Lufta e Melesinit

1961
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

I njohur me emrin “Zylyftar”

Më 7 nëntor 1828 nën kryesinë e Zylyftar Podës në Berat, së bashku me kapedanët shqiptarë, Ismail Vlorës, Shahin Delvinës etj., u organizua kuvendi i shqiptarëve, ku lindi, “Lidhja e shqiptare” kundër pushtuesit otoman. Kapedani dhe trimi Iljaz Poda, i biri i Hysenit nga fshati Podë i Leskovikut, ish-adjutant i Ali Pashës me titullin “Silahdar”, mbajtës i armëve, i njohur me emrin “Zylyftar”, ka lozur një rol të madh dhe kryesor në organizimin e krerëve opozitarë shqiptarë. Historianë të huaj të kohës, kanë shkruar se Zylyftar Poda ka qenë njeri me influencë në Shqipërinë e Jugut. Fjala e tij ishte bindëse, ishte tepër vizionar për kohë por dhe mosbesues i madh. Në veprimtarinë e tij dallohej për bashkëpunime politike, sidomos për përpjekjet që bëheshin për aleancë midis Toskërisë dhe Bushatllinjve të Shkodrës. Djemtë e tij më luftarakë kanë qenë Hasani dhe Rakipi. Zylyftar Poda krah të djathtë ka pasur dhëndrin e tij, Asllan Kuca nga fshati Progonat i Kurveleshit. Ky trim nga i ati i tij, Agua, që kishte qenë vulëmbajtës i Ali Pashës, kishte trashëguar pasuri nga thesari i Ali Pashës. Asllan Kuca, i përkrahur dhe nga Zylyftar Poda, i bënte presion Portës së Lartë për të anuluar reformat skllavëruese, me gjashtë mijë luftëtarë dhe kishte zënë Thesalinë, duke u shpallur sundimtar i saj. Në Thesali ishte mirëpritur dhe inkurajuar nga popullsia e vendit. Porta e Lartë e vënë në dijeni nga agjentë të saj për aktivitetin antiosman të krerëve shqiptarë, vendosi dënimin me vdekje të Zylyftar Podës dhe të bashkëluftëtarëve të tij. Për të hedhur në dorë krerët shqiptarë, serasqeri i Rumelisë, Mehmet Reshit Pashai organizoi lojën, se gjoja Sulltani ishte i pakënaqur nga veprimtaria e Mehmet Reshit Pashait. Kështu që kishte dalë dalë nga Porta e Lartë urdhri për emërimin e trimit Zylyftar Poda, si vali i Janinës. Kështu që e thirri zyrtarisht të shkonte në Janinë.

Zylyftar Poda nuk ra në kurthin e ngritur

Zylyftar Poda i zgjuar e pranoi ftesën, bëri sikur e besoi dhe e priti mirë të deleguarin e Mehmet Reshit Pashait, Abdulla efendinë së bashku me suitën e tij. Kur u ndanë Zylyftari i tha se e pranonte me kënaqësi urdhër-emërimin, por ishte i zënë me punë. Ai i tha se do të shkonte tek serasqeri pak javë nga dita e paraqitjes së Ismail Vlorës në Janinë, ku dhe ky ishte i ftuar në Janinë. Ismail Vlora i besoi ftesës së valiut të Janinës. Ai shkoi dhe më 5 janar 1829, kur hyri tek pashai në pallat, u masakrua barbarisht. Shqiptarët iu përgjigjën terrorit osmanli. Zylyftar Podës me luftëtarët e tij çliroi zona të tëra, që shtriheshin nga Kolonja e Leskoviku dhe deri në Berat, ndërsa Vlora me rrethinat e saj, u hodh në kryengritje nën udhëheqjen e Beqir Vlorës. Në Shqipëri “Lidhja shqiptare” ishte forcuar. Në këtë periudhë kishte një bashkëpunim të ngushtë midis Bushatllinjve të Shkodrës me Zylyftar Podën, në drejtim të luftës kundër osmanëve. Forca të shumta osmane në këtë kohë vërshuan nga të gjitha anët në këto krahina kryengritëse shqiptare. Këto u përleshën me forcat e Zylyftar Podës të udhëhequra nga djali i tij Rakipi. Betejat në fillim u zhvilluan në Korçë, në kullat e Qarrit, të cilat osmanlinjtë i kishin kthyer në kazerma. Me mijëra ushtarë osmanë ishin nisur në drejtim të Leskovikut. Aq shumë ishin sa kreu i ushtrisë osmane kishte arritur Leskovikun, ndërsa fundi i saj ndodhej në fshatin Ostanicë, vend midis Leskovikut e Janinës, ku Mahmud Pashë Tërhalla kishte ngritur shtabin e tij.

Me thirrjen e Zylyftar Podës, Jugu ishte në kryengritje

Zyrtarët osmanë kanë theksuar se Zylyftar Poda kishte lidhje, jo vetëm me Mustafa Pashë Bushatllinë, por edhe me Mehmet Aliun e Egjiptit, i cili i premtonte ndihmën e tij për luftë kundër Perandorisë Osmane. Duke shfrytëzuar pakënaqësinë e përgjithshme të popullit ndaj pushtuesit osman, Zylyftar Poda kishte mundur të ngrinte në luftë forca të shumta fshatare. Nga të dhënat forcat kryengritëse të trimit të Podës arrinin deri në dymbëdhjetë mijë luftëtarë. Radhët e kryengritjeve shtoheshin dhe prej ushtarëve shqiptarë që dezertonin nga ushtria osmane. Thirrjes luftarake të Zyfyfar Podës iu përgjigjën dhe fshatarët e shumë viseve të Shqipërisë së Jugut si të Kolonjës, Leskovikut, Dangëllisë, Tepelenës, Përmetit dhe Korçës. Ndihma të shumta i erdhën trimit të Podës nga Labëria me Sinan dhe Hasan Labin në krye si dhe nga Çamëria. Veziri i madh Mehmet Reshit Pashai në fillim kishte dërguar kundër Zylyftar Podës, Mahmud Pashë Tërhallën, por më vonë shkoi dhe vetë me forca të trefishuara.

Lufta në malin e Melesinit

Lufta më e egër u zhvillua në malin e Melesinit. Mali u kthye në fortesë natyrore. Kishat u kthyen në kala të pakalueshme për osmanlinjtë. Në Melesin trimat e Zylyftarit treguan burrëri të rrallë, duke përdorur si armë dhe gurët. Artileria osmane mundi t’i shkatërronte dy kala, kisha, ndërsa e treta e ngritur në majë të malit Melesin ishte e pa kapshme nga predhat e osmane. Luftimet u zhvilluan të përgjakshme duke shkuar dhe trup me trup. Me gjithë epërsinë numerike të osmanëve në njerëz e armatime, luftëtarët shqiptarë treguan trimëri të rrallë. Në Melesin luftonte në masë vegjëlia shqiptare e këtyre krahinave. Përbërja shoqërore e pjesëmarrësve të kryengritjes na konkretizohet nga kënga:

Melesini mal i butë,

 Rreth e rrotull me harbutë…

Vetë fjala “harbut” pasqyron fshatarët e varfër të ngritur me armë në dorë kundër pushtuesit. Lufta vazhdonte dhe më e rreptë në malin e Melesinit. Porta e Lartë insistonte me këmbëngulje për shuarjen sa më parë të kësaj kryengritjeje, mbasi i trembej flakës së saj, se mund të përhapej anë e mbanë Shqipërisë. Mehmet Reshit Pashait i shkruante Stambollit për gjendjen e vështirë të forcave osmane, të hedhura në luftë kundër trimit të Podës. Janë vende shumë të thepisura e gurore. Asnjë kullë në këtë vend nuk ka mundësi të pushtohet me sulm. Zylyftar Poda në malin e Melesinit ka tre kala, dy prej tyre u shkatërruan me top, por e treta në majë të malit nuk rrihet dot as me topa, as me kumbara, ajo mund të mbrohet me njëzet pushkë.

Rrethim Melesinit për të prerë furnizimin

Serasqeri për t’i mposhtur trimat e Zylyftarit në fushën e luftës, ushtroi bllokadën ekonomike, për t’i hedhur në dorë me anën e urisë. Për t’u prerë krejtësisht furnizimin me ushqim kryengritësve Mahmud Pashë Tërhalla i hapi ushtarët e tij anë e mbanë fshatrave për të rrethuar malin e Melesit si në Postenan, Lashovë, Vrepeckë duke futur terror në këto vende. Ekspedita ndëshkimore osmane morën një mësim të mirët nga luftëtarët e Sinan Labit dhe nga ata të djemve të Islam Pronjos nga Çamëria. Trimi i paepur Zylyftar Poda mundi ti shpëtonte bllokadës ekonomike. Në kishë në majë të Melesinit kishte ndërtuar furrën dhe e bluante miellin me mokra të mëdha guri, që i sillte përqark me kuaj.

Oborri i kishës fortesë për kryengritësit

Në këtë kohë forca të shumta u nisën nga Shkodra, por ranë në luftë rrugës dhe të mungesë të organizimit, u shkatërruan nga osmanët. Vetë Mustafa Pashë Bushati ra rob në duar të tyre. Por trimi Zylyftar nuk u dekurajua, e vazhdoi luftën. Gurët e Melesinit, muret dhe oborri i kishës së Shenllisë, u kthyen në fortesë nga kryengritësit, kuqnin nga gjaku i nizamëve dhe nga ai i luftëtarëve të paepur shqiptarë, që me këmbëngulje kërkonin të mbronin truallin e shenjtë të atdheut. Rapsodët popullorë me dhjetëra e qindra vargje i kanë kushtuar luftës së Melesinit dhe trimit të saj, Zylyftar Podës.

Mu tek porta e Zylyftarit,

Varur kok’ e bashnizamit,

Zylyftar mustaqe verdhë,

Prit nizamet se t’u derdhë,

Të vinë mir’ se të vinë,

Te pusi e kam Mersinë…

Lufta e Melesinit vazhdoi rreth gjashtë muaj. Trupat osmane vinin pa mbarim si valët e detit njëra mbas tjetrës. Megjithatë, trimi i Podës, nuk hoqi dorë nga lufta. Ai thjesht, për arsye taktike, diti t’i shpëtonte darës së hordhive osmane dhe mbasi u tërhoq nga Melesini dhe u përforcua me trupa të freskëta, së bashku me trima të tjerë shqiptarë u dha betejë osmanëve në fshatrat Tërhallë, Agrafë, Dymeqe etj. Zylyftar Poda me trimat e tjerë të kryengritjes e vazhdoi deri në fund luftën edhe për çlirimin e Beratit. Mundimet dhe sakrificat e trimit të Podës u kurorëzuan me vetëqeverisjen e nëntë krahinave shqiptare për gjashtë vjet rresht, (1836-1841) të cilat shtriheshin prej Vërçes dhe Sulovës së Elbasanit dhe deri në Çamëri.