Kur u plagosa rëndë donin të më varrosnin të gjallë

1588
Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)
Rrëfim nga Arif Bizhga, ish-shoqëruesi i Enver Hoxhës dhe ish-komisari i Depove të Bashkuara të Artilerisë, vazhdimi i luftës pas kapitullimit të Italisë fashiste, kur do të çlirohej Shkodra, jeta e Enver Hoxhës pas çlirimit të vendit
Nga një predhë e tillë, mitraljeri që luftonte pranë meje u bë copa – copa ndërsa unë u plagosa rëndë. Fillimisht më morën për të vdekur as sa u dha urdhri të më hapnin nja varr e të varrosesha bashkë me 11 partizanë të tjerë që ranë dëshmorë në atë betejë. Por më pas, kur vunë re se isha gjallë më çuan në shtëpinë e Sami Bahollit në Labinot dhe atje më mjekoi një mjek italian
Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër. Kjo sentencë ka vlerë në të gjitha rastet. Kështu ka ndodhur dhe me Arif Bizhgën, i cili mund të ishte ndarë nga kjo jetë 65 vjet më parë, atëherë kur shumë menduan se ai nuk do t’ia hidhte plagëve të mara nga predhat e artilerisë gjermane, gjatë luftimeve të përgjakshme në Labinot të Elbasanit. Por Arifi jo vetëm që mbijetoi, por sapo e ka ndjerë veten mirë, gjithë ngut ka lënë spitalin partizan dhe ka ndjekur pas Brigadën për ta arritur në malet e Pukës dhe për t’u ribërë pjesë e luftimeve të tjera të saj.
Vitet e luftës ishin të vështira, por jo më të lehta do të ishin vitet e para të pasluftës. Ndërsa shumë nga bashkëluftëtarët e tyre e kishin përfunduar misionin e tyre në 29 nëntor 1944, për shumë të tjerë, lufta do të vazhdonte sërish jo pak por edhe një vit tjetër, por këtë herë në tokat shqiptare jashtë Shqipërisë. Arif Bizhga, i inkuadruar në radhët e Batalionit të Parë të Brigadës së 6-të Sulmuese, do ta mbante frymën në Sanxhak, për t’u kthyer në Shqipëri pak ditë para se të festohej viti i ri 1946. Gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf” ish komisari Bizhga, i cili më pas do të merrte poste të rëndësishme në Ministrinë e Brendshme, rrëfen:

Si do të vijonte lufta pas kapitullimit të Italisë fashiste?
Menjëherë pas ndodhisë në Gjirokastër ku Bedri Spahiu demaskoi Ali Bej Këlcyrën dhe Bahri Omarin, në Shqipëri u futën trupat gjermane. Edhe gjermanët, batalioni ynë i priti tek ura e Kardhiqit, që për shkak të rezistencës dhe luftimeve të shumta që janë bërë në atë pikë, është cilësuar dhe si “Stalingradi i dytë”. U zunë rob disa gjermanë dhe dy kamionë që çuditërisht ishin të mbushura plot me stofra e basma. Ndërsa më 26 janar 1944 në Përmet u formua Brigada e 6-të Sulmuese me komandant Tahir Kadarenë dhe komisar Mustafa Matohitin. Brigada kishte 4 batalioni, dhe i ynë “Asim Zeneli” ishte batalioni i parë që u inkuadrua në këtë brigadë, e cila fushën e luftimit e kishte të përcaktuar aksi Vlorë – Gjirokastër e cila quhej dhe “Zona e Parë Operative”. 

Brigada do të luftonte vetëm në Jug të vendit?
Në korrik në vitit 1944 me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, Brigada e 6-të do të linte pozicionet e saj në Jug të vendit për të shkuar në Shqipërinë e Mesme. Fillimisht Brigada u mblodh në Kulmak të Skraparit ku dhe u riorganizua sepse sapo kishte dalë nga operacioni i qershorit ku kishte pasur dhe humbje. Në këtë kohë Brigada u shtua dhe me një batalion tjetër, atë “Zaho Koka” që vinte nga bregdeti. Atëherë unë jam emëruar komisar kompanie. Pas organizimit kaluam Shkumbinin në një kohë shirash të vrullshme, ku partizanët u mbajtën krah për krah me njëri tjetrin dhe u përqendruam në Labinot të Elbasanit. Aty marrim urdhër që të godasim një kolonë gjermane që lëvizte në rrugën Mirakë – Fushë Labinot. Batalioni ynë qëlloi kolonën dhe për shkak se disa makina ishin me karburant, plasi një flakë e madhe. Por gjermanët luftuan fort, prandaj në ndihmë na erdhën dhe dy batalione të tjera. Pas tre ditë luftimesh në 13 shtator, bëmë një sulm të përgjithshëm dhe arritëm të merrnin pozicionet e tyre që ishin më dominuese. Aty kam parë me sytë e mi se si një kapiten SS organizonte ushtarët e vet duke u qëndruar me pistoletë tek koka. Ato ishin ditë shumë të vështira luftimesh sepse dhe forcat naziste rezistuan me sa mundnin, në një kohë që autokolonat e tyre po përdornin territorin Shqiptar si një rrugë për të tërhequr njësitë e Gruparmatës “E” e cila e kishte qendrën në Selanik.

Si do të përfundonte kjo betejë?
Si e panë keq, gjermanët sollën artileri në e rëndë. Pllaja që kishim nën kontroll ishte veç shkëmb e gurë. Përveç predhave, në ajër ngriheshin dhe copa të mëdha gurësh. Nga një predhë e tillë, mitraljeri që luftonte pranë meje u bë copa- copa ndërsa unë u plagosa rëndë. Fillimisht më morën për të vdekur as sa u dha urdhri të më hapnin nja varr e të varrosesha bashkë me 11 partizanë të tjerë që ranë dëshmorë në atë betejë. Por më pas, kur vunë re se isha gjallë më çuan në shtëpinë e Sami Baholliot në Labinot dhe atje më mjekoi një mjek italian. Ai fillimisht me hoqi shumicën e copave të predhave që më kishin mbuluar gjysmën e trupit. Më pas më çuan për mjekim në një spital partizan ku u rehabilitova. 

I humbët lidhjet me Brigadën?
Brigada kaloi në veri të vendit në Mirditë dhe mori Shën Palin. Unë, sapo u përmirësova u nisa për rrugë dhe e arrita brigadën në Iballë të Pukës. Pastaj u hodhëm në Tropojë, kaluam Qafën e Kolçit dhe zbritëm në Nikaj-Mërtur. Atje, në një grykë shumë të vështirë, vendasit na bënë pritë dhe na vranë një partizan që ishte nipi i Shefqet Peçit. Atëherë komandanti, Tahir Kadare, dha urdhër të tërhiqeshim dhe të përdornin një formë tjetër për të çarë përpara. Disa partizanë që ishin të fortë fizikisht, mes tyre dhe unë, kaluam nga Maja e Hekurave, që ishte një terren shumë i vështirë dhe ku gropat në akull për të vendosur majat e thembrat i hapnim me bajoneta. Kështu mundëm t’u dilnim pas shpine atyre që na kishin zënë pritë. Në këtë mënyrë do të zhbllokohej situata dhe Brigada do të vazhdonte për në Shkodër. Por dhe atje do të ndesheshim me trupat mercenare të Preng Calit.

Kur do të çlirohej Shkodra?
Mëngjesin e 29 nëntorit u tha se Shkodra dhe gjithë Shqipëria ishte çliruar. Por ne nuk u gëzuam shumë, sepse na erdhi urdhri që Divizioini i 6-të Sulmues ku bënte pjesë dhe Brigada e 6-të do të vazhdonte luftimet sipas parullës “Ta ndjekim bishën gjermane deri në strofkullën e tyre në Berlin”. Kështu ne u hodhëm menjëherë në Malin e Zi ku kemi lënë dhe shumë të vrarë. Në Sanxhak do të ishte dhe kontakti ynë i fundit me armikun dhe pas kësaj u futëm në Kosovë, kaluam në Maqedoni ku zbatuam urdhrat që merrnim nga Shtabi i Përgjithshëm dhe në dhjetor të vitit 1945 u kthyem në Korçë. Këtu ishte dhe fundi i misioni tonë.

Si do të rridhnin ngjarjet pas përfundimit të misionit të Brigadës?
Në fillim të vitit 1946 u bë organizimi i ushtrisë. Nuk do të kishte më brigada por regjimente dhe divizione. Në Korçë qëndrova deri në vitin 1947 ku më duhet të them se kaluam një periudhë të vështirë, ku si ushtarë ashtu dhe ne oficerët ushqeheshim vetëm me bizelet që sillte UNRRA si ndihma. Filluam të merrnim dhe rroga, por që s’kishim çfarë të blinim sepse dyqanet ishin bosh.

Pas organizimit të ushtrisë ju çfarë detyre do të merrnit?
Në pranverë të vitit 1947 unë u emërova komisar i Depove të Bashkuara të Artilerisë. Këtu kam përjetuar kontributin e madh që Shqipëria i dha forcave të EAM-it grek të cilët luftonin në periferitë e Gramozit. Duke qenë komisar i repartit isha në dijeni të të gjithë municionit që ngarkohej nëpër automjete dhe shkonin në ndihmë të Ushtrisë Çlirimtare të Greqisë, të cilat luftonim me trupat që ne i cilësonim si monarko-fashiste. 

Sa do të qëndronit në këtë detyrë?

Në këtë pozicion qëndrova deri në nëntor të vitit 1948, kur më erdhi emërimi i ri, si shoqërues në grupin e shoqërimit të Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha. 

DËSHMIA/ Të gjitha detajet e jetës së Komandantit pas çlirimit të vendit

Ju rrëfej Enverin, si jetonte në dy dhoma me Nexhmien
Ka qenë pranë Komandantit të Përgjithshëm vetëm për dy vjet. Më pas, me kërkesë të tij, do të kalonte në një tjetër detyrë. Arif Bizhga, një ish-partizan i çetës “Asim Zeneli” që pas çlirimit do të emërohej si komisar i Depove të Bashkuar të Artilerisë, shumë shpejt do t’i besohej jeta e drejtuesit më të lartë të shtetit të asaj kohe. Duke kujtuar atë periudhë të ngarkuar të jetës së tij, në shërbim të Enver Hoxhës, Arif Bizhga rrëfen për gazetën “Telegraf” të gjitha detajet e jetës së kryeministrit të atëhershëm në një shtëpi ku më së shumti përdorej si zyrë pune:
“Nuk ishte aspak e lehtë të përgjigjeshe për jetën e Enver Hoxhës. Në atë kohë trupa e shoqërimit përbëhej nga 7 (shtatë) oficerë shoqërues, ndërsa komandanti i grupit ishte Axhem Abazi nga Mallakastra. Në ato vite Enver Hoxha udhëtonte me një makinë “Alfa Romeo” që me sa di unë ishte një trofe e luftës. Ndërsa truprojat e shoqëronin me një “Xhip” amerikan. “Alfa Romeo” më pas do të zëvendësohej nga një makinë “ZIM” që Enverit ia bëri dhuratë Stalini, ka mundësi pas vizitës së parë që ai bëri në Moskë. Në fakt si dhuratë e Stalinit erdhën dy “ZIM”-a një i zi dhe një i kuq. Por Enver Hoxha parapëlqeu të udhëtonte me të ziun, ndërsa makinën me ngjyrë të kuqe ia kaloi zv/kryeministrit të asaj kohe që ishte Koçi Xoxe. Këtë “ZIM”, si dhe shtëpinë ku jetonte Koçi Xoxe, me pas e mori zv/kryeministri tjetër që do të emërohej pas eliminimit të tij dhe që ishte Tuk Jakova. Enveri jetonte në një shtëpi dy katëshe në po atë vend që tanimë quhet “Blloku”. Ajo ishte një vilë me dy hyrje ku në njërën anë banonte Enveri me Nexhmijen dhe nga ana tjetër jetonin prindërit dhe motrat e tij. Shtëpia rrethohej nga një gardh me rreth saj ishin mbjellë disa portokaj. Në atë periudhë më kujtohet që familja Hoxha kishte në dispozicion vetëm dy dhoma në katin e dytë të ndërtesës dhe një dhomë ishte përshtatur për ne të grupit të shoqërimit që qëndronim me turne. Dhoma e gjumit e çiftit Hoxha ishte shumë e thjeshtë, ndërsa dhoma tjetër më së shumti përdorej si zyrë pune e Enverit, sidomos gjatë periudhës së verës meqenëse ishte shumë e freskët. Në katin e parë kishte dy dhoma të hapura me njëra-tjetrën ku ishte ndarë më xham, pra improvizuar, një dhomë e vogël punë ku ishte vendosur tavolina e Enver Hoxhës si dhe një oxhak për ngrohje. Në pjesët tjetër të sallonit në të gjithë faqen e murit ishte vendosur një bibliotekë e madhe dhe një tavolinë e madhe me karrige. Atje, pothuaj çdo natë mblidhej Byroja Politike dhe punonte deri afër mëngjesit. Çdo mëngjes mbi tryezën e punës mund të gjeje të paktën 30 filxhanë kafeje dhe tavllat e mbushura me duhan. Ndërsa në bodrum ishte vendosur kuzhina ku gatuante xha Nikoja, një burrë babaxhan, i cili kishte qenë kuzhinier i Ahmet Zogut. Gjatë periudhës që unë kam qenë me shërbim, nuk kam parë asnjeri që të kontrollonte ushqimin e Enver Hoxhës. Ushqimet për familjen Hoxha bliheshin në dyqanin e udhëheqësve, si gjithë të tjerët, pa asnjë privilegj”. 

Huqet e Komandantit
Letra që e futi në sherr me bashkëshorten
“Enveri ishte sa i butë e miqësor aq edhe i rreptë. Gjatë gjithë kohës që rinte në shtëpi, atë njeri e kam parë me libra në dorë. Hynte e dilte në dhomën e madhe ku shpesh i drejtohej bibliotekës. Ai ishte shumë korrekt dhe një gjë të tillë e kërkonte nga të gjithë. Një nga truprojat këputi një ditë disa gjethe dafine. Por ai e pa nga dritaret e dhomës së katit të dytë. Zbrit poshtë dhe e kapi tek flokët poshtë veshit duke ia tërhequr. “Ja kështu i dhemb edhe pemës”, i tha njeriut që e ruante pas portës. Një herë tjetër ai bëri sherr me Nexhmien sepse një letër, e cila kish ardhur në emër të tij nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, ajo harroi pa ia dhënë në kohën e duhur. Presidiumi, në të cilën ai ishte anëtar, do të mblidhej dhe i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës ku i bënte të qartë orën dhe qëllimin e mbledhjes. Meqenëse ishte në gjumë, ne nuk e shqetësuam, por këtë letër ia dhamë bashkëshortes me qëllim që ajo t’ia jepte sapo të zgjohej. Ditën e caktuar Presidiumi ishte mbledhur dhe priste vetëm Enver Hoxhën. Kur e panë që ai s’po vinte e marrin ne telefon për t’i thënë se e kishin njoftuar për këtë mbledhje me anë të një letre. Atëherë Enver Hoxha u mërzit shumë. Kur u sqarua se ishte Nexhmia ishte ajo që e kishte harruar porosinë iu kthye asaj me ton të ashpër. Nga ana tjetër, Enver Hoxhën e kam parë edhe të këndonte. Ne e shoqëruam në një rast në Vlorë, në një takim që ai zhvilloi me ushtarakët ku dhe do të punonte tezat e Pleniumit të 11 të Komitetit Qendror. Pas mbledhjes, në hotel “Sazani”, ku u shtrua dhe një darkë, ai krejt i çliruar ia mori labçe me ushtarët”.

Vizitorët
Të parapëlqyerit e kryeministrit
Dy ishin personat që mund të hynin tek Enver Hoxha pa trokitur. I pari ishte Myslym Peza, të cilin Enveri e thërriste vetë për të biseduar. Kur vinte Myslymi, Enveri zbriste vetë ta priste, pasi na kishte dhënë porosinë: “Pasdite do të vijë “baba” për vizitë. Mos e ndaloni.” I dyti që gjithashtu futej pa teklif tek Enveri, ishte ambasadori Sovjetik në Shqipëri, Çuvakini, kujton nga vitet e shërbimit të tij pranë Enver Hoxhës, ish- truproja Arif Bizhga.
Intervistë e dhënë nga Arif Bizhga në dhjetor 2006 për gazetën Telegraf. Arif Bizhga ka disa kohë që është ndarë nga jeta. 

NESËR DO TË LEXONI
-Puna me Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun në Ministrinë e Brendshme
-Drejtoria e kuadrit, si përgatiste dosjet e punonjësve të sigurimit dhe të policisë
-Eliminimi i Shehut dhe Hazbiut, ku janë pikat e errëta të veprimtarisë së tyre
Sigal