tradhtinë, mizoritë me gjak të ftohtë dhe dhunën me të cilën sundues të ndryshëm të Europës janë ndeshur kundër njëri-tjetrit që të arrijnë me çdo mjet të shtien në dorë ose ta shtrijnë ndikimin e tyre në atë cep të vogël toke në Lindjen e Afërme, e cila, deri tani vonë ishte shesh lufte, kurse në ditët tona është vendi i mjerimit pa shpresë.”

Po aty shton : “…Po të tregoja me hollësi vuajtjet e panumërta, të cilat i kam parë vet me sytë e mi, kjo do të merrte volume me tmerre që përsëriten. Do të ishte e pamundur të zgjidhje lëmshin e ngatërresave, të intrigave dhe të gënjeshtrave. Unë jam përpjekur vetëm të paraqes në mënyrë të thjeshtë faktet kryesore me të cilat jam ndeshur drejtpërdrejt dhe në asnjë mënyrë të shkruaj historinë e luftës”.

Vepra e Durhamit paraqet një dokument të rëndësishëm mbi ngjarjet e viteve 1911-1913, mbi luftërat e popullit shqiptar për tu shkëputur nga zgjedha shekullore turke. Në të vërtetë ky libër është pikë së pari  “ditar” i Miss Durhamit mbi ndodhitë e viteve 1911-1913 përgjatë kufirit shqiptaro-Malazez, plot detaje të vuajtjeve masive. Vetë fakti se autorja gjatë këtyre viteve merr pjesë aktive në këto ngjarje dhe takohet me prijësit e të tri kombeve që ndodheshin në luftë (shqiptarë, malazezë dhe turq), duke kërkuar ndihma nga jashtë për refugjatët shqiptarë, duke punuar nëpër spitale dhe duke shkruar raporte për gazetat e perëndimit për ngjarjet dhe gjendjen faktike të atyre viteve. Autorja në këtë libër na jep të dhëna që flasin si për kryengritjet popullore të shqiptarëve në tërësi, ashtu edhe për kryengritjen e shqiptarëve në malësi të 1911-ës. Autorja na jep hollësira edhe për veprimtarinë e shumë udhëheqësve popullorë.

Kontakti i drejtpërdrejtë me shqiptarët e thjeshtë ka sjellë që shpesh herë edhe në mënyrë intuitive ajo të kapë dhe të shprehë ndërgjegjen e fortë kombëtare të këtij populli. Durham ka demaskuar lojën e egër që kurdisën në kurriz të këtij populli shtetet fqinje dhe fuqitë e mëdha. Këtë vepër autorja e shkruan me një intensitet dramatik të nivelit të lartë dhe e përshkruan me realizëm situatën që po kalonte Shqipëria. Ajo me forcë të pa mposhtur organizoi fushata ndihmash, demaskoi krimet e serbëve ndaj popullsisë shqiptare dhe sensibilizoi opinionin publik evropian.

Gjithashtu libri i korrespondentit italian të atyre viteve Xhino Berri (Gino Berri) me titull “L’assedio di Scutari (Rrethimi i Shkodrës)” është një dëshmi tjetër e gjallë e kësaj ngjarjeje duke e paraqitur atë në formën e një ditari të shkruar ditë pas dite, duke u munduar të jetë sa më realist dhe i përpiktë. Në këtë libër autori nuk ka nguruar të aludojë hapur, se rrethimi i Shkodrës nuk ishte gjë tjetër veçse rezultat i politikës pushtuese të Turqisë e të Malit të Zi. Në këtë përleshje të përgjakshme, që numëronte qindra e mijëra të vrarë e të plagosur, sipas tij, dhimbjen më të madhe e provonin shqiptarët. Luftën me të drejtë e bënin ata që sapo kishin shpallur pavarësinë e atdheut  “agimin e ri të vendit të tyre”, siç do ta quante Xhino Berri. Edhe pse i shkruar në formën e një kronike informative për shkak të profesionit të tij si reporter lufte, prej autorit nuk mungojnë edhe përshkrimet e dhimbshme të jetës së qytetarëve apo të luftimeve të ashpra që u zhvilluan në front.

(Pamje nga lufta për mbrojtjen e Shkodrës së rrethuar për 183 ditë )

Gjithashtu, në këtë ditar nuk mungojnë as analizat e konsideratat politiko-ushtarake, qëndrimi i autorit ndaj luftës, ndjenja humanitare e qytetare ndaj popullit shqiptar, që e pagoi shtrenjtë, sipas tij prej pushtuesve të vjetër e të rinj, apo dhe shfaqja e simpative personale për njërën apo tjetrën forcë ushtarake.

Është e rëndësishme të thuhet se autori analizat apo qëndrimet që shfaq aty-këtu i sheh në dritën e politikës së asaj kohe. Në shumë raste luftën për mbrojtjen e Shkodrës ai e përshkruan thjeshtë si luftë turko-malazeze, edhe pse shumica e ushtarëve dhe të vrarëve e të plagosurve janë shqiptarë që e pësojnë. Kjo ka të bëjë me atë që autori priret nga aleanca ndërballkanike dhe nga konjukturat politiko-ushtarake anti- turke, në një kohë që perandoria ishte në gërhanat e fundit. Sigurisht autori nuk mund të ishte i çliruar 100 % prej psikologjisë së atëhershme . Berri ka meritën që aspektin moral të bashkimit të popullit e ka përshkruar me ngjyra të gjalla duke pasqyruar me vërtetësi realizmin dhe të vërtetat rrëqethëse. Ai ka vendosur drejt raportin shpirtëror të shqiptarëve përballë pushtuesve, duke e harmonizuar këtë moral luftarak, me qëndresën e aktet e heroizmit, jo vetëm të luftëtarëve por të të gjithë popullsisë.

Ai e ndjek jetën e qytetit hap pas hapi në mënyrë kronologjike, por duke zgjedhur ngjarjet e dukuritë më tipike, më domethënëse dhe i përshkruan me një imazh tepër tronditës e drithërues. Shumë herë autori ditët tronditëse i sintetizon me një datë të vetme duke shtuar-: “para dy ditësh ndodhi,… dje qyteti u qëllua,… nata që kaloi ishte tronditëse… etj”.

Kujtimet e së shoqes së konsullit austriak në Shkodër, Hortense Von Zambaur me titull  “Die Belagerung von Scutari (Rrethimi i Shkodrës )” është një tjetër dëshmi e gjallë e kësaj ngjarjeje tronditëse, duke qenë e pranishme si banore reale e këtij qyteti. Edhe ky libër është i paraqitur në formën e një ditari, duke i përshkruar ngjarjet ditë pas dite. Ajo mundohet t’i paraqesë ngjarjet me detaje nga 10 tetori 1912 deri më 22 Prill 1913.

Ndërsa, Durham do ta niste përshkrimin e ngjarjeve të Shkodrës që më përpara, duke na dhënë një përshkrim të përgjithshëm të gjendjes në Shqipëri e rajon që në v.1908. Ajo do ta niste librin me një shprehje të Campbell:- “Ngjarjet që vijnë lëshojnë hijet e tyre qysh më parë”.

Ndërsa për Shkodrën do të shkruante: – “Dhe vetëm në prill 1910 u ktheva në Shkodër, një vit pas kësaj ngjarje, diçka e përmirësuar , por jo e shëruar plotësisht. Ishte po ajo Shkodra plakë. Rruga e Shëngjinit që kish filluar 30 vjet  më parë e për të cilën ishin paguar taksa shumë herë, s’ish përfunduar ende. Nëpunësit e doganës, si gjithnjë e morën bakshishin për të lejuar hyrjen e plaçkave të mia. Akoma s’kishte filluar asgjë nga ato që ishin premtuar….”. fq.39

Ndërsa Esat Pashën, një nga njerëzit më të fuqishëm dhe që luajti rol kryesor si në historinë e Shqipërisë ashtu dhe në ngjarjet e luftës së Shkodrës dhe dorëzimit të qytetit tek armiku do ta përshkruante në histori që në vitin 1908: – “Një nga tre njerëzit të cilëve më 27 prill u ra barra që t’ia njoftojnë fatin e tij “Hamitit të kuq”, i cili dikur e bënte Evropën të hidhte valle sipas avazit të tij, njëri ishte Esat Pasha tashmë aq i përmendur. Esati është prijësi i familjes së madhe të Toptanasve, bejlerë të pasur e të fuqishëm nga Tirana, në Shqipërinë veriore” fq.38

Po aty shton …- “Njëzet vjet më parë , kur Shqipëria shfaqte prirje të theksuara të ndjenjës kombëtare, Abdyl Hamiti dyshonte se Toptani synonte tepër lart, madje se ëndërronte edhe fronin e Shqipërisë.”

Madje Durham nuk nguron të na jap një tablo të konflikteve personale të sulltan Abdyl Hamitit dhe Toptanit.

Ndërsa ardhjen e xhonturqve në pushtet do ta paraqiste me komentin që i kish bërë një shqiptar:- “Dikur kishte një hajdut të madh, kurse tani ka shumë të tillë të vegjël”. Më poshtë për këtë thënie ajo citon: – “Rashë në mendime, a thua të ishte ky një përcaktim i drejtë për një qeveri demokratike… ?!”fq.39

-“Në të gjithë botën nuk ka krijesa njerëzore që janë për t’u mëshiruar më tepër se sa ata të cilët mbretërit dhe perandorët i përdorin si karrem në grepat e tyre” shkruan Durham fq.47

 Autorja fillimvitin 1912 do ta përshkruante kështu: – “Nacionalistët shqiptarë të strehuar , nga Shkodra e vende të tjera, më pritën menjëherë. Ata po shkonin në Evropë që të siguronin përkrahje politike. Synimi i tyre ishte autonomia e Shqipërisë. Ata ankoheshin me dëshpërim se kryengritja kishte shpërthyer para kohe. Por, meqë kjo tani ishte punë e bërë, ne duhet të pranojmë nevojën e ndihmës së shpejtë në mënyrë që ajo të përfundoj me sukses dhe të arrijmë që Evropa një njohë Shqipërinë dhe të drejtat e saj.. .”. fq 47

Momentin e parë të shpalljes së luftës Zambaur do ta përshkruante në këtë mënyrë : –  “9 tetor 1912 Sot në mëngjes u bë shpallja zyrtarisht e luftës nga ana e Malit të Zi. Tri të shtëna topi lajmëruan fillimin e gjendjes së luftës. Përshtypja e parë që përfshiu si qytetin ashtu edhe familjen tonë, ishte çudia nga kjo e papritur, sepse në thelb kërcënimet e Malit të Zi, kurrë s’i kish marrë njeri seriozisht.”

“Ishte e qartë se Mali i Zi po i shtynte malësorët drejt kryengritjes”-shkruan Durham më 1912. Dhe po aty shton :- “…nga ana tjetër malësorët deklaronin se ata janë për autonominë. Nuk u desh të kalonte shumë kohë por vetëm sa zgjati marshimi i ushtrisë malazeze drejt Shkodrës, marshim që u shoqërua me grabitje, djegie dhe shtypje të çdo aspirate për autonominë që malësorët dhe gjithë popullsia shqiptare të bindej për rrezikun e ri dhe Shkodra e kapërceu shumë pozitën e saj si një kështjellë turke dhe lufta mori trajtën e luftës shqiptaro-turke kundër pushtimit sllav.” (Lufta për Shkodrën: turq, sllavë e shqiptarë)

Pohimi i Durhamit -“…ishte e qartë se Shqipëria përbënte çelësin e tërë situatës”, vërtetohet me faktin se lidhur me praninë turke në Evropë, gjithçka ishte zgjidhur në favor të aleatëve ballkanas dhe tani, vetëm Shqipëria qëndronte aty, këmbëngulëse, kundër synimeve grabitqare të fqinjëve, e vendosur të kundërshtonte deri në fund, me armë në dorë.

Po në këtë vepër Durham shkruan : – “Problemi më i rëndësishëm që doli nga lufta, përsa i takon Evropës, ishte ai i kufijve të Shqipërisë dhe ishin mendimet e ndryshme lidhur me këtë gjë, që e bënë të dridhte në balancë paqen botërore. „ Pra me këto fjalë Durham ka dashur të theksoj rëndësinë e madhe historike që kishte lufta për Shkodrën.

Dhe është shumë domethënës citimi i himnit të mbretit Ferdinand nga Durham në mbyllje të këtij libri: – “Përpara ushtarë të krishterë, marshojmë nëpër tufan, me kryqin e Jezuit, të skuqur me gjak mysliman” .fq.152

                           Punoi: Olta VELI