Labët ose lapët pellazgë

1409
Sigal

Edmond Nasi Konstantin Pinguli*

Lebërit mjaft historianë dhe shkrimtarë i lidhin me Lapët e lashtë, që ishin një fis Pellazg, të cilët banonin në Malin e Pindit deri në Thesali së bashku me Mollosët. Gjurmët e tyre gjenden edhe në Peloponez. Lapët përmenden nga mitologjia greke si një popull trim, luftarak dhe burrëror. Pjesa më e madhe e heronjve të Atikës janë Lapët, siç na e përshkruan M. Saqelariu, ndaj le t’i krahasojmë me “Lebërit shqiptarë”. Studiuesi M. Saqelariu na sqaron se :

“….Lapët fillimisht u vendosën në Thesalinë Perëndimore dhe në Pind, prej nga patën kontakte me Epirin. Kujtime të tilla u ruajtën në mite të mëpasme të këtij populli. Në origjinë të një peme gjenealogjike shumëdegëshe të heronjëve Lapë, që përmenden të veprojnë në “Thesalinë Lindore” dhe në territoret më jugore të Greqisë, vendoset “HIPSI”, që nga njëra anë haset në shpatet e Pindit rreth Pinios dhe nga ana tjetër shfaqet si babai i Themistës, që ka zënë vend në mitet e “Atamanëve”.

Njëri nga heronjtë Lapë, Polipiti, ka të njëjtin emër me djemtë e Odisesë dhe Kalkidës, e cila është Mbretëresha e Thesprotëve….Dy heronjtë Lapë, Periti babai i Polipitit dhe Tiseu kanë një peripeci në territorin, që është njohur si ai i Thesprotisë, së fundi, lidhja e Lapëve me Molosët në ngulmimin e tyre të Greqisë së Jugut, i jep përgjigje pyetjes, se mos ndofta ata u bashkuan në rrugë e sipër dhe shkuan për në Pind. Sipas dëshmisë homerike, Lapët zotëronin, pranë fundit të periudhës “Mikenase”, qytetet: Argise, Girtoni, Orti, Iloni e Olosoni, që ndodhen në Pellasgoti dhe Perebenë e Jugut. Gjithashtu ata zotëronin qytetet Larisa e Mopsi, si edhe malet Osa e Omol, që iu caktojnë shkrimtarët më të rinj….

Heronjtë përmenden nga burimet, se ishin të shumtë Lapë, nga secili fis tjetër. Nga këta, Ejeu dhe Tiseu kanë lidhje me Thesalinë dhe i dyti veçanërisht me Magnezinë dhe qytetin e Feronit. Gjithashtu në Thesali, por edhe në Ultësirën e Shpehrit vendoset Abiku, Polipiti, Falari…..Në Fokidë kemi qytetein Tisia dhe gjurmë të tjera të Lapëve. Biotia përmbledh Falarin, Koronin dhe heronj të tjerë Lapë. Por përmbledhia më e madhe e gojëdhanave dhe emrave Lapë vihet re në Atikë. Fisi i Peritëve pranë Maratonës besonte, se e kishte prejardhjen nga Lapi Perit. Por megjithatë edhe sikur të mos besonin, flet vetë emri i fisit (fares do të thotë unë ).

Buti, pasardhës i një fisi tjetër Atikas, të Butëve, është i një emri me babanë e Ipodames, gruas së Peritit dhe nënës së Polipitit. Fisi i tretë Atikas, Koronët dhe lokaliteti i Koronias ka si emërdhënës heroin Lap, Koronin. Koronia gjendet pranë Vrauronës dhe Bashkisë së Filaidës, ku ishin të vendosur Filaidët, fis i origjinës Molose…. Një element tjetër i origjinës për lidhjet me Molosët dhe madje me Filaidët, është fakti që emri i rrallë “Qipsel”, ka të bëjë me Filaidët e Atikës dhe me një fis Lapësh të vendosur në Peloponezin Verilindor…. Bëhet fjalë për fisin e Qipselëve të Korintit, prej nga vinte dhe tirani i urtë, Periandri.

Profesor Saqelariu, vërteton, se mitet e Tiseut dhe të Peritit në Molosi dhe Thesproti janë më të lashtë nga mitet, që ne njohim për Tiseun dhe se ato janë transportuar në Atikë nga Lapët, Thesprotët dhe Molosët. Të njëjtat gojëdhana gjen edhe për Qipselët e Korintit. Në vazhdim gjejmë faktin e përmendjes, së pranisë së Lapëve në Sikjona, Junusha dhe në Lakoni, ku ekzistonte një kodër në Tajetuse me emërtimin Lapithao etj. Por, njëkohësisht edhe në Qipro ekzistonte një qytet Lapithos.

Çfarë u bënë ata, që i dhanë heronjtë më të shumtë “Panteonit helen” të heronjve ? Por ndodhi e njëjta gjë si me Pellasgët, Akejtë etj., që iu ndërrua emërtimi.

Një Lap u bë i famshëm për urtësinë e tij, por edhe për ashpërsinë e tij. Ai ishte, Periandri, që midis të tjerash mbyti diku në “Gjirin e Korintit”, kodoshët që zakonisht nxirrnin prostitutat në treg. Ai tre a katër prostitutat më të njohura, pasi i vuri në thasë e i lidhi, urdhëroi t’i hedhin në det. Po kështu edhe Ermipi, në veprën e tij që i referohet 7 të Urtëve, thotë, se Periandri bëri po të njëjtën gjë.

Shumë shekuj më vonë, një Lap kësaj radhe, i quajtur Ali Pashai, do të përsëriste me saktësi këtë veprim të ashpër dhe do të mbyste në Liqenin e Janinës prostitutën e njohur Frosini, bashkë me 14 të tjera si ajo, në një operacion për pastrimin e zakoneve.

Emri Lap dhe Lab është krejtësisht i njëjtë. Arvanitasit në Greqi, gjatë shumë rasteve shqiptojnë në gjuhën greke “l si ll”, “n si nj” dhe “s si sh”. Kjo gjë nuk është mjaft e qartë në gjuhën greke. Por, kështu siç shqiptohen sot fjalët, duhet të dimë, se greqishtja e lashtë ashtu siç është caktuar të flitet dhe të mësohet është vetëm diçka e mundshme sipas llogaritjeve të grekëve. Dhe ndoshta nuk përputhet fare me atë realen, apo të themi, që është e sigurtë, që nuk përputhet as me atë të sotmen.

Grekët i shqiptojnë njësoj tingujt e zgjatur ashtu dhe ata të shkurtër, të trashët dhe të hollët, etj. Gjuha shqipe ndoshta do të na ndihmonte në këtë rast, për të kuptuar së fundi, shqiptimin e saktë të fjalëve të lashta helene. Por është më se e sigurtë, se ndryshe i shqiptonin të tillë tinguj grekët e lashtë. Në gjuhën greke kemi tendencën që në emrin Lapithes = Lapët, shkronjën “th” ta kthejmë në “dh” dhe të kemi “Lapidhes = Lebër”, sepse ky shndërrim është diçka e zakonshme në greqisht. Pra, shohim, se emri “Lab” është i njëjtë me atë “Lap” të të lashtëve, gjithashtu pamë, se ky popull haset në të njëjtat vende, ku haset dhe fisi i Lebërve, pra midis Thesalisë Perëndimore dhe Epirit.

Në këtë analizë pamë gjithashtu dhe karakteristikat e veçanta të Lapëve, që janë të njëjta me ato të lebërve, por jo vetëm në personat përfaqësues të tyre, Periandorit dhe Ali Pashës, por në të gjithë popullin që është luftarak, burrëror, i ashpër dhe mirëdashës. Disa e nxjerrin emrin Lap nga “la, lashë” pra “la besën”, kjo është e diskutueshme ( nga fjala “la” dhe grekja “pitho”, nga e cila vjen dhe besa. Kështu kemi Lapithis dhe Lapithes, Karolodhi ). Por, nëse flasim për Lebërit shqiptarë, nuk kanë fare të drejtë, sepse shqiptarët kanë fjalë të veçantë për shkelësit e besës. Për ata që e lanë besën : i quajnë “Lebesën”.

Më poshtë do të shohim, se në intervalin kohor të “Epokës Mikenase” u vendosën në Atikë: Lapët dhe Molosët, që iu përshtatën mjedisit Jonian shumë shpejt. (pjesa A, f. 367 ).

Herodoti përcjell perceptimin popullor, se Jonët janë fis Pellazg dhe Dorët janë Helenë. Diku tjetër quan edhe “Dorët Pellazgë” dhe vetëm për Athinejtë thotë, se edhe ata janë Pellazgë, por u greqizuan. Mirëpo, nëse do të ishin dhe ata Pellazgë, atëhere del, se nga kush u greqizuan, duke qenë, se të gjithë fiset e tjera Athinase ishin me prejardhje nga popujt Molosë, Thesprotë dhe Lapë, që ishin “PELLAZGË”. Nga erdhën pra Grekët, që greqizuan Jonët Pellazgë?

Por ekzistojnë edhe traditat Athinase, që thonë, se Skilakiu dhe Plakinë e Elespondit (Dardaneleve) i themeluan Athinasit. Por, në këto lagje siç konstatoi Herodoti flisnin Pellazgjisht, gjë që do të thotë, se Athinasit që në vitet e lashtësisë u vendosën në Plaki dhe Sikali flisnin gjuhën Pellazge, pra ishin Pellazgë.

“Lapët, Molosët, Thesprotët dhe Dardanët nuk ishin gjë tjetër veçse popuj Pellazgë, duke qenë në një farë mënyre Jonë (Pellazgë), pra nuk ekziston asnjë lloj asimilimi të askujt nga askush”.

Vetë studiues Mihal Saqeraliu, më poshtë përmend Lapët, Molosët, Thesprotët në gjithë Greqinë e Jugut dhe në zona: Joniane, Doriane dhe Eole, gjë që i krijon më tepër ngatërresa, të cilat i zgjidh me metodën e asimilimit. Por Helenët për fat të keq të tij janë të paasimilueshëm.

Për t’i dhënë fund konfuzionit, themi, se Jonët mirë bëjnë, që quhen Pellazgë nga të lashtët, megjithëse atë nuk mund ta kuptojë as Saqeraliu e as Herodoti. Fare thjeshtë, Jonët dhe Athinejtë e Atikës nuk janë veçse Pellazgë të vjetër, të cilëve iu shtuan kohë pas kohe Pellazgë të rinj, që vinin nga origjinat e “Kombit Pellazg”, si emigrantë të rinj më të prapambetur.

Jonët janë Pellazgë që për njërën apo tjetrën arsye nuk arritën ta realizojnë vetveten ndaj vringëllimave dhe pasojave të “Luftës së Trojës”, si edhe më pas ndaj dyndjes së fshatarëve dhe malësorëve Pellazgë që u quajtën “Dorë”. E njëjta gjë ndodhi edhe me Pellazgët e Azisë së Vogël. Në vendet që nuk u prekën nga pushtimi Dorian, kemi vazhdimin e qytetërimeve Akeje dhe Mikenase. Në të vërtetë Dorët u shpërndanë në të gjithë Peloponezin nga “Ngushtica Rio-Adrio”, duke pasur lidhje me Atikën, e cila vazhdoi në këtë mënyrë pa asnjë ndërprerje dhe plasaritje, zhvillimin e saj politik.

Të mos harrojmë, se Athinejtë përpara “Luftës së Peloponezit”, e quanin përbuzës termin “Jon”, sepse Dorët malësorë duke parë ndryshimin e zakoneve dhe dokeve, të vogël pa diskutim, si edhe elegancën, i quanin Jonët budallenj. Pra, patriotët e tyre që kishin kohë që jetonin aty dhe si të thuash ishin qytetarët e çështjes, të përkëdhelurit dhe qullacët.

Përkundrazi, në zemër të këtyre qytetërimeve në Peloponez, kemi një kthim prapa, si rrjedhojë e pushtimeve Dore.

Përveç Pellazgëve, që janë paraardhës të Helenëve, kemi ngulmime në Atikë të Lapëve, Molosëve, Thesprotëve dhe Dardanëve, d.m.th. përsëri të Pellazgëve.

Për sa analizuanm më lart, i gjithë materiali është studimi i autorit Aristidh Kola.

Lapitët dhe Centaurët, së bashku ishin një fisnikëri e njohur në Thesali. Lapidët e kishin marrë emrin e tyre sipas sundimtarit të parë të tyre, “LAPIT”. Lapiti quhej djali i Apollonit dhe Nimfës Stilbe. Lidhur me formën e Centaurëve, legjenda i përshkruan ata si njerëz kuaj, sepse ata nga koka e deri të kërthiza ishin njerëz, ndërsa nga kërthiza e poshtë ishin kuaj. Ata quheshin njerëz kuaj, pasi mbanin kuaj dhe ishin kalorës. Ata gjysmën e trupit e kishin prej kali dhe gjysmën tjetër prej njeriu, kur shiheshin nga largësia. Lapithët apo Labët ishin fise të pastra Shqiptare, të cilët që nga lashtësia i gjejmë në Thesali, Atikë, Dardani ( Kosovë – Lapi ) e gjetiu. Sipas shumë autorëve gjermanofonë, Lapithët dhe Labët janë i njëjti popull. Ndër katër fiset Shqiptare që ndërlidhen me Atikën Pellasge sipas studiuesve gjermanofonë janë: Lapithët (Labët), Çamët (Thesprotët), Toskët (Titanët) dhe Gegët (Gyges ose Gygantes).

Për sa analizuam më lart i gjithë materiali është studim i autorit Kosovar Prof. Dr. Jur. Eqerem M. Zenelaj.

Shqipëria, siç është vënë në dukje ndahet në dy pjesë: Gegët e Veriut dhe Toskët e Jugut, që njihen si Shqipëria e Epërme dhe e Poshtme. Shqipëria e Poshtme ndahet në tre klane, të cilat janë: Toskët, Çamët dhe Labët, të cilët respektivisht iu përgjigjen Kaonëve, Thesprotëve dhe Molosëve të antikitetit. Këta nga ana tjetër ndahen më tej në fise, që korrespondojnë me 44 fiset e lashta, të përmendura nga autorët klasikë, sidomos Theopompusi, i cituar nga Straboni.

Straboni përshkruan se Pellasgët ishin dëbuar nga Lapidët dhe kishin shkuar në Eubea, ku ishin vendosur në fushën pellasge, ku janë: Larisa, Gertoni, Fera, Mopsiumi, Liqeni Bebeste Homole, Peliumi dhe Magneti. Kurse anëtarët e tjerë të fisit, që jetonin në pjesën jugore të Gjirit të Ambrakisë, quhen Molosë.

Është krejt e qartë, se Pellasgu dhe Fetoni i “mitit” konsideroheshin si udhëheqës Pellasgë të vendosur në Etoli dhe Molopi dhe nga territoret e tjera, të cilat ishin zënë në fillim nga vërshimet Etoliane, Joniane dhe Helene. Por nga kjo nuk rrjedh aspak, që këto nuk ishin fise Pellasge. Emri Molopë vjen nga emrim Molotë dhe në fund fisi u quajt Molosë, që ishte një popull i Epirit.

Sipas të dhënave më të hershme historike dhe komentatorëve të tyre të kohës së sotme, raca Pellasge ishte vendosur në të gjithë Gadishullin e Italisë, nga Liguria e deri në Siçili e Sardenjë. Nga Deti Jon kolonizatorë të tjerë Pellasgë kaluan në Italinë e Jugut, duke i zhvendosur banorët e mëparshëm të saj edhe në Siçili dhe duke u vendosur përgjithmonë në këto vende.

Nga analiza e mësipërme këtë na japin autorët Sër Patrik COLQUHOUN dhe Pasco WASSA. Një tjetër njoftim na paraqitet për Italinë e Jugut. Për Mesapët bëhet fjalë për “Pellasgët Kretas”, të mbërritur qysh në kohëra të hershme. Ekzistojnë toponime që të kujtojnë emrin e tyre si: Lumi Mesapos në Kretë dhe Mali Mesapion në Greqi. Pastaj më tej Straboni ( VI, 312 ) thotë:

“Përsa i takon emrit të Japigëve është pranuar, se ai përdoret për të gjithë popujt e kësaj krahine deri në Dauni. Emri i tyre vjen nga “Japiksi”, i cili do të ketë qenë prijësi i Kretasve. Qyteti i Tarentes, emrin e ka nga një hero dhe është fjala për Tarasin, sipas Times. Polibi në librin “HISTORI” të tij i përmend Japigët dhe Mesapët së bashku, të cilët formojnë të njëjtën trupë përbri Romakëve kundër ushtrive të Hanibalit ( II, 25 ). Përkundrazi ai e zmadhon territorin e Japigës, duke e shtrirë atë tek Daunët, Peucetienët dhe Mesapët ( III, 88 ). Për sa i përket Kaonëve, është fjala për një popull Pellasg, i cili ka shumë të ngjarë të ketë ardhur nga Thesprotia, vend i cituar përballë bregut tjetër të Detit Adriatik (ku gjenden Kaonët, popull barabar sipas Tuqididit II, 68 ) dhe i vendosur në Itali, përpara mbërritjes së Grekëve. Tradita i lokalizon ata midis Krotones dhe Tarentes duke i mveshur këtij populli pjesën më të madhe të ultësirave bregdetare, që lageshin nga lumenjtë Kalabrezë dhe Lukanianë”.

Japigët dhe Mesapët, popuj që flasin të njëjtën gjuhë Mesapishten (që është Pellazgjishtja). Ja çfarë thotë Herodoti në Librin e tij ( VII, 170 ) :

“Ata, Kretasit ndoqën Dedalin në ikje, duke shkuar përgjatë brigjeve të Japigës, ndërkohë që i zuri një stuhi e fuqishme dhe i hodhi në breg. Anijet e tyre u shkatërruan dhe meqenëse nuk kishin asnjë mjet për t’u kthyer sërish në Kretë qëndruan aty dhe morën emrin Japigo-Mesapian dhe nga banorë ishujsh që ishin, u kthyen në banorë kontinenti”.

Tuqididi gjithashtu ka përmendur Kepi i Japigës ( VI, 34, 44 ) dhe Japigët (VII, 3) dhe ja çfarë na thotë :

“Demosteni dhe Eurimedoni do të kapërcejnë Gjirin e Jonisë me të gjitha trupat e ekspeditës dhe do të mbërrijnë majën e Japigës. Të nisur prej aty, ata do të shtrihen në ishujt Koirade, të cilët varen nga Japiga dhe do të marrin në bordin e tyre 50 Japigë të fisit të Mesapëve”

* Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Evropës

Këtë monografi ia kushtoj Popullit fisnik, trim, luftëtar, burrëror të ashpër, kryelartë

dhe mirëdashës të Labërisë, vëlla me Molosët dhe Perrebët. Gjithashtu, Kryeheroit tonë kombëtar Pirro molosi – burrit në 2300-vjetorin e lindjes ( viti 319 p.e.s.)

FAIK KONICA

“Bëhuni burra dhe jo palaçot e dheut.”

PROTAGORA

“Për t’u bërë i mësuar, duhet të kesh prirje dhe praktikë. Veç kësaj është e udhës të fillosh të studiosh që në djalëri.”

EURIPIDI

“Kurrë mos u lodh, për ndihmën që i jep Atdheut.”

HEGEL

“Intelektual i vërtetë është ai, që i përkushtohet

Kombit të vet.”

SHILERI

“Me budallallëkun vetë Perëndia lufton kot.”

PROVERBA

“Luftëtari nuk heq dorë nga ajo që do.”

“Të parët duhet të nderohen dhe rapsodët duhet të dëgjohen!”

“Duhet të bësh sakrifica, për të fituar një luftë!”