LANÇ, kurorë lavdie në historinë e Shqipërisë

1670
Sigal

Kufirin kohor e përcaktojnë ardhja 7 Prilli i vitit 1939 dhe largimi i pushtuesve më 29 nëntor 1944

Lufta Nacionalçlirimtare, kurorë lavdie në historinë e Shqipërisë

Gjatë Luftës me një popullsi 800 mijë banorë, ne renditemi ndër vendet më antifashistë të Evropës

Nga Kujtim Mateli

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, është një ngjarje e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Jemi ndër popujt që mbajti peshën e pushtimit më të gjatë në Evropë. Vite sakrifikimi dhe flijimi. Shqiptarët deri më sot e kanë njohur atë si një luftë Çlirimtare, duke e renditur Shqipërinë si pjesë e koalicionit të madh antifashist. Po ndër historianët shqiptarë dhe atyre që merren me historinë apo që u intereson kjo pjesë e historisë, këto vitet e fundit, përveç tiparit të saj çlirimtar, kërkojnë të nënvizojnë se ajo kishte dhe tiparet e një lufte që u bë për pushtet, duke e zbehur kështu tiparin e saj kryesor çlirimtar e liridashës. Në mbështetje të tezës së tyre sjellin shembuj se si Ushtria Nacionalçlirimtare nuk bashkëpunoi me Ballin Kombëtar e Legalitetin apo egërsinë e atyre që erdhën në pushtet dhe i luftuan po aq egërsisht përfaqësuesit e këtyre dy grupimeve. Për të dhënë një ide të qartë se cili duhet të jetë qëndrimi ndaj kësaj Lufte, duhet të bazohemi mbi realitetin shqiptar në atë periudhë.

 Së pari duhet të përcaktohen kufijtë kohorë të kësaj Lufte. Kufirin kohor e përcaktojnë ardhja dhe largimi i pushtuesve që është 7 prilli i vitit 1939 dhe ikja e tyre më 29 nëntor 1944. Brenda këtij kufiri kohor duhet të shihet dhe të analizohet kjo Luftë.

Së dyti duhet të shikojmë palët që morën pjesë në këtë luftë. Palën kundërshtare e kemi të përcaktuar. Janë dy pushtuesit fashistë e nazistë, ardhja dhe largimi i të cilëve përcaktuan dhe kufijtë kohorë të kësaj Lufte. Nga pala shqiptare kemi Ushtrinë Nacionaçlirimtare nga njëra anë dhe Ballin Kombëtar dhe Legalitetin me çetat e tyre nga ana tjetër. Përderisa Balli Kombëtar dhe Legaliteti, nuk u përballën në beteja me pushtuesin, nuk mund t`i quajmë si pjesë e kësaj Lufte. Kush i pengoi këto formacione luftarake të bënin disa beteja me pushtuesit, qoftë dhe të përbashkëta? Gjithë pesha e kësaj Lufte ra mbi Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Pala shqiptare u rreshtua përballë kësaj lufte me rreth 70 mijë luftëtarë. Të gjithë dolën në mal me vullnet të lirë, sepse organizimi i tyre nuk u bë nga institucionet shtetërore. Tipari i kësaj lufte u përcaktua nga pjesëmarrësit e saj. Me vullnet të lirë, për një Shqipëri të lirë. Veçori e kësaj Lufte është pjesëmarrja masive e shqiptarëve. Për një Shqipëri që në fund të Luftës numëronte 800 mijë banorë, ne renditemi ndër vendet më antifashistë të Evropës. Po ajo që ne na i shton më tepër lavdinë dhe krenarinë është se ne i dhamë kësaj lufte 28 mijë dëshmorë. Edhe nga numri i flijimeve, në raport me popullsinë, ne renditemi ndër ato vende që janë krenaria e Luftës Antifashiste.

Shpirti liridashës i shqiptarit u manifestua edhe tek pjesëmarrja e gruas. Raste të veçuara të pjesëmarrjes së gruas në Luftë kemi pasur edhe më parë, por Lufta Nacionalçlirimtare rreshtoi 6 mijë gra dhe vajza që treguan po aq heroizëm sa dhe burrat. Për nga rëndësia e madhështia që ajo pati, është pika më e shndritshme në historinë e Shqipërisë. Çdo përpjekje për të zgjeruar kufijtë kohorë të kësaj Lufte apo për të shtuar si pjesë të saj grupime njerëzish që nuk u përfshinë në të, pra që nuk u përballën në beteja me pushtuesit, është e dështuar. Kjo Luftë ka vendin e saj në histori, një histori betejash dhe sakrificash që shkuan deri në vetëflijime. Ajo është një luftë që u bë për lirinë e Shqipërisë dhe shërben si simbol për të gjithë shqiptarët.

2
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është një ngjarje historike, e përfunduar në të gjithë dimensionin e saj. Shkruarja e kësaj epoke historike është një proces që ka filluar menjëherë pas përfundimit të saj dhe vazhdon akoma të shkruhet. Kjo ndodh, sepse jehona e saj e kapërcen shekullin kur ndodhi, është gjithëkohore, sepse është luftë për lirinë e vendit. Ajo gjithashtu e kapërcen hapësirën e trojeve shqiptare dhe është pjesë e historisë së përbashkët të vendeve evropiane e botërore që luftuan kundër fashizmit dhe nazizmit. Në këtë kuptim, kjo luftë është shkruar dhe do të vazhdojë të shkruhet, gjersa liria e popujve kërcënohet dhe do të vazhdojë të kërcënohet nga çmenduria e armatimit që kërcënon lirinë dhe pavarësinë e popujve dhe vendeve në botë. Tashmë që kanë kaluar 75 vite nga Çlirimi i vendit, kuota nga e cila shikohet kjo ngjarje është e larguar nga emocionet e forta që ajo shkaktoi në kohën e vet. Këqyrja e saj të jep mundësinë ta shikosh realisht tablonë që ajo krijoi në mozaikun e përpjekjeve të të gjithë popujve të botës për lirinë e tyre. Në këtë kuptim, kjo Luftë nuk duhet të shihet vetëm në kuadër të trojeve shqiptare, sepse ky këndvështrim e ngushton dimensionin e saj dhe të çon në përfundime jo të sakta. Historianët që kanë shkruar për të dhe ata që do të shkruajnë në të ardhmen, do të kenë përpara një detyrë të vështirë, sepse të dalësh në përfundime të sakta, duhet ta studiosh në të gjithë dimensionin e saj kohor dhe gjeografik , duhet të studiosh të gjitha dokumentet që e kanë pasqyruar atë Luftë, ta shohësh atë jashtë qëndrimit individual që mund t`u jetë krijuar nga pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e familjes së tyre. Historiani apo studiuesi i nxjerr përfundimet duke vështruar me kujdes dhe vëmendje të tërën, jashtë çdo emocioni dhe qëndrimi të njëanshëm.

3

Në ditët e sotme, disa historianë, Luftën Nacionalçlirimtare e identifikojnë me Enver Hoxhën dhe nga qëndrimi që mbajnë ndaj figurës së tij, vlerësojnë edhe Luftën. Po si mund të vlerësohet kjo Luftë nga qëndrimi i një njeriu. Nëse Enver Hoxha do të ishte vrarë në Luftë, ajo do të vlerësohej me peshën reale që pati në koalicionin antifashist botëror dhe në çlirimin e vendit. Meqë Enver Hoxha mbeti gjallë, Lufta vlerësohet me figurën e tij të pas Luftës. Ky nuk është gjykim i një mendjeje të kthjellët. As gjykim i një mendjeje shkencore që ka marrë përsipër të trajtojë një ngjarje historike. Një njeri i vetëm, qoftë ky dhe komandanti i saj, as i shton peshë kësaj Lufte, as e zvogëlon përmasën e saj, sepse motivi i kësaj lufte ishte Çlirimi i Atdheut. Ky motiv e ngriti popullin në luftë. Ta barazosh Luftën me një njeri dhe nga ky pozicion tinëzar të rrëzosh Luftën Nacionalçlirimtare, është më tepër se hipokrizi, cinizëm e urrejtje ndaj popullit tënd. Në këtë pozicion janë dhe ata që u rreshtuan përkrah Ballit Kombëtar. Ata morën armët për të luftuar. Shumë prej tyre, kur panë se drejtuesit e Ballit Kombëtar nuk i kishin thirrur për luftë kundër pushtuesve, e braktisën këtë organizatë dhe iu bashkuan Luftës Nacionalçlirimtare, ku një pjesë prej tyre ranë dhe dëshmorë. Të tjerë shkuan në shtëpitë e tyre dhe puna që ata bënin, ishte në të njëjtën kohë dhe kontribut për Luftën, sepse sigurimi me ushqim dhe veshmbathje i partizanëve sigurohej nga puna e atyre njerëzve që një pjesë të produktit të tyre ua jepnin formacioneve luftarake. Mund të themi se të gjithë shqiptarët ishin pjesëmarrës të asaj lufte: dikush në formacionet ushtarake me armë në dorë kundër pushtuesve dhe dikush si pjesë e asaj lufte duke u siguruar atyre ushqim dhe veshmbathje. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është produkt i atyre dhjetëra mijëra luftëtarëve që luftuan me armë në dorë, i atyre dhjetëra mijëra familjeve shqiptare që, në kushtet e varfërisë së tejskajshme, hoqën bukën nga goja e fëmijëve të tyre për atë Luftë. Edhe ky veprim është sakrificë, edhe ky veprim është heroizëm. Në kushtet kur vendi ynë kishte rreshtuar rreth 70 mijë luftëtarë, mbajtja e Ushtrisë Nacionalçlirimtare me ushqim e veshmbathje është kontribut i të gjithë atyre shqiptarëve që nuk e shkëputën kazmën apo kërrabën nga dora. Ky është këndi i vështrimit nga ku duhet të shohim sot. Prindërit apo gjyshërit tanë kanë shkruar një faqe të lavdishme historie nga pozicioni ku ata ndodheshin.

4

Lufta Nacionalçlirimtare është një segment i rëndësishëm i historisë së popullit tonë, që janë vitet 1939-1944 dhe që Shqipëria ka shënuar një nga pikat kulmore të saj duke e lidhur fatin e popullit të vet me fatin e popujve të botës që luftonin për liri. Ajo lindi dhe u zhvillua brenda dimensionit të lirisë. Brenda këtij dimensioni njerëzit që marrin pjesë në të janë të shenjtëruar, sepse lufta lidhet me ekzistencën e jetës së njeriut. Për aq kohë sa ndodhesh brenda saj, individi nuk e ka më në dorë jetën e tij. Momente të tilla janë heroizëm, por kur kujton se kjo luftë zgjati disa vite dhe ata çdo ditë shkonin me vetëdije drejt vetëflijimit, atëherë e kupton madhështinë dhe përmasën e saj që do të shtrihet edhe në të ardhmen. Lufta Nacionalçlirimtare ka në altarin e saj 28.000 dëshmorë. Askush nuk u tërhoq nga lufta, edhe pse një e nga një binin çdo ditë në betejat e Luftës. Përkundrazi formacionet luftarake shtoheshin përditë me djem e vajza nga të gjitha krahinat shqiptare Ajo është produkt kombëtar, sepse njerëzit që u bashkuan rreth saj kishin një qëllim të lartë që qëndronte jashtë çdo lëvizjeje politike. Lufta i bashkoi njerëzit rreth një ideje të përbashkët: të çlironin Atdheun.

5
Kur koha largohet nga një ngjarje historike, edhe leximi që i bëhet asaj ngjarjeje është më i qartë. Serioziteti i një njeriu, që kërkon t`u afrohet segmenteve historikë që mbartin vlerën e Kombit, ka të bëjë me mënyrën se si historiani u afrohet këtyre ngjarjeve. Në ditët e sotme kemi dy grupime historianësh.

Grupin e parë e përbëjnë ata historianë që kërkojnë ta vlerësojnë historinë në përmasat e saj reale. Këta historianë kanë dhënë kontribute të çmuara për historinë e Shqipërisë dhe këta përbëjnë dhe vlerën reale që ka sot historiografia jonë.

Grupin e dytë e përbëjnë ata historianë që kërkojnë ta zvogëlojnë përmasën reale që ka pasur historia jonë, sidomos në dy pikat e saj kulmore siç është epoka e Skënderbeut dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në këtë grup dallohen dy lloje historianësh. Njëri lloj kërkon që në emër të çmitizimit ta zvogëlojë përmasën reale të ngjarjes historike. Në llojin e dytë kemi ata të ashtuquajtur historianë që janë drejtues, anëtarë apo simpatizantë të partive politike dhe që Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare e kanë zhvendosur nga realiteti historik në atë politik duke kërkuar që nëpërmjet zvogëlimit të përmasës historike të përfitojnë sa më shumë politikisht. Ky grup historianësh është i destinuar të dështojë, sepse nuk mund të ndryshohet historia sipas dëshirës, Ajo është një realitet që tashmë ka ndodhur dhe vetëm analiza me paanshmëri dhe seriozitet mund t`u qëndrojë rrjedhave të kohës.

Për ironi të tyre, disa nga këta pseudo-historianë, e kanë lëvizur qëndrimin e tyre sapo forca e tyre politike ka lëvizur nga njëri krah i politikës në tjetrin duke i zvarritur këta lloj historianësh që të mbajnë dy qëndrime të ndryshme, brenda një periudhe të shkurtër kohore për Luftën Nacionalçlirimtare. Ndaj mund të themi se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, për sa kohë do të jetë pjesë e interesit të politikës, do të kemi qëndrime të njëanshme dhe aspak serioze ndaj kësaj ngjarjeje madhore. Të gjithë ata individë, shoqata apo parti politike, që kërkojnë të gjejnë tek Lufta tipare jo liridashëse, përcjellin tek brezi i sotëm dhe brezat që vijnë mesazhin e gabuar: mos u sakrifikoni dhe mos luftoni, se gjaku që ju do të derdhni, një ditë do të shkojë kot. Lufta Nacionalçlirimtare tregoi se shqiptarët iu bashkuan asaj Lufte, pavarësisht bindjeve të tyre politike që kishin trashëguar. Aty ishin të gjitha shtresat e shoqërisë: nga më i varfëri e deri tek ata pronarë tokash apo tregtarë që zotëronin të ardhura mbi mesataren e shoqërisë shqiptare. Duhet ta ndajmë qartë Luftën me periudhat e tjera kohore siç është Paslufta. Në Pasluftë apo në paqe, edhe luftëtari kthehet në njeri të zakonshëm. Ai nuk është më ai Luftëtari që përfaqësonte në mënyrën më të kthjellët Atdheun, që e mbronte atë me jetën e tij. Koha e zhvesh nga shenjtëria, sepse edhe ai ka interesat e tij individuale në marrëdhënie me shoqërinë. Këtu ai mund të gaboj, siç edhe gabuan shumë prej atyre që ishin pjesë e Luftës Nacionalçlirimtare. Por ky gabim i individit në periudhën e Pasluftës, nuk mund të njollosë as Luftën, por as kontributin e tij në atë Luftë. Njeriu vështrohet në të gjithë gjatësinë e jetës së tij aktive. Secili segment ka vlerësimin e vet. Nuk mund të quhet njeriu i keq se ka gabuar një herë në jetë, por nga raportet që ai ka formuar midis mirësisë dhe së keqes.

Po a kanë të drejtë ata shqiptarë që identifikohen sot me Ballin Kombëtar dhe Legalitetin ta shkruajnë historinë e forcës së tyre politike dhe kontributin e tyre në Luftën e Dytë Botërore? Sigurisht që kanë. Sikur dhe një njeri i vetëm të jetë, edhe ai ka të drejtën e tij para shoqërisë që ta paraqesë realitetin që i përket atij dhe familjes së tij, ashtu siç ka dhe detyrimin të respektojë të tjerët. Aq më tepër që sot kemi grupe njerëzish të organizuar në këto forca politike. Historianët që kërkojnë t`i shtojnë vlera Luftës Antifashiste të Shqiptarëve, edhe me kontributin e Ballit Kombëtar, janë të mirëpritur. Nuk janë të mirëpritur ata që kërkojnë të zvogëlojnë përmasat e Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare

Çështja shtrohet. A kanë dëshmi këto grupime që me çetat e tyre balliste apo legaliste kanë kryer luftime kundër pushtuesve të vendit tonë? Dëshmija është e lidhur me dëshmorët. Sa dëshmorë kanë këto grupime në Luftën me pushtuesit nazi-fashistë? Sikur dhe një dëshmor i vetëm të jetë, ai duhet të regjistrohet si dëshmor i Luftës Antifashiste. Në këtë rast ne shtojmë vlera. Duhet të mësohemi se vlerat e Atdheut gjenden tek të gjithë shqiptarët dhe krahët e politikës janë aq të domosdoshëm për shoqërinë siç janë të dy krahët në një jetë njerëzore. Po fatkeqësisht deri më sot këta dëshmorë nuk po evidentohen. Ka apo nuk ka? Nëse nuk ka, kjo do të thotë se këto forca politike, pra Balli Kombëtar dhe Legaliteti, nuk kanë bërë ndonjë betejë me pushtuesit, rrjedhimisht nuk janë as pjesë e Luftës Antifashiste.

Çështja tjetër që shtrohet është se a duhet të ketë debat për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare? Sigurisht që duhet të ketë. Po debat se si t`i lartësojmë këto vlera, sepse e tillë ishte ajo Luftë. Ata që kërkojnë zvogëlimin e këtyre vlerave nuk janë vetëm antishqiptarë, por dhe antievropianë. Antifashizmi është vlerë evropiane e botërore. Mbi këtë vlerë janë ndërtuar demokracitë evropiane dhe vetë NATO, si formacioni luftarak në mbrojtje të këtyre vendeve. Fashizmi apo nazizmi kanë ende rrënjë në vendet pa demokraci. E tillë ishte Serbia në fund të shekullit që shkoi. Dhe Serbia mori një përgjigje evropiane duke ia shkëputur trojet kosovare, sepse shqiptarët e këtyre trojeve ishin populli i fundit në Evropë që nuk ishte çliruar nga neofashizmi serb.

6

Lufta e dytë Botërore në Shqipëri veçoi dy figura që ishin diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën. Njëri është Enver Hoxha si Komandant i Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe tjetri Mit`hat Frashëri si përfaqësues i Ballit Kombëtar. Zakonisht periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e përziejmë me periudhën e Pasluftës duke e identifikuar atë me figurën e Enver Hoxhës dhe pritshmëritë që do të kishim me figurën e Mit`hat Frashërit, nëse ky i fundit do të kishte qeverisur Shqipërinë në periudhën e pasluftës. Dihet që periudha e Pasluftës është një periudhë që fitimtarët e prishën dhe atë pak kulturë demokratike që ishte krijuar më parë, kundërshtarët politikë ose u pushkatuan pa faj, ose u burgosën, ose u internuan. Pjesën e mbetur që jetonte brenda shoqërisë dhe që nuk shihej si dashamirëse e regjimit ose e shpallën kulak, ose e luftonin në forma të ndryshme nuk mos pasur mundësinë të arsimohej në nivelin e lartë. Kjo pjesë e popullsisë sigurisht që do të kishte si idhull Mit`hat Frashërin që, nëse do të kishim pasur një Shqipëri demokratike, do ta kishte përfshirë vendin në rrjedhat demokratike evropiane dhe Shqipëria do të kishte qenë ndryshe nga çfarë është sot. Por ne nuk mund ta gjykojmë dot historinë nga pozicioni ku ndodhemi. Nëse do ta shohim realisht Luftën e Dytë Botërore, nëse nuk do të kishim qenë të armatosur dhe të organizuar në batalione, brigada e divizione që dolën nga kjo Luftë, nuk është pa gjë mendimi i shumë historianëve dhe studiuesve të kësaj periudhe që, ajo që mbeti pa u copëtuar nga trojet shqiptare nga Lufta e Parë Botërore, të realizohej në fund të kësaj Lufte dhe Shqipëria të ndahej midis Greqisë dhe Serbisë, sipas asaj vije që shënjohet me lumin Shkumbin dhe që të dyja këto vende grabitqare të trojeve shqiptare, do ta pranonin këtë ndarje në paqe me njëra-tjetrën. Kjo do të kishte qenë fatkeqësia më e madhe për Shqipërinë, shumë herë më e madhe se ajo çfarë na ndodhi në periudhën e Pasluftës dhe që do të kishte qenë zhdukja përfundimtare nga faqja e dheut e Kombit tonë. Edhe pse ne, si rezultat i kësaj force të armatosur mbrojtëm vendin dhe ringritëm shtetin, nuk ishin të pakta provokacionet e fqinjëve tanë për të realizuar ëndrrën e tyre të keqe që ishte copëtimi i trojeve tona.

Paslufta

Shumëkush do të kishte dashur që Paslufta të kishte në drejtimin e vendit Mit`hat Frashërin dhe forcat politike demokratike, por përsëri vihet në dyshim se a do të kishim pasur Shqipëri pa një luftë kundër pushtuesve dhe a do t`i kishim rezistuar fuqisë agresive të fqinjëve në mbarimit të Luftës, pa një armatë të organizuar siç ishte Ushtria Nacionalçlirimtare?! Kjo për arsyen se forcat e Ballit Kombëtar mbetën deri në fund të Luftës në nivel çetash, ashtu siç u krijuan dhe nuk ishin në gjendje të përballonin as një batalion armik dhe jo ushtri të organizuara siç ishin ato të fqinjëve. Edhe në Luftën e Parë Botërore ne mund t`i mbronim kufijtë tanë, por ishim të paarmatosur. Nëse do të kishim pasur një armatë si ajo e Luftës Nacionalçlirimtare, Shqipëria do të kishte qenë sot në kufijtë e saj natyralë. Nuk e patëm dhe vuajmë pasojat. Gjërat në këtë botë as kanë qenë dhe as do të jenë të thjeshta për popujt e vegjël që ndodhen gjeografikisht në kryqëzim të rrugëve të Botës. Rezultatet historike të një vendi janë produkt i shumë faktorëve, të brendshëm dhe të jashtëm. Ne nuk mund të gjykojmë të parët tanë për atë që ata nuk bënë. Ne duhet të vlerësojmë atë që ata bënë dhe, ajo çfarë ata bënë në Luftën e Dytë Botërore, është e nivelit ndërkombëtar, është kuota më e lartësuar e këtyre shekujve të fundit, është thirrje, është kushtrim se sa herë që na kërkon Atdheu duhet ta vëmë jetën tonë në dispozicion të tij.