Lufta e Gjakovës

4702
Gëzim Zilja

Lufta e Gjakovës, 1 – 6 shtator 1878

Kështu Shqipnia kish pas adet,
Ka nji pash me myt për vjet.
Në fund të gushtit 1878, u dërgua në Shqipëri nga Porta e Lartë, Memet Ali Pashë Maxhari, si komisar me fuqi të jashtëzakonshme për të caktuar kufijtë turko-malazez, sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit, i shoqëruar nga tre batalione turke. Memet Ali Pasha kishte qenë njëkohësisht dhe delegat i qeverisë turke në kongresin e Berlinit. Ai u porosit, që para se të shkonte në kufi të bindte “Komitetin e Lidhjes” të mos e kundërshtonte dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë. Arriti në Prizren më 25 gusht 1878 dhe ra në kontakt me anëtarët e “Lidhjes”. Më 26 gusht asnjë anëtar i saj nuk erdhi në mbledhjen e paralajmëruar nga i dërguari i Sulltanit. Një ditë më vonë kryengritësit të zemëruar vrasin telegrafistin e Memet Pashës, si një paralajmërim për mosdorëzimin e trojeve shqiptare: 

Me ‘izet e shtat’ gusht, sahati tre,
Në Prizren kish ra rrufe,
Me të shtimet e kapakljisë,
Ish vra telegrafisti i Turqisë,
E kish vra një trim lumjan,
Dan (Ramadan) Zaskoci i paskan thanë.

Më 31 gusht komisari turk u nis për në Gjakovë. Më 1 shtator thirri sërish krerët e “Lidhjes” dhe u bëri thirrje të mos bënin rezistencë, por hasi në qëndrimin e palëkundur të kryengritësve. Me të u bashkua vetëm Abdullah Pashë Dreni, megjithëse ishte anëtar i Besëlidhjes. Kryengritësit nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë, i prenë rrugën batalioneve të Memet Maxharit, që u strehua në sarajet e Abdullah Pashë Drenit. Aty forcat kryengritëse betohen që tradhëtari nuk ka për të dalë gjallë nga Gjakova. 

Nji murtat që çoi dovleti,
Ra n’Gjakov tu Abdulla Begi,
Islam aga n’teqe t’Shejit, 
Po i pisket Abdulla Begit,
Pritni djemt e memleqetit,
T’u kan’ rrasë n’der’ t’haremit,
Tu kan rras tu kan afrue,
Gjall prej kulls s’i lam me shkue.

Është interesant fakti sesi Abdullah Pashë Dreni, justifikohet për strehimin e pashait turk dhe sakrifikimin e tij deri në vetmohim. Vargjet e mëposhtëme e japin bukur dhe me vërtetësi: 

Abdulla (Pashë Dreni) begi hip në shkallë,
P’e ban pushkë, p’e ban piskamë,
Memleqeti m’ka rrethue,
për çat mik çi z’deshta me e lëshue.

Ai e ka marrë në besë Pashanë turk, dhe tashmë sipas zakonit të vjetër shqiptar i duhet të sakrifikohet për hatër të fjalës së dhënë, pavarësisht se gjithë populli (memleqeti) është ngritur kundër pashës. Mënyra e përshkrimit të ngjarjeve është mbresëlënëse. Nuk mund ta dorëzojë “mikun” se më vonë djalit do t’i thonë se baba yt ka qenë tradhtar.

S’un e lshova un çat mik,
Se po mi xan djalit sytë,
Po m’i thonë baba t’ka koritë,
S’kam ç’ka baj,
Veç me e dhanë kët’ shpirt. 

Në këto rrethana Maxhar pasha u strehua në sarajet e Abdulla Pashë Drenit, në Gjakovë nënë besën e këtij të fundit. Mbi 4500 vetë të armatosur rrethuan sarajet e Abdulla pashë Drenit dhe një përfaqësi kërkoi, që brenda 24 orësh Maxhar pasha të shkonte andej nga kishte ardhur. Më 3 shtator mbaroi afati dhe filloi sulmi. 

Me pas krahë më fliturue
Gjallë prej kullës s’u lam me shkue
Gjallë pre kullës pashën s’e lamë
S’e lamë pashën kurrë për t’gjallë. 

Ngjarja bëri bujë të madhe dhe lajmi shkon në Europë dhe Portën e Lartë. Gjendja e Maxhar Pashës dhe e mbrojtësve të tij është në rrezik dhe pritet nga çasti në çast sulmi mbi sarajet: 

Të shtat kralat rrahin telin,
Koka mbledh tan Prizreni,
Për çat murtat (tradhtar) çi çoi dovleti,
Maxhar Pasha rrin menue,
Bab’ dovletit me ia çue,
Se n’Gjakov më kan rrethue,
Më kan mshelun porsi grue.

Më 4 shtator rifillojnë luftimet. Sarajet i mbronin rreth 600 vetë dhe 30 trimat që kishte me vete Abdullah pashë Dreni. Shumica e ushtarëve u dorëzuan pas luftimesh të ashpra, duke mos parë mundësi shpëtimi. Gjatë sulmit Col Delia, nga Malësia e Gjakovës, me një veprim vetëmohues, që palët të mos vazhdonin të humbnin njerëz, hyri në brendësi të sarajeve dhe vrau Memet pashë Maxharin, për t’u përjetësuar me vonë në këngë.

Col Delia syn sahati,
Lumt-i goja mir’ vikati,
Vet po jes, pashën po e çarti,
Qysh ke njeh yzbashi mret,
Fukaranë pse po e shet?
Ia ka dhan’ besën Dukagjinit,
Mos me ia lëshu tokat llatinit,
Tok’ llatinit mos me i lanë,
Pa e mush vorre anë e mbanë.

Më 5 shtator shumica e të rrethuarve u dorëzuan. Më 6 shtator pas një sulmi të rreptë kryengritësit u vunë zjarrin sarajeve. Memet Ali Maxhari dhe Abdulla pashë Dreni mbetën të vrarë. Gjatë luftimeve të rrethuarit sipas të dhënave të kohës patën 90 të vrarë, ndërsa forcat e Lidhjes rreth 400 të vrarë. Poetit popullor gjithsesi nuk i mungon sensi i ironisë dhe u thotë të lajmërojnë babën (sulltanin) për “mandatën”, që po u vjen: 

Hanm’ i pashës del në shkallë,
Kuku, sot për pashallarë,
Hanm’ i pashës ç’po pisket,
Rrihja telin babës mbre,t
Ali (Mehmet) Pashën ç’ta ka xhet,
Në nji hu të paska mbetë.

Dhe ja përfundimi me dy vargjet e papërsëritshme, që janë si leitmotiv i gjithë asaj lufte, që populli shqiptar zhvilloi kundër pushtuesit turk në shekuj:

Kështu Shqipnia kish pas adet,
Ka nji pash me myt për vjet.

Ambasadori i Francës në Stamboll i shkruante ministrit të jashtëm francez: “’Vdekja e Memet Aliut u pasua nga një beteje e vërtetë në të cilën mbetën të vrarë nga të dy palët më shumë se 400 burra. Me të vërtetë Shqipëria duket se është futur në një lëvizje të madhe kombëtare”. Patrioti Thimi Mitko, me këtë rast shkruante:

Sulltan mos dëgjo Fërngjinë,
Ne s’lëshojmë Shqipërinë,
Nukë qasëm Malëzinë,
As Sërbinë as grekërinë,
Na duam autonominë. 

Ka studiues turq por edhe ndonjë shqiptar, që ngrenë tezën se “Lidhja e Prizrenit” u ngrit nën kujdesin e Portës së Lartë, për të mbrojtur kufijtë e perandorisë dhe mbi këtë bazë të plotësonte disa kërkesa të tyre për autonomi të Shqipërisë. Faktet flasin krejt ndryshe, siç do të shohim dhe më vonë me ngjarjet e tjera dhe luftërat për mbrojtjen e Tivarit, Ulqinit, Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Lëkurësit në Jug etj. Dëshmorët e parë për mbrojtjen e territoreve shqiptare gjatë aktivitetit të “Lidhjes” ranë në përpjekje me forcat turke e më vonë me ato malazeze, sërbe e greke. “Lidhja” pas tre vjet luftimesh u shpërnda me dorë të hekurt nga ushtria turke. Lufta e Gjakovës ose siç quhet ndryshe “Aksioni i Gjakovës” ishte fillimi i luftrave të popullit shqiptar për mbrojtjen e trojeve të tij nga vendimet e Kongresit të Berlinit. Ajo ndërgjegjësoi shqiptarët dhe shënoi fillimin e luftës diplomatike dhe asaj të armatosur, që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë më 28 Nëntor 1912. 
Sigal