Lufta e Reçit dhe fundi i fashistëve italianë në Shqipëri

1570
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Reçi, bazë e rëndësishme e Luftës

Fshati Reç ishte një bazë e rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare dhe një prej qendrave më të qëndrueshme të çetës partizaneve e më pas edhe të batalionit partizan. Reçi shtrihet rreth 20 km në veri të qytetit të Shkodrës, në kufi me Malësinë e Madhe. Batalioni partizan “Perlat Rexhepi” i qarkut të Shkodrës, në këtë kohë, përbëhej nga tri çeta dhe një njësit partizan. Çeta e parë qendrën zakonisht e kishte në Reç, çeta e dytë ndodhej në fshatin Grizhë, rreth 5 km larg Reçit, në jugperëndim, kurse çeta e tretë ndodhej në Domën, afro 12 km larg Reçit, në juglindje të tij. Komanda partizane në Shkodrën e kishte vënë në dijeni komandën e batalionit se po përgatitej një operacion armik, por kohën e fillimit të tij nuk e dinte. Mbështetur në këto të dhëna, komanda partizane kishte përgatitur një plan mbrojtje. Ideja e përafërt e këtij plani ishte që me fillimin e operacionit fashist çdo çetë e mbështetur dhe në ndihmën e popullit, me mbrojtje këmbëngulëse, të thyente sulmet e armikut deri në ardhjen e çetave të tjera. Më pas, të kundërsulmonte duke dëmtuar armikun e të bënte të dështonte operacioni i tij. Në rast rreziku ishin marrë masa që në territorin e çliruar të lajmëroheshin forcat partizane dhe popullsia me anën e vrojtuesve që ishin vendosur në pikat sunduese të zonës. Gjithashtu ishin kryer disa punime të thjeshta xheniere dhe bërë stërvitje taktike në rajon. Forcat partizane të çetës së parë bëheshin rreth 40 veta që kishin pushkë me nga 70 fishekë, tre mitraloza e pak bomba dore.

 

Operacioni i fundit i fashistëve italianë në Shqipëri

Komanda pushtuese italiane, në kuadrin e përgjithshëm të operacioneve në mbarë Shqipërinë, vendosi të ndërmerrte një operacion “spastrimi” në Shkodër kundër batalionit të qarkut, që e kishte qendrën në Reç dhe në Postribë. Operacionin e planëzoi për ta drejtuar komanda e forcave italiane të sektorit “Z” (Zeta) me qendër në qytetin e Shkodrës. Ndaj dhe komanda fashiste përqendroi reparte të ndryshme këmbësorie, kalorësie, karabinierie, rojë finance dhe artilerie, gjithsej 1.200 ushtarë. Drejtimi i operacionit iu ngarkua kolonelit De Blazios, nënkomandant i sektorit. Forcat do të shoqëroheshin nga artileria dhe veprimet do t’i mbështeste aviacioni. Në këtë drejtim reaksioni kishte punuar dhe orvatej me lloj-lloj mënyrash për të mashtruar masat popullore mbi karakterin e vërtetë të luftës çlirimtare që bënin forcat partizane. Ndaj dhe para fillimit të operacionit, pushtuesit u kishin dërguar një paralajmërim fshatarëve të Reçit ku u kërkonin të largonin tërë partizanët nga zona, në të kundërt, do ta sulmonin atë. Paralajmërimi nuk i trembi fshatarët. Sipas planit të operacionit armiku parashikonte që, pasi të kryente afrimin, në ditën e parë të asgjësonte bazën partizane të Reçit, të vijonte marshimin dhe, në të dy ditët e tjera të arrinte të shkatërronte edhe bazat e Postribës e të Rrjollit dhe të dilte në brigjet e Drinit. Fashistët, në bashkëpunim edhe me bajraktarë, kishin organizuar kapjen e qafave dhe të majave përreth zonës së parashikuar për operacion. Forcat operuese italiane, në makina u nisën herët nga Shkodra dhe pas jo më shumë se një orë dolën në veriperëndim të Reçit. Pasi u përqendruan në Koplik, natën e 30 gushtit filluan lëvizjen në drejtim të Reçit. Ata lëviznin përgjatë fushës së Postpojës në dy kolona, njëra drejt luginës së Reçit dhe tjetra për në Dedaj, me qëllim që të krah-merrnin nga ana e fshatit Lohje për t’i vënë forcat partizane midis dy zjarreve dhe për t’i asgjësuar. Goditjen kryesore e jepnin në qendër. Italianët nuk kishin dijeni për vendndodhjen e forcave kryengritëse prandaj vijuan lëvizjen në kolona. Për t’i goditur forcat partizane në befasi ata nuk bënë goditje paraprake me artileri dhe aviacion me qëllim që të mos merrej vesh fillimi i operacionit dhe afrimi i forcave italiane pranë bazave ku qëndronin forcat partizane.

Sulmi partizan dhe braktisja e pozicioneve prej fashistëve

Meqenëse numri i luftëtarëve çlirimtarë ishte shtuar komanda e batalionit vendosi të ndërmerrej një kundërsulm. Duke manovruar shtigjeve dhe mureve të arave që i njihnin aq mirë, partizanët iu afruan fshehurazi armikut dhe e goditën atë në tri pika, në krahun e tij të djathtë dhe përballë. Kundërsulmi ishte i njëkohshëm dhe i gërshetuar mirë me zjarrin e forcave të tjera partizane e vullnetare nga vendi. Ai i befasoi dhe i futi panikun armikut, i cili u detyrua të tërhiqet i çoroditur, duke braktisur pozicionet e luftimit. Disa forca italiane u rrethuan dhe u copëtuan në hyrje të luginës së Reçit, midis Kuçit dhe Vukvukajve, ku u asgjësuan mjaft ushtarë prej tyre. Madje, në këtë drejtim u kalua në ndjekje të pjesshme të armikut, i cili në mbrëmje u largua me humbje nga fusha e Reçit për në Zallin e Postpojës. Ndërlidhja me krahun e majtë armik ishte ndërprerë. Dita e parë e luftimeve ishte mbyllur me sukses për forcat partizane. Atë natë, komanda dhe shtabi i batalionit bënë rivendosjen e forcave partizane dhe përcaktuan detyrat e reja. Meqenëse numri i luftëtarëve ishte shtuar, sidomos me forca vullnetare dhe municion që kishin sjellë fshatarët, u vendos që t’i merrej nisma armikut. Atdhetarët e Reçit kishte sjellë dy arka, plot 5.000 fishekë dhe ua dorëzuar partizanëve duke ju thënë ju lumtë pushka, se na zbardhët faqen. Me këtë gjendje që u krijua, komanda partizane vendosi të kalohej në kundërsulm vendimtar për shpartallimin e forcave armike. Një skuadër partizane u nis natën në fshehtësi për t’u marrë krahët italianëve nga Aliaj ku kishin kaluar gjithë natën. Partizanët u tërhoqën më në thellësi për t’u riorganizuar dhe për kryerjen e mëtejshme të detyrave luftarake. Edhe ditën e nesërme armiku nuk hoqi dorë nga qëllimi i tij. Ai synonte të kalonte sërish sulm. Mëngjesi herët i kësaj dite, nisi me luftime shumë të ashpra, por qysh në fillim nisma kaloi në duart e forcave partizane e vullnetare, të cilat u hodhën në kundërsulm të fuqishëm e të befasishëm nga tri anë.

Mësime nga Lufta e Reçit

Luftimet për dështimin e operacionit armik dhe mbrojtjen e bazës partizane të Reçit u karakterizuan nga qëndrueshmëria dhe veprimet aktive luftarake të forcave partizane. Forcat partizane thyen mësymjen e armikut duke e futur atë nën goditjet e tyre nga tri drejtime në vendin që kishte formën e një xhepi. Në fillim ato e goditën me zjarr nga pozicionet e vijës së parë dhe pastaj, me ardhjen e forcave partizane vullnetare, kundërsulmuan fuqishëm dhe e shpartalluan armikun në të gjithë frontin duke e detyruar atë të hiqte dorë nga realizimi i qëllimit për të shkatërruar bazën partizane të Reçit. Kundërsulmet si bazë nisjeje patën vijën e parë, e cila kalonte përgjatë lartësive sunduese të Reçit. Në përshtatje me terrenin, forcat partizane e futën armikun në një gjysmë rrethi. Kjo u dha mundësi forcave partizane dhe vullnetare ta godisnin armikun në këtë vijë nga lart-poshtë e në terren shkëmbor. Manovrimi dhe ripërqendrimi i forcave çlirimtare në mënyrë të maskuar gjatë natës së ditës së parë të luftimeve dhe nxjerrja e vendosja e një pjese të forcave në krahun e majtë të armikut, lehtësoi shumë dhënien e kundërsulmit vendimtar të kryengritjes. Njohja e gjendjes së trupave italiane të operacionit nëpërmjet një zbulimi të vazhdueshëm e të organizuar me kujdes u dha mundësi forcave partizane t’i godisnin në befasi e në vend të hapët trupat armike. Kjo e detyroi armikun të tërhiqej i shpartalluar, i ndjekur nga partizanët dhe vullnetarët. Fatin e luftës së Reçit nuk e vendosi numri i luftëtarëve, as fuqitë e teknikës që zotëronte, por heroizmi i partizanëve dhe i vullnetarëve, mjeshtëria e drejtimit dhe e zhvillimit të luftimeve dhe mbështetja që populli i krahinës së Reçit u dha çlirimtarëve me armë dhe me furnizime. Prefekti i Shkodrës i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme me shumë keqardhje dhe me çudi për faktin që, “shumica e popullsisë së Reçit është bashkuar me çetat partizane”. Fshatarët atdhetarë të Reçit i kishin dëbuar tradhtarët bashkë me italianët. Për të ndëshkuar popullsinë që u dha përkrahje partizanëve gjatë luftimeve të 30-31 gushtit, më 3 shtator aeroplanët italianë bombarduan dhe mitraluan fshatrat e zonës Koplik-Reç, duke vrarë disa gra dhe fëmijë. Dhe ky akt barbar, i fundit i tyre nuk bëri gjë tjetër veçse të shtonte më tepër urrejtjen e popullit kundrejt pushtuesit. Dështimi i operacionit armik në këtë zonë përbënte një fitore jo vetëm për qarkun e Shkodrës dhe zonat e Veriut, por për të gjithë vendin. Lufta e Reçit, si pjesë përbërëse e Luftës Nacionalçlirimtare që bëri populli ynë, tregoi se ç’forcë të pamposhtur kishte populli kur mbron të drejtat e veta, për liri dhe çlirim kombëtar.