LANÇ-i shkëlqen me tërë madhështinë e tij

867
Sigal

Rexhep G. Alimemaj

Gabim i qeverisë në rivarrosjen e Mid’hat Frashërit. Ai nuk duhej të varrosej në atë vend ku janë korifenjtë e mendimit dhe të Rilindjes. Vendvarrim i pamerituar për kryetarin e Ballit Kombëtar, me pretekstin si albanolog e njeri i kulturës, ndërkohë që pak veta e dinë se ku është vendvarrimi i Çabejt, Demirajt, Aleks Budës. Aleksandër Xhuvanit, Skënder Luarasit, Lazgush Pogradeci. Të jemi më të qartë. Mid’hat Frashëri e meriton të prehej në vendin e tij. Këtë të drejtë atij ia kishte bërë të mundur vetja e tij, ia kishte bërë të mundur pasioni për vendin e tij, qasjet që i kishte afruar, vendin që brezat ia kishin lënë, jo vetëm si bir i Abdyl Frashërit, por edhe si kryetar i Kongresit të Manastirit të gjuhës shqipe, por edhe si firmëtar i aktit të pavarësisë në vitin 1912. Lumo Skëndo e meritonte vendin e tij në tokën ku të parët e tij prehen dhe ku kishte edhe dëshirë të ndodhej përjetësisht. Realisht brezi i pasluftës ka njohur kryesisht vendimet e marra nga Partia Komuniste, nga konferencat e organizuara prej saj dhe strukturave të pushtetit në varësi të kësaj force politike. Data e formimit të PKSH u skalit në kujtesën e njerëzve për shkaqet që dihen, ndërsa në ditën e formimit të Ballit Kombëtar është luajtur mjaft. Ka shumë të dhëna që tregojnë se organizata e BK ka qenë krijuar herët. Në maj të vitit 1942, në shtëpinë ku rrinte Ali Këlcyra në Tiranë, u thirr një numër i madh patriotësh, midis të cilëve Mid’hat Frashëri, Kolë Tromara, Nuredin Vlora, Safet Butka, Museine Kokalari, Sulejman Riza, Ali Këlcyra etj. Qëllimi i takimit ishte pagëzimi i Frontit të Rezistencës me emrin “Balli Kombëtar”, kryetar i së cilës u zgjodh Mid’hat Frashëri.

Nacionalistët kishin bërë mbledhje pa e ditur ne. Po ashtu Enver Hoxha shkruan se pas Konferencës së Pezës ne nuk parashikuam krijimin e BK. Ajo doli si një gjë e papritur. Debatet për karakterin çlirimtar të Luftës Antifashiste në Shqipëri janë zhvilluar në mënyrë ciklike gjatë 30 vjetëve të fundit. Ka ende mercenarë të fjalës që kërkojnë të falsifikojnë historinë nëpër shkrime, libra, emisione televizive, për të justifikuar tradhtinë kombëtare të bashkëpunëtorëve të nazifashizmit. Periudha 7 prill 1939 – 9 maj 1945 është mbushur me akte të shumta heroizmi. Lufta jonë Antifashiste kishte nisur para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Heroi Mujo Ulqinaku me shokë i kishte pritur pushtuesit fashistë jo me lule, por me “lulet” e vezmeve që kishte në brez. Që nga çeta e Pezës e para në Evropë, e deri te njësitet guerile, që shtrinin përdhe spiunët e tradhtarët të shitur te fashizmi. Që nga Koçi Bako që ra si shqiponjë në demonstratën e Korçës e deri te Mine Peza që ra si shqiponjë në demonstratën e grave në Tiranë. Që nga heroizmi i heroit ‘Qemal Stafa që luftoi me patllake, sa i doli xhani’ e deri tek heroi Vojo Kushi, që u hodh me trimëri mbi tankun fashist. Që nga partizanët pionier e deri te heroizmi i Vasil Shantos e Kajo Karafilit që u përleshën me armiqtë e shumtë dhe bënë fli jetën e tyre. Dokumente për bashkëpunimin e ballisto-zogistëve me pushtuesit ndonëse në këto vite janë përdorur me shumicë dokumente të vetë aleatëve të koalicionit antifashistë, anglo-amerikanë që dëshmojnë qartësisht bashkëpunimin e tyre me pushtuesin, mercenarët i kanë anashkaluar ato, duke përdorur interpretime subjektive për të përligjur doemos “Luftë civile”, thua se kjo do t’u rriste vlerën historisë së Shqipërisë. Në arkivat e Londrës dhe SHBA ka dokumente të shumta për forcat mercenare.

Në muajin dhjetor 1943, shefi i misionit ushtarak anglez, gjenerali Deivis, vërtetonte plotësisht manovrën e nacionalisto-ballistëve se situate kohët e fundit bën të ngutshme demaskimin kolektivisht dhe me emta të Këshillit të Regjencës dhe të Ballit Kombëtar, të gjithë bashkëpunojnë me gjermanët. Në prill 1944, trupat e BK siç është bërë i njohur u bashkuan me gjermanët në luftë kundër partizanëve… BK pranoi se shtabi ushtarak i tij ka dënuar me vdekje dhe ka pushkatuar njerëzit e kapur, të cilët ndihmuan partizanët… po në prill 1944 informata të shërbimit të fshehtë britanik thekson se shumë nga udhëheqësit e BK u bashkuan me administratën e re kukull… BK është akuzuar për gjermanizëm dhe dëshmia për këtë akuzë e rëndon plotësisht. Në korrik 1944 formacionet shqiptare të organizuara dhe të pajisura nga BK me ndihmën e gjermanëve dhe bashkë me njësitë e ushtrisë gjermane kanë luftuar në përpjekje kundër Frontit Nacionalçlirimtar dhe partizanëve… kjo marrëveshje midis gjermanëve dhe ballistëve ka miratimin e qeverisë qendrore të Tiranës…dokumentet e zëna xhandarmërisë balliste e vërtetojnë plotësisht këtë marrëveshje. Në nëntor 1944 shërbimi sekret amerikan informonte se partia e BK bashkëpunoi me gjermanët në luftën kundër Frontit Nacionalçlirimtar. Ballistët si një grup bashkëpunëtorësh me ta, po ua mbathin këmbëve bashkë me gjermanët. Fan Noli në gazetën “Dielli”, në shkrimet e botuara theksonte se ballistët tanë ranë si shahitë e luftës fashiste dhe nuk kanë asnjë shpresë që të ngjallen si lugatë nga ndonjë luftë e afërme reaksionare, pra mos u varni torbën po u tregoni vendin dhe vendi i tyre është në varret e fashizmit. Fan Noli, albumin e tij me poezi, botim i vitit 1947, jua kushtoi kryetrimave partizanë, që siç shkruan ai në parathënien e librit, e shpëtuan Shqipërinë nga nazistët , fashistët dhe bejlerët. Takimi ndërmjet shefit të misionit anglez gjatë LANÇ-it në Shqipëri gjeneral brigade Deivis, në fshatin Shëngjergj të Tiranës me disa krerë të BK, Mid’hat Frashëri e Vasil Andoni dhe kreun e Legalitetit Abaz Kupi, për këtë takim, në librin e tij me kujtime, Aventurat italiane, botuar në Londër më 1952, f. 88 shkruan se askush s’mund ta binte në këtë takim Mid’hatin të pranonte bashkëpunimin me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Drejtuesit e BK kundërshtuan gjithashtu dhe propozimin tonë që të nënshkruanin me ne një dokument, ku të merrnin të paktën zotimin se do të luftonin kundër gjermanëve. Marrëveshja Dalmaco-Këlcyra e 15 marsit 1943 dhe pjesëmarrja e eksponentëve të BK në qeverinë pro pushtuesve gjerman e tradhton BK, sa s’ka ku të vejë më shumë. Me dijen e përkrahjen e pushtuesit ata krijuan organizatën e BK, si reaksion kundër Frontit dhe LANÇ-it. Fillimisht BK u ruajt që të mos dilte hapur si vegël në duart e pushtuesit. Këtë e vërtetoi më së miri protokolli i 15 marsit 1943, i firmosur prej dy anëtarëve të komitetit qendror të BK, Ali Këlcyra dhe Nuredin Vlora nga njëra anë dhe prej komandantit të Forcave të Armatosura italiane, gjenerali Dalmaco nga ana tjetër. Me atë protokoll BK zotohej të ndihmonte ushtrinë fashiste italiane në operacionin e saj në jug të Shqipërisë, gjë që u vërtetua në luftën e gjerë që zhvilloi BK, për të penguar dhe shkatërruar Këshillat Nacionalçlirimtare, me provokacionet e hapura dhe me pjesëmarrjen e tij në operacione së bashku me ushtrinë fashiste kundër forcave partizane në Pezë, Mallakastër, Tepelenë e gjetkë. Zotime të kësaj natyre dhe me frymën e protokollit Dalmaco-Këlcyra, mëshirohen edhe në marrëveshje të tjera të konkretizuara në atë kohë. Shqiptarët vërejnë se herë pas here ka rryma antikombëtare që shfaqen në horizontin politik sipas një strategjie të njohur, për të shkatërruar dhe mohuar çdo vlerë që është trashëguar nga e kaluara 50-vjeçare, të krijuar me mundin dhe kontributin intelektual dhe popullor. Akti më antishqiptar është mohimi i epopesë së lavdishme të popullit tonë, LANÇ-i, ku me një sjellje jo njerëzore u zhvarrosën heronjtë e Luftës, i kthyen varrezat e Dëshmorëve në një strehë për magazinimin e “heronjve të demokracisë”. Shkatërruan kujtesën historike, patriotike, duke prishur muzetë, lapidarët, memorialët, siç ishte rasti i Heronjve të Vigut. Në mënyrë më djallëzore rehabilituan tradhtarët dhe bashkëpunëtorët e fashizmit dhe ju ngritën atyre monumente, memorial e buste për meritat kriminale që kanë krye në popull, si markagjonët në Mirditë, matjanët në Lushnje, Halisë në Peshkopi etj. Pra u vendosën në një plan ballisto-zogistët me partizanët heroik që u lidhën me aleancën Anglo-Sovjeto-Amerikane dhe luftuan përkrah tyre kundër pushtuesit. Tradhtia është tradhti. Partizanët e kanë vendin e tyre në tribunën e nderit. Janë çlirimtar e fitimtar të vërtetë. Sado që të përpiqen, ballistët e sotëm. LANÇ-in s’ka forcë që ta mohojë, s’ka forcë që ta errësojë, s’ka tërmet që ta rrëzojë, s’ka vullkan që ta përmbysë, shkëlqen me tërë madhështinë e saj.