Lelo Leli/ Në një takim të ngrohtë me ish-oficerët kundërajrorë

942
Sigal

Mbrojtësit e ajrit, ata që si shtëpi kishin repartet e gatishmërisë

Natyrshëm më lindi dëshira të shkruaj diçka për kuadrot që kanë punuar në armët kundërajrore. Fare pak kujtime e mbresa.  Janë emra të njohur për vlerat dhe punët e mira që kanë bërë. Me kontribute. Model i të dy kohëve. Pjesë e thjesht dhe e pastër  e shoqërisë. Është viti i njëmbëdhjetë, që oficerët kundërajror në lirim e në rezervë mblidhen në një takim të përmallshëm e vëllazëror.  Nisma që morën një pjesë shokësh në vitin 2003, tashmë është bërë normë. E  mërkura e javës të fundit të muajit maj është data e takimit të kuadrove kundërajror nga   gjithë vendi. Kështu u mblodhëm  këtë vit, 2014,  afër Liqenit Artificial, në Tiranë. Afërsisht, një muaj më parë  kundërajrorët u mblodhën në festimin e 90-të vjetorit të Maqo Zotos dhe promovimin e librit “Komandanti Maqo Zoto”, shkruar nga oficeri Avni Skënderi. Maqo Zoto ishte  me të parët,  pjesëmarrës në lëvizjen nacional-çlirimtare, që nga viti 1942. Nga të parët drejtues e komandant në armën e Artilerisë të Mbrojtjes Kundërajrore të Ushtrisë Popullore . Ka kontribuar në rritjen e forcimin e saj. Ka qenë afër dhe shembulli më i mirë i kuadrove, veçanërisht, atyre të bazës. Si më parë dhe sot, duke biseduar me Atë  është si një ‘arkiv’ i gjallë për çdo problem, sidomos për ato të Mbrojtjes Kundërajrore. Në këtë moshë ruan freski e energji. Me trup të gjatë e të drejtë. Si atëherë dhe sot, në këtë kohë e sistem ish- oficerët kundërajror i flasin me respekt e nderim “Komandant Maqo”. Ngrohtë,  me fjalë të thjeshta  dhe në këtë takim përshëndeti  Maqo Zoto. – “U bënë njëmbëdhjetë vjet që mblidhemi bashkë. Kaluam shumë vite në armën kundërajrore. Secili punoi me ndërgjegje e disiplinë të lartë. Mësuam nga njëri-tjetri. I plotësuam me sukses detyrat e kërkesat e gatishmërisë. Me ngrohtësi, e si vëllezër mblidhemi kështu, duke kujtuar punët e marrëdhëniet e mira që kemi patur. Ju uroj që të kini shëndet të plot, megjithë familjet tuaja. Për shëndetin bëhuni ‘doktorë’ të vetes.  Kjo është dhe përvoja ime”. Kaluan kohë. Oh, sa shumë!  Eh, po!  Kujtimet na shpien vite e vite mbrapa, kur ishim të rinj, me plot energji e shpresa.  Atëherë, që ecnim me sa e sa ëndrra  për të ardhmen.  Por,  kohën më të gjatë mbi libra, fletore e rregullore. Parësore:  Arsimimin, ngritjen kulturore e profesionale.  Kështu ndodhte në shkolla.  Nisur nga shkolla ushtarake “Skënderbej”, që në shpirtin tonë ruhet si një nga mrekullitë e kohës, në shkollën e oficerëve, në akademi, shkollën e partisë, në universitet  e të tjera.  Në ato fillime, një pjesë  studiuan në ish- BS. Kuadrot tona ishin plot dije e kulturë.  Njohës të problemeve ushtarake, të jetës të vendit, sidomos të atyre  proceseve matematike, fizike e elektrike, që përmbante arma e artilerisë dhe e raketave kundërajrore.   Puna e studimi, ndërgjegjja, përballimi i vështirësive dhe i kërkesave që diktonin situatat për gatishmërinë i bëri ata drejtues e specialistë të zotë.  Diplomat ishin të barasvlershme me nivelin, me dijet e tyre.  Ishin vlerësime e diploma të vërteta, reale.  Jo të blera me para,  apo me një vend pune,  dhënie pronash  të  të tjerëve dhe lloj-lloj marifetesh,  që kanë përdorur në këtë sistem.  Kapardisen disa  me dy-tre diploma e kokën bosh!  Aq më keq të tjerë, gjoja doktor e profesor! Tunden e shkunden ca se kanë disa diploma, si stoli!!!  Flasim me njëri-tjetrin  me ndjenjën e respektit e të dashurisë.  Punuam tridhjetë, dyzet apo më shumë  vjet me uniformën e gjelbër si idealist e atdhetar, besnik të betimit e flamurit, të popullit e të Shqipërisë tonë të shtrenjtë.  Me një status shoqëror : edukator e drejtues, mbrojtës të Atdheut. Ishim produkt i atij sistemi. Me të mirat dhe të këqijat.  Prandaj, flasim për atëherë dhe për sot. Pali Prifit e Qani Duraj,  me përvojë në punën e reparteve dhe drejtimin e komandës të MK-së thonë shumë.   Veçanërisht për ndjenjën e përgjegjësisë të kuadrove për detyrat, gatishmërinë dhe marrëdhëniet  e shëndosha të efektivëve.  Ashtu dhe shumë të tjerë.  Petrit Shtepani,  nismëtar dhe organizator i këtyre takimeve të flet buzagaz.   Ruan po ato vlera, të thjeshtësisë e maturisë si në kohën që punonte në komandën e MKA-së dhe drejtonte me kompetencë regjimentin.  Me Ismail Pulaj, Avniun dhe Agimin ishim në një tavolinë. Bisedat për atëherë dhe për sot. Pozitive është ruajtja e respektit e marrëdhënieve të ngrohta. Takime të tilla lënë mbresa. Në biseda, apo ngritjen e dollive, secili me fjalë zëmre e dashamirësi përcjell  kujtime, mbresa dhe urime për shokët, miqtë e mirë kundërajror. Duket sikur takohen ajo kohë me kohën e sotme!!! Se atëherë të rinj, me flokë shumë dhe tani të zbardhur,  ca të rënë flokët e me dendësi  vijash në fytyrë.   Ajo moshë e bukur na shton akthin, zilinë, kujtimet si lum!… Ato kujtime nisin:- Se si  atëherë, me sa vështirësi  i shtuam armët nga ana sasiore e cilësore.  Nga mitralozat, një, dy e katër grykësh, topat, disa kalibrash me mjete zbulimi e drejtimi deri tek raketat tokë-ajër, armë e kohës, me efektivitet e prestigj.  Ato ishin shumë-shumë.  Ashtu ishin dhe kërkesat për njohjen, ruajtjen dhe mbajtjen në gatishmëri  të përhershme.  Sa e sa pozicione dhe ndërtime ngritëm për njerëzit e teknikën në maja e qafa, në kodra e sheshe, afër objekteve të rëndësishme. Pune kolosale! Ndoshta dhe me teprime. Bisedat më shumë lidhen me kuadrot e bazës. Me kuadrot e baterive e të kompanive, që rinin me ditë e javë në gatishmëri. Pa i parë fëmijët e vegjël e gruan.  Ato lidhen dhe me punën e oficerëve që kanë shërbyer në  mjetet radio-teknike të drejtimit e zbulimit të largët. Shpesh të rrezikuar nga rezet e fuqishme.  Ashtu ishin të ndarë në tavolina, siç kanë punuar me vite. Në tavolinën me Vangjel Vogëlin e Qebir Bishen ishin disa nga inxhinierët e raketave e të radiolokacionit. Kuadro me reputacion  e dije të thella. Ishte pjesëmarrje e madhe. Mbi 80 veta. Ramadan Rucin, Ilia Kongon, Nikolla Bujën e Rexhep Xhepën kisha kohë që nuk i kisha takuar. Ishin disa të rinj, që kishin dalë nga  reforma, vite më parë. Me respekt takohesh me  Bekdash Gumen, që me atë trupin e gjatë e të drejtë,  na kujton ato parakalimet me flamurin kombëtar dhe hapin e shtrirë, simbol i ushtarakut, në atë kohë. Ashtu, me respekt takohesh dhe me Bejo Hoxhen, Ibrahm Bilalin, Ahmet Nanin, Petraq Revelin, Fetah Lamaj, Xhemil Velaj, Petro Topuzin, Azis Vecanin, Romeo Pojanin etj.. Moshës tonë i dhëmb shpirti për shpërdorimet, vjedhjen apo shitjen pa kriter të gjithë asaj teknike, armatimi, pjesë rezervë e objektet ushtarake.  Ne ruanim atëherë me rreptësi  një fishek, një pushkë, a  pjesë rezervë.  Çdo pjesë të asaj pasurie të madhe të popullit. Ndërsa  këta lloj qeveritarësh shkatërruan çdo gjë. Shitën e vodhën!?  Luajtën me statusin e ushtarakut, si u deshi qejfi!  Shkatërruan ushtrinë.  Ku shkoi gjithë  ajo pasuri e popullit?  A do të vijë koha e transparencës dhe e nxjerrjes së përgjegjësive!?  E  po të shpresojmë!!! Shumica shpreson tek kjo qeveri e majtë. Shokët e mi të shkollës, Miltjadh Gjyzari, Koco Doko e Tomor Guni flasin e dëgjohen me respekt. Ashtu dëgjohen Alekua, Kujtimi, Dhimua, Pirua, Lefteri, Qirjakua, Simoni, Tafili e shumë e shumë të tjerë, të cilëve u kërkoj falje që nuk ju përmenda emrat.  Dëshiroj të përmend Gëzim Jaupin, që kishte ardhur nga Shkodra.  Agim Bebecin dhe të tjerë, që kishin ardhur nga Durrësi.  Jeta  në  repartet kundërajrore ka qenë e lidhur me gatishmërinë.  Me shumë punë e qëndrim në repart të kuadrove.  Gatishmëria  ishte e përhershme.  Mbahej  në çdo  minutë.  Efektivi  ishte kompakt. Marrëdhëniet mbi bazën e detyrave, të instruksionit, te rregullit, të disiplinës, të ligjit. I vazhdueshëm kujdesi për njerëzit.  Oficerët bashkë me ushtarët. Më poshtë dhe vargjet :

                     Për kundërajrorët s`më hiqet sevdaja

                     Që  zbukuruan kodra e maja.

                     Me topa, raketa e mitraloza

Të ishim gjithë gati: diktonte koha!

 Me dhimbje kujtojmë ata shokë e vëllezër, drejtues e miq të mirë që janë ndarë nga jeta. Si çdo gjë dhe jeta individuale ka një fund. “Përtej njeriut,- thoshte Gëte- vepron emri i tij”. Janë bërë shumë nga kuadrot tona. Që nga Bejdo Isufi, Kico Janko, Naun Gjinikasi…deri kohën e fundit Ahmet Muho . Ata kanë ngelur në kujtime. Shumë orë bashkë.  Në një mjedis të gëzuar. Drekë të shijshme, sipas dëshirës.  Me shaka e të qeshura. Ziente muhabeti.  Ngrihej dollia.  Orët kalonin shpejt.  Përsëri  përqafime.  Ndarje shokësh me urimin: shëndet e mbarësi  në familjet e secilit!  Të takohemi  shëndetshëm  vitin tjetër.  E përsëris, se për shkak të kufizimeve që kanë këto shkrime nuk i kam përmendur shumë nga pjesëmarrësit. Ju kërkoj falje!  I përhershmi Vasil Rrapi me kamerën e tij na ka dhuruar “buqeta” të  bukura në çdo takim. Me siguri, kështu do ndodh dhe për këtë takim mbresëlënës, të 27 majit 2014-të. Ishin këto, ca mendime për atë takim vëllazëror.  Të çiltër me njëri-tjetrin.   Pa ndonjë qejfmbetje,  apo ambicie të mbartur.  Ato punët e vështira  që bënim  bashkë,  jo vetëm na kalitën, por na  edukuan dhe afruan më shumë  me njerëzit,  me jetën,  na  bënë  të ndjeshëm,  zemërgjerë e të thjeshtë.  Prandaj kuadrot tanë dhe sot kanë ngelur ashtu siç kanë qenë,  të thjesht, ca të varfër,  por të pasur e të pastër shpirtërisht e moralisht, të dashur e të respektuar, të përkushtuar , kur është puna për interesat e popullit e të Shqipërisë. Si më parë dhe sot Shqipëria e varfër ka qenë e lakmuar dhe e kërcënuar. Prandaj në mbrojtje dhe përparimin e saja të kontribuojmë të gjithë.