Ledia DUSHKU/ Kujtimet mbi shpërnguljen e çamëve, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore

104

Ernest Gellner-i, në librin e tij Nacionalizmi, shprehet se sipas parimit nacionalist, nevojitet që njësia politike dhe ajo etnike të përputhen. Me fjalë të tjera, duke qenë se etniciteti përcaktohet në thelb nga kultura e përbashkët, nevojitet që brenda njësisë politike secili ose pothuajse secili, t’i përkasë së njëjtës kulturë dhe të gjithë ata që i përkasin të njëjtës kulturë të jenë brenda të njëjtës njësi politike. Shkurt, shprehet Gellner-i: një kulturë, një shtet.

Në këtë shkrim synoj të rindërtoj procesin e shpërnguljes në dritën e të tashmes, jo nëpërmjet dokumenteve, por me anën e kujtimeve të vetë shqiptarëve të Çamërisë, në atë kohë fëmijë nga 8-12 vjeç. Ndonëse sot në moshë të thyer, ata mbajnë mend pothuajse gjithçka dhe e tregojnë me detaje ngjarjen. Të intervistuarve iu bënë të njëjtat pyetje, nëpërmjet të cilave synonim të grumbullonim informacion në lidhje me tre aspekte. Së pari, mbi arsyet e ardhjes në Shqipëri dhe sjelljen e grekëve ndaj tyre. Së dyti, mbi rrugëtimin në drejtim të shtetit amë dhe së treti, në lidhje me pritjen që iu bë në Shqipëri. Qëllimi final: si qëndrojnë kujtimet individuale kundrejt kujtesës kolektive të kësaj popullsie.
Të gjithë të intervistuarit folën gjatë për arsyet e ardhjes në Shqipëri. Si në një film të frikshëm, e përshkruanin njësoj dhunën e ushtruar ndaj tyre dhe familjarëve, duke e cilësuar të tërë si arsyen e vetme të largimit nga Çamëria. Ata tregonin se në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në tetor të vitit 1940, Italia kishte sulmuar Greqinë, moment ky që ishte konsideruar prej popullsisë shqiptare të Çamërisë si çlirim. Duke shpresuar se do të realizohej Shqipëria etnike, ishin krijuan dy batalione, të cilët ishin në bashkëpunim me italianët. Batalionet drejtoheshin nga Aziz e Skënder Çami. “Nuk kaloi shumë kohë dhe grekët, pasi thyen forcat italiane, u rikthyen në fshat”, tregon një prej të intervistuarve, sot 82 vjeç. “Rikthimi i tyre solli rikthimin e dhunës për ne”, vazhdon ai. “Na dhunuan dhe na dogjën shtëpitë, por edhe kjo situatë nuk vazhdoi gjatë. Forcat italiane morën sërish situatën në dorë dhe i larguan grekët. Në Çamëri u formua një qeveri shqiptare, e cila në bashkëpunim me italianët administronte territorin. Nga të intervistuarit, qeverisja shqiptare konsiderohet shumë normale dhe shumë e rregullt. “U krijua ushtria, xhandarmëria dhe flamuri shqiptar valoi deri në tregun e Prevezës. Pra Çamëria u bë Shqipëri, por kjo ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë sepse bashkimi nuk u realizua. ‘Dështoi’, shprehet një i intervistuar, “dhe sot gjykoj se dështimin e kemi nga komunizmi. Komunistët mashtruan djemtë çamë, i morën në njësitë e tyre dhe luftuan kundër nacionalistëve. Kështu shkoi dëm e gjithë lufta”, përfundon ai.Pasi vendin e italianëve e zunë gjermanët, forcat greke, nën drejtimin e Napolon Zervës, mbërritën sërish në Çamëri. Të gjithë të intervistuarit tregojnë se ata u dhunuan vetëm sepse ishin shqiptarë, duke anashkaluar bashkëpunimin e një pjese të popullsisë me gjermanët. Përjashtonin edhe ndikimin e hoxhallarëve në shpërnguljen e tyre. “Nuk ishte punë feje”, shprehet i intervistuari. “Ne respektonim më shumë flamurin shqiptar sesa fenë islame”, përfundon ai. “Sulmet u bënë fshehurazi dhe u shoqëruan me vrasje masive fillimisht të meshkujve”, shprehen ata. “Kështu, në fshatin Mininë, u vranë 80 djem, të cilët rezistuan brenda një godine aq sa s’kishin më fishekë. Në Paramithi, pasi u kap kryemyftiu, në një natë të vetme u vranë 36 persona. E njëjta situatë edhe në Spatër, ku u vrarë të gjithë burrat, në sy të grave edhe fëmijëve. Dhunë çnjerëzore u ushtrua edhe ndaj grave, pa marrë parasysh nëse ishin shtatzëna apo jo”. “Mos shiko as andej e as këndej, vetëm drejt, të mos shohësh asgjë”, ishte këshilla që nëna i jepte njërës prej të intervistuarve, për të mos parë të masakruarit rreth e rrotull. “Po ata aq shumë vrisnin dhe prisnin, sa nuk kishte më fajtor dhe të pafajshëm” – kujton mes lotësh ajo, fëmijë në atë kohë, sot 78 vjeç…