Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të atdheut!

3626
Të martën është 5 Maji, Dita e Dëshmorëve, një ditë shumë e veçantë dhe e lavdishme ku populli ynë, ashtu si çdo vit, edhe sivjet në 70 vjetorin e triumfit mbi nazifashizmin gjakatar, do të përulet me veneracionin më të thellë te varret e tyre të mermertë, do të përulet me respektin më të madh përpara veprës e kujtimit të tyre të ndritur. Do të përulet para bijve e bijave të tij heronj e dëshmorë, sepse ata dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre, shumica në lulen e rinisë, që populli të jetonte i lirë dhe i pavarur, pa pushtues të huaj e pa tradhtarët që bashkëpunuan me pushtuesit nazifashistë, prandaj ata i ka vendosur në piedestalin e nderit të kombit.
Kjo ditë simbol lidhet me rënien e heroit simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, simbol i rinisë antifashiste e komuniste, yllit të rrallë të vegjëlisë, Qemal Stafa. E vranë Qemalin… spiunët e djallit, qëlluan mbi atë yll, që ta shuanin që në fillim luftën e shkëlqimin e së ardhmes së saj, por yjet u shumuan, e mbushën plot qiellin e lirisë e gjerdanin e lavdisë… Nuk mund të ketë vrasje, ku plumbi të ketë shkaktuar aq shumë dëm, sa plumbat që ranë mbi Qemal Stafën… Ja prenë jetën në lule të rinisë atij që shikonte me aq optimizëm drejt të ardhmes së rinisë shqiptare e popullit të tij të shumëvuajtur. Vrasja mizore e Qemal Stafës shkaktoi një uragan të vërtetë urrejtje të popullit ndaj fashizmit e bashkëpunëtorëve të tij, tradhtarëve të popullit e Atdheut. Vrasja e tij u kthye në forcë e i dha edhe më shumë zjarr Luftës për liri. Me emrin e Qemalit rinia shqiptare mbushi malet me partizanë. Dhe sot, ata që spiunuan dhe e vranë Qemalin bashkë me fashistët, hedhin baltë mbi heroizmin e tij, e qëllojnë që ta rivrasin, por figura dhe emri i Qemal Stafës, ngrihen akoma edhe më lart e do të shkëlqejë e nderohet brezpasbresi. 
Nderimi për dëshmorët
Nuk ka popull në globin tokësor që të mos nderojë dhe të mos përulet para dëshmorëve të tij. Kështu edhe populli ynë, i vogël në numër, por numrin e dëshmorëve e të heronjve e ka të madh, plot 28 mijë e njëqind e njëmbëdhjetë…Sepse e madhe ishte Lufta Legjendare Antifashiste Nacionalçlirimtare që largoi pushtuesit nga atdheu dhe mbrojti të pacënuara kufijtë e tij. Dhe populli jo vetëm përulet para dëshmorëve, por i ka nderuar dhe e ka vlerësuar veprën e tyre duke ngritur memorialë në vendet ku derdhën gjakun e tyre të kulluar, u ka ngritur buste e monumente, i ka quajtur “Yje të pashuar”… Emrat e tyre i ka gëdhenur në rrugët, sheshet, shkollat dhe institucionet e tjera dhe i ka sistemuar në varreza dinjitoze dhe në muzetë. Simbolet e heronjve dhe dëshmorëve janë të shpërndara në mbarë atdheun, sepse lufta kundër pushtuesve dhe tradhtarëve u zhvillua e ashpër në të gjithë vendin se në gjithë vendin, pëllëmbë për pëllëmbë, u derdh gjaku i tyre. Detyrën për të nderuar heronjtë e dëshmorët e ka populli, por detyrën për t’u kujdesur, për t’u shërbyer e kanë qeveritë, e kanë shtetarët e popullit. Janë ata që duhet të kujdesen për simbolet e dëshmorëve e të heronjve, të restaurojnë varrezat e tyre, monumentet dhe muzetë, të nderojë edhe familjet e dëshmorëve e për çdo gjë që lidhet me emrin e tyre.
Po ç’bënë pushtetarët që erdhën në pushtet pas vitit 1990 dhe pas vitit 2005? Për turpin e tyre, jo që nuk i nderuan dëshmorët e heronjtë po dëmtuan simbolet e tyre, varrezat dhe përmendoret, spostuan heronjtë nga qendrat e qyteteve dhe i degdisën në periferi. Familjeve të dëshmorëve u hoqën edhe një shpërblim modest që merrnin. Zëvendësuan disa nga emrat e tyre nga institucionet, shkollat sheshet dhe rrugët, me emra kolaboracionistëve e persona të tjerë pa ndonjë vlerë të qenësishme për atdheun tonë, siç bënë edhe me me “Dëshmorët e 4 shkurtit” në Tiranë… Çudia më e madhe është se përfaqësues të së djathtës, të përkrahur nga shtetarët, shumë heronj e dëshmorë, për të cilët përulet me respekt një komb i tërë, ata i quajnë kriminelë e kriminelët që i kishin lyer duart gjer në bërryl me gjakun e tyre i quajtën “heronj” (!). Shtetarët që nuk nderojnë e respektojnë heronjtë dhe dëshmorët, populli i quan bastardë dhe do t’i urrejë dhe përbuzë gjithë jetën. 
Pushtetarët e sotëm me dëshmorët
Po pushtetarët e sotëm a po i kryejnë si duhet detyrat e tyre që kanë për heronjtë dhe dëshmorët e Atdheut? Veteranët e LANÇ, të cilët dëshmorët i kanë patur bashkëluftëtarë në betejat për çlirim dhe u kanë pastruar gjakun nga balli e gjoksi, janë të pakënaqur edhe nga pushtetarët e sotëm që nuk kanë bërë dhe nuk po bëjnë atë që duhet të bëjnë për vlerësimin, nderimin e dëshmorëve, restaurimin dhe mirëmbajtjen e simboleve, të varrezave dhe respektin për familjet e tyre. Varrezat e dëshmorëve duhet të shkëlqejnë mbi çdo gjë, të ndriçojnë si yjet, se mbajnë në gji yjet e pashuar! Të pavdekshëm heronj e dëshmorë! Do të vinë shokët tuaj veteranë t’iu takojnë, t’iu vendosin nga një buqetë me lule maji të freskëta mbi varrin tuaj, do të vinë, ashtu duke u çapitur, për shkak të viteve që u rëndojnë mbi supe, por do të vinë me dashurinë e madhe, me mallin e pashteruar, me respektin mal, për ju, për veprën tuaj të shenjtë… Do të vinë t’iu pyesin, u dhëmbin ende plagët, t’iu thonë, se pas katër ditësh, do të festojmë 9 Majin, Ditën e mposhtjes së nazifashizmit, e triumfit të idealeve të paqes të popujve përparimtarë të botës, që mbytën murtajën hitleriane. Në atë triumf të madh të udhëhequr nga koalicioni i madh antifashist botëror që udhëhoqi Luftën II Botërore, ku me aq zgjuarsi e largpamësi e radhitën ideatorët e LANÇ-it në Shqipëri, që shkruan për më shumë se pesë vjet epopenë më të lavdishme shqiptare, është edhe gjaku juaj, është edhe vepra juaj. Vepra e gjaku juaj, së bashku me veprën e 70 mijë partizanëve, ishte, është e do të jetë pasaporta pa vizë për të shkuar në Evropë atje ku vërtet e ka vendin populli ynë.
Lavdi veprës lavdiplote të dëshmorëve! 
Sigal

Gjikë Kurtiqi

****
Shërber Karuli*&Pëllumb Luzi**/ Myslym Peza, ‘Heroi i Popullit’, figurë e ndritur dhe e lavdishme
Myslym Peza radhitet ndër figurat më të shquara patriotike e të spikatura të popullit shqiptar në shekullin e 20-të. Më 1 maj 1997 në Pezë të Madhe lindi Myslym Peza. Së bashku me qumështin e nënës, ai u mëkua dhe me traditat më të mira patriotike e atdhetare të paraardhësve të vet të shquar, të gjithë me origjine autoktone nga Peza. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në lëvizjen demokratike të viteve 1920-1924 dhe së bashku me patriotë të tjerë do të vihej në ballë të luftës kundër regjimit obskurantist e satrap të Ahmet Zogut, i cili erdhi në fuqi nëpërmjet hordhive të miqve të tij çetnike serbo-malazeze. Ishte Myslym Peza, ai që vrau Osman Balin, vegël qorre e Esat Pashe Toptanit dhe shërbëtor i Ahmet Zogut. Rezistenca e paepur ndaj regjimit zogolian, si dhe 9 vitet e errëta në mërgim jashtë vendit, kalitën te Myslym Peza cilësi e virtyte të larta atdhedashurie, patriotike e njerëzore. Njihet kontributi i familjes Peza në përkrahjen e qeverisë së Ismail Qemalit dhe lidhjet e ngushta të saj me Luigj Gurakuqin e Riza Cerovën, apo dhe përkrahja e madhe që i ka dhënë Qeverisë së Fan Nolit. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste ai kthehet menjëherë në Atdhe dhe fillon përpjekjet për organizimin e luftës kundër pushtuesit. Më datë 5 QERSHOR 1940 ai formon Çetën e Parë Patriotike-Antifashiste në Shqipëri. Kjo çetë njihet si formacioni i parë antifashist në Ballkan dhe në Evropë. Më datë 16 MARS 1941 u bë përpjekja e parë e përgjakshme e kësaj çete me mbi 760 trupa të zgjedhura fashiste italiane, atje ku armiku la në fushën e betejës 84 të vrarë e dhjetëra të plagosur. Në përbërjen e çetës së parë ishin thuajse të gjithë pjesëtarët e familjes Peza, bashkëshortja Zenepe, djali i madh Skënderi, vajza Dija, i vëllai i madh Shyqyriu së bashku me bashkëshorten Feridenë e 2 vajzat Myrveten e Luçian, kushëriri i tij Dyrr Peza së bashku me të shoqen Haxhirenë dhe të vëllanë Hasan Peza, edhe ky me bashkëshorten Ismete, etj. Më 21 gusht 1941, me ardhjen e Vasil Shantos në Pezë, çeta pagëzohet si çeta e parë partizane me komandant Myslym Peza e komisar Vasil Shanto. Me largimin e Vasilit, komisar i çetës zgjidhet Mustafa Gjinishi. Më 16 shtator 1942 në shtëpinë e Babë Myslymit në Pezë u mbajt Konferenca e Parë Nacional-çlirimtare me program pa dallim feje, krahine dhe ideje. Në këtë konferencë, Babë Myslymi ishte delegat dhe zgjidhet anëtar i këshillit të përgjithshëm antifashist nacional-çlirimtar të popullit shqiptar. Fashistët kanë ndërmarrë mbi 18 operacione të përgjakshme kundër Pezës e trevave rrotull saj, atje ku kanë lënë mbi 700 të vrarë e qindra të plagosur. Më datë 15 Mars 1943 u krijua batalioni partizan i Pezës me komandant Myslym Pezën e komisar Mustafa Gjinishin. Më datë 26 qershor 1943, rrugës kur po shkonte për të marrë pjesë në Konferencën e Labinotit në Elbasan, atje ku u krijuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Babë Myslymit në Peqin iu bë pritë nga forcat xhandaro-milice dhe ai u plagos. Por ai u mjekua dhe më 10 korrik 19943 mori pjesë në Konferencën e Labinotit. Më 18 korrik 1943 u krijua grupi partizan i Pezës me komandant Myslym Pezën e komisar Kristo Themelkon. Myslym Peza udhëhoqi formacionin partizan të Pezës mbi 5 vjet me zgjuarsi e guxim duke kryer luftime të suksesshme në një sipërfaqe 1200 km2, në zemër të Shqipërisë dhe të rrethuar nga të gjitha anët me rrugë automobilistike. Historiografia ushtarake ka material të bollshëm për të realizuar një studim shkencor mbi veprimtarinë luftarake të formacioneve të Pezës. Madje ka informacione të bollshme dhe për kontributin e Myslym Pezës si komandant legjendar. Në një rast, gjatë rrugës duke shkuar për në Kongresin e Përmetit, Myslym Peza e shoqëruesit e tij u ndodhën në një situate të vështirë orientimi në mesin e pyllit të madh të Odriçanit. Një nga shokët e grupit, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Gjermani, u shpreh se “s’kemi nevojë për korrier, pasi kemi hartën”. Myslymi e pyet se kur ishte prodhuar harta dhe nga kush. E ai u përgjigj se është prodhuar nga italianët më 1938. Myslymi u përgjigj se nga viti 1938 e deri në 1944, që bëjnë gjashtë vjet, nuk paska rënë fare tërmet, zjarr, shi, borë etj. Akademisti mbeti i befasuar dhe po mos të kishte ardhur në kohë korrieri rrezikohej pjesëmarrja për në Konferencën e Përmetit. Ai thoshte shpesh se duhet bërë rikonicioni i terrenit, sepse harta të fut në pyll e të lë aty. Në Konferencën e Labinotit, më 10 korrik 1943, Babë Myslymi u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNCSH-së, kurse në Kongresin e Përmetit u zgjodh anëtar i KANC-it, organ me atributet e qeverisë. Në mbledhjen e dytë të KANC-it, në Berat, u zgjodh zv.kryetar i qeverisë demokratike provizore të Shqipërisë. Pas çlirimit të Shqipërisë, Myslym Peza, dha një kontribut të çmuar për rimëkëmbjen e ndërtimin e vendit dhe po ashtu edhe në forcimin e modernizimin e Ushtrisë Popullore. Atij iu dhe grada e Gjeneralit. Ka qenë deputet i Kuvendit në të gjitha legjislaturat e tij, madje dhe zv/president i Kuvendit Popullor. Gjatë gjithë dekadave pas çlirimit, Babë Myslymi mbeti njeri i thjeshtë, masovik, human e demokrat dhe i vërtetë e i lidhur ngushtë me hallet e njerëzve. Dyert e shtëpisë së tij ishin gjithmonë të hapura për njerëzit e thjeshtë të popullit të ardhur nga Durrësi, Kavaja, Rrogozhina, Shijaku, Peqini, Lushnja, Elbasani etj. Shpesh atë e shikoje të shkonte tek shokët e bashkëluftëtarët e hershëm të tij si Haxhi Lleshi, Spiro Moisiu, Nuz e Kasem Hakrama, Shaban Rexha, Dyl e Xheladin Xhelmeta, Muharrem Çelmeta, Qazim Bardhi etj Madje dhe deri tek më të rinjtë. Nuk pati rreth të Shqipërisë ku nuk shkoi Myslym Peza. Jo më kot njerëzit thonin: “Baba nuk plaket kurrë, ai qëndron si lis, na begenis dhe e begenisim”. Ai punoi me përkushtim për mbrojtjen e idealeve të LANÇ-it e një demokracie të vërtetë deri sa i ndali zemra më 7 shkurt 1984. Interesant është fakti se Myslymi, së bashku me Haxhi Lleshin, më 27 shtator 1945 nga Tetova në Maqedoni dhe u takua thuajse me të gjithë kuadrot e Brigadës 22-të Pezës. Ai u çmall me to, pasi kishte 1 vit pa i parë, takim ky që la mbresa të jashtëzakonshme. Figura, emri dhe vepra e Myslym Pezës nuk ka për t’u harruar kurrë. Nëse deri më tani është popullarizuar figura e Babë Myslymit, tashmë kërkohet që të propagandohet edhe më shumë duke vënë në dukje anët cilësore të personalitetit të tij. Po kështu janë disa objekte që mbajnë emrin e Myslym Pezës. Është koha që udhëheqësi popullor të mund të përjetësohet nëpër lapidare, pllaka përkujtimore, muzetë etj. Shoqata jonë dhe degët e saj në rrethe në bashkëpunim me organizatën e veteranëve të LANC-it në rrethe, organizatën kombëtare të familjeve të dëshmorëve të atdheut dhe shoqatën e invalidëve të LANC-it, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor, të ngulin këmbë më shumë se deri tani për më shume simbole, riparimin e atyre ekzistuese, si dhe veprimtari propaganduese me qëllim që të përjetësohet LANC-i, të ngrihen lart trimat e lavdishëm që ranë dhe që ai i udhëhoqi. Kjo do të bëjë që brezat e rinj të njihen e edukohen me këtë frymë atdhetare e patriotike.
* Ish efektiv i grupit partizan të Pezës
**Kryetar i Shoqatës P-K Myslym Peza