Sigal

Pëllumb ÇUNI

 Ish-liceistët janë rralluar dhe kanë mbetur vetëm kujtimet e tyre. Një pjesë e kanë pasur Enver Hoxhën koleg në studime dhe një pjesë si mësues. Një nga liceistët ka qenë edhe Lefter Pepo. Ai ruan kujtime të atyre viteve, kur e kish mësues Enverin. Lefteri ka mbledhur materiale që i përkasin jetës 22-vjeçare të liceut francez. Enver Hoxha për Pepon ka mbetur profesori i tij dhe ai nxënës i tij.

– Si e mbani mend Enver Hoxhën si një nga mësuesit tuaj?

– Që të vemi deri tek Enveri do të flasim pak në fillim për historikun e Liceut. Enveri kishte qenë nxënës i këtij Liceu dhe më vonë erdhi si profesor.

– Jeni marrë me mbledhjen e dokumenteve që flasin për jetën e Liceut. Mund të na thoni diçka?

– Liceu u hap në 25 tetor të vitit 1917. U mbështet nga Themistokli Gërmenji. Si profesor i parë i gjuhës frënge ka mbetur një ish-oficer me emrin Dekuan. Oficeri si la 640 ushtarë të vrarë në luftë e zhveshi rrobën ushtarake dhe veshi ato të profesorit. Të gjitha lëndët bëheshin në gjuhën franceze, vetëm gjuha shqipe ishte në shqip. Kërkesat kanë qenë të larta. Janë regjistruar 1500 dhe e kanë përfunduar 246. Një pjesë e ish-nxënësve u kthyen profesorë pasi mbaruan të lartën në Francë. Niveli i dijeve ishte i njëjtë me atë të moshatarëve në Francë. Ata që e ndoqën të lartën e mbaruan me sukses, dhe pse iu kërkua që të rrinin jashtë, ata erdhën përsëri në vendlindjen e tyre.

– Mund të na përmendni disa emra ish-nxënësish që erdhën profesorë në Lice?

– Po të them një pjesë tyre. Janë 20 liceistë, që u bënë mësues. Po përmendim Gjergji Canco, Petraq Pepo, Kristaq Fundo, Petraq Fundo, Selman Riza, Nonda Bulka, Enver Hoxha, Abaz Ermenji, Raqi Qirinxhiu, Sotir Kuneshka etj. Nga fisi Pepo, 9 djem kanë mbaruar Liceun francez, 6 prej tyre mbaruan të lartën në Francë dhe Itali.

– Po mësuesit e parë shqiptarë?

– Mësuesit e parë shqiptarë, që nisën dhënien e mësimit në Lice krahas ish-ushtarakut Dekuan (Dekoing) ishin: Thoma Avrami, Llambi Gërmenji, Haki Mborja, Gaqo Geço, Nikuca Ballamaçi.

– Kush e siguroi godinën e liceut?

– Tradita nuk mungonte në Korçë. Dimanti Tërpo dhuroi shtëpinë për mësonjëtoren e parë shqipe. Në fillim Liceu u hap në shtëpinë e Nuçi Mborjes. Për dy vjet u bë këtu mësimi. Në fillim kishte dy klasa. Por duke parë se numri i nxënësve ishte në rritje atëherë u lirua Spitali Ushtarak deri në vitin 1938, kur Thoma Turtulli dhuroi godinën e re për Liceun, që sot është brigada e këmbësorisë.

– Për herë të parë nisi frëngjishtja në Korçë në vitin 1917?

– Korçarët e kishin njohur vite më parë gjuhën frënge. Mihal Turtulli kishte mbaruar për mjek që në vitin 1856, në vitin 1878 Theodhir Gjini për letërsi, Thoma Orolloga për drejtësi në vitin1888, Mihal Lako për letërsi 1892. Pra, korçarët ishin njohur me këtë gjuhë. Liceu shërbeu për të plotësuar një boshllëk të atyre viteve me kuadro me arsim të plotë e të kohës. Gjatë 22 viteve janë shënuar 5 drejtorë francezë dhe 14 profesorë. Mësues shqiptarë 32, ku 20 prej tyre mbaruan Liceun. Nga gjiri i Liceut dolën shumë emra të njohur si: Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Medar Shtylla, Koço Theodhosi, Behar Shtylla. Mahir Domi, Dhimitër Shuteriqi, Ptoleme Xhuvani, Bilbil Klosi, Kolë Paparisto, Stefanaq Pollo, Llambi Ziçishti etj. Liceu përgatiti nxënës me nivel të lartë, të cilët një pjesë u bënë inxhinierë, ekonomistë, mjekë.

– Po nxënësit më të mirë të Liceut kush kanë qenë?

– Nuk ka qenë Enver Hoxha ndër më të dalluarit. Me nota maksimale për tërë vitet janë vlerësuar dy ish-nxënës nga Korça, Sotir Kuneshka dhe Raqi Qirinxhi, që mbaruan për matematikë dhe erdhën mësues në Lice. Raqi Qirinxhi, profesori i matematikës u lidh me Luftën. Ai ishte intendenti i Shtabit të Qarkut të Korçës. Humbi në janar të vitit 1944. Mbeti enigmë vrasja dhe zhdukja e profesorit partizan!? Dëshmor është edhe liceisti Guri Stratobërda dhe Teli Samsuri. Liceu ishte një shkollë shumë kërkuese. Nuk pyetej se i kujt biri apo bije ishe. U regjistruan 1500 nxënës për ta ndjekur dhe e kryen vetëm 246. Pa punë e studim mbeteshe në klasë.

– Vetëm me mësime merrej Liceu?

– Liceu krahas dijeve të nivelit të Francës kultivoi veprimtari kulturore, sportive. Kishte korin e vet që jepte koncerte me këngë dhe humor. Kishte orkestrën e vet. Talenteve u jepte hapësirë. Përmendim pianistin Boris Plumbi që e mësoi pianon në Lice dhe u bë një nga pianistët më të mëdhenj në vend, pasi ndoqi studimet për këtë vegël muzikore. Nga korçarët e vjetër mbahet mend liceisti Teli Samsuri, që luante futboll me ekipin e “Vllazërimit”, “Skënderbeut” të sotëm, i vetmi trofe i madh i fituar nga futbolli korçar në vite. Në vitin 1933 doli kampion i vendit dhe golin e fitores ndaj Tiranës e shënoi Teli Samsuri. Teli Samsuri doli partizan. U pushkatua nga gjermanët në kampin e Selanikut.

– A ju kujtohet dita e parë e shkollës?

– Kur unë vura kasketën me shirit kuq e zi, sigurisht ndjeva emocione kur nisi dita e parë e mësimit. Kishim një uniformë gri në të çelur kostumet me këmishë të bardhë në verë. Nuk të pranonin pa uniformë. Kishte rregulla të forta. Ditën që mungoje do të vinin babai ose një pjesëtar tjetër i familjes që t’i vinte në dijeni se ditën tjetër nuk të fusnin në klasë. Ora e mësimit ishte 60 minuta me 5 minuta pushimi mes tyre, sa ndërronim librat. Nuk delte nxënës të bridhte nëpër korridore apo në dritare siç bëjnë këta gjimnazistët e sotëm.

– Po ndonjë gjë tjetër a u kujtohet nga rregulli i fortë i shkollës franceze?

– Më kujtohet një orë mësimi. Sa nisi. Një dallëndyshe po vërtitej të ndërtonte folenë në strehët e godinës. Unë sa luajta pak për ta parë. Nuk u ngrita në këmbë. Profesori i matematikës më mbajti tërë orën në dërrasë ku unë zgjidha problema dhe ushtrime. Ai jep e unë zgjidh. Nuk më bërtiti, as ulëriti. Nuk më tha dhe pse më ndëshkonte në këtë mënyrë që unë ta kuptoja vetë pse më bëhej ky dënim dhe t’ua u thosha shokëve, përse e kalova orën në këmbë përballë dërrasës së zezë. Nuk bëhej zhurmë në klasë. Nxënësit punonin në mënyrë të pavarur. Nuk kopjonim nga shokët. Pa, po të kapnin me kopje ndëshkimi ishte i rëndë.

– Po Enveri çfarë lëndë u ka dhënë?

– Enveri më dha lëndën e moralit. Ishte një lëndë e lehtë, por më të lehtë na i bënte Enveri se komunikonte mirë me ne. Më kujtohet se gjatë orës së mësimit Enveri nuk rrinte asnjëherë i ulur në tavolinën e profesorit. Ai ulej në bankat e para të klasës. Këto banka i ndërronte në çdo orë mësimi. Literatura që na jepte lidhej me edukimin moral të liceistëve. Enveri komunikonte mirë. Nuk e shihte ditarin, e linte mbi tavolinën ku duhej të rrinte, por që nuk denji asnjë orë atje. Lakmonte të mos kish dallim me shtresat e larta korçare, por njëkohësisht përzihej dhe me shtresat e ulëta të shoqërisë korçare. Me proletariatin korçar kishte gjetur një gjuhë mirëkuptimi. Edhe në Lice kishte një bërthamë revolucionare që vepronte në fshehtësi.

– Sa vite mësim u dha Enveri?

– Mua më dha 2 vite. Ai erdhi në vitin 1937 dhe deri në vitin 1939, se me mbërritjen e italianëve pushtues, u mbyll Liceu. Profesorët francezë u larguan. Tanët po përgatiteshin një pjesë për në Luftë. Enveri nuk e ngriti asnjëherë zërin, por me një buzëqeshje të ëmbël e ngrohte klasën. Nuk u nxeh kurrë në mësimdhënie. Nuk na bërtiste. Ne në klasë ishim 31 veta. Nga këto dhjetë ishin vajza. Në prill të 1939-ës pushtimi fashist u prit me protesta në Korçë, ku profesorët prinin para liceistëve dhe popullit. Flamurin kombëtar e mbante Abaz Ermenji. Ky fakt duhet thënë pavarësisht se ai më vonë ngau rrugë tjetër nga ajo e Enver Hoxhës. Liceu nuk u hap në shtator të vitit 1939, kështu që shënon dhe mbylljen e tij, pas largimit të profesorëve francezë. Në vitin 1945 u rihap, por si gjuhë u fut serbokroatja e më vonë gjuha ruse. Liceu si vazhdim sot është gjimnazi “Raqi Qirinxhiu”, si ish- nxënës dhe profesor matematike dhe dëshmor i Atdheut.

– Vajzat më vete rrinin?

-Po, vajzat rrinin në bankat e para dhe ne djemtë pas tyre.

– Enveri rrinte në bankat ku rrinin vajzat?

– Të thashë që rrinte në bankat e para dhe i ndërronte në çdo orë mësimi. Banka ku ulej ai boshatisej.

-Si e mbani mend portretin e tij në ato vite?

– Ishte një djalosh i bukur, i këndshëm dhe simpatik. Rrinte veshur me kostume të mira. Bënte jetën qytetare. Enver Hoxha ka dhënë dy vjet mësim në Lice. Një vit në godinën ku kishte qenë dhe vetë nxënës dhe një vit në godinën e re që ngriti dhe fali Thoma Turtulli. Fliste frëngjishten rrjedhshëm e pa ndërprerje. Sikur recitonte na dukej. Poet i moralit ishte ai, ndërsa Raqi Qirinxhi poet i matematikës.

– Si ish-nxënës i Enverit si i patët marrëdhëniet pas çlirimit?

– E kam takuar disa herë. Kur ndau tapitë në Krutje të Lushnjes, unë isha në komisionin e Reformës Agrare. Për nder të mbërritjes së tij u shtrua një drekë. Si ish-nxënës ai më bëri shenjë që unë të vija pranë se më njohu. Kishte një kujtesë të jashtëzakonshme. “Nuk do t’i ndalim reformat, Lefter! Pushtetin tani e ka populli!”- më tha.

– Po herë të tjera?

– Në vitin 1955 u çel Ndërmarrja e Turizmi në Korçë. Unë isha shef llogarie. Erdhi dhe mori pjesë dhe Enver Hoxha. U takuam përsëri ku më pyeti për punët në Korçë dhe më tha se perspektivat janë të qarta për të ecur me hapa më gjigante. Pushimet e dimrit që nga viti 1955 e deri në vitet 1972 Enveri vinte në Korçë dhe i bënte. Në këto pushime unë nuk kam munguar asnjëherë në takimet që ai ka bërë me kuadrot e Korçës. Mua më ka trajtuar si një ish- nxënësin e tij. Dhe për mua ai mbeti një profesori im. Kur kthehej nga shëtitja apo takimet e punës që bënte shpesh vinte në sallon të turizmit për të pirë kafe. Ne rrinin bashkë dhe bisedonim për Korçën. Ai më pyeste për të gjithë të njohurit nga qyteti i Korçës. Nga tiparet e profesorit i kishte mbetur buzëqeshja. Si udhëheqës tani edhe e ngrinte zërin me tone të larta. Mbeti një admirues i qytetit të Korçës.

– Sa kanë mbetur gjallë nga ish- liceistët?

– Me kokrra janë tani dhe po përcillen përditë. Sa iku Boris Plumbi. Po shuhemi dhe ne të fundit. Në Voskopojë jeton Dhimitër Fallo, të tjerët janë në Korçë dhe në Tiranë.

Jehona në shtyp

Me rastin e 20- vjetorit të Liceut “Gazeta e Korçës”, shkruante: “Drejtor ishte francezi z. Vital Gerson dhe profesorë zotërinjtë Mihal Ballkameni (nëndrejtor), Vasil Qiriako e Dhimitër Gjeorgjiadhi. Në vitin e parë 1917-1918, Liceu kishte vetëm 36 nxënës. Vitin e dytë franko-shqiptar u plotësua me profesor të rinj, si K. Xega, N. Ballamaçi etj. Në këtë mënyrë vazhdoi tre vjet duke pasur nga 50 nxënës. Gjimnazi grek, i cili prej kohe nuk punonte më në rregull, u mbyll përfundimisht më 1918.”( Gazeta e Korçës, tetor 1937) Brezi i fundit që mbaroi liceun me profesorë francezë kanë qenë: Xhuvi Bino, Stefanaq Pollo, Zija Xholi, Fatmir Gjata, Boris Plumbi, Llambi Ziçishti, Thoma Harilla etj.

Figura të Liceut

Petraq Pepo: Lindi në Korçë në vitin 1903. Kur ishte në moshën 14 vjeç u regjistrua në Liceun francez. Ai ishte një nga 36 nxënësit që nisën Liceun dhe një nga të 9 nxënësit që mundën të arrinin në klasën e tetë në vitin 1925. Mbaron në Sorbonë dhe kthehet në vitin 1930 në Korçë, në Liceun e Korçës, tani profesor, ku jep lëndët Histori, Gjeografi dhe Greqishten e Vjetër. Në tetor të vitit 1940 e arrestuan dhe e burgosën në Bari të Italisë. Pas çlirimit të vendit u emërua në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë. Këtu ai përgatiti armatën e mësuesve të rinj të vendit. Në vitin 1946 u mblodh Konferenca e Paqes. Në delegacionin shqiptar bënte pjesë edhe Petraq Pepua si konsulent.

Petraq Pilika: Me krijimin e Universitetit të Tiranës u caktua përgjegjës i katedrës së matematikës. Me krijimin e Akademisë së Shkencave më 1973, anëtar i saj.

Fahredin Angoni: Ish-liceisti Fahredin Angoni u pushkatua më 6 qershor të vitit 1945 me pesë të tjerë në gështenjat e Zërvaskës në Pogradec. Në gjyq dolën 28 veta po këtë datë ku 14 veta u dënuan me pushkatim. Kryetari i gjyqit ishte Irakli Bozo, shok shkolle me Fehredinin. Fahredin Angoni lindi në 18 janar të vitit 1908 në qytetin e Gjirokastrës. Kishte një moshë me Enver Hoxhën, por gjatë Luftës nuk i shkoi pas si liceistët e tjerë. Ai u ingranua me rininë nacionaliste. Në vitin 1924 erdhi në Korçë ku nisi liceun francez dhe e mbaroi në vitin 1933. Për arsye familjare nuk ndoqi studimet në Francë, por punoi mësues në fshatrat e Korçës, ku dha mësim në Pojan, në Progër. Qysh kur ishte student liceist përktheu nga frëngjishtja “Berberin e Seviljes”, “Djaloshi Gjenial (Moxarti)”. Përktheu nga gjermanishtja “Faustin” e Gëtes. Këto përkthime janë botuar në shtypshkronjën “Dhori Koti”, të qytetit të Korçës.

Profesorati

Në Liceun Francez të Korçës profesorë shqiptar ishin: Nonda Bulka,Vangjush Mio, Stavro Skëndi, Foto Bala,Vedat Kokona, Raqi Qirinxhi, Selman Riza, Enver Hoxha, Abaz Ermenji. Nga fundi i Luftës II Botërore do përcilleshin me qytetin e Korçës liceistët e dëgjuar Tomorr Zavalani, Viktor Emanueli, Ali Qemali, Petraq Xhumetiku, Drini Panariti. Këta u vendosën në Amerikë. Në Amerikë në vitin 1950 arrin një liceist tjetër që arratiset nga burgu në mënyrë spektakolare. Ai, si qëlloi policin duke e paralizuar atë, vesh uniformën e tij dhe kalon burgun e më vonë kufirin e hidhet në Greqi e prej andej përfundon në Amerikë. Iknin këta por, kusuret më pas i hoqën të afërmit e tyre.

Shkolla që nxori drejtuesin e shtetit shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore

Ish-liceistët 

Në Lice u regjistruan 1500 dhe e mbaruan 246. Nga liceistët që mbaruan 129 ishin korçarë, 96 prej tyre mbaruan shkollën e lartë në Francë. 117 të tjerët ishin nga rrethet e tjera dhe nga Kosova. Liceu francez ishte shkollë e mesme në gjuhën franceze dhe në vitin 1922 u emërtua Liceu Kombëtar. Grupi i parë ka mbaruar në vitin 1926. Grupi i parë zgjati 8 vjet, pastaj grupet e tjera kanë zgjatur nga 9 vjet. Gjatë 22 viteve të ekzistencës 1917 deri në 1939, vlerësimin maksimal e kanë marrë dy korçarët, Sotir Kuneshka dhe Raqi Qirinxhi.