Lavdi 75-vjetorit të Kongresit historik të Përmetit

550

Analizë nga Ylli Meçe: 200 delegatët e Kongresit nënshkruan, në 24 Maj 1944, vendimet e para historike të pushtetit popullor të dalë nga LANÇ. Ballisto-zogistët, ‘pseudokongresmenët’ e sotëm dhe urimi i Komitetit të Veteranëve të LANÇ

 

200 delegatët e Kongresit konfirmuan se për herë të parë në historinë e këtij vendi pushteti i dalë nga LANÇ-i do të ishte një pushtet thellësish demokratik dhe në shërbim të popullit

Kongresi i Përmetit dhe pseudokongresmenët e sotëm!

Ylli Meçe

Treçerek shekulli më parë, kur nazistët gjermanë përpara se të fillonin operacionin e dytë luftarak për asgjësimin e forcave partizane, i cili në histori njihet si “Operacioni i qershorit”, një javë para tij, do të zhvilloheshin punimet Kongresi i Parë Antifashist, i cili njihet në histori dhe si “Kongresi i Përmetit” që u mbajt prej 24 Majit 1944 deri më 28 të po atij muaji.
Kongresi i Përmetit i zhvilloi punimet, në një atmosferë politike të brendshme të tillë që formacionet dhe njësitë partizane, jo vetëm që ishin rritur dhe kishin bërë përparime të mëdha veçanërisht në fitoret kundër armikut, por në të njëjtën kohë edhe forcat e reaksionit, sidomos, ato të “Ballit Kombëtar” dhe të “Legalitetit” duke parashikuar humbjen politike të tyre, ishin hedhur plotësisht në bashkëpunim të hapur dhe në krah të forcave pushtuese gjermane, duke shënuar dhe firmosur me dorën e tyre vetëvrasjen politike. Gjithashtu, situata ndërkombëtare përkonte me ofensivën e Ushtrisë së kuqe të Stalinit dhe të ushtrive aleate, të cilat përgatiteshin për zbarkim. Në këto kushte, ushtria naziste në të gjithë Evropën, po pësonte humbje të mëdha dhe kish filluar tërheqjen, ndërkohë që trupat sovjetike avanconin me synim për t’i çuar deri në Berlin hordhitë hitleriane. Klima e mbajtjes së këtij Kongresi historik ish e tillë, që partizanët tanë dhe i gjithë populli shqiptar po e kuptonte fare qartë se era e lirisë dhe e çlirimit ishte e afërt.

Po përse Kongresi i Parë Antifashist apo më saktë Kongresi i Përmetit mori rëndësi historike?

Ai konsiderohet i tillë, jo nga vendi ku u mbajt dhe as nga data se kur, por nga vendimet e tij, të cilat ishin të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse përcaktuan saktë, drejt dhe prerë, qëndrimin e gjithë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare për kushtet aktuale, por dhe për të ardhmen e vendit. U zgjodh qyteti i Përmetit, jo vetëm se ishte i çliruar, por sepse kishte dhe një pozicion të tillë gjeografik që favorizonte shumë mbarëvajtjen e punimeve, sikurse me këtë rast harmonizohej dhe ideali i patriotëve të mëdhenj të “Frashërllinjve” me ato aspirata të gjithë lëvizjes Nac-Çl dhe popullit shqiptar, sikurse nga ana tjetër ishte dhe një goditje politike e psikologjike, kundër kreut të “Ballit Kombëtar”Mit-hatit – tradhtar të popullit, por dhe të vet “derës” së frashërllinjve. Ky Kongres, nëpërmjet 200 delegatëve pjesëmarrës në të, konfirmoi edhe një herë qëndrimin e pa lëkundur me një rëndësi të jashtëzakonshme, por dhe për herë të parë në historinë e këtij vendi, se pushteti i dalë nga LANÇ-i, do të ishte një pushtet thellësisht demokratik dhe në shërbim të popullit, përkrah aleatëve të mëdhenj si URSS, Anglisë, Amerikës dhe gjithë forcave të tjera të koalicionit rreth këtyre aleatëve dhe luftën deri në fund kundër armikut.

Ja se ç’thuhet në vendimin historik:
1- “Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore, sipas vullnetit të popullit, që sot ajo e shpreh solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist NAÇL.”
Sot disa pseudo-historianë, të cilët janë bërë si krykamarierë në shërbim të reaksionit më të egër e më të zi, duke falsifikuar historinë kërkojnë të ulin vlerat e tij, duke thënë se ky u mbajt për nder të ditëlindjes së Titos. Mjeranët doktorë e profesorë me “tituj” të blerë! Mirë historinë e popullit tonë që nuk e njohin dhe e lexojnë me kokë poshtë, por a nuk kanë mundësinë të futen dot në botën informative e të zhbirojnë se Titoja ka lindur më 7 maj dhe jo më 24?
Pseudo-historianë të tillë, kurrë as që mund të kuptojnë se mbajtja e këtij Kongresi ishte një domosdoshmëri historike e paevitueshme, sepse vendi po i drejtohej çlirimit me hapa të sigurt, sikurse dhe reaksioni i brendshëm po grumbullonte forcat, duke iu kundërvënë Lëvizjes Çlirimtare. Disa vendime të tjera të këtij Kongresi ishin të një rëndësie historike të veçantë edhe për faktin se ai që parapërgatiti okupimin duke i hapur dyert e Shqipërisë për pushtim, pra A. Zogut, iu ndalua një herë e përgjithmonë hyrja në Shqipëri, duke u cilësuar si një tradhtar dhe me këtë rast u shfuqizuan të gjitha marrëveshjet skllavëruese, të cilat, përbënin precedent të rrezikshëm për një skllavërim tjetër ekonomik e ushtarak.

Po pse ky vendim nuk u mor dhe më parë?

Është e kuptueshme, sepse fillimisht si “Balli” por dhe “Legaliteti” (ky i fundit përfaqësonte zogistët), morën angazhime, se do ta luftonin armikun, gjë që ata nuk e bënë, përkundrazi, gradualisht u vu re se të dyja këto organizata kishin vetë fjalë dhe me kapitullimin e Italisë dhe futjen e trupave naziste, ata ranë plotësisht në pozitat e tradhtisë së hapur. Disa misionarë anglezë të atashuar pranë Bazit të Canes (Abaz Kupit), së bashku me Bazin, bënin çmos për të sjellë përsëri Zogun në fron, sidomos mbas çlirimit, bile për këtë edhe qarqe të caktuara të Londrës (edhe pse i kishim aleatë) përpiqeshin për të “pajtuar” çlirimtarët partizanë me bashibozukët zogistë, të cilët hiqeshin sikur luftonin armikun, por në fakt ,ishin kundër lëvizjes Na-Çl. Nëse do të ndodhte që PKSH-ja do të binte në grackën e “pajtimit”, atëherë edhe ne do të kishim fenomenin grek i “Varkizës”më 1945-n, ku forcat e EAM (Nac-Çl) u pajtuan me reaksionin dhe pasojat e këtij pajtimi dihen, sikurse dihet dhe katastrofa që pësoi ushtria çlirimtare greke. Në fillim të qershorit 1944, një javë mbas këtij Kongresi majori Palmer do të dërgonte këtë telegram Londrës: … “Lëvizja Nac-Çl nga fundi i majit, mbajti në Përmet një Kongres, duke zgjedhur një Qeveri të përkohshme… Mbretit Zog i është ndaluar kthimi në Shqipëri deri sa të organizohet një votim i madh popullor. Administrata e re e sapo zgjedhur, kërkon njohjen ushtarake nga aleatët dhe shkëmbimin e përfaqësuesve ushtarakë. Ajo këmbëngul që të gjitha misionet ushtarake të aleatëve që janë deri tani pranë organizatave tradhtare, të tërhiqen prej tyre menjëherë. Pra sikurse vërehet Shtabi i Përgjithshëm dhe Komandanti i saj Enver Hoxha, i cili u zgjodh nga ai Kongres e kishin fare të qartë, se misionet aleate pranë këtyre organizatave tradhtare ulnin dhe vetë vlerat e Aleatëve të mëdhenj.

Një tjetër diplomat misionar i aleatëve anglezë, Weeler, do të shprehej:
Qëllimi kryesor i LANÇ është të çlirojë vendin nga gjermanët. Mendohet ( nga ne anglezët) se kjo mund të jetë një dredhi nga ana e saj, me qëllim që të marrë ndihma të tjera nga aleatët. Por një Komb që ecën zbathur në dëborë, që i djegin e plaçkitin shtëpitë, që luftojnë apo vdesin dhe urie ndër male edhe sikur të dredhojë, ai e meriton të fitojë”. Sot, në këtë 75-vjetor, kur ne ndihemi krenarë për këto vepra madhështore, të mundit, gjakut dhe sakrificave të baballarëve apo gjyshërve tanë, të Komandantit të lavdishëm Enver Hoxha, ashtu si kërpudhat mbas shiut, kanë mbirë elementët e helmimit të ndërgjegjes kombëtare, tradhtarët e rinj të kohëve moderne, të cilët na e sollën pinjollin Zogollian, të parakalonte ushtarak e me bomba në brez në mes të Tiranës, disa të tjerë, teksa shisnin naftën me peshore në dorë, shisnin gjakun e Nënës Shqipëri duke mohuar të rënët. Të marrët që na erdhën në pushtet, nën maskën e demokracisë  marrosën dhe vetë kohët ku po jetonin. U ngritën lapidarë ballisto-zogistësh dhe diversantësh, përballë heronjve dhe dëshmorëve. Një veteran sot, ndërsa çon lule te shoku i tij i rënë dëshmor, has në ngërdheshjen e Mithat Frashërit, i rehabilituar nga Rama. Përballë tradhtisë që mori arratinë mbas makinave të gjermanit një ashtuquajtur “institut” në qendër të studimeve, kërkon të shpallë kriminelë, ata që udhëhoqën Luftën dhe që i dhanë fitoren këtij populli. Në fakt nuk është sulm ndaj atyre personave, por për gjithë Epopenë e lavdishme të Luftës Nacional Çlirimtar të popullit shqiptar. Kongresmenët tradhtarë të majtë e të djathtë, bëjnë pazare me naftë, me drogë, pastaj kthehen për të shitur gjakun e popullit, nderin dhe dinjitetin e tij, shesin hapësirat tokësore, detare dhe ajrore. Ti populli im, kurrë mos u beso atyre qe rehabilitojnë tradhtarët dhe pastaj shkojnë e vendosin lule te dëshmorët. Është më i sinqertë një armik trim e ballë për ballë, se sa një hipokrit e frikacak

Lavdi 75-vjetorit të Kongresi të Përmetit!  Lavdi heronjve dhe dëshmorëve tanë! Lavdi komandantëve, komisarëve dhe partizanëve tanë legjendarë! Kujtesë për “ballisto zogistët” klasikë të luftës, për këta të pas luftës. por dhe për ata të “institutit”: Mos e harroni kurrë se djemtë e partizanëve, nipër e mbesa të gjithë jemi këtu dhe ende të gjallë.