Kush ishte Hanko, nëna e Ali Pashë Tepelenës, gruaja që i kishte të gjitha. Martesa e Ali Pashës, krushqia në Delvinë, përdhunimi dhe Hanëmi që “hante” pashallarët

3875
Sigal

Si u përpoqën gazetarët evropianë të merrnin shkëlqim me emrin e saj

Kush ishte Hankua, nëna e Ali Pashë Tepelenës, gruaja që i kishte të gjitha

Hankua ishte gruaja që nuk la gur pa lëvizur, mjet pa përdorur, djallëzi dhe intrigë pa shfrytëzuar, vetëm e vetëm që nusja e djalit të saj të jetë nga derë pashai.

-Hankua “krijesë me shpirt ulkonje”, “e paepur”, “nepërkë e helmatisur”, synon të rifitojë pozitat e saj shoqërore

Habia, Kapllan pasha i Delvinës krushqi me Hankon edhe se e quanin “një prostitutë”!

– Gazetarët e asaj kohe kërkonin të çudisnin botën me personazhin e tyre, Hankon “që rrotullonte botën”

 

Nga Vepror Hasani

Esmihan Hanëmi ose siç e thërrisnin ndryshe, “Hankoja”, ishte nëna e Ali Pashë Tepelenës. Po kush ishte ajo në të vërtetë? Mbi figurën e kësaj gruaje është hedhur baltë me një tepri të shfrenuar deri në absurditet. Hankoja cilësohet si “një qenie me shpirt ulkonje”, pjellë e smirës dhe e xhelozisë”, “njeriu që injektoi tek i biri, Ali Pashë Tepelena urrejtjen për të afërmit, egërsinë, shpirtin e egër etj”. “Esmihan Hanëmi është gruaja e të 99-ve, e hurit dhe e litarit, e helmit dhe e thikës, e vrasjeve shekspiriane”, “e pamoralshme deri në ditën e vdekjes së saj”. “Hankoja është gruaja që meshkujt e Kardhiqit e kapën rob gjatë një luftimi dhe e përdhunuan për 40 ditë me radhë”. “Kjo grua është shtriga që helmoi dy fëmijët e të shoqit, Veliut, të cilët i kishte patur me gruan e parë”. “Është krijesa e djallit që nxit të birin, Aliun, drejt krimit dhe vrasjes që në moshe të re”. Në çdo hap që hedh Ali Pashë Tepelena “shkëlqejnë” këshillat djallëzore të Esmihan Hanëmit. Nëpërmjet Aliut ajo është gjithmonë aty ku ka vrasje. Kështu përpiqen ta prezantojnë kronikat e botës perëndimore të asaj kohe, të cilat në mjaft raste janë shkruar 200 vjet pas vdekjes së Esmihan Hanëmit, siç është rasti i autorit William Plomer; “The diamond of Janina – Ali Pasha, 1741-1822”, London, 1961. Përmes Esmihanit, kronikat e kohës përpiqen të interpretojnë jetën e Ali Pashë Tepelenës, njësoj sikur brenda qenies së tij të kishte hyrë shpirti djallëzor dhe i errët i Hankos. Duket sikur ata pas çdo lëvizje të Ali Pashë Tepelenës, pyesin veten:

“Si do të ishte sjellë Hankoja në këtë rast…?”

“Përse do t’i duhej ta kryente këtë veprim…?”

Të gjendur në këtë kurth, në çdo hap të hedhur nga Ali Pashë Tepelena, përpiqen të gjejnë shpirtin e errët të Esmihan Hanëmit. Tashmë duket se është mjaft e vështirë t’i shpëtosh ndikimit të kronikave të huaja, edhe pse ato janë shkruar nga armiq të Ali Pashë Tepelenës siç ishin francezët, anglezët apo rusët. Esmihan Hanëmi duket sikur është “magjia e zezë” e Ali Pashë Tepelenës që nuk lë të shkruhet drejt historia e birit të saj. Po kush ishte në të vërtetë kjo grua kaq e përfolur, emri i së cilës është përmendur në gjithë Perandorinë Osmane e ndjekur nga thashetheme të pafund?

Martesa e Ali Pashë Tepelenës


Ali Pashë Tepelena, ishte rreth 25 vjeç kur vendosi të martohej. Kishte kërkuar dorën e Um Gulsumit ose siç e quanin ndryshe Eminenë, e cila ishte bijë e Kapllan pashë Delvinës. Emineja ishte vajzë e bukur, e brishtë si fije bari dhe mjaft e këndshme. Edhe vetë Kapllan pasha i Delvinës e priti me kënaqësi këtë mblesëri, njësoj sikur ta kishte ëndërruar prej vitesh. Aliu kishte pamje të ëmbël, flokë të verdhë dhe sy bojë qielli. Vështrimi i tij të zgjonte simpati, dukej sikur prej syve të tij buronte mirësi qiellore, e pafajshme. I tillë mbeti vështrimi i tij edhe në çastin kur turqit i prenë kokën. Kaltërsia e syve të tij i ngjante një qiell të kthjellët e të paanë. Mbi të gjitha, në dejet e Aliut të Tepelenës rridhte gjak pashai. Gjyshi i tij, Myftari, i cili ishte vrarë me 1716 në Korfuz, kishte fituar gradën e pashait. Këtë gradë, edhe pse pas vdekjes, (1748), e kishte fituar edhe babai i tij, Veliu. Për të gjitha këto, nusja e tij, Um Gulsumi, ose siç e thërrisnin ndryshe, Emineja, ndihej e lumturuar. Ali Pashë Tepelena ishte djalë i gjallë, emri i tij ishte dëgjuar jo vetëm në pashallëkun e Delvinës, por edhe në pashallëkun e Beratit, ku sundonte Ahmet Kurt pasha. Emineja “kishte shtënë në dorë” djalin më të fuqishëm të atyre anëve, ku nga kjo lidhje patën dy fëmijë, Myftarin, (emri i gjyshit të Aliut), i cili u emërua pasha i Ohrit dhe më pas i Lepantit, pasha i Beratit dhe i Vlorës; dhe Veliun (emri i babait të Aliut), i cili u vu në krye të pashallëkut në Trikalla dhe më pas në More. Dashuria e Ali Pashë Tepelenës për Eminenë mbeti njësoj e fuqishme deri ditën kur Um Gulsumi u nda nga jeta për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme. Në jetën e Ali Pashë Tepelenës erdhën gra të tjera. Me Katerinën e Tepelenës, pati një djalë, Gaziun, i cili do të vihej në krye të pashallëkut të Trikallës e më pas komandant i kalasë dhe Sanxhak bej i Gjirokastrës. Një grua tjetër e tij ishte nga fisi i Zadejve të Janinës, Vasiliqi Kondakçiu, bijë e fshatit Plishevicë të Filatit, e cila ishte 18 vjeçe kur u bë gruaja e 73-vjecarit Ali Pashë Tepelena. Gjithashtu flitet edhe për një grua tjetër të quajtur Jorgjia. Megjithatë, edhe pse flitet shumë për Vasiliqinë, e cila i qëndroi pranë në vitet e pleqërisë, Um Gulsumi (Emineja), mbeti e pazëvendësuar në shpirtin e madh të Ali Pashë Tepelenës.

Kush ishte mblesi i kësaj martese?

 

Në kronikat e kohës, Ali Pashë Tepelenës nuk i jepet asnjë meritë për lidhjen e tij me Um Gulsumin. Ai qëndron vazhdimisht në hije njësoj sikur Hankoja ta kishte marrë për dore dhe ta çonte në shtëpinë e nuses. Në qendër të vëmendjes qëndron Esmihan Hanëmi, e cila është gruaja që nuk lë gur pa lëvizur, mjet pa përdorur, djallëzi dhe intrigë pa shfrytëzuar, vetëm e vetëm që nusja e djalit të saj të jetë nga derë pashai. Ajo është “krijese me shpirt ulkonje” “e paepur”, “nepërkë e helmatisur”, synon të rifitojë pozitat e saj shoqërore, të cilat ka vite që i ka humbur dhe ia mbërrin qëllimit. Tashmë në shtëpinë e saj do të ketë bijën e Kapllan pashë Delvinës. Por, për të mbërritur deri këtu, iu desh mjaft. Kishte bërë gjithçka për t’iu gëzuar asaj dite. Kishte helmuar njëri pas tjetrit dy djemtë e të shoqit, Veliut, i cili i kishte pasur me gruan e parë. (Esmihan Hanëmi ishte gruaja e dytë e Veliut). Hankoja ishte përpjekur që në atë familje të mbetej vetëm Aliu dhe vajza e saj, Shanishaja dhe askush tjetër. Vetëm dy fëmijët e saj mund të mbretëronin mbi këtë tokë. “Nepërka” ishte e aftë të helmonte në çdo kohë që mund t’i jepej rasti, duke shpërfillur çdo lloj morali. Me këtë dhelpëri që ia kalonte edhe dhelprës, kishte mundur t’i rrëmbente vajzën Kapllan Pashë Delvinës Të paktën kështu interpretoheshin nga kronikat evropiane ku përmendet emri i Esmihan Hanëmit.

Kur Ali Pashë Tepelena ishte 25 vjeç…

Po kush ishte Aliu në të vërtetë kur mbushi 25 vjeç? Përse kronikanët e kohës e lënë në hije, ndërsa në plan të parë qëndron gjithnjë Hankoja, madje edhe në martesën e tij me Um Gulsumin? Që familja e Ali Pashë Tepelenës, nuk i kishte humbur krejtësisht pozitat e saj që nga koha e Myftar pashës (gjyshi i Aliut) dhe Veli Pashës (babai i Aliut), kjo është më se e vërtetë . Dy ngjarje, të cilat përmenden si nga Sabri Godo ashtu dhe nga Irakli Koçollari, ku ky i fundit i referohet R.A. Devanport, tregojnë qartë se Aliu që në moshë të vogël ishte dikushi. Gjatë fëmijërisë së tij, kur mendohet të ketë qenë 16 vjeç, Aliu u kap rob në malet e Pindit në Greqi, nga Veziri i atyre anëve, i cili e dorëzoi tek pashai i Janinës. Fatkeqësisht, Aliu akuzohej për vjedhje, por nuk iu pre koka, sepse bejlerët e Gjirokastrës, të Janinës, të Përmetit dhe ata të Delvinës, insistuan pranë pashait të Janinës. Nëse Aliut do t’i jepej ndëshkimi kapital, atëherë kjo gjë do të shkaktonte një reaksion të fortë, me pasoja për vetë pashanë. Këtë fakt me siguri e ka ditur mirë edhe Um Gulsumi, që tashmë e martuar me Ali Pashë Tepelenën, e vështronte me kërshëri këndellëse, duke i kujtuar Aliut se kishte qenë edhe babai i saj, Kapllan pashë Delvina, që i kishin kërkuar pashait të Janinës të mos i pritej koka djalit nga Tepelena, njësoj sikur ta dinte se pas 10 vitesh do ta bënte dhëndër. Pra, Aliu edhe pse fëmijë, del qartë se ende ka influencën e familjes prej pashai. Në këto rrethana pashai i Janinës, i tmerruar nga kërcënimet, e liroi Aliun. Po t’i referohemi kohës kur ka ndodhur ngjarja, mbështetja e fuqishme që iu ofrua Aliut nga Gjirokastra deri në Përmet, ka ndodhur pothuajse pak më vonë nga ngjarja tragjike e Hankos me kardhiqiotët, ku kjo e fundit përshkruhet si një vejushë e vetmuar, por që në të vërtetë miqtë e saj gjenden në gjithë pashallëkun, dhe nuk ngurojnë t’i japin mbështetje. Atëherë si guxuan kardhiqiotët! Hankoja është bijë e Hysen bej Konicës, një nga dyert më të dëgjuara të atyre anëve, fis me Ahmet Kurt pashën e Beratit. Dy vjet më vonë, kur Aliu, ishte mbi 20 vjeç u kap rob nga Kurt pasha i Beratit, bashke me 6 të tjerë. Siç shpjegon Sabri Godo, fjala “Kurt” do të thote “ujk”, por as Kurt pasha, edhe pse ujk i vërtetë, pashai më i fuqishëm i vendit, nuk dha ndëshkim maksimal për Aliun, duke menduar se kisht elidhje gjaku me të. Ndërsa 6 të tjerët, të cilët ishin kapur rob bashkë me Aliun, i vari tek sheshi i kalasë pa u menduar gjatë. Edhe kjo histori e fisit Tepelena e bënte të lumtur vajzën e vogël 18 vjeçe, Um Gulsumin dhe të ndihej e paprekshme si në shtëpinë e saj, atje ku sundonte Kapllan pashë Delvina. Um Gulsumi, ose siç e thërrisnin ndryshe, Emineja, mendonte se kishte qenë me fat, kur kujtonte se Aliu për pak sa nuk ishte martuar me vajzën e pashait të Beratit. Edhe kështu mund të kishte ndodhur, nëse Kurt Pasha nuk do t’i kishte dhënë fjalën pashait të Vlorës.

Kapllan pasha i Delvinës krushqi me një prostitutë!

Nëse Hankoja kishte qenë prostitutë, mbetet i çuditshëm fakti si Kapllan pasha i Delvinës pranoi një krushqi të tillë. Tashmë e tutje do të kishte rastin që në shtëpinë e vet, në raste gostish e festash, të kishte pranë edhe krushkën, Esmihan Hanëm, një grua me nam të turpshëm. Kjo do të ishte e pabesueshme. Megjithatë, gjithkush që është marrë me jetëshkrimin e Ali Pashë Tepelenës nuk harron të përmendë kapjen rob të Esmihan Hanëmit nga banorët e Kardhiqit dhe të Hormovës, të cilët e mbajtën peng 40 ditë, ku meshkujt e dy fshatrave “nuk dihet mirë se çfarë bënë me të”. Këtë fakt e gjejmë edhe tek libri i Irakli Koçollarit, “Policia Sekrete e Ali Pashës”, f. 161, i cili ndërsa i referohet William Plomer; “The diamond of Janina-Ali Pasha, 1741-1822”. London, 1961, shkruan: “…dy femrat u kthyen në subjekte të një shfrytëzimi masiv seksual”. Nuk ka dyshim që kapja rob e Hankos është fakt historik, por gjithashtu nuk ka asnjë dyshim që pjesa tjetër e kësaj historie është kronikë rozë e kronikanëve evropianë. Të pavërtetat dalin në pah kur rrëfehet lirimi i saj. Sipas William Plomer, Esmihan Hanëm u lirua nga një Dervish, sipas R. A. Devanport, Esmihani u lirua nga një tregtar gjirokastrit i quajtur Malikovo etj, pra edhe në këtë rast shfaqen kontradikta, sepse edhe lirimit të saj janë përpjekur t’i japin ngjyrë rozë. Nuk kishte si ndodhte ndryshe, historitë rozë i bënin më të lexueshme kronikat e tyre.

 

Përdhunimi i Hankos

Por kronikanëve të kohës u ka shpëtuar një detaj i vogël. Nëse e marrim të mirëqenë përdhunimin e Hankos, atëherë na rezulton se kur Esmihan Hanëmi u kap rob nga kardhiqiotët, Ali Pashë Tepelena ishte 14 vjeç, (i kishte vdekur i ati, sepse pas vdekjes së burrit të saj, Esmihan Hanëmi ngjeshi armët në brez), ndërsa motra e Aliut, Shanishaja ishte 12 vjeçe. Duket e çuditshme kur e mendon se për ç’arsye kjo grua gjatë luftimeve merrte me vete dy fëmijët, Aliun dhe Shanishanë, ndërsa i duhej të luante rolin e prijësit. Nëse marrim parasysh moshën e Shanishasë, 12 vjeçe, përdhunimi i saj duket edhe më absurd, sepse në kohën kur ndodhin ngjarjet, rregullat e moralit ishin të forta aq sa asnjë shqiptar nuk do të guxonte të kryente akte të tilla. Edhe kronikat e botës evropiane të periudhës së Ali Pashë Tepelenës, përshkruajnë qartë këtë zakon të burrave shqiptarë në rastet kur të kapurit rob ishin femra: “E bukur apo e shëmtuar, e re apo plakë, myslimane apo kristiane, sidoqë të ishte ajo, për tërë anëtarët e bandës së hajdutëve, ajo apo ato, robinat qenë një objekt i shenjtë dhe i paprekshëm. Një komandant hajdutësh, i cili kishte dështuar në respektimin korrekt të pengjeve femra duhej të abandonohej menjëherë nga trimat e tij përgjithmonë, si një njeri i pandershëm dhe i papërshtatshëm të komandonte luftëtarët”. (Irakli Koçollari, “Policia Sekrete e Ali Pashës, vëll 1, f. 75). Kjo tregon se bota perëndimore e asaj kohe nuk la mjet pa përdorur për të mposhtur Ali Pashanë e pamposhtur, i cili diti të qendronte me lart se gjithë diplomacitë e kundërshtarëve të tij.


Esmihan Hanem, gruaja q
ë “hante” pashallarë

Gazetarët e botës perëndimore, veçanërisht ata francezë, rusë anglezë apo dhe të tjerë, pasi e kishin gdhendur figurën e Esmihan Hanëmit si një grua të pamoralshme, e kishin më të lehtë që pas kësaj, vrasjet e pashallarëve të Shqipërisë t’i shihnin si skenarë të kësaj gruaje që ndryshe e thërrisnin Hanko. Sipas tyre, ajo mund të bënte gjithçka, ishte “djallëzia” dhe “ferri” vetë. Ajo mund të sulmonte çdo pasha të vendit, t’i sillte vdekjen atij përmes shpatës apo helmit, njësoj sikur pashallarët të ishin kalorës të vetmuar. Në të gjitha përshkrimet e kronikanëve perëndimore, kjo grua flet me gjuhën e personazheve të Shekspirit: “Ji gjakësor, guximtar dhe i vendosur!” Këto janë mësimet dhe këshillat e saj për të birin. Duket qartë se gazetarët e asaj kohe kërkonin të çudisnin botën me personazhin e tyre. Më shumë se për ta ngritur apo rrënuar figurën e Esmihan Hanëmit, për ta kishin rëndësi “bëmat” e saj. Vetëm një personazh i tillë mund të tërhiqte vëmendjen e lexuesve të tyre dhe t’i linte pa mend ata, ndërsa politika e kohës përpiqej t’i shfrytëzonte për të mposhtur figurën e Pashait të madh të Janinës. Shkrimtarët dhe gazetarët kishin rastin t’ia kalonin edhe Shekspirit. Përpjekjet e tyre nuk synonin për të sjellë Hankon e vërtetë, por për të fituar emër si shkrimtarë dhe kronikanë të mëdhenj. Mjaftonte që historitë apo thashethemet të përmendnin një pasha të vdekur në rrethana misterioze dhe gazetarët do të nxitonin të gjenin një skenar të Esmihan Hanëmit. Pak rëndësi kishte, nëse ekzistonin fakte, sespse mjaftonte që ngjarja të kishte ndodhur në kohën kur Hankoja ishte gjallë. Kjo e bënte të lehtë për gazetarët të gjenin jo vetëm fakte por edhe detaje të vrasjeve. Sipas tyre, motivet që shtynin këtë grua drejt krimeve dhe intrigave ishin gjithnjë të njëjta: Ajo kërkonte që vendi i pashait të vrarë të zihej nga i biri. Në të vërtetë, edhe pse ishin vrarë shumë pashallarë, asnjëherë nuk ndodhi që në atë post të ulej djali i saj, Ali Pashë Tepelena.

Kapllan Pashë Delvinës i pritet koka

Kapllan pashë Delvina nuk i ishte bindur urdhrit të Portës së Lartë, e cila i kërkonte të nënshtronte Himarë që atë kohë ishte rebeluar. Pas kësaj, Stambolli i mbetur i fyer dhe ofenduar nga pashai, kërkoi kokën e Kapllan pashës. Diçka pritej të ndodhte. Ishte vetë pashai, ai që do të vendoste si do ta përballonte fermanin që kishte dalë për kokën e tij. Siç shpjegon Sabri Godo (Ali Pashë Tepelena, f. 32) “Lufta Ruso- Turke solli një turbullirë të madhe në Ballkan që u shtua sidomos më 1770, kur flota e Katerinës kaloi Gjibraltarin dhe u fut në Adriatik dhe Egje nën komandën e vëllezërve Orlov, u ngrit Moreja dhe disa krahina të Greqisë nën thirrjen e Katerinës që vëllezërit ortodoksë të çliroheshin nga zgjedha turke … Në kryengritje kishte marrë pjesë edhe Himara”. Porta e lartë e Stambollit ishte e shqetësuar për përmasat e kryengritjes, por pashai nuk kishte denjuar t’i përgjigjej kësaj kërkese. Me Himarë kishte pasur miqësi, sepse mbështetja e saj nuk i kishte munguar edhe kur vetë pashai ishte gjendur në ditë të vështira. Tashmë kjo besnikëri po i kushtonte me kokë. Sulltani nuk mund ta toleronte fyerjen që i bënte një pasha i vogël në Jug të Shqipërisë. Porta e Lartë kishte përgatitur skenarin e ekzekutimit të Kapllan Pashë Delvinës. Në shtëpinë e pashait kishte mbërritur një ftesë. Bejlerbeu i Rumelisë e ftonte pashain e Delvinës në Manastir. Aty, në Manastir do t’i pritej koka Kapllan Pashës, e cila më pas, do të udhëtonte e kriposur në drejtim të Stambollit. Edhe më parë kështu kishte ndodhur, dhe pashallarët i dinin të gjitha këto. Pas ftesash gostish dhe marrje ofiqesh të larta, pashallarët shqiptarë kishin gjetur vdekjen, duke vendosur qafën nën shpatë. I ndodhur jo shumë larg me vdekjen, por edhe jo shumë larg me jetën, pashait i duhej të merrte një vendim nëse duhej të shkonte në Manastir apo t’i shmangej ftesës së Bejlerbeut të Rumelisë përgjithmonë, deri sa për të të vinin ditë më të mira. Ai vendosi të shkonte atje dhe shpata nuk bëri gjë tjetër veçse rrëshqiti mbi qafën e pashait.

Hankoja përgatit skenarin..!

Si gjithnjë, atje ku ndihej era e gjakut, aty duhej të ishte dhe Hankoja. Në kronikat e kohës thuhet se Hankoja me të mësuar lajmin, se sulltani kërkonte kokën e krushkut të saj, nxitoi të përgatiste planin që koka e Kapllan Pashë Delvinës të qëndronte disa ditë në kamaren e turpit në Stamboll. Atë çast Hankoja dridhej nga ethet e thurjes së intrigave që kishin pushtuar shpirtin e saj. Nuk ishte e sigurt, nëse krushku do të shkonte ose jo në Manastir. Ajo kërkonte vdekjen e tij, e kërkonte një orë e më parë. Brenga dhe shqetësimi po e gërryenin në çdo sekondë. Kapllan Pasha edhe mund të mos i përgjigjej ftesës së Bejlerbeut të Rumelisë, por atëherë kjo do të ishte një kokëprerje për vetë Hankon, sepse do ta kishte të vështirë të realizonte synimet e saj. Koka e krushkut kishte filluar t’i dukej e tepërt. (Kujtojmë se Ali Pashë Tepelena kishte marrë bijën e Kapllan Pashë Delvinës). Pasi ishte menduar gjatë, Esmihan Hanëmi e kishte gjetur çelsin e portës së varrit për Kapllan Pashë Delvinën. Do të ishte Ali Pashë Tepelena ai që do të këshillonte vjehërrin se e mira e tij e donte që t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së Bejlerbeut të Rumelisë. Të paktën kështu përpiqen gazetarët e asaj kohe të shpjegojnë udhëtimin e Kapllan pashë Delvinës drejt Manastirit. Kapllan Pasha shkoi atje, por nuk mundi të kthehej më bashkë me kokën e tij. Hankoja kishte realizuar një nga planet e saj, thuhet në kronikat e gazetave të huaja. Tashmë i hapej rruga birit të saj të zinte fronin e pashait të Delvinës. A ishte vërtetë kjo, një nga intrigat e përgjakura te Hankos? Ndiqni rrëfimin.

 

Nesër do të lexoni:

-Emineja, gruaja e parë mbeti për Ali Pashën një dashuri e përhershme për të.

-Ai i qendroi pranë deri ditën e vdekjes së saj kur një sëmundje e pashërueshme e ndau përgjithmonë nga pashai i madh.

– Ali Pashë Tepelena ngrihej natën nga shtrati i tij dhe shkonte tek varri i Um Gulsumit për ta qarë
– Nuk ishte Ali Pasha
ai që vrau vjehrrin e tij, por ai kuptoi se Sulltani do ta ekzekutonte si vjehrrin