Loja e Enver Hoxhës me kolonelët grekë që paralajmëruan trazira në vitin 1971

1386
Sigal

Pas lojës me CIA-n në 1971-n, ajo me kolonelët e shërbimit të fshehtë helen, për Hoxhën ishte suksesi i dytë grekët, për ish-udhëheqësi komunist

Enver Hoxha ka ditur të luajë bukur dhe ndoshta edhe t’u imponohet deri diku, shërbimeve sekrete të huaja. Pas asaj me CIA-n, e cila rezultoi e suksesshme në vitin 1951, ish-udhëheqësi komunist, i hyri një tjetër loje, me kolonelët e shërbimeve të fshehta të Greqisë. Ishte gushti i vitit 1971, kur një raport i Shërbimeve të Fshehta të Britanisë Madhe citonte se, “pranverën e ardhshme do të ketë trazira në Ballkan”, duke ju referuar disa informacioneve të agjentëve të tyre në Shqipëri, Rumani, Jugosllavi e Greqi. Por ai hamendësim i raportit shumë shpejt do të kthehej në lajm të rremë. Për shërbimet anglo-amerikane “Ballkani ishte dhe mbetej një fuçi me barut në këmbët e Europës”. Një nga arritjet e viteve të pasluftës së Dytë Botërore, ishte paqja në Ballkan, rajon, i cili kishte mbetur akoma një konglomerat gjeopolitik me rrezikshmëri. Edhe raportet e shtypit lindor të asaj kohe, kryesisht atij rumun dhe hungarez, rezultonin shpesh kontradiktore, kur thuhej se: “Kina është duke ndërtuar një bllok antisovjetik në Ballkan dhe po bëhet një kërcënim të sigurt për rajonin”. Situata politike në Ballkanin e viteve ‘70, mbetej ende serioze, për shkak të ndasive që shpesh krijonin Kina dhe BRSS me shtetet satelite. Dhe kjo dukej në takimet dhe kongreset e Partive Komuniste të mjaft vendeve si Rumania, Bullgaria, Hungaria, Jugosllavia, etj.. Në kongreset e PPSH-së së Enver Hoxhës, gjithçka ishte ndryshe, larg ndikimeve ruse dhe totalisht pro atyre kineze. Në një takim të organizuar nga Partia Komuniste e Kinës, mungonte Rumania, për shkak të ndikimeve sovjetike që po pengonte neutralitetin për vendet komuniste në debatin dypalësh. Imponues paraqitej edhe roli i PPSH-së së Enver Hoxhës, në ato vite edhe ndaj Kinës së Maos. Shtypi jugosllav shkruante se PKJ i ka acaruar politikat me Moskën që paralajmëronte shpesh “forcë dhe presion” dhe akuzonte se, “gogoli kinez ishte një “halucinacion makthi dhe kasandrian”. Nga ana e tij edhe komunisti Nikolae Çaushesku, denonconte në kongreset e PKR se: “Pekini dhe Moska duan një Ballkan të trazuar, ku rolin kryesor e ka marrë Shqipëria e Enver Hoxhës”. Analistëve të kohës, ky reagim u duken i tepruar, por nga ana tjetër një ndjenjë kërcënimi sovjetik ishte vendosur në Ballkan që prej vitit 1968, pas pushtimit të Çekosllovakisë. SHBA në Europë kishte krijuar dy rryma në politikat e Ballkanit, ku njëra prej tyre ishte për “marrëdhënie të mira me Kinën”. Asgjë nuk ka qenë e lehtë për Ballkanin të përcaktohej ndonjëherë si “ i lirë në bërjen e politikave”. Kjo pasi gjeografikisht Ballkani është gadishulli i formuar nga deti Adriatik, Egje dhe Deti i Zi. Askund nuk ka nacionalizëm më të fortë se Ballkani, dhe kjo duket edhe në aleancat e Jugosllavisë apo edhe Shqipërisë së atyre viteve. Konkretisht në vitet 1960-1970 Kina ishte aleati i fuqishëm i Shqipërisë dhe pavarësisht se ndodhej shumë larg gjeografikisht, ishte një ndihmë e madhe në aspektin ekonomik, ushtarak e botëror. Kurse shteti fqinj i Shqipërisë, Greqia pasi shpëtoi nga marrja e pushtetit nga komunistët pas Luftës së Dytë Botërore me ndihmën anglo-amerikane, po vazhdonte të lakmonte Uashingtonin për ndihmë ushtarake dhe ekonomike. Varësia e Turqisë nga Amerika dhe NATO-ja, ishte si rezultat i frikës shekullore nga rusët. Mosangazhimi i Jugosllavisë është përcaktuar gjithashtu nga faktorët e sigurisë dhe bindjeve të krijuara nga historia, ku aleatëve nuk mund t u besohet. Edhe përkushtimi i nënshtruar i Bullgarisë ndaj Bashkimit Sovjetik, mund të shpjegohet tek frikërat e pasluftës, duke parë një mbrojtës të fuqishëm të identitetit të kombëtar, pasi përndryshe ajo mund të kishte probleme serioze në Konfederatën Komuniste dominuar nga armiqtë e tyre të vjetër, nga serbët. Sot ka ende një nacionalizëm të nënkuptuar në refuzimin e Bullgarisë ndaj njohjes së shtetit të Maqedonisë që pretendojnë të kenë një tjetër identitet nga bullgarët. Kjo këmbëngulje ka qenë e mjaftueshme për të lënë dyshime për qëllimet e saj territoriale përkundrejt Republikës së Maqedonisë në Jugosllavi. Paragjykimet e vjetra dhe emocionet luajnë pjesën e tyre në Ballkanin bashkëkohor, ashtu siç ndodhi kur tensionet në Jugosllavi mes 8.4 milionë serbëve dhe 4.2 milionë kroatëve arritën kulmin këto 25 vitet e fundit. Mbase është e vërtetë, se rusët pëlqehen nga bullgarët për shkak se ata janë pasardhës të sllavëve dhe nuk është se kanë ndonjë konsideratë të madhe për rumunët, të cilët kanë origjinë latine. Nga ana e tyre malazezët ndiejnë një lidhje nostalgjike gjaku me rusët, ndërsa sllavët jugorë, sllovenët dhe kroatët kanë jetuar nën Perandorinë Austro-Hungareze. Shqiptarët, të cilët janë etnikisht unikë në llojin e tyre, u janë ruajtur, por edhe i urrejnë serbët. Gjeopolitika është gradualisht duke i zëvendësuar paragjykimet si përcaktues kryesorë të politikave kombëtare në Ballkan. Kjo është një arsye për bashkimin e vendeve të Ballkanit që kundërshtohen nga ideologjia, temperamenti dhe tradita. Por le të kthehemi pas në kohë, 44 vjet më parë. Diktatura ushtarake në Greqi është duke ndjekur në mënyrë aktive një politikën e saj veriore të marrëdhënieve të mira me fqinjët e tyre komunistë të Enver Hoxhës. Kolonelët grekë, kanë arritur të normalizojnë marrëdhëniet me Shqipërinë pas përfundimit të gjendjes 25-vjeçare të luftës për pretendimet territoriale të diskutueshme të Epirit të Veriut. Shërbimet sovjetike dhe amerikane, flasin për një sjellje të habitshme të Enver Hoxhës me Greqinë. Ata vite më vonë do ta quanin “lojë të Hoxhës me kolonelët grekë, një talent i rrallë i tij për tu afruar me Athinën”. Zyrtarët më të lartë të regjimit të Athinës kanë vizituar Sofjen dhe Bukureshtin, ndërsa ka zëra dhe për një vizitë të Presidentit Papadhopullos në Jugosllavi dhe takim atje me ambasadorin e Shqipërisë. Rumania dhe çuditërisht Bullgaria, kanë bërë thirrje për një marrëveshje të re për sigurinë e Ballkanit. Bullgaria dëshiron një shkëmbim deklaratash që kërkojnë heqjen dorë nga përdorimi i forcës. Rumania kërkon ta mbajë rajonin të lirë nga trupat dhe stërvitjet ushtarake dhe është e shqetësuar për një linje ushtarake të një Ballkani sovjetik. Një bashkim i tillë i vendeve të Ballkanit mund edhe të mirëpritet. Por kjo zonë përmban ende frikën e një shpërthimi të mundshëm. Një milionë shqiptarë në Jugosllavi dhe 1.6 milion hungarezë në Rumani, që jetojnë ngjitur me vendet amtare të tyre, shqetësojnë si Beogradin ashtu edhe Bukureshtin. Në vitin 1968, trazirat mes shqiptarëve që protestonin kundër politikave shtypëse serbe bënë që të dukej se Tirana kishte vendosur të luante kartën e rrezikshme të “nxitjes”. Por pas vitit 1968, nisi një ngrohje e menjëhershme me Beogradin dhe problemet u sheshuan. Kurse Hungaria i kujtonte Rumanisë për zhvillimet politike të hungarezëve në Transilvani. Momentalisht si Beogradi, ashtu edhe Bukureshti, po ndjekin një politikë tolerimi për minoritete. Çaushesku ashtu si Tito i Jugosllavisë, kishte fituar një prestigj të madh në qëndrimin e tij dhe e di shumë mirë që nuk mund të ketë kthim mbrapa. Duke marrë parasysh distancën e Kinës dhe nivelin e ekonomisë së saj, ideja e një Pekini të pozicionuar fuqishëm në Ballkan përmes Shqipërisë së Enver Hoxhës, nuk mund të merrej ndryshe, vetëm si një “halucinacion” ashtu siç thoshin jugosllavët. Por Pekini e kishte krijuar prezencën e tij me Tiranën,e cila zgjati deri në vitin 1978.